Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi – Prekazi: Kulla e Shaban Jasharit ishte djepi dhe heroizmi i Ushtrisë Çlirimtare

Shaban Jashari

   Shaban Jashari i përkiste Lëvizjes Nacional Demokrate Shqiptare. Ai shumë herë më ka folur me admirim për figura të larta të NDSH-ës, me shpjegimin dhe besimin e patundur se Shqipëria do të bëhet dhe kthim mbrapa nuk ka!

   Bacë Shabani ishte mësuesi i parë i atyre anëve, ishte mësues i popullit, ishte i përndjekuri i parë politik nga regjimi titist. Baca Shaban ishte i nderuar kudo që shkonte, atë e priste balli i axhakut. Në kuvendet e burrave, këshillat e tij dëgjoheshin me shumë vëmendje. Bacë Shabani ishte shembulli më unik i flijimit në altarin e lirisë, ai është flamuri i atdheut, ai është Prometheu i Shqiptarëve të ditëve të sotme, ai ishte babai i aradhës së çlirimtarëve, ai ishte hero para se të binte për të mos vdekur kurrë!…

    Bacë Shabani ishte bamirës, human dhe solidar, me zemër të madhe, si e gjithë familja e tij që ishin të tillë. Secili shqiptar, që ka trokitur në derën e kullës së bacë Shabanit nuk është kthyer asnjë herë mbrapsht. Bacë Shabani ka qenë në gjendje që atdhetarëve në nevojë, t’ua jap edhe kafshatën e bukës nga sofra e tij…
   Shaban Jashari  ishte ndër nikoqirët më të kamur të asaj kohe dhe të atyre anëve. Ishte ndër shtëpitë më bujare të Drenicës dhe Kosovës, ishte ndër shtëpitë më mikpritëse e bukëdhënëse. Dera e kullës së tij ishte e hapur natë e ditë për shtegtarë, për hallexhinj, për atdhetarë, për liridashës e për çlirimtarë. Zaten, aty lindi dhe u rrit shtatit i celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kulla e bacë Shabanit, ishte djepi, ku mbështeti kokën e saj plotë me halle Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

 Kjo kullë, ky konak

Kjo familje kurrë mos u shoftë

Për ditë rrita dhe shtati iu shtoftë

Emri i tyre bëftë dritë si dielli mbi qiellin e shqiptarisë

Ata janë emblema më autentike, embleme e lirisë

Që nga bacë Shabani e bir pas birit

Që nga lindja e deri tek perëndimi i diellit

Atyre dhe vetëm atyre

Ju takon lavdi e përjetshme

Janë bijtë më të denjë të Shqipërisë

Janë ëma dhe ati i lirisë!

 Në vazhdim, këta janë anëtarët e familjes Jashari, që ranë për të mos vdekur kurrë, para të cilëve duhet të përkulen të gjithë liridashësit e atdheut tonë:

 

1.         Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai

2.         Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna

3.         Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit

4.         Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit

5.         Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit

6.         Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit

7.         Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit

8.         Hamëz Shaban Jashari (47), strategu i lirisë

9.         Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit

10.       Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit

11.       Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit

12.       Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit

13.       Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit

14.       Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit

15.       Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit

16.       Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit

17.       Adem Shaban Jashari (42), Komandanti Legjendar

18.       Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit

19.       Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit

20.       Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit

 

– Nga kjo plojë gjaku shpëtoi vetëm Besarta Jashari, vajza e Hamëz Jasharit,e cila atë kohë ishte 11 vjeçare.

 Hamëz Jashari

 Hamza, një strateg i vërtet i lëvizjes për çlirim të atdheut, kishte aderuar në Partinë Republikane të Kosovës. Atë kohë, kalimi nga një subjekt politik në një tjetër, sikur nuk miratohej siç duhej. Në Kosovë pluralizmi politik dhe sistemi shumë partiak ishte në hapat e parë të tij, prandaj një veprim i tillë, përbënte risi, e cila nga elektorati shihej me një sy të hamendësuar!

Mendoj se Hamëz Jashari:
– Ishte ndër të parët në sistemin e ri pluralist në Kosovë, i cili shfrytëzoi të drejtën dhe vullnetin e tij të lirë për të vepruar lirshëm politikisht.
– Ishte ndër të parët që e kuptoi drejt pluralizmin dhe formacionet politike.
– Ishte ndër të parët, që nuk shkeli mbi unin e vet politik e kombëtar.
– Ishte ndër të parët që e kuptoi në esencë sistemin e pluralizmit dhe rolin e individit në shoqëri.
– Ishte ndër të parët, që i tha hapur një subjekti politik se nuk keni gatishmërinë e sakrificës për t’i dalë zot atdheut.
– Ishte ndër të parët, që dha shembullin më të shenjtë personal dhe biblik të sakrificës për lirinë e atdheut, raste të papërsëritshme këto- veç pararendësve tanë, si Oso Kuka, Sefë Kosharja, Mic Sokoli, Kamer Loshi, Tahir Meha e qindra bijë të tjerë të atdheut.
– Ishe alfa dhe omega e kthesës së madhe historike për të dhënë shembullin më unik të sakrificës për liri të atdheut- Hamëz Jashari i pavdekshëm!

 

 Rifat Jashari

Rifat Jashari, njeri human dhe punëtor i dalluar, mbështeti të gjithë ata që ishin të përkushtuar për çlirimin e atdheut, vepronte me shumë seriozitet, atë e nderojnë dhe respektojnë të gjithë. Interesat e atdheut për bacë Rifatin, gjithherë qëndronin mbi ato partiake. Nuk ka bashkatdhetarë në tërë rrethinën e Mynhenit e më gjerë, që nuk flasin me admirim për sjelljen njerëzore e shumë bujare të Rifat Jasharit.
Rifati, ishte nder mërgimtarët e hershëm që kontribuoj për mirëqenien familjare e shtet ndërtuese. Pa asnjë ekuivok, ndihmonte njerëzit në nevojë, në veçanti, mbështeti fuqishëm lirinë e atdheut. Shembulli i veçantë i burrit, atdhetarit dhe njeriut modest, siç është ai!, Rifati, edhe kur mori kumtin e rënies së 20 anëtarëve të familjes, nuk doli nga vetja e tij, ai, priti e përcolli mijëra bashkatdhetarë, duke dhënë shembullin ma të lartë sublim, se liria e atdheut është mbi të gjitha, madje edhe mbi jetën, dhe këtë e dëshmuan katërçipërisht së jeta pa liri nuk ka kuptim!…

Ky ishte shpirti dhe modestia e një liridashësi të përkushtuar, që shpërndau rreze mirësie gjithë andej viseve shqiptare, si askush tjetër!
Rifati ka marrë pjesë në rezistencën për liri së bashku me vëllezërit Ademin dhe Hmzën si dhe me babanë Shabanin, me 30.12,1991, kur milicia serbe dhe njësitet elite të saj kishin rrethuar familjen Jashari. Rifati se bashku me vëllezërit dhe luftëtarët tjerë të lirisë kishin rezistuar  përgjatë tërë asaj dite e cila pushtuesit Serb i dha një mesazh të qartë se Shqiptarët e duan lirin, pavarësisht çmimit që do ta paguajnë: Liria mbi të gjitha!

CH-07-03-2024

Mehmet Bislimi