Lëvizja\UÇK

Gafurr Elshani: Rëndësia historike e Mbledhjes Konsultative të Kollares dhe roli i saj vendimtar për vazhdimin e përpjekjeve liridashëse dhe për organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare

(Fjala e mbajtur në Akademinë e organizuar për Kryetarin Historik të LPK-së, Fazli Veliun dhe për 30 – vjetorin e Mbledhjes Konsultative të Kollares)

Të nderuar pjesëmarrës! Zonja dhe zotërinj!

Shfrytëzoj rastin për të përshëndetur: Kryetarin Historik të LPK-së, Fazli Veliun, i cili udhëhoqi me sukses Lëvizjen Popullore të Kosovës, gjatë periudhës së lavdishme të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilit i kushtohet kjo Akademi Mirënjohjeje, përshëndes Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe Emrush Xhemajlin, të dy ishin anëtarë të Kryesisë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Kryetarit Historik, Fazli Veliu!

Gjithashtu, përshëndes të gjithë pjesëmarrësit e Mbledhjes Konsultativë të Kollarës, që janë të pranishëm, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në këtë akademi!

Në këtë akademi, do të rikujtojmë edhe 30 vjetorin e mbajtjes së Mbledhjes Konsultative, një ngjarje e rëndësishme, e cila ishte vendimtare për ruajtjen e kontinuitetit organizativ dhe politik të Lëvizjes Popullore të Kosovës,

MBLEDHJA KONSULTATIVE E LPK-SË e mbajtur më 23 prill 1993 në KOLLARE

Një nga arsyet e qëndrueshmërisë së LPK-së ka qenë mbajtja e Mbledhjeve Konsultative dhe të Përgjithshme në periodat që i përshkruante Statuti. Pavarësisht se rrethanat ishin të vështira për shkak të okupimit por, kjo formë e punës ishte e nevojshme për rritjen e veprimtarisë dhe për unitetin e organizatës. Kështu u veprua edhe në vitin 1993, në kohën kur  po ndërtoheshin pa zhurmë mekanizma ushtarake, që më vonë u strukturuan dhe u emërtuan Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pas Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme të LPK-së, që u mbajt në Ujmir në tetor të vitit 1991 nga disa individë brenda LPK-së, pati tentativa për të zbutur tehun luftarak të organizatës, por kjo nuk u arrit në saje të syçeltësisë së shumicës së udhëheqjes brenda dhe jashtë vendit.

Pas mbledhjes së Këshillit të  Përgjithshëm të LPK-së, e cila u mbajt më 30 maj të vitit 1992 në Prishtinë,  gjërat filluan të qartësohen, dhe ata që ishin pro rrugës paqësore u kthyen tek LDK-ja dhe Rugova. Ndërsa pjesa më e gatshme për sakrifica mbeti brenda Lëvizjes Popullore të Kosovës për të vazhduar me programin çlirimtar.

Megjithatë hyrjet dhe daljet në këtë situatë nuk kaluan pa pasoja, ato shkaktuan konfuzion dhe huti te një numër i anëtarëve dhe radhëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, brenda e jashtë vendit.

Për të trajtuar këto çështje, ishte e nevojshme të mbahet një mbledhje konsultative, si hap i domosdoshëm në këtë situatë politike. Shkuarja drejtpërdrejt në një mbledhje të përgjithshme, pa zgjidhjen e dilemave dhe pa përgatitjen politike, nuk do të sillte rezultatin e duhur për ruajtjen e unitetit dhe të kontinuitetit organizativ dhe politik të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Mbledhjes i paraprinë vizitat e udhëheqëseve të Degës, brenda vendit në Kosovë, gjatë vitit 1992, si dhe takimet e përbashkëta të udhëheqëseve të Degës Jashtë Vendit dhe Udhëheqjes Brenda Vendit, në fillim të vitit 1993 në Tiranë.  Në pjesën e dytë të muajit prill, u bë ardhja në Kosovë dhe në Maqedoni e veprimtarëve të Degës Jashtë Vendit, të cilët, në bashkëpunim me anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe me Kryesinë e LPK-së, vazhduan punët përgatitore. Takimet, konsultimet dhe sqarimet e tyre, që zgjatën më shumë se një javë, patën rëndësi të madhe për mbajtjen e Mbledhjes Konsultative.

Në atë kohë Ali Ahmeti dhe Gafurr Elshani, u patën vendosur në Zajaz, për të përgatitur dhe organizuar Mbledhjen Konsultative, ndërsa Adem Grabovci dhe Bilall Sherifi, u dërguan në Kosovë për ta ndihmuar Kryesinë e LPK-së Brenda Vendit, duke informuar dhe organizuar ardhjen e pjesëmarrëseve në këtë Mbledhje.

Për vendin, se ku do të mbahej Mbledhja Konsultative, u ngarkua Ruzhdi Veliu, tani dëshmor, i cili kishte zgjedhur shtëpinë e veprimtarit të Lëvizjes Halit Zeqirit në fshatin Kollare.

Këshilli i Rrethit të LPK-së, në Kërçovë, i armatosur dhe i ndarë në dy grupe u përkujdese të sigurojë zhvillimin normal të punimeve të Mbledhjes Konsultative. Grupin e parë të rojeve të armatosura e ka udhëhequr Beqir Limani, tani Dëshmor, i rënë në rezistencë kundër forcave policore maqedonase, ndërsa grupin e dytë e ka udhëhequr Fikri Ahmeti.

Mbledhja filloi punimet në mbrëmjen e datës 23 prill 1993. Punimet zgjaten gjatë gjithë natës dhe kanë vazhduar më 24 prill, gjatë tërë ditës. Në mbrëmjen e asaj dite, pasi u morën vendimet, pjesëmarrësit e Mbledhjes u shpërndan.

Në Mbledhje kanë marrë pjese: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Beajdin Hallaçi, Beqir Limani, Ruzhdi Veliu, Ali Ahmeti, Gafurr Elshani, Hydajete Krasniqi, Azem Syla, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Ilaz Kadolli, Guximtar Labinishti, Hashim Thaçi, Adnan Asllani, Fadil Bajrami, Ibish Neziri, Sali Lajqi, Gani Fetaj, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori, Hysen Gega, Milaim Elshani, Ramadan Pllana, Dervish Çadraku, Mustafë Krasniqi dhe Hulusi Beqiri, ndërsa Bajrush Xhemajli, për shkaqe të konspiracionit ishte i sistemuar pran objektit ku mbahej mbledhja dhe ishte në konsultim të vazhdueshëm me grupin që drejtonte mbledhjen.

Pas raporteve të punës dhe raportit për situatën politike që u lexua nga anëtari i Kryesisë së LPK-së, Xhavit Haziri, në këtë mbledhje u diskutuan të gjitha çështjet politike dhe organizative.

Pas një diskutimi të hapur, u miratuan rezolutat e Mbledhjes që parashihnin vazhdimin dhe rritjen e propagandës, si dhe forcimin e organizimit.

Rëndësi e veçantë ju kushtua aksioneve të armatosura, të cilat Mbledhja Konsultative i vlerësoi si shumë pozitive dhe është kërkuar që ato të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Në këtë Mbledhje u vendos që të mbahet Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së. Për organizimin e sajë u zgjodh Grupi i Riorganizimit dhe Organizimit në përbërje:  Ramadan Avdiu, kryetar; Adnan Asllani, anëtar; Bilall Sherifi anëtar; Hashim Thaqi, anëtar; Hulusi Beqiri, anëtar.

Ky grup udhëhoqi me suksese punën në organizimin e këshillave të rrethit në të gjitha viset shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia dhe përgatiti mbajtjen e Mbledhjes së katërt të Përgjithshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila u zhvillua me suksese në fillim të muajit gusht të vitit 1993.

Roli dhe rëndësia e Mbledhjes Konsultative,  e cila u mbajt në këtë kohë, është i veçantë në gjithë historinë e Lëvizjes. Kjo Mbledhje kontribuoi në ruajtjen e kontinuiteti dhe unitetit të radhëve të Lëvizjes, si dhe të politikës së saj, e cila u qartësua duke u distancuar përfundimisht nga rruga e dështuar pacifiste.

Mbledhje Konsultative e LPK-së ka rëndësi të veçantë se u mbajt në viset e pushtuara në Maqedoni, duke dëshmua se Lëvizja Popullore kishte bashkimin kombëtar dhe luftën e përbashkët çlirimtare jo vetëm në letër, por edhe në praktikë.

Mbledhja Konsultative e LPK-së ka rëndësinë e saj edhe për faktin se për herë të parë në trojet e pushtuara u mblodhën një numër kaq i madh pjesëmarrësish, të mbrojtur nga njësitë e armatosura, që planifikuan dhe zhvilluan veprimtarinë çlirimtare.  

Me miratimin e Konkluzioneve, me të cilën u vlerësua rolit pozitiv i aksioneve të armatosura, Lëvizja Popullore e Kosovës përfundimisht rikonfirmoi përcaktimin e saj si organizatë çlirimtare.  Kjo vijë çlirimtare, në Mbledhjen e Katër të Përgjithshme, u përcaktua edhe me Programin e Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Si rezultat i këtij përcaktimi programor, Lëvizja vuri në dispozicion tërë potencialin njerëzorë dhe material në shërbim të çlirimit të vendit, dhe kjo kulmoi me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me sukses e bëri luftën çlirimtare në Kosove dhe e vazhdoi misionin e saj çlirimtar në Luginën e Preshevës dhe në viset shqiptare në Maqedoni.

Gafurr Elshani,

Shkup, 23.04.2023