Kulturë\Letërsi

Anita Hoxha: Vëllai i shkruan vëllait (Poezi)

Vëllai i shkruan vëllait…
I dashur vëlla, si më i vogël po të shkruaj…
Letra ime ndoshta, do të mbërrijë në mesnatë,
Jemi një gjak, dhe pse u bëmë të huaj…
Ti lexoje në agim e këtë herë, jo me inat !
Nga ajo ditë pa u parë, u bë shumë kohë,
Vite vëlla, me sy e zemër, që ty të presin…
Zotit i lutem n’atë tavolinë ty të të shoh !
Si dikur fëmijë, kur nëna na sillte mëngjesin.
Vitesh kujtoj përherë, atë të trishtë behar,
Kur për një gardh u ndamë ne, për dreq !
Njëri – tjetrin kujtoj, sa rëndë e kemi sharë…
Ndaj sot po t’shkruaj, këtë merak ta heq !
Lotët më mbuluan, nga një foto dalë ne dy,
Atje fushës me top ne jemi, duke luajtuar
Këtë mëngjes unë, sa mall ndjeva për ty,
Ndaj, si më i vogël, s’rrija pa të shkruajtur..!
Nëna, është plakur e sëmurë, kam dëgjuar
Një fqinjë yni, më shkroi para ca kohësh.
I vdekur u ndjeva e me shpirt të coptuar !
Rëndë, tha : – Pse s’ke ardhur ta shohësh ?!
Ç’fëmijë i keq paskam qenë, që sot e kuptova
Inati s’më la të vija atje, kohë më parë…
Përpara Zotit fajtor, në këmbë unë qëndrova,
Dhe nga malli për ju, atje larg kam qarë !
Falmë vëlla, të lutem, mos më gjyko rëndë !
Unë, i lumtur s’jam këtu, në vend të huaj
Nuk ka më bukur, se zot në vendin tënd…
Ndaj, dy rreshta pendimi, sot po të shkruaj !
Llullën babai e ndezë oxhakut, t’i tregom
Nëpër shtëpi, shpesh ia kishim fshehur..!
Fajtor jam unë, baba, mua qëllom…
Pastaj të lumtur qeshnim, si të dehur !
Ta harrojmë inatin, që sytë na ka zënë,
Të duhemi si atëherë, pse nuk mundemi dot…
Ti harrojmë fjalët viteve, të dy kemi thënë
S’më duhet gardhi, ta fal gjithë këtë botë.
Lexoje letrën, shkruam dhe ti dy rreshta…
Mallin e prindërve, të lutem, ma shkruaj !
Fluturim do kthehem, kur të vij vjeshta,
Jemi gjak, o vëlla, nuk jemi dy të huaj !
Anita Hoxha