Lëvizja\UÇK

Moikom Zeqo: 29 Nëntori data e vetme e çlirimit të Shqipërisë andej Drinit

29 NËNTORI DATA E VETME ÇLIRIMIT
Mbrojtja euridite e kësaj date…
Në mes të terrorit PD-nazist

“Historia është ndalur. Nuk ekziston asgjë përveç së tashmes të pafund në të cilën Partia ka prore të drejtë. Kush kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën”. Xhorxh Oruell “Viti 1984″

Tiranë 18 nëntor 1993
Në muzeun grotesk të paradokseve shqiptare është shtuar dhe një paradoks i ri tejet i rëndë: mohimi i vërtetësisë së datës 29 nëntor 1944 si data e çlirimit përfundimtar të Shqipërisë nga nazifashistët dhe kolaboracionistët e tyre.
Pse ndodhi një gjë e tillë? Pse pushtetarët fitoren e 22 marsit e pronësuan, që në fillim si atentat ose “vdekje të bardhë” të 29 nëntorit, kur demokracia ta konceptonte si vijimësi? Pa asnjë vendim të parlamentit, ose argumentim publik paraprak, u zhvarrosën eshtrat e komandantëve e figurave të formacioneve partizane – turp që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës së qytetëruar. Po turpi do të kreshpërohej më tej. Nuk do të harrohet seanca parlamentare, kur në kalendarin e festave zyrtare të tërë datat qenë të festave fetare, që dihet janë internacionale dhe vetëm data e 28 Nëntorit ishte ajo e festës kombëtare të flamurit dhe Pavarësisë, duke u mohuar me këmbëngulje vetëvrasëse Dita e Çlirimit (le të studiohet procesverbali i kësaj seance, që përbën për mohuesit e zellshëm një dokument fobie të pabesueshme!)
Presidenti tentoi ta shmangte skandalin, sepse këtë gafë s’do ta pranonin as shqiptarët, po as bota. Duhet mbështetur ky reflektim, po s’duhet kaluar në alibinë e një kompromisi, për të kënaqur dhe njërën anë dhe tjetrën e për këtë të zhduket ajo që është e pa zhdukshme, data 29 nëntor midis dy datave 28 nëntorit dhe 17 nëntorit, që jo vetëm nuk e komunikojnë, por vetëm e afirmojnë pafundësisht.
Nisma e grupit parlamentar socialist për të vendosur 29 nëntorin në kalendarin e festave zyrtare nuk ka aspak karakter partiak, as propagandistik. Kështu duhet konsideruar nga të tëra partitë.
Nëse ky parlament do të ishte parlament i mendjes atëherë duhet të kishte vetëm “forcën e tmerrshme të arsyes” siç është shprehur Sokrati i lashtë. Në të kundërtën kriza dhe tjetërsimi i tij është i pamohueshëm.
Le të flasim me argumente konkrete ad hoc.
Lufta e Dytë Botërore qe lufta më e madhe në historinë e njerëzimit. Në këtë luftë shqiptarët treguan një dinjitet të veçantë e të paparë. Populli shqiptar u rreshtua te fitimtarët e boshtit antifashist, së bashku me SHBA-në, BS e Britaninë e Madhe tregoi një nivel të lartë qytetërimi. Shqiptarët janë i vetmi vend i Europës që u çliruan vetë, madje bënë edhe një precedent, dërguan forca të mëdha edhe për të çliruar popujt fqinj. Në këtë kuptim Dita e Çlirimit është sinteza e një sage heroike të mrekullueshme, është arritja e fitores që ruajti integritetin territorial të Shqipërisë. Për gjysmë shekulli shqiptarët e kanë festuar këtë fitore madhështore. Tani është hedhur artificialisht hija ekuivoke e dyshimtë.
Ç’përfaqëson komisioni i përbërë nga zotërinjtë Kaswm Biçoku, Lefter Nasi, Mentar Belegu, Hysni Myzyri, Sitki Bushati, Sadik Bekteshi, Kolë Jakova, Emin Riza, Jusuf Vrioni, Mentor Quku, Uran Butka e Pjetër Pepa? Çfarë mandati ka ky komision? Mandat profesional? Kjo është tepër e dyshimtë. Mandati parlamentar është detyrimisht pluralist, nëse e pranojmë që parlamenti është i tillë. Të vetmit deputetë në këtë komision janë të pozitës, tërë komisioni është i një partie. Por me celula partie nuk mund të vendoset një çështje jashtëpartiake. Çdo komision parlamentar ka pjesëtarë nga opozita. A nuk kishte të tillë kur u vendos të ndryshohej apo jo shqiponja e heraldikës së flamurit? Pse nuk u veprua kështu edhe me këtë rast? Ky komision është një alambikim. Nuk ka besueshmëri, qoftë morale, qoftë shkencore.
Deklarata e historianit të shquar Kristo Frashëri i nivelit europian e i njohur për akribinë faktuese, (se pjesëtarët e paracaktuar të komisionit luajtën rolin e këshilltarëve të këqij për Presidentin) se Shqipëria është çliruar më 29 nëntor është shprehje e një oponence tepër serioze e jo partiake.
T’i referohemi procedurave parlamentare. Ç’lidhje ka parlamenti me këtë komision? Mesazhi i Presidentit nuk është formuluar si projektvendim, nga ana tjetër sipas rregullores së parlamentit grupi parlamentar socialist e ka depozituar prej kohësh dhe e ka publikuar nismën e tij legjislative. Rregullat janë të barasvlefshme për të gjithë.
Studimi me vëmendje i relacionit të komisionit tregon qartë karakterin e tij kontradiktor. Aty shkruhet fjalë për fjalë “në pasditen e 28 Nëntorit në qytet (Shkodër) u futën grupe të vogla partizanësh”.
Kurse një paragraf më poshtë “brigadat partizane hynë të organizuara në Shkodër më 29 nëntor dhe bënë parakalimin festiv të fitores”. Kjo mënyrë naive të shkruari mund të përmbysë tërë historinë; Grupe të pjesshme partizanësh që në fillim hynë në Tiranë, por Tirana u quajt e çliruar vetëm mbas 19 ditësh, kur tërë brigadat parakaluan në të. Është koncept themelor ushtarak se një territor quhet i fitimtarëve, kur e shkel tërësisht këmba e tyre. Kështu ka ndodhur më 29 nëntor në Shkodër.
Komisioni si “eminenca grise” ka censuruar paturpësisht faktet historike sipas formulës “ad usum Delphini” Pyes: pse nuk përmendet fakti, se në orën 2 e 30 të datës 29 nëntor u hodh në erë ura e Bahçallëkut? Po përpjekja te Ura e Mesit, në Vaun e Dejës? Pyes: 6000 partizanët, që janë dëshmitarë okularë të pazëvendësueshëm të Datës së Çlirimit janë më pak të besueshëm se komisioni në fjalë? Pyes: Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që mbron me fakte historicitetin e datës 29 nëntor, pse mënjanohet? Kaq e lehtë është kjo? Data e Çlirimit është thelbi i ekzistencës legale të kësaj organizate.
Kush e tha i pari, kush e bëri publike datën e 29 nëntorit si Datën e Çlirimit të Shqipërisë? Kronika është e qartë. Atë e tha Naku Spiru në mitingun përpara Institutit të sotëm të Arteve. Nakoja kishte kontradikta tragjike me Enver Hoxhën, ashtu si edhe me jugosllavët. Pra, publiciteti i kësaj date nuk ka autorësinë e Enver Hoxhës. Në fakt ajo qe publicitet kolektiv dhe jo individual.
Dokumentet autentike gjermane të pushtetit (fotokopjet e të cilave janë në arkivin e Institutit të historisë) e thonë qartë se Shqipëria u çlirua më 29 nëntor. Pse nuk përmenden këto dokumente?
Është krijuar një teori e kompleksuar, që thotë se 29 nëntorin e caktoi Enver Hoxha për servilizëm dhe për njësimin me datën e 29 nëntorin e jugosllavëve. Pa bërë politizime le të arsyetojmë.
29 nëntori 1944 është çlirimi i Shqipërisë, kurse Jugosllavia u çlirua në 1945. Askush nuk e ka ditur se kur do të çlirohet Jugosllavia.
Po a kanë patur jugosllavët një festë të tyre më 29 nëntor?
29 nëntori qe festë e jugosllavëve e në asnjë mënyrë festa e çlirimit, po e AVNOJ-it, e republikës federative. Bëhet pyetja: ne shqiptarët kemi imituar për Ditë të Çlirimit datën e festës së tyre që nuk është e çlirimit? Mos të harrojmë, se shqiptarët e festuan 29 nëntorin pavarësisht nga jugosllavët në 1944, në 1945, në 1946, kishin pra, plot tri vjet që brenda Shqipërisë po edhe përpara tërë botës ndërkombëtare e kishin bërë publike festën e Çlirimit. Jugosllavët 29 nëntorin e tyre të republikës federative e kanë caktuar në 1946.
Shqiptarësia e 29 nëntorit tonë është e padiskutueshme. Ata që bëjnë lidhje të paargumentuara me 29 nëntorin e të tjerëve unë u kujtoj se veç të tjerave kjo festë e të tjerëve nuk ekziston më, se federata ish jugosllave nuk ekziston më, pra është një datë e pafestueshme më, inekzistente.
Berisha e quajti Enver Hoxhën një manipulator të madh. Po në bazë të këtij arsyetimi Hoxha nuk pushoi të jetë i tillë edhe mbas vitit 1948 kur u prish me jugosllavët e duke patur pushtetin i kishte tërë mundësitë ta ndryshonte përsëri datën.
Po përpara datave historike janë të pafuqishëm të gjithë pa përjashtim.
A nuk është një argument i parrëzueshëm fakti, se asnjë nga oficerët anglezw dhe amerikanë, që qenë gjatë luftës në Shqipëri nuk kanw mohuar datën 29 nëntor ose ta vinte në dyshim? Ata nuk ishin servilë të Hoxhës, po kundërshtarë. Ata kanë respektuar historicitetin e datës.
Historia është shkencë historike dhe jo shkencë ideologjike. Karakteri formal i kronologjisë nuk duhet politizuar sipas një fantazie apo skenari absurd. A nuk morën disa një mësim nga dështimi i përpjekjes qesharake për të ndërruar formën e shqiponjës së flamurit, se gjoja kishte ndikime sllavoide etj .etj. Dihet se shqiponja dykrenare nuk është në gjenezë simbol i mirëfilltë shqiptar, po ajo u bë historikisht simboli ynë kombëtar, duke përjashtuar karakterin anonim e mitologjik universal.
Përkimet e datave kanë karakter formal. Kjo provohet çdo ditë.
Nëse më 12 dhjetor të këtij viti do të bëhej Kuvendi i PD dhe njëkohësisht edhe zgjedhjet në Rusi, kompleksi sllavoid mund ta manipulojë e groteskëzojë këtë rastësi. Më 28 nëntor 1943 u mbajt Konferenca e Teheranit, nga më të rëndësishmet e Luftës së Dytë Botërore. Po vetëm një i çmendur mund të thotë, se të tjerët na e morën datën tonë, ose ne me dashje ua manipuluam datën atyre. Ose, Qemal Stafa u vra në 5 maj, po jo se pikërisht shumë vjet më parë në 5 maj kishte lindur Marksi.
Galeria humoristike e historisë do të ishte kështu e pafund.
Në histori nuk ka “Kohë Zero”, kalendari ynë nuk fillon në 22 mars. Nuk duhet harruar se ne nuk jemi mbretëri, po Republikë e kjo u shpall në 11 janar 1946 e kjo datë meriton të përkujtohet, se është datë e shtetit tonë shqiptar, pavarësisht nga ndërrimi i sistemeve. Historia nuk do të shpikë data të tjera të legalizimit zyrtar të pluralizmit veç datës së plenumit të KQ të PPSH, nuk do të mohojë se zgjedhjet e para pluraliste u bënë më 31 mars, se firmat në dy dokumentet themelore të lidhjes së Shqipërisë me Europën, Paktit të Helsinkit dhe të Kartës të Parisit, i ka firmosur Ramiz Alia dhe bota s’ka ndërmend t’i kthejë mbrapsht për t’i firmosur ndonjë tjetër. Po kështu, duam apo nuk duam ne, artikulli i parë që qe një lloj manifestimi i demokracisë pluraliste qe ai i prof. Ylli Popës te “Zëri i popullit” dhe jo te RD, se duheshin shumë muaj, që ajo të dilte. Mos ta shikojmë historinë bardhë e zi, të mos jemi daltonistë të fakteve.
Kjo kërkon emancipim dhe qetësi. Po dhe drejtësi të vërtetë.
Ata që mohojnë 29 nëntorin të kujtojnë një admiral turk që e dërgoi sulltani për të gjetur ishullin e Maltës. Admirali, mbasi u vërtit kot nëpër det u kthye dhe i shkroi sulltanit “Malta vok” dmth “Nuk ka Maltë”
29 nëntori nuk është një datë apokaliptike, nuk është e shpikur, po realitet i patjetërsueshëm. Mohimi saj të çon te satanizmi i demokracisë. Ajo është një datë e madhe uniteti dhe jo shpërbërjeje, e mirëkuptimit dhe jo e shkombëtarizimit.
Bijtë e kolaboracionistëve mund të jenë të drejtë vetëm kur dënojnë krimet e etërve, në të kundërtën do pësojnë fatin fatal që jep historia. Fitimtarët e përkohshëm nuk mund të mundin fitimtarët e përjetshëm; partizanët heroikë. Politikanët efemeridë mund të bëjnë vetëm mohime sizifiane të 29 nëntorit. Po ajo që ndalohet nuk do të thotë se nuk ekziston. 29 nëntori do të embrionizojë përherë enigma e kureshtje të mëdha. Vetëm një referendum popullor do të kishte mandat për këtë datë, sepse i takon historisë së përjetshme dhe jo të përkohshme.
Ndalimi i 29 nëntorit do të thotë ta arrestosh këtë ditë, të bësh një të burgosur politik, më të habitshëm e të pashembullt, jo vetëm në Shqipëri po në tërë botën. Së fundi, 29 nëntorin mund ta ekzilosh me forcë. Po do të kthehet një ditë.
Identitetin e 29 nëntorit e ka përcaktuar vetë historia që është e tërë gjeneratave dhe jo e mekanizmave parlamentorofagë.