Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: Pranvera Shqiptare ’81 – marshimi drejt lirisë!

Pranverë e vitit 1981, marshimi drejt lirisë!

 … Dhe kambanat ranë si asnjëherë më parë në pranverën e hershme të vitit 1981. Aty, në mesin e mijëra vashave e djelmoshave, ku secili po kryente obligimin e vet kombëtar në mënyrën më të mirë të mundshme, s’ke si ndiheshe ndryshe veç se shqiponjë me krah!

Rruga e lirisë, pavarësisht të drejtave tona historike dhe të natyrshme nuk ishte e shtruar me lule, por ishte me ferra e driza, sepse ende nuk ishim bërë bashkë me idetë dhe synimet tona. Ish nomenklatura politike e asaj kohe, edhe ajo e më hershmja, nuk ishin më shumë veçse vasalë të bindur të ish pushtuesve si: posllanik, poverenik, poreznik e kmet katundesh, ashtu si dukur çaush e sejmenë kadi e hafi. Kishte edhe prokurorë e gjyqtarë, milicë e komunar, të ligj e të palarë, matrapaz e zagarë!… Mirëpo, këta ishin shumë më pak se bijtë e popullit, që në vazhdimësi, nuk kishin ndalur së vepruari në shërbim të atdheut, që nga kohët para Osmane e deri me sot; atdhedashësit mbeten atdhedashës, të pa kurrizët, të tillë ishin dhe të tillë mbetën.

Shqiptarët si tërësi, asnjëherë, në asnjë kohë e rrethanë, për asnjë çast, nuk ishin pajtuar me robërinë, pikërisht për këtë, ne, sot jemi dhe ndihemi gjallë, ndryshe do të ishim zhdukur dhe harruar që moti. Jo pak popuj në botë, për më pak se 100 vjet robërie e kolonizim, kanë humbur edhe gjuhën e tyre amtare!

Ne, të paktën, që dy milenium, flasim shqip, pra flasim gjuhën tonë amtare shqipe, e cila renditet në mesin e gjuhëve më të vjetra në Evropë!, kemi historinë, gjuhën, kulturën dhe traditën, kostumet, ritet tona, folklorin, kodin e besës dhe bujarisë, tolerancën fetare më të njohur në botë, toponimet dhe antroponimet antike, mendojmë shqip dhe punojmë përditë për liri e bashkim kombëtar, për ndërtimin ligjor të shtetit tonë të përbashkët, mbi të gjitha duam lirinë tonë dhe respektojmë lirinë e popujve tjerë, a ka diçka më të shenjtë se kjo!

Në vazhdën e zhvillimeve të bujshme për kombin e atdheun tonë, në mars – prill 1981 e më vonë farsa perfide e UDB-së dhe LKJ-së, ra si një leckë e zhubrosur dhe kërkesa për “Republikën e Kosovës”, ishte më tepër si kërkesë për një baraspeshë me Republikat tjera brenda ish RSFJ-së. Shqiptarët mbi të gjitha, ngritën zërin për të qenë të barabartë me Republikat tjera, dhe jo të sunduar, nënçmuar e shfrytëzuar prej të tjerëve, asnjëherë më! Për më pak se dy dekada më vonë, me përpjekjet e pareshtura të bijve tanë (dhe kjo nuk piku nga qielli), lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila i dha vulën përfundimtare fatit dhe lirisë së atdheut!…

    Mirëpo ndeshtrashat dhe mosmarrëveshjet brenda nesh nuk ndaluan, përkundrazi u thelluan dhe u përkeqësuan. Disa filluan të na dënojnë, të na shpallin armiq, njerëz të Serbisë e të Rusisë. Në fakt, kështu mendojnë vetëm një shtresë bastardësh shqiptarë, të cilët më parë preferojnë që mos gatishmërinë e tyre për t’u rreshtuar drejt, në një formë ta mbulojmë me gjëra sajuese, se sa ta pranojmë realitetin. Ata që nuk ishin të gatshëm të ballafaqoheshin me realitetin dje dhe sot, dezinformonin opinionin me qëllim të deformimit të rolit dhe karakterit kombëtar politik dhe revolucionar të demonstratave të asaj Pranvere të madhe Shqiptare – Historike…
Flamurtarët e asaj Pranvere, bijtë tanë, kishin punuar gjatë kohë për një ditë si kjo, ata sollën 11 marsin (pas demonstratave të fuqishme të vitit 1968, ku në fushën e lavdisë, kishte rënë nxënësi Murat Mehmeti e shumë më herët me përpjekjet e shqiptarëve në vazhdimësi), duke u përballur me vuajtje e persekutime, që ish pushtuesi serbo-jugosllav ushtronte dhunshëm mbi shqiptarët, si: me varfëri e diskriminim, me shtypje e degradime, me arrestime, me vrasje e likuidime, deri edhe me spastrimet etnike e masa gjenocidi ushtruar mbi shqiptarët, që i ndiqte nga tokat e veta, nga shtëpitë e veta nga qielli dhe dielli i vet!… Në pranverën e madhe Shqiptare të vitit 1981, në fushën e nderit ranë 11 demonstrues, si: Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi dhe Afrim Abazi, kishte edhe mbi 300 demonstrues të plagosur.

1). Demonstratat e Kosovës i ka organizuar populli ynë, bijat dhe bijtë tanë më të mirë që ndër vite lanë shëndetin dhe jetët e tyre brenda kazamateve serbo-jugosllave. Demonstratat e Kosovës i ka përgatitur dhe i ka ngritur gjaku ynë i derdhur për liri, vaji i nënave, nuseve dhe motrave tona, vaji i fëmijëve tanë, rritur në skamje e mjerim… kjo është e vërteta e madhe dhe mohimi i saj nga bukëshkalës e plëngprishës, do duhej të ishte mallkuar dhe ndëshkuar nga kombi ynë!

Nuk kishte interes, Serbia as Rusia, që ta shembte sistemin e vet sundues mbi trevat tona, Serbia nuk ishte aq e marrë për të humbur përfitimet e saja materiale nga Kosova, nuk kishte interes që t’i rrokte armët e të luftonte me shqiptarë, jo. Serbia ndihej më rahat, kur shfrytëzonte pasuritë e Kosovës, si minierat, rrymën, prodhimin, fuqinë punëtore, tatimet dhe taksat tjera, me një fjalë pasurinë nën dhe mbi tokësore të Kosovës. Serbia ndihej më rehat, kur një dorë shqiptarësh i shërbenin me devotshmëri sistemit të saj dhe luftonin për te, se sa kur shqiptarët ia kthyen Serbisë pushkët e lirisë!…

2). Demonstratat e vitit 1981, nuk ishin të parakohshme, në fakt ato ishin të vonuara, ani pse të lara me gjak. Kush imagjinonte se do ndaheshim pa gjak nga pushtuesi jugoserb, e kishte gabim sa ishte i madh- koha vërtetoi katërçipërisht këtë, shih luftën e fundit në Kosovë. Po të mos jehonin demonstratat e përhershme në Kosovë, revoltat, burgosjet, grevat e minatorëve, mosbindja dhe mos dëgjueshmëria qytetare, lufta dhe rëniet heroike të trimave tanë, Serbia edhe sot do të ishte ulur këmbëkryq në Kosovë, dhe nuk do të kishte asnjë arsye të largohej nga Kosova. Pra, u desh të kërciste pushka, të derdhej gjaku rreke, në mënyrë që të dëgjohej gjithandej zëri ynë për liri, kush mendon ndryshe, shpirti tij prej robi, ende nuk është çliruar dhe të tillët qofshin të mallkuarit e kombit!…

3). Demonstratat e vitit 1981, nuk ishin spontane, ato ishin shumë mirë të menduara, dhe gjatë kohë të përgatitura nga brezi i viteve të gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta, janë me mijëra zemërluanë të kombit tonë që dhanë gjithçka, madje edhe jetën për ditët e sotme- përkulje të thellë para veprës së tyre. Ata ishin mishërimi i së madhërishmes sonë, që nga Lidhja e Prizrenit e më herët e deri me 1999, dhe falë atyre, ne kishim rrugën e trasuar, vetëm duhej të marshonim furishëm nëpër te. Demonstrata e vitit 1981, ishin fillimi i fundit të shembjes së gërmadhës së ashtuquajtur Jugosllavi, që ishte instaluar dhunshëm mbi Kosovë dhe kjo shembje u bë njëherë e përgjithmonë falë pushkëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare…