Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLI) – PEJA – QYTETI I LIDHJES “BESA-BESË, I MBIQUAJTUR “LULJA E DUKAGJINIT”

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLI)
PEJA – QYTETI I LIDHJES “BESA-BESË, I MBIQUAJTUR “LULJA E DUKAGJINIT”
Në pjesën veriperëndimore të Rrafshit të Dukagjinit, poshtë Alpeve Shqiptare dhe në hyrje të Grykës së Rugovës shtrihet qyteti i bukur i Pejës. Nga Gryka e Rugovës del lumi Lumbardh, që e ndanë përmes qytetin dhe bashkohet më poshtë me Drinin e Bardhë. Qyteti i Pejës është nyje e rëndësishme rrugore, që lidhet me Prishtinën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Rozhajën, kurse me hekurudhë lidhet me Fushë-Kosovën.
Peja është qendër e komunës dhe e rajonit, si dhe qendër ekonomike, arsimore e kulturore në Rrafshin e Dukagjinit. Komunën e përbëjnë qyteti dhe 97 fshatra, kurse rajonin e përbëjnë komunat Pejë, Burim dhe Klinë. Llogaritet se në Pejë jetojnë rreth 100 mijë banorë, kurse në tërë komunën e Pejës jetojnë rreth 180 mijë banorë. Komuna e Pejës ka territor mbi 600 km2, kurse vetëm qyteti ka rreth 20 km2.
Qyteti i Pejës ka histori të pasur, që nga antika e deri sot. Gjatë historisë ishte pjesë e Dardanisë Ilire, e Perandorisë Romake, e Bizantit, e Serbisë mesjetare, e Perandorisë Osmane e më tej, dihet… Në antikë, në shek. III – IV, sipas Ptolemeut (87 – 150), ka ekzistuar qyteti romak Siparantum, që ishte qyteti i dytë në Dardani, pas Ulpianës. Historiani bizantin, Prokopi, në vitin 565, qytetin e quan Pentza, kurse më vonë merr edhe trajta tjera, si: Peiscium, Peion, Pek, Pentza, Pecho, Episkion, Forno, Ipek, Peç, Peja. Si qytet përmendet në vitin 1202 me emrin Pechi. Në vitin 1346 ishte qendër e Kishës Ortodokse, kurse mes viteve 1389 – 1462 sundohej nga Balshajt dhe Dukagjinët. Në epokën e Skënderbeut Pejën e sundonte Lekë Dukagjini III. Nën sundimin e gjatë osman mori trajtën e një qyteti me çarshi e me xhamia, me emrin Ipek, kur ishte bërë edhe qendër e Sanxhakut të Dukagjinit (1881 – 1912), me mytesarif Ali Pashë Gucinë. Në periudhën e Tanzimatit qyteti i Pejës kishte rreth 13 mijë banorë dhe 193 fshatra, kurse çarshia kishte 550 dyqane.
Historia e Pejës lidhet ngushtë me Lidhjen e Pejës ose me Lidhjen “Besa-Besë”, në krye me Haxhi Zekën, e themeluar në vitin 1899, kur Peja ishte e pushtuar nga Mali i Zi. Lidhja e Pejës kërkonte nga Porta e Lartë që vilajetet shqiptare të drejtoheshin nga shqiptarët, që të hapeshin shkolla dhe në shkolla të mësohej gjuha shqipe. Mirëpo, në vend se t’i plotësonte kërkesat, Porta e Lartë dërgoi ushtri të madhe për ta shpërndarë Lidhjen, kur vrau shumë atdhetarë dhe, në vitin 1902, vrau edhe Haxhi Zekën.
Nga sundimi shumëshekullor turk Peja është çliruar më 29 tetor 1912, por menjëherë është pushtuar nga Mali i Zi (29 tetor 1912). Regjimi i ri pushtues ndaj popullsisë shqiptare zbatoi gjenocid, shkombëtarizim dhe asimilim të dhunshëm. Vetëm gjatë vitit 1913 në Pejë e Gjakovë, me rrethina, janë pushkatuar rreth 400 banorë që nuk donin ta ndërronin fenë dhe etninë. Në nëntor të vitit 1915 Peja ka rënë nën sundimin austro-hungarez dhe, në vitin 1919, nën sundimin e Mbretërisë Serbe – Kroate – Sllovene.
Në gjysmën e dytë të shek. XVI Peja kishte 142 familje të besimit islam dhe 15 familje të krishtera, ndërsa gjatë shek. XVII kishte 600 shtëpi dhe 130 fshatra. Në shek. XIX kishte 13 mijë banorë dhe 193 fshatra, ndërsa çarshia kishte rreth 550 dyqane. Në këtë kohë zhvillohet tregtia dhe zejtaria dhe Peja bëhet nga qytetet më të pasura të asaj kohe. Në të gjitha kohërat Peja ishte i banuar me shumicë të popullsisë shqiptare.
Qyteti i Pejës është i njohur për objekte të trashëgimisë kulturore. Muzeu Etnografik të Pejës, i themeluar në vitin 1977 dhe i hapur në vitin 1983 në Konakun e Tahir Beut, është në një shtëpi autentike të shek. XVIII, ku ruhet një pjesë e historisë, e kulturës dhe e traditës së qytetit të Pejës me rrethinë. Në Pejë ndodhet edhe shtëpia apo kulla e Haxhi Zekës. Xhamia Bajrakli vjen nga viti 1471. Pjesa më e ruajtur e qytetit është Qarshia e vjetër e Pejës, e ardhur nga shek. XVII me dyqane të shumta orientale në të dy anët e rrugës. Peja kishte edhe një kështjellë, e cila nuk ekziston më, sepse mbi gërmadhat e saj është ndërtuar Fabrika e Akumulatorëve. Në hyrje të Grykës së Rugovës ndodhet Patriarkana e Pejës (shek..XIII), që është një objekt i rëndësishëm ortodoks, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Kulla e Ministerit, e ndërtuar në vitin 1933, është objekt i veçantë që i takonte Bejlerëve, e cila më vonë ishte bërë pronë e A. Rankoviqit. Peja është e pasur edhe me objekte tjera të trashëgimisë kulturore, si: Mulliri i Haxhi Zekës, Kulla e Jashar Pashës, Kulla e Gockajve, Hamami i Haxhi Beut (shek. XV), si dhe disa oda, kulla të gurta shekullore, saraje, xhami, teqe, kisha katolike e ortodokse, mullinj, hane, sahat-kulla, ura, shatërvan, çezme, hamame, shtëpi të vjetra qytetare etj.
Si një qytet i madh, Peja ka zhvilluar edhe kulturën, artin dhe sportin. Aty veprojnë kino-teatri “Jusuf Gërvalla”, teatri profesional i qytetit “Istref Begolli”, Biblioteka Komunale, Muzeu Etnografik, Arkivi Komunal, Galeria e Arteve, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore e Historike etj. Në Pejë veprojnë disa shoqëri kulturore e artistike. Qysh në vitin 1836, në Pallatin e Ismet Pashës funksiononte biblioteka turko – franceze. Nga lëmi i arsimit Peja ka gjashtë shkolla fillore, gjashtë shkolla të mesme, si dhe Universitetin “Haxhi Zeka” me disa fakultete në përbërjen e tij. Ndërkaq, nga sporti Peja ka Stadiumin e Futbollit, Pallatin e Sporteve dhe shumë klube sportive. Peja, si qytet i xhudos, është e stolisur me tri medalje olimpike dhe me shumë medalje tjera nga sporti i xhudos, ndaj mund ta quajmë “qyteti i xhudos”. Në “qytetin e xhudos” po ndërtohet Qendra Kombëtare e Xhudos.
Më herët Peja njihej si qytet industrial, tregtar e artizanal. Bazë e ekonomisë dikur ishin 10 fabrikat dhe kombinatet, të cilat u privatizuan dhe kryesisht bankrotuan apo e kanë ndërruar destinimin ekonomik. Sa dimë ne, vetëm Fabrika e Birrës sot është funksionale (Fabrika e Birrës, e ndërtuar në vitin 1971, është privatizuar në vitin 2006). Nga ana tjetër, në këtë qytet janë të hapura mijëra biznese private të lëmenjve të ndryshëm ekonomikë.
Pozita e mirë gjeografike e komunës së Pejës, në lartësi mbidetare nga 521 m deri 2522 m, pastaj pasuritë natyrore, klima e përshtatshme, mjedisi i pastër, toka e begatshme nën malet e larta të Alpeve dhe lumi Lumbardh, e bëjnë Pejën një vend të mrekullueshëm, një qytet turistik të dorës së parë. Kur Pejës i shtohet edhe historia, kultura e tradita e pasur, atëherë kemi të bëjmë me një qytet të mrekullueshëm, që ka ardhmëri të ndritshme.
Peja, e cilësuar si “Lulja e Dukagjinit”, është njëri ndër qytetet më të vjetra, më të mëdha, më të bukura dhe qytetet më turistike të Kosovës. Pra, është një destinim turistik me përmasa dhe potencial të madh ekonomik dhe turistik. Pos si qytet tërheqës, është edhe portë hyrëse në Parkun Kombëtar të Rugovës, që paraqet pamje të mahnitshme e ku ndodhen gryka, kanione, lumenj, liqene, ujëvara, shpella… Bjeshkët e Rugovës dhe lumi Lumbardh janë vlera të larta natyrore, të cilat qytetin e bëjnë edhe më tërheqës për vizitorë. Në këto bjeshkë zhvillohen aktivitete rekreative e sportive, si skitari, ecje malore, via ferrata, zip-line, vizitë shpellave, alpinizëm, park i aventurave… Pastaj, në Pejë kemi historinë e bujshme, kulturën e lartë, traditat e pasura… që ndërthuren me bukuritë e rralla natyrore. Në afërsi të Pejës janë edhe burimi i Drinit të Bardhë me shpellën dhe ujëvarën dhe Banja e Pejës, një qytezë me burime dhe hotele termike etj.
Në Pejë duhet vizituar, para së gjithash, Muzeun Etnografik, Çarshinë e Vjetër, Mullirin e Haxhi Zekës, Patrikanën e Pejës dhe, mundësisht edhe Grykën e Rugovës, që është vetëm 2 km larg nga qyteti.