Histori

Shtypi i huaj për fjalimin e shefit të shtetit shqiptar në Konferencën e paqes në Paris

Çfarë shkruante shtypi i huaj për Fjalimin e Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes, Paris 21 gusht 1946?
Enver Hoxha mbajti një deklaratë për shtypin e huaj fill pas fjalimit të gjatë dhe daljes nga salla e Konferencës së Paqes në Paris. Ky fjalim i denjë (besoj se e keni lexuar më parë) u mbyll me keto fjalë nga Enver Hoxha :
“Edhe një shqiptar i gjallë të mbetet, grekët nuk futen dot në tokën tonë”.
Në tribunat e shtypit përshtypja që bëri ky fjalim ishte shumë e madhe. Ky fjalim tregoi vendosmërinë e shtetit Shqiptar me përfaqsues dhe artikulues të këtij fjalimi vetë Enver Hoxhën duke i bërë të qart kujtdo, se Shqipëria e meriton të ruajë e gëzojē pavarsinë e saj edhe pse të cunguar nga padrejtësitë e mëparshme të fuqive tê medha imperialiste. Kjo u pasqyrua që atë ditë në gazetat pariziene të mbrëmjes. Ja se cfarë shkruanin gazetat franceze.
Gazeta “Së Suar” (Ce Soir) shkruante: “Sigurisht nuk ishte e kotë që zëri i Shqipërisë të dëgjohej në këtë tribunë nga ku ajo ishte sulmuar shumë herë nga delegati grek, Caldaris. Zoti Enver Hoxha i dha përgjigjen e duhur Caldarisit”.
Gazeta “Le Monde” e titullonte shkrimin e saj: “Enver Hoxha ekzalton rezistencën popullore shqiptare”, ndërsa gazeta “Liberte Suar” thoshte: “Enver Hoxha foli në një frëngjishte të shkëlqyer dhe theksoi se në Shqipëri nuk ka asnjë pëllëmbë toke të huaj”. Toni i gazetave të mëngjesit të datës 22 gusht ishte i njëjtë.
Gazeta “Ymanite” titullonte: “Enveri, Hero i Shqipërisë”, dhe nën të shkruante një koment të gjatë.
Një gazetë tjetër e asaj kohe “Fran-Tirer” (Franc-Tireur) shkruante:
“Ndërhyrja e Enver Hoxhës pruri një notë të re në Konferencë. Shefi i qeverisë shqiptare është një nga figurat më interesante të luftës. Profesor, ai ka qenë komandant i 70.000 partizanëve. Popullariteti i tij është shumë i madh në Shqipëri.
Gazeta tjetër e madhe e mëngjesit, “L’ob” (Aube) shkruante: “Viktimë e parë e agresionit fashist, populli i vogël shqiptar është mbrojtur malit në mënyrë legjendare”. Prania dhe fjala e Heroit të Shqipërisë, siç e quante shtypi e parizian Enver Hoxhën, në Konferencë e ngriti lart luftën dhe emrin e vendit tonë. Ato ishin një grusht i rëndë për Caldarisin dhe përkrahësit e tij. Përshtypja ishte gjithashtu e madhe në ethet e diplomatëve.
Në një relacion dërguar Ministrisë së Jashtme me datë 24 gusht, domethënë, tri ditë pas fjalimit, K.Ylli shkruante: “Paraqitja e fjalimit u bë me një ton të gjallë e të prerë dhe, me gjithë kohën e gjatë që mbajti, u ndoq me vëmendje prej të gjithë pjesëmarrësve, qoftë edhe prej kundërshtarëve tanë. Fjalimi krijoi një atmosferë shumë të mirë; shumë favorizuese, u prit me kënaqësi të madhe nga miqtë tanë, por bëri dhe një përshtypje të thellë sigurisht edhe në armiqtë tanë, të cilët ndoshta dhe nuk e shpresonin një gjë të tillë. Fjalimi u konsiderua si një nga fjalimet më të mira (në mos më i miri), që është mbajtur në Konferencë, me një ton të prerë dhe pa ekuivok, ose, si i konsideron shtypi dhe disa rrethe të ndryshme, me një stil të veçantë”.