Arkiv / Ripublikim

Kadri Mani: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha – dy Dëshmorë të Shqipërisë Etnike

Nuhi Berisha e Rexhep Mala (ripublikim)

Dy dëshmorët e Lirisë, të rënë më 12 nistor 1984, në Prishtinë, në luftë me forcat çetnike-neofashiste serbosllave,- kanë prejardhje nga krahina e Gallapit, Malësia e Komunës së Kamenicës, nga Hogoshti dhe Svirca: fshatra këto me një traditë të gjatë të mikpritjes, të atdhedashurisë dhe të traditave luftarake. Të dy familjet e tyre më vonë shpërngulen në Gjilan, dhe jetojnë në Kodrën e Bardhë.

Rexhep Mala ishte pjesëmarrës i Demonstratave të vitit 1968, që u mbajtën në atmosferën e krijuar, pas një shtrëngate torturuese 23-vjeçare të regjimit policor të Aleksandër Rankoviçit: kur në emër të „tepricave“ merrej haraç drithë e sanë, mish bagëtish e mish pulash, vezë…

Të gjitha këto po i bekonte satrapi Tito;- dhe ky kriminel e mashtrues ordiner, reagoi vetëm kur u zbuluan përgjimet rankoviçiste edhe në kabinetin e Titos! Pra, pasi iu rrezikua froni, satrapi erdhi në Kosovë, më 1967, dhe deklaroi: Është bërë shprehi të themi se shqiptarët në Kosovë janë pakicë kombëtare, po unë këtu po shoh se, për zotin, shqiptarët qenkan shumicë absolute kombëtare!!“- krejt kjo me dinakëri, për të na bërë aleatë në momentin kritik.

Rexhep Mala me shokë, nuk iu besonin këtyre proçkave: ata e dinin se Konkluzionet e Konferencës historike të Bujanit-1), ishin ndaluar e pezulluar, me Seancën e Prizrenit, të mbajtur më 8-10 korrik 1945, nën mbikëqyrjen e OZNA-s famëkeqe- pararendëse e UDB-ës.

Derisa në Konferencën e Bujanit, shumica absolute e delegatëve ishin shqiptarë, sipas përbërjes të popullsisë, tevona në Seancën e Prizrenit, shumica absolute ishin serbë e malazias!!

Po ato ndalesa e shfuqizime, ishin bërë në shkresurinat, dhe ashtu të vdekura po mrizonin ndër arkiva. Kurse në popull flitej e propagandohej për tradhtinë dhe për riorganizim për ribashkim kombëtar dhe territorial: po për këtë nevojiteshin njerëz të drejtë, të çiltër, konsekuentë, të vetëmohimit e të sakrificës;- këto cilësi kishte Rexhepi, dhe me këso kriteresh mund të shoqëroheshe me të.

Më 1973 bëhet anëtar i Grupit Revolucionar (G.R.);- pas një organizimi të gjatë dhe degëzimesh nëpër qeliza dyshe, treshe e pesëshe. Ky Grup Revolucionar kishte organin e vet „Zëri i Kosovës“- që e nxorëm më 1973, në Prishtinë.

Aty Rexhepi tregoi aftësi mobilizuese dhe punë kreative konkrete: me të hollat e veta e blen makinën e shkrimit, dhe fillojnë traktet e para. Pastaj, tok me shokët e vet e rrëmbejnë një shaptilograf në Ndërmarrjen „Elektro-Kosova“- te zyrat e Repartit të Shtëpia e Vjetër e Mallrave: Rexhepi që ditën kishte hyrë dhe e kishte kontrolluar terrenin. Në nevojtore e kishte hequr rezën e dritares, kështu që, natën e kanë hapur dritaren, dhe e kanë nxjerrë shaptilografin e ri automatik. Traktet u shpërndanë kryesisht nëpër xeherore: iu shpjegohej punëtorëve se janë duke punuar me forca të shteruara, për një pagë të vogël minimale, dhe iu bëhej thirrje për grevë. Traktet qenë shpërndarë në Trepçë, Golesh, Kishnicë, Novobërdë…

Viti 1975: Rexhepi me shokë, i stolis konviktet me trakte dhe me pllakate e shkrime me ngjyrë. Të nesërmen kishin se çfarë të lexonin e mësonin studentët e punëtorët për padrejtësitë e regjimit antipopullor.

Borgjezia e Prishtinës dhe e Beogradit, me hamendje burgosi 19 veta;- ku Rexhepi u gjet, patjetër, si personi më i dyshimtë. U dënua me burgim dhe i vuajti 8-vjet.

Në vitin 1983, jemi liruar njëkohësisht me Rexhepin dhe kemi kontaktuar me Nuhi Berishën, i cili kishte marrë pjesë aktive në Kryengritjen e vitit 1981, dhe me rastin e burgosjes të shokëve, kishte arritur të ik për dritare dhe ishte arratisur, duke kaluar në ilegalitet.

Vallë o bij, ç`po ndodh kështu,

vitet tutje, ju tëhu!?

Tri vjet ilegalitet. Ai ishte ambientuar me të gjitha shtresat e popullit të Prishtinës dhe të qyteteve të tjera ku vepronte, po edhe të fshatrave e të trevave tjera, me të cilët mbante lidhje me shoqe e shokë. Nuhiu dinte të shoqërohej, jo vetëm me moshatarë, por edhe me më të rinj e me më të vjetër, me burra e me gra, me pleq e me plaka. Rexhepi dhe unë pas 8 e 9 vjetësh burgu, me zor po i mbanim mend rrugët e vjetra të Prishtinës;- në lagjet e reja humbnim fare. Ne shkonim pas Nuhiut si dy kalamaj pas pedagogut: kalonim rrugicave të ngushta, e deriçkë më deriçkë, kaptonim nga lagja në lagje, ditën e natën, pa pengesa: populli i kishte hapur hapekrahë dyert e oborreve e të odave për Nuhiun me pseudonimet „Nazimi“, „Nazmiu“, „Ilegali“…

Këto tri fjalë ishin më të ëmblat e më të dashurat: sikur për fëmijën e varfër e të uritur fjalët „Bukë e sheqer“!! Të gjithë donin të takoheshin me të. Në fjalët e tij s`kishte vend për dyshim: ta paraqiste fitoren të garantuar qindpërqind.

Kur nuk ishin mjaft të kënaqur me veprimtarinë e ditës, Rexhepi dhe Nuhiu, dilnin në midis të natës, dhe në muret e rrugës shkruanin me ngjyrë të dallueshme:“Kosova Republikë“!! Kalimtarët uronin: ju lumtë trimave!!- ka or, ka se kush kujdeset e kush lufton.

Në natën kritike, kemi qenë në shtëpinë e z. Sejdi Veseli, laborant nga Prishtina. I brengosur hyri në odë vëllai i Sejdiut, Shemsiu- Shema, dhe na lajmëroi se një grup policësh po shëtisnin në rrugë përpara derës së tyre. Kemi kërcyer në oborrin e një shtëpie rome. Ata dy e kanë kapërcyer murin e lartë, unë kam mbetur këtej murit: në këtë situatë, mendova se ata e çanë rrethimin, dhe nuk isha fort ngushtë pse mua më kapën romët dhe më dorëzuan në polici.Mirëpo, rrethimet kishin qenë të forta, dhe të përforcuara me ushtri e me polici, e me qerre ushtarake.

Rexhepi e Nuhiu ishin barrikaduar në një bodrum, dhe e kishin filluar luftën: gjithë natën kanë kënduar e kanë luftuar. Kanë pasur nganjë revole të markës „SIG“, me nga njëqind fishekë dhe nga një bombë. Nuk dihet se sa nga kundërshtarët kanë qenë të vrarë e të plagosur (ngase shtypi zyrtar i jepte ato të dhëna), dhe poashtu, nuk dihet në se shokët tanë janë vra apo kanë bërë vetëvrasje në mbarim të municionit e të hedhjes të gazrave lotsjellës e vdekjesjellës, siç vepruan armiqtë tanë edhe me nxënësit e shkollave.

Kurse me atë rast, gazetat patën shkruar:

„Lufta në rrugë“ (Borba na ullicu)

Dhe vërtet, dy Trimat e Kodrës së Trimave, bërën një luftë, e cila pati jehonë. Po nganjëherë edhe rasti e përcakton shkallën e luftës: ata e patën blerë një pushkë automatike me një karikator, po e shitën atë dhe e blenë një tjetër me tre karikatorë, sipas kapacitetit të tyre luftarakë. Mirëpo, për fat të keq, të parën e dorëzuan, e të dytën ende nuk e morën!- kjo edhe do ta shumëfishonte efektin dhe jehonën e luftës të Prishtinës.

Është e njohur Lufta e Kodrës së Kuqe: tre me treqind. Po kjo e Kodrës të Trimave, me siguri që ka qenë dy me dymijë!? Gjithë lagja ka qenë e rrethuar me polici e me ushtri e me qerre ushtarake e me helikopterë: armiku po çuditej e tmerrohej,- në çfarë shkalle paska arritur revolucionarizimi i shqiptarit!?!

Të barrikaduarit dhe Lufta e tyre, kishin tronditur Beogradin!! Duke iu dhënë të kuptojnë, se po ju afrohej fundi i pushtimit dhe i pushtuesit. Aq më tepër kur morën vesh, se dy luftëtarët e lirisë, s`ishin pos 33 e 23-vjeçar!!

Po shokët tanë po hakmerreshin për luftëtarët e rënë: Abdullah Krashnica-Presheva, Emin Duraku, Zenel Hajdini, Rifat Berisha, Fazli Greiçevci, Murat Mehmeti, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka… për nxënësit e helmuar… për tokën e pushtuar…

Ata krahas veprimtarisë konkrete, merreshin edhe me publicistikë e me letërsi. Kështu, nga Rexhepi kemi broshurën „Qëndresa“ e nga Nuhiu broshurën „Pranvera e Luleve të Kuqe“ dhe vjersha të botuara e të pabotuara…

Varganit të luleve, iu shtuan edhe dy lule të kuqe, pranë lapidarëve të të cilëve populli do të përkulet me respekt e dashuri, dhe me dhembje krenarie.

Që të dyve iu patën vdekur nënat, kanë baballarët dhe familjet: Rexhepi ka qenë i martuar dhe ka lënë gruan, zonjën Hanife, dhe bijën, tash 19-vjeçare, me emrin- Fitore. Nuhiu ka qenë i fejuar me Shukrije Gashin, e cila paska deklaruar se pas Nuhiut nuk do të martohet kurrë më…

Lavdi Trimave të Kodrës së Trimave: Rexhep Mala „Ruzhdiu“ e Nuhi Berisha;- të cilët e dhanë jetën e tyre të re, për idealin më të lartë kombëtar- Bashkimin Kombëtar dhe Territorial.

Shënim: ky shkrim është botuar te revista „Arbëria“ nr.1/1995, f. 11-12: policia serbijane s`kishte lejuar që dy shokët të rënë në luftë kundër Serbisë pushtuese, të varroseshin pranë njëritjetrit, por veç e veç e larg njëritjetrit. Kur vdes babai i Rexhepit, pleqnari e patrioti i mirënjohur, Mehmet Mala, e lë amanet që ta varrosin afër dëshmorit Nuhi Berisha: Plaku i mençur ka llogaritur, se po të varroset pranë të birit, familjet s`do të kishin ndonjë arsye, që një shoku i birit të tij të zhvarrosej e të rivarrosej pranë tyre;- kurse në këtë mënyrë: argumenti është bindës që, i biri Rexhepi, të zhvarroset e të varroset pranë Babait, alias (edhe) pranë shokut të luftës, pranë dëshmorit Nuhi Berisha.

Kurse bija e Rexhepit,  zonja Fitore, qenka rritur, qenka martuar me zotni Bedri Abdylin dhe paskan tri goca e një çun: Rrezja 10-vjeçare-(12.1.2005), Lëndina 7-vjeçare-(14.2.2005), Lira 6-vjeçare-(2.6.1999), Dielli 2-vjeçar-(21.6.2003).

Autor dhe bashkeluftetar i Deshmoreve, Kadri Mani