Shqipëria/Aktualitet

FJALA E KRYETARIT TË SHOQËRISË “LËVIZJA” NË INSTITUTIN E TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE NË 480 VJETORIN E KUVENDIT TË LEZHËS

    Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve shënoi dhe nderoi Kuvendin e Lezhës dhe Kryeheroin e Kryeprofetin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun… Fjalën kryesore për Besëlidhjen e Lezhës e mbajti Drejtori i ITSHKSH – së, Skender Asani.
Në këtë DATË të shënuar mbarëkombëtare, ITSHKSH bënë edhe paraqitjen dhe promovimin e rezultateve dhe të arriturave në fushën e hulumtimit, studimeve dhe botimeve shkencore…
Të ftuar në këtë ngjarje kulturore dhe kombëtare ishin edhe Instituti Albanologjik (Drejtori Lulëzim Lajçi), Instituti i Historisë ( Drejtoresha Teuta Shala), Shoqëria LËVIZJA, miq e bashkëpunëtorë të këtij Instituti si: Berat Luzha, Fadil Bajrami, Izmit Nura dhe profesorë e studiues të fushave të ndryshme… (Xh. Gjini)
FJALA E KRYETARIT TË SHOQËRISË “LËVIZJA” NË INSTITUTIN E TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE NË 480 VJETORIN E KUVENDIT TË LEZHËS
Shkup, më 2 Mars 2024
I nderuar Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve! Zoti Drejtor i Institutit Albanologjik Lulëlzim Lajçi! E nderuar drejtoreshë e Institutit të Historisë!
Të dashur dhe të nderuar të gjithë ju studiues, veprimtarë, politikanë, gazetarë e miq të këtij Instituti me rëndësi të madhe për hulumtimin, studimin, mbledhjen, botimin dhe afirmimin e trashëgimisë shpirtërore e kulturore të popullit shqiptar në Maqedoninë e tij!
Ndjehem i nderuar dhe i vlerësuar të jem sot midis jush dhe të më jepet fjala e të flas në emër të Shoqërisë LËVIZJA. Kuvendi i Lezhës, që po shënojmë sot, ka hyrë dhe ka zënë vend në historinë e kombit shqiptar si Kuvendi i Bashkimit të parisë (princërve) dhe popullit tonë. Kryeprisi, që u bë Kryeheroi dhe Kryeprofeti i Shqipërisë dhe i kombit tonë, ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili me urtësinë dhe famën e tij prej strategu politik e ushtarak, ia doli t’i mblidhte dhe bashkonte krerët e arbërit për t’i bërë ballë Perandorisë pushtuese otomane dhe për ta çliruar e bashkuar Arbërinë. Ky Kuvend ishte edhe themeli i unitetit dhe kohezionit politik, shpirtëror e luftarak të Arbërisë pas shumë shekujve…
Kuvendi i Lezhës hapi një epokë të re për popullin tonë, Epokën e Gjergj Kastriotit, që u bë Flamur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe frymëzim i brezave për përpjekje, qëndresë e heroizëm në luftën e gjatë për liri e bashkim të Shqipërisë e të kombit shqiptar në një njësi të vetme administrative dhe shtetërore me flamurin kuqezi.
Kryestrategu, Kryeheroi dhe Kryeprofeti ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Epoka e Tij e lavdishme ka frymëzuar edhe shkrimtarë, filozofë, burrështetas, gjeneralë dhe artistë të shumtë anembanë botës. Për Gjergjin tonë janë shkruar mbi 1000 vepra nga autorë të huaj.
Emri i Kryeheroit tonë dhe Epoka e Tij edhe në ditët tona frymëzon, motivon dhe udhëheq mendjen dhe shpirtin e kombit në kërkim dhe krijim të kushteve për unitet politik, kombëtar e vëllazëror midis shqiptarëve akoma të ndarë me kufijtë e imponuar në të shkuarën e stërmbushur me dhunë, terror e gjenocid ndaj shqiptarëve autoktonë, në tokën e tyre të trashëguar ndër mijëvjeçarë.
Të dashur të pranishëm në këtë ditë të shënuar!
Sot, 580 vjet pas Kuvendit të Lezhës, pozita e kombit shqiptar në Iliri ose Ballkan është dukshëm më e mirë. Me Luftën Antipushtuese Çlirimtare të UÇK – së, e cila fitoi edhe përkrahjen e botës demokratike, kombi shqiptar i çliroi edhe gati 11 000 km katrore tokë të tijën, të pushtuar nga Jugoserbia. Me Luftën Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare populli shqiptar e përmirësoi dhe avancoi pozitën dhe statusin e tij edhe këtu në Maqedoninë e tij për lirinë e së cilës ka luftuar dhe ka kontribute që nga antikiteti e deri në ditët tona. Lufta e UÇK – së dhe e popullit shqiptar në Maqedoni ishte vendimtare për demokratizimin e Maqedonisë dhe për ridimenzionimin e marrëdhënieve shqiptaro – maqedone, që sot prodhojnë stabilitet dhe harmoni ndërnacionale. Do të ishte në interes afatgjatë që populli shqiptar në këtë republikë të jetë popull shtetformues.
Perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe përparimit të kombit shqiptar në Ballkan është hapur dhe është më e sigurtë se kurrë më parë. Rezultatet e arritura me përpjekjet, mundin, sakrificën dhe gjakun e shumë brezave rinia jonë duhet t’i ruaj dhe çojë përpara. Rruga jonë dhe e brezave para nesh ishte e mundimshme. Rruga e brezit të ri dhe e brezave që do të vijnë është më e lehtë dhe me themele të qëndrueshme për të ecur më tej. Uniteti politik dhe shpirtëror është kusht sine que non për t’i ruajtur rezultatet e fituara, për t’i konsoliduar ato dhe për të arritur rezlutate edhe më të mëdha.
Nuk duhet harruar dhe nënçmuar ndikimet e huaja në mendjen dhe shpirtin tonë këtu, në Prishtinë, Tiranë e kudo ku ka shqiptarë. Për tokat tona nuk kemi interes vetëm ne! Janë edhe shumë qarqe e vende tjera të afërta dhe më të largëta që kanë interesa, pretendime dhe angazhohen me të gjitha fuqitë e tyre që t’i mbajnë tokat tona të pushtuara dhe të ripushtojnë tokat tona të lira. Këto qarqe dhe vende me pretendime dhe angazhime shoviniste e hegjemoniste janë aktive sot më shumë se dje. Karta e tyre e përçarjes së shqiptarëve, qoftë mbi baza partiake, fetare apo krahinore, nuk është pa rezultate… Andaj, kërkohet vëmendje, përkushtim dhe angazhim i inteligjencisë, i politikanëve, i shoqatave autoktone dhe i klerit atdhetar për t’u përballur me pretendimet dhe ndikimet e huaja në qenien, kulturën, gjuhën, arsimin, politikën dhe interesat shqiptare.
Pas sulmit të ushtrisë ruse në Ukrainë janë rritur dhe shtuar mosmarrëveshjet, tensionet, dhuna, konfliktet dhe luftërat në shumë vende dhe rajone të botës. Nuk duhet të harrojmë që edhe rajoni ynë nuk është imun ndaj ambicieve dhe tendencave destabilizuese në rritje, prandaj mendjen top e pushkën plotë në këto kohë të mbarsura me rreziqe për paqen dhe sigurinë kombëtare e rajonale!
Proceset e integrimeve rajonale dhe evroatlantike janë rruga që po ndjekin Tirana, Shkupi, Prishtina dhe kombi ynë. Mendoj se paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit janë interes jetikë edhe i shqiptarëve. Heqja e kufijve, duke u integruar midis nesh dhe në Bashkimin Evropian, do t’i konsolidonte më tej edhe interesat dhe mundësitë tona ekonomike e kombëtare, si dhe perspektivën paqësore të rajonit tonë dhe Evropës. Një rol të rëndësishëm në këto procese ka luajtur dhe po luan, me kontribute gati – gati vendimtare, populli shqiptar këtu, në Maqedoni dhe përfaqësuesit e tij në Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës. Prandaj, edhe sot, ndoshta më shumë se deri tash, kërkohet që populli shqiptar këtu të qëndrojë i bashkuar dhe t’ua mbyll derën atyre qarqeve, të huaja e vendore, që investojnë dhe përpiqen ta përçajnë me qëllim që ta dobësojnë fuqinë, peshën dhe rolin që duhet të ketë populli shqiptar këtu në proceset e integrimeve ndërshqiptare, ndërrajonale dhe evropiane. Për partitë politike dhe krerët e tyre këtu, në Prishtinë dhe trevat tjera shqiptare qendër bashkëpunimi, mirëkuptimi e bashkërendimi duhet të jetë Kryeqendra e kombit, Tirana, sepse “buka e botës është laku i kokës”, ka thënë populli ynë!
I dashur Drejtor i këtij Instituti me vlera dhe kontribute të mëdha në jetën tonë shpirtërore, kulturore e shkencore!
Shoqëria LËVIZJA, që nga themelimi i saj, ka bashkëpunuar me Institutin që ju drejtoni me suksese dhe të arritura të shumëta, me Institutin Albanologjik dhe me Institutin e Historisë. Kemi bashkëpunuar edhe me Tiranën në fusha të ndryshme. Dëshirë dhe synim yni ka qenë dhe mbetet përpjekja dhe anagzhimi për t’i nxitur dhe ndihmuar qeveritarët dhe studiuesit (institutet, shkollat, universitetet) që të angazhohen e të marrin përsipër më me kompetencë dhe më me seriozitet institucional mbledhjen, hulumtimin, studimin, botimin dhe afirmimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me karakter thellësisht çlirimtar, demokratik, evropian dhe emancipues, të periudhës jo pak të lavdishme 1945 – 2001. Në këtë plan Shoqëria LËVIZJA mbetet e vendosur dhe e angazhuar për të bashkëpunuar me Institutin që ju drejtoni dhe me institutet tjera shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe kudo ku ka shqiptarë në Iliri dhe jashtë Atdheut tonë të përbashkët.
Përgëzimet tona Drejtor, për veprimtarinë tuaj kërkimore, shkencore e botuese. Ju priftë e mbara sot e përgjithmonë!
Tani, gëzuar dhe gjithmonë të bashkuar, siç do të na donte Ati ynë Gjergj Kastrioti, në këtë ditë të shënuar e të bekuar për kombin tonë, që do të duhejë të shpallallejë Ditë e Bashkimit Kombëtar nga Tirana…
Gjithmonë gëzime, të arritura e fitore për popullin shqiptar në Maqedoni, për Shqipërinë tonë dhe për shqiptarët kudo që janë në rajon e në botë! Paqe, siguri, mirëqenie dhe harmoni për popujt e rajonit dhe të botës mbarë!
Ju faleminderit për durimin dhe vëmendjen tuaj!