Lëvizja\UÇK

Shaban Çupi: Shqiptari Remzi Krraba një jetë në shërbim të kombit e të Atdheut

,,Këto ditë armiku i madh i popullit tonë, J.B.Tito, bëri një vizitë në Kosovën tonë të robëruar… Xhelati Tito, erdhi edhe të ndërsej këlyshët e tij kundër popullit tonë të mbushur plotë urrejtje ndaj shtypësve e shfrytëzuesëve të tij, kundër patriotëve, revolucionarëve… për të shtypur ndjenjat kombëtare e klasore revolucionare në Kosovë… Kjo politikë kolonialiste, shtypëse e shfrytëzuese ndaj popullit tonë, ka ngjallur urrejtjen e tij kundër robëruesve… (Trakt i OMLK – së)

Remzi Krraba

(Një jetë në shërbim të kombit e atdheut)
Remzi Krraba është i lindur në vitin 1948 në fshatin Stagovë të komunës së Kaçanikut. Ka të kryer vetëm shkollën fillore, por është njeri inteligjent, i rritur dhe i burrëruar me tiparet e një njeriu të mirë, besnik e atdhedashës. Është njëri nga veteranët e shquar të ilegales në komunën e Kaçanikut. Rrjedh nga një familje e cila që herët ishte rreshtuar në anën e duhur. Babai i tij, Rifati, si bashkëluftëtar i Avdyl Durës, Ramë Bekës e Sadik Tushës, ishte ndeshur me Jugosllavinë e Titos, por edhe i torturuar rëndë në aksionin e armëve të organizuar nga pushtuesi dhe diktatura e egër, Tito – Rankoviç, në vitin 1956. Me kalimin e kohës, Remzi Krraba arrinë të punësohet në fabrikën e gëlqeres në Kaçanik, dhe si orator e besnik që ishte, ai rreth vetes kishte një numër të konsiderueshëm shokësh. Po në këtë fabrikë, Remzi Krraba, bie në kontakt edhe me lëvizjen atdhetare që në vitet e 70-ta, së cilës nuk iu nda kurrë, pa marrë parasysh rreziqet, ndjekjet e burgimet. Dera e tij ishte e hapur natën e ditën për shokë e miq të Lëvizjes dhe në mikëpritjen e tij kanë kaluar shokë nga anë të ndryshme të atdheut. Remzi Krraba i motivuar nga rrënjët e thella të këtij atdheu, në mënyrën më autentike, tërë jetën e shkriu në krah të lirisë, progresit e çlirimit. I tillë ishte dje, i tillë është edhe sot.

Për veprimtarinë e tij atdhetare, Remzi Krraba, kujton:

Në lëvizjen ilegale për liri të Kosovës, jam angazhuar nga Ferid Qallaku i fshatit Gajre, qysh në vitin 1977. Takimet e përditshme me Feridin i kisha në fabrikën e gëlqeres në Kaçanik, sepse që të dy ishim punëtorë të kësaj fabrike, ndërsa takimet konspirative i mbanim në Dushkajë, përmbi Tunel të Runjevës, te Vorret e Tronëve, nën magjistrale, te Tuneli i Trenit, nën Gurin e Shpum. Gjatë kësaj periudhe jemi marrë me ngritje organizative, si me lexim të materialeve ilegale, që vinin nga organizata dhe përvetësimin e anëtarëve të tjerë. Më kujtohet se gjatë kësaj periudhe kam lexuar librat e revistat: “Isa Boletini”, “Ramadan Zaskoci”, “Shotë e Azem Galica”, “Njeriu me top”, “Shqipëria e Re”, revistën “Liria”, disa trakte me emrin “Liria” si dhe një libër të Enver Hoxhës.
Shkrimi i parullave në muret e gjimnazit në Kaçanik, në fund të vitit 1979, si: Poshtë Tito!, Poshtë LKJ!, Rroftë populli shqiptar!, e që më vonë e kemi mësuar se janë shkruar nga grupi i Ibush Vishit, ishin një ngjarje e madhe dhe një komunikim i hapur me publikun. Edhe pse parullat në mure u fshin nga UDB-ja, njerëzit në komunikim mes vete, madje vet ne, prodhonim edhe parulla të tjera gjatë komentimi të tyre.
Jam marrë edhe me shpërndarjen e Traktit rreth vizitës së Titos në Kosovë në vitin 1979, trakt i shtypur nga OMLK-ja me titull: “Lexoje, shpërndaje, armikut mos ia dorëzo”, trakt tre faqësh, i cili ndër të tjera shkruante se: ,,Këto ditë armiku i madh i popullit tonë, J.B.Tito, bëri një vizitë në Kosovën tonë të robëruar… Xhelati Tito, erdhi edhe të ndërsej këlyshët e tij kundër popullit tonë të mbushur plotë urrejtje ndaj shtypësve e shfrytëzuesëve të tij, kundër patriotëve, revolucionarëve… për të shtypur ndjenjat kombëtare e klasore revolucionare në Kosovë… Kjo politikë kolonialiste, shtypëse e shfrytëzuese ndaj popullit tonë, ka ngjallur urrejtjen e tij kundër robëruesve… Në një rast tjetër, më kujtohet, kur Feridi më solli tri kutia të faksit ( detergjentit ). Në ato kuti të detergjentit, për shkaqe sigurie, ishin vendosur mbi 15 gazeta ilegale, ,,Liria’’ nr. 3 e 4-5, që i shpërndava në fabrikën e gëlqeres në Kaçanik dhe nëpër shokë të tjerë, si: Nesim Bela, Idriz Krasniqit, Rrahman Krivanjeva, etj.
Po gjatë kësaj periudhe, pra para se të shpërthenin demonstratat e vitit 1981, aktivitetin e kam zhvilluar në mesin e punëtorëve, në aktivizimin e tyre sindikal për rritje lineare të pagave në mes të punëtorëve dhe udhëheqësve të kombinatit. Një kërkesë të tillë e patëm përcjellur deri në Komitetin Krahinor të Kosovës, por natyrisht mbetëm pa përgjigje. Por, kur pas demonstratave, udhëheqja politike e krahinës kërkonte dënimin e demonstratave, atëherë ne u thamë atyre që së pari na e jepni përgjigjjen rreth pagave lineare e pastaj diskutojmë për demonstratat.
Kur për nderë të 1 Majit-Ditës së Punëtorëve, në dyert e mëdhaja të punëtorisë në fabrikë u ngjitën parulla për 1 majin, por në gjuhën serbe, Feridi më angazhoi që ato t`i shkyejë dhe këtë aksion e kreva më 2 maj të vitit 1980. Për këtë aksion të Remzi Krrabës shkruan edhe Naser Kuka në librin e tij: ,,Nga lëvizja ilegale te UÇK’’… “Remziu në mbrëmjen e 1 majit, në aksionin për heqjen nga vendet publike të mbishkrimeve serbisht, të cilat ishin vendosur në vendet publike të fabrikës kishte qenë krejtësisht i suksesshëm, s`kishte lënë afishe pa e bërë copë e grimë”…
Për shpërthimin e demonstratave të 11 marsit 1981 në Prishtinë, më gjerësisht më njoftoi Feridi më 12 mars. Ndërkohë, marrim aksionin për shpërndarje të pamfleteve më 26 mars 1981, në Ferizaj dhe aktiviteti ynë përqëndrohet në organizimin e demonstratave edhe në Kaçanik. Fillimisht, objektivin tonë e përqëndruam në shkollën e mesme ,,Skënderbeu’’ dhe në mesin e punëtorëve që ata të jenë përkrahës të demonstratave. Ata arritën që në Kaçanik të shpërthejnë më 5 maj 1981, ku Feridi jo vetëm që mori pjesë, por në demonstrata doli edhe me uniformë ushtarake nga Mbrojtja Territoriale. “Hyrja e Ferid Çallakut në demonstratë, njërit ndër veprimtarët e hershëm të kauzës sonë kombëtare, do të shënonte kulmin e efektit mobilizues që demonstrata e kishte arritur”, thotë Naser Kuka.
Për këtë vepër, nga Gjyqi ushtarak në Nish, Feridi dënohet për pjesëmarrje në demonstrata me 2 vite e gjysmë burg. Ndërkohë, në nivel të Kosovës, zbulohet Organizata dhe burgosen: Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Berat Luzha e të tjerët me radhë dhe, në këtë rrjedhë, zbulohet edhe veprimtaria e Ferid Qallakut. Këto arrestime dhe arrestimet në masë në vazhdim, dëmtuan rëndë lëvizjen ilegale liridashëse, por celula ku vepronim ne, mbeti e pa dëmtuar. Ne që mbetëm të pazbuluar, vazhduam veprimtarinë në rrethana jo të lehta me anëtarë të tjerë. Bashkë me vëllaun e Feridit, Qazimin e kemi vizituar Feridin në burgun e Mitrovicës dhe bënim përpjekje që ai të ikë nga burgu. Thikën me patent që i duhej Feridit, ia siguruam dhe derisa ne po përgatiteshim të shkojmë për vizitë dhe nëpërmjet pastës së dhëmbëve t`ia dërgojmë thikën, atë e transferuan në burgun e Foqës në Sarajevë. Fillimisht Feridi ishte në burgun e Nishit, përshkak të pjesmarrjes në demonstrata të 5 majit me uniformë ushtarake, por kur zbulohet veprimtaria e tij në OMLK e kthejnë në burgun hetues të Mitrovicës.
Pas burgosjes së Feridit, ndërlidhem në veprimtari me Fadil Hysën nga Stagova, ku në përvjetor të demonstratave të 5 majit 1982 kam shpërndarë pamflete me Milaim Jahën (tani i ndjerë) në Kaçanik të Vjetër, në Lagjen e Gabrricëve, në Lagjen e Përzhajve, në Lagjen e Reqëve, në Lagjen e Çardakut si dhe në Kogjaj, Te Lushi e në Fushë të Pajtimit. Një pamflet ia dhashë edhe prof. Mejdi Dalloshit në Kaçanik, tani Dëshmor, ndërsa nga Mejdiu, herave tjera kam marrë romane të ndryshme. Takime dhe bashkëpunim të vazhdueshëm kam pasur edhe me Idriz Krasniqin pasi që ishim punëtorë të së njëjtës organizatë në Fabrikën e Gëlqeres në Kaçanik. Madje, Idrizi ka tentuar të ndërtoj edhe një geshtetner të thjeshtë.
Veprimtaria ime me Fadil Hysën ishte e dendur, por më kryesorja ishte puna me geshtetnerin (aparat për shumzimin e materialeve) që shokët patën arritur ta marrin dikund. (Fadil Hysa, Shaban Jusufi, Muhamer Shabani, Nazife Xhemaili e Riza Llapashtica e bartin fotokopjuesin nga Fushë Kosova deri në Stagovë). Në fillim të nëntorit 1981, në shtëpinë time kemi shtypur materialin me titull ,,Eksploatimi i Trepçës’’, si tekst provues, pasiqë në atë kohë nuk dinim si punohej me geshtetner me qëllim që për Vitin e Ri 1983, ai trakt të shpërndahet në gjithë Kosovën. Matricën e tekstit e ka shtypur organizata. Fadili më tha që duhet të shtypen 5000 ekzemplarë, ndërsa letrën e kemi siguruar në Prishtinë, Prizren e Shkup, në të gjitha vendet ngapak, që të mos biem në sy, pasiqë kjo punë e letrës përcillej nga UDB-a. Pasi zbulohet organizata, në dhjetor të vitit 1982, dhe pas arrestimit të Bajrush Xhemajlit, Rrahim Sadikut, Fadil Hysës, Shaban Jusufit, Nazife Xhemajit e shumë të tjerëve, zbulohem edhe unë, shkaku i geshtetnerit që ishte te unë, pasiqë gjatë hetimeve se ku janë shtypur ato dy pamflete, del se geshtetneri është në shtëpinë time. Unë arrestohem, aty ku sot është busti i dëshmorit Qamil Ilazit në Kaçanik dhe policia më dërgojnë në stacionin policor ku brenda gjeta Fadil Hysën të arrestuar i cili ishte nën pranga në të njëjtën ditë por, paradite. Shumë shpejtë na ndanë saqë nuk mundëm të merremi vesh për asgjë. Mua në pyetje më morën Halit Loku dhe Adem Goga. Duke përdorur pozicionin tim prej punëtori të thjeshtë në fabrikë që kam të kryer vetëm shkollën fillore, nuk pranova që kam geshtener në shtëpi dhe as që e di se çka është dhe përçka shërben ai. Fadil Hysa ka sjellur disa gjëra përkohësisht në shtëpinë time pasiqë është ndarë nga familja dhe do të vendoset në një banesë në Ferizaj, por gështetner s`kam në shtëpinë time. Edhe Fadili në ballafaqim tha për mua se nuk e kam ditur që është gështetner, dhe mua më dënuan me 60 ditë burg. Burgun e kam mbajtur në Prishtinë dhe Gurakoc ku jam takuar me Fatmir Bytyqin dhe Sulejman Bytyqin të dënuar si studentë të vitit të katërt për politikë.
Në fakt, UDB-ja nuk arriti të zbulojë veprimtarinë time të më hershme. Pas daljes nga burgu, në pranverë të vitit 1983, dhe kontaktet që kishim me Ferid Qallakun në Mitrovicë, para se ai të transferohej në Foqë, u morëm vesh që lidhja ime organizative të mbetet në treshen e Gafur Lumës dhe Remzi Elezit.
Por ndërkohë, lidhje ilegale kam pasur edhe me Skender Luzhën nga Begraca ku nga Skënderi kam marrë për lexim libra e fletushka ilegale. Me Skënder Luzhën takimet i kam mbajtur ,,Te plepat ‘’ afër spitalit të Prishtinës dhe në atë kohë ai ka pasur kontakte me Bexhet Luzhën e Remzi Elezin. Skënder Luzha është zbuluar në valën e arrestimeve të nëntorit 1985 dhe është në aktakuzë të Xhabir Morinës dhe me sa e di unë, kur celula jonë për një kohë mbeti në vakum, Skenderi i ka mbajtur lidhjet me qendrën.
Takimet ilegale me Gafur Lumën i kam mbajtur në këto vende:Te Reka e Dubravës në bjeshkë, pastaj Përmbi Sepetin, por kur Gafurri shkoi në fakultet, takimet i kam mbajtur te Fabrika e Silkaporit, e cila ishte në ndërtim e sipër. Lidhjen time ilegale që e kisha në Llap me Shefki Sejdiun, pasiqë Remzi Elezi ishte në Prishtinë, ia dhash Remziut, ndërsa lidhja e tij ilegale me Mefail Vishin, kaloi në celulën time, kujton Remzi Krraba, duke shtuar se betim para meje kanë dhënë edhe këto anëtarë nga komuna e Kaçanikut, si: Sami Malsiu, Remzi Koraqi e Sami Troni.
Kur UDB-ja , në janarin e vitit 1984, vrau në Kodër të Trimave, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Gafurr Luma tha se intenzitetin e aktivitetit ilegal duhet ngadalësuar pasiqë Lëvizja është dëmtuar rëndë.
Takimet i mbaja me Gafur Lumën, por ku Gafuri ishte i zënë, takimin e mbaja me Remzi Elezin. Takimet ishin të rregullta 2-3 herë në javë. Komiteti Organizativ kërkonte që anëtarët të merrem specifikisht me punë të veçanta, të bëhet ndarja e punës. Studentit Sami Troni i njohur me pseudonimin ,,Sadiku’’ nga Kovaqeci iu caktua detyra e tipografisë, përkatësisht shtypshkronjës. Sami Malsiut ,, Salihu’’ iu caktua detyra e furnizimit me material mbështetës, sidomos dorëza të gjinekologjisë të cilat na duheshin për shpërndarje të pamfleteve. Gjithashtu edhe Remzi Koraqit ,,Ramadani’’ iu caktuan detyrat përkatëse. Pasiqë më dihej dhe flitej gjithandej ndër të arrestuar se janë nxënë në ,,kokën’’ e organizatës dikun 114 pseudonime, këto pseudonime më janë kërkuar shumë edhe në hetuesi në burgosjen e vitit 1985 nga udbashi Halit Loku. Iu thashë se nuk njoh pseudonime të tillë dhe s`ka premtuar koha e veprimit sepse u arrestuam shpejtë se po të kisha mundësi do t`i organizoja 3000 të tjerë…
Nga Remzi Elezi kam marrë 7 ekzemplarë të librit ,,Titistët’’ njërën ia kam dhënë prof. Mejdi Dalloshit, tjetrën Misim Sopës e Idriz Krasniqit me porosi që t`ju shpërndahet edhe të tjerëve. Nga Remzi Elezi kam marrë edhe disa numra të Zërit të Kosovës, Projektprogramin e Projektstatutin e Organizatës, revistën Pararoja, ndërsa Tezat e Konspiracionit i kam lexuar që në kohën e veprimtarisë me Ferid Qallakun. Të njëjtat materiale që i lexoja unë ia jepja edhe Sami Tronit, Remzi Koraqit e Sami Malsiut.
Konstituimi i Komitetit të Rrethit për Kaçanik u bë me datën 8 nëntor 1985 në Sllatinë të Lepencit. Morëm pjesë Remzi Elezi, Gafur Luma, Bajram Dernjani dhe unë. Takimi është mbajtur me një shtëpi të pabanueshme diku pas orës 22 të natës dhe dritë kemi pasur një qiri.
Jam arrestuar me 17 nëntor 1985 dhe për tri ditë me radhë në Gjilan më kanë pyetur për pseudonimin ,,Dema’’ ose ,,Punëtori’’. Më pyesnin, a mos njeh ndonjë shok me emrin ,,Ramizi’’, ,,Avdiu’’, ,,Salihu’’ apo ,,Ramadani’’. A mos ke marrë ndonjë libër ose gazetë të ndaluar? Meqë krijova bindjen se pyetjet ishin shumë të përgjithësuara, nuk pranova se njoh njerëz me emra të tillë dhe se nuk kam lidhje me ilegalen dhe pas tri dite u lirova. Por, arrestohem për së dyti pas një muaj dite, saktësisht me 17 dhjetor 1985.
Remzi, 413 vetë i kemi arrestuar deri më tani, më tha udbashi Halit Loku, dhe deri tani me sukses ke fshehur veprimtarinë tënde, por tani është vërtetuar se ti je i përfshirë në organizatën ilegale dhe pseudonimi juaj është ,,Dema’’ dhe aty për aty m`i vendosën prangat. Hetimet i kam kryer në burgun e Gjilanit, ndërsa dënohem në Gjykatën Qarkut në Prishtinë me 3 vjet e gjysmë burg. Në burgun e Gjilanit kam qëndruar në katin e parë, në dhomën nr. 17. Në dhomë kam qëndruar me Kadri Labinishtin, Agron Morinën, Jahir Halitin, Fadil Hysën, Osman Bekën, Osman Hajredinin. Hetuesit e mi ishin: Afet Rexhallari, Halit Loku, Qenan Hajdini, Izet Imeri, Ramadan Sinani dhe Ramadan Gjilekari. Dhomat edhe pse të vogla, 5 X 3, ishin të stërmbushur nga 8 deri në 10 të burgosur. Nëntori, dhjetori, janari e shkurti ishin muajtë kur ra organizata jonë dhe të mbushej mendja se nuk mbet kush jashtë prej shokëve. Por, po në janarin e acartë të vitit 1986, djalëria shqiptare, gjeti forcë, gjeti guxim dhe mbushi Kosovën me pamflete në përkujtim të rënies së Heronjve: Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Bajram Bahtiri, ku në Traktin me titull ,, Popull trim shqiptar nën Jugosllavi’’, ndër të tjera thuhej:

,,…Robëria shekullore është bërë një barrë e rëndë mbi kurrizin tonë, barrë e padurueshme. Kjo robëri mund të hiqet qafësh vetëm duke thyer njëherë e përgjithmonë prangat e robërisë serbomadhe. Për t`i thyer këto pranga duhet të bashkohemi të gjithë tok, pa dallim moshe e gjinie dhe si një grusht të marshojmë drejt fitores…’’

Duke vepruar brenda kësaj celule ( Remzi Elezi, Gafur Luma, Remzi Krraba) dhe duke krijuar secili edhe celula të tjera, vepruam derisa u zbuluam në vjeshtën e vitit 1985 si anëtarë të Komitetit të Rrethit të Kaçanikut, i cili Komitet vepronte brenda organizatës së Komitetit Organizativ, që në Sekretariat të kësaj organizate ishin personalitetet tanimë të dëshmuar në histori, si: Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri, Xhabir Morina, Bashkim Mazreku e Bajram Limani.
Pas gjashtë muaj hetimesh, në javën e parë të qershorit 1986, nga burgu i Gjilanit më transferojnë në burgun e Prishtinës. Me 9 qershor 1986 fillon gjykimi i 23 shokëve. Pas disa ditëve, shpallen dënimet dhe unë dënohem me 3 vite e 6 muaj burg. Në burgun hetues të Prishtinës kam qëndruar gati dy vite dhe kushtet ishin mizerje. Më 18 maj 1988 transferohem nga Prishtina në burgun e Gurakocit bashkë me shokët e mi: Shaban Çupin, Gafurr Lumën, Muhamet Qorrin, Sabit Gashin dhe krahas këtyre, në burgun e Gurakocit kam qëndruar edhe me Rexhë Abazin, Zenel Kelmendin, Nezir Nikçin, Murat Dautin, Rexhep Kelmendin, Gani Fetën, Osman Shahinin, Avni Klinakun e shumë shokë të tjerë.
Pavarësisht daljes nga burgu, veprimtarinë time kombëtare e kam zhvilluar në çdo kohë, dhe kurdo që më është kërkuar, madje edhe në strehim të shokëve që ndiqeshin nga UDB-a. Marr pjesë aktive në demonstratat e vitit 1989 e 1990. Në vitin 1993, bëmë një regjistrim intern të popullatës për të mbledhur dhe analizuar potencialin ushtarak në rrethana që mund të vinin. Për këto aktivitete ushtarake ishim të lidhur edhe me Behxhet Luzhën, por kur u arrestua ai në Maqedoni, ndërpremë aktivitetin përkohësisht. Në këtë kohë bashkë me shokë, siguruam shumë barna për nevoja mjekësore, por edhe arrestimet s`kishin të ndalur. Për aktivitete të tjera vendosa kontakt edhe me Bafti Sopën në Bukosh të Suharekës e nëpërmjet atij edhe me Xhemajl Rudin, por kur zbulohet aktiviteti i tyre, bashkë me Gafurr Lumën shokët e rrezikuar i përcjellëm në Tetovë. Kur UÇK-ja doli në skenë, fryma e saj, veq ishte në zemrat tona. Më 13 korrik 1988, takohem me komandant Agim Bajramin, ku shpreha tërë gatishmërinë time për organizim të mëtejmë ushtarak.
Me 1 tetor 1988 formojmë Njësitin e UÇK-së në Stagovë dhe komandant Kompanie më emëruan mua. Kur në marsin e vitit 1999 sulmohen njësitë e UÇK-së në Kotlinë, Gajre e Ivajë, bashkë më njësinë time morëm pjesë në luftime. Pas këtyre luftimeve, Njësiti kthehet në fshatin Stagovë ku përjetojmë deri në fund të luftës të gjitha ofenzivat armike, vrasje të civilëve, plagosje dhe vrasje të ushtarëve, por arritëm edhe ditën e lirisë. Pas tranformimit të UÇK- së në TMK, isha pjesë e saj. Tanimë jam në penzion, kujton me krenari jetën dhe veprën e tij atdhetare, Remzi Krraba tanimë 74 vjeçar, veteran i organizimit ilegal politik në komunën e Kaçanikut dhe njëkohësisht veteran i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.