Uncategorised

Kadri Rexhaj: Dramë aktuale edhe për kohën tonë (Ribotohet me rastin e tre – vjetorit të vdekjes së Bacë Adem Demaçit

Pjesë nga një vështrim për dramën “Politika dhe pushka”

(Ribotohet me rastin e tre vjetorit të vdekjes së ideologut, veprimtarit dhe shkrimtarit Adem Demaçi)

Personalitet poliedrik, humanist dhe ideolog i papërsëritshëm kombëtar, Adem Demaçi radhitet në mesin e shkrimtarëve të paktë, te të cilët vepra artistike e shkrimtarit përputhet plotësisht me jetën politike, kulturore dhe atdhetare të veprimtarit. Veprimtar i angazhuar vetëdijshëm, që nga rinia e hershme, është e kuptueshme se edhe si shkrimtar ai është kujdesur që veprën e tij artistike ta organizojë dhe ta orientojë në vijën e idealeve të larta njerëzore dhe atdhetare.
Kështu, në tërësinë e veprës së tij letrare, me realizëm dhe objektivitet, janë trajtuar problemet jetike të popullit të robëruar shqiptar si dhuna, shfrytëzimi dhe shtypja e armikut serb, ashtu edhe qëndresa, organizimi dhe lufta çlirimtare e popullit tonë. Në këtë drejtim edhe ngjarjet e dramës “Politika dhe pushka”, pasqyrë artistike e realitetit historik të kohës, hedhin dritë mbi politikën antishqiptare të shtetit serb, politikë kjo sa koloniale dhe pushtuese, po aq çnjerëzore dhe pengesë në rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në këtë dramë, më hapur se në asnjë vepër tjetër, autori ka trajtuar synimet e vërteta të politikës serbe për serbizimin e Kosovës, pushtimin e Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme, me qëllim të fundit të daljes në Detin Adriatik. Shkrimtar i dëshmuar i temave sociale, morale dhe politike, krijues ekzistencialist i preokupuar me çështjet politike të kohës, në dramën “Politika dhe pushka”, Adem Demaçi shfrytëzon të kaluarën historike për tua bërë më të qartë bashkëkohësve, respektivisht lëvizjes çlirimtare, zhvillimin dialektik të shoqërisë dhe organizimin e mirëfilltë të lëvizjes si parakusht për ngritje në luftë të armatosur drejt lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Teksti i kësaj drame politike, prandaj, aq sa është kronikë ngjarjesh e një realiteti kohor, po aq është tablo historike e ngritur në art, aq sa është evokim autentik lufte, po aq është teori e luftës për liri dhe pavarësi, aq sa është shembull i manovrave diplomatike, po aq është botëkuptim shkencor filozofik, aq sa është dokument letrar kohe, po aq është letërsi fiktive e dorës së parë. Si e tillë, pra, aq sa rrëfen për zhvillimet historike dhe politike të viteve mes dy luftërave botërore, po aq kjo vepër flet për kohën kur u frymëzua dhe u shkrua nga autori i saj.
Thënë shkurt, aq sa ishte e domosdoshme në kohën kur u shkrua, po aq kjo dramë është aktuale edhe për kohën tonë.

Postimet e fundit !