Arkiv / Ripublikim

ENVER HOXHA për Pranverën Shqiptare ’81 (Ditari politik)

Ky ishte burri i madh i shtetit dhe i kombit shqiptar. Ky ishte politikani, intelektuali, njeriu dhe shqiptari më i madh i historisë sonë bashkëkohore. Enver Hoxha jo vetëm me shkrime, fjalime, literaturë, art e kulturë, por me të gjithë shtetin ishte angazhuar për përkrahjen e krahinave të pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia. Enver Hoxha në krye të shtetit tonë AMË kishte ndërmarrë të gjitha masat dhe ishte gati t’i dilte zot edhe ushtarakisht e me luftë popullit të pushtuar shqiptar. Kjo ishte arsyeja e vetme pse shteti shqiptar kishte siguruar dhe ishte pajisur me armët më moderne të kohës. Shteti i Enver Hoxhës kishte nëndetëse dhe aviacion që s’i kishin shtetet e rajonit në atë kohë. Atdheu ynë i përbashkët kishte përgatitur dhe i kishte gati në rast lufte edhe armatimet dhe paisjet e nevojshme ushtarake, të posaçme (me mbishkrimin: “Vetëm për Kosovën”), për 30 000 luftëtarë shqiptarë të Shqipërisë së Epërme (këndej Drinit). Enver Hoxha këtë nuk e bënte për mburrje dhe as për “qallum”, por e kuptonte si detyrim kombëtar e shtetëror ndaj dy të tretave të pushtuara të Shqipërisë. Shteti i Tij ishte mbështetja e vetme në rruzullin tokësor për shqiptarët e pushtuar. Për Enver Hoxhën nuk kishte interes dhe as ideologji që mund të vihej mbi Atdheun e mbi Popullin dhe interesat e të drejtatë e tij. Çdo ideologji dhe ineteres duhej t’i nënshtrohej pa kushte ineteresave të larta të kombit e të Atdheut. Kudo në Republikën e Shqipërisë së Tij shquhej dhe dominonte motoja: ATDHEU MBI TË GJITHA! Kombi shqiptar edhe sot, edhe nesër ka nevojë që shteti AMË të jetë qendra, boshti dhe busolla e kombit dhe e shqiptarëve kudo në botë deri sa të ribashkohet në një shtet e në një Shqipëri. Prandaj, stabiliteti politik dhe fuqizimi ekonomik i shtetit tonë AMË është dëshirë dhe interes i mbarë kombit dhe i shqiptarëve kudo që ndodhen në botë. (Xh. Gj.)

VLORË, E MËRKURË

1 PRILL 1981

DEMONSTRATA TË FUQISHME POLITIKE NË KOSOVË

Nga njoftimet që japin agjencitë e huaja të lajmeve, mësojmë se në Kosovë shpërthyen sot demonstrata të fuqishme veçanërisht nga studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës. Siç thonë këto agjenci, gjatë përleshjeve me policinë pati një ose dy të vrarë. Të plagosurit nga studentët dhe nga policia janë shumë. Thuhet, gjithashtu, se u arrestuan me dhjetëra studentë dhe se ata po torturohen. Demonstrata janë bërë dy herë gjatë dhjetëditorit të fundit të muajit mars dhe të dy herët ato janë shpërndarë me dhunë. Herën e parë udhëheqja jugosllave nuk bëri fjalë, herën e dytë shpërtheu kundër demonstruesve me akuza shpifarake e me epitete nga më të ndryshmet, si dhe me dhunë rankoviçiane, si qëmoti. Thuhet se studentët janë ankuar kundër gjendjes së mjeruar ushqimore në mensat e konvikteve të universitetit, si dhe të lënies pas dore të ekonomisë së Kosovës. Por, siç po duken punët, demonstrata ka marrë karakter politik. Në fakt, siç thuhet, studentët thërritnin: “Duam Kosova të bëhet republikë”.

VLORË, E ENJTE

2 PRILL 1981

ACAROHET GJENDJA NE KOSOVE

Në Kosovë po acarohet gjendja. Rriten përleshjet e studentëve me policinë. Është shpallur gjendja e shtet – rrethimit.

VLORË-TIRANË, E PREMTE

3 PRILL 1981

PËRLESHJE TË REJA E TË FUQISHME NË QYTETET E KOSOVËS

Siç bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, në Prishtinë e në Podujevë, dje dhe sot, studentët, me të cilët janë bashkuar edhe punëtorë, shpërthyen në demonstrata dhe, përleshje të tjera, më të furishme se të parat. Situata është bërë shumë e nderë. Autoritetet jugosllave Prishtinën e kanë rrethuar me tanke. Në Kosovë kanë ardhur nga Beogradi forca të mëdha policie dhe të milicisë serbe. Është shpallur gjendja e shtetrrethimit, është ndaluar qarkullimi me grupe dhe filluan llogjet e lakenjve titistë, që nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Asllan Fazllija e të tjerë. Ç’nuk thanë ata kundër demonstruesve, përdorën të gjitha fjalët që përmban fjalori titist, bënë akuzat më të ndyra: “Nacionalistë shqiptarë”, “irredentistë”, “informbyroistë”, “agjentë të imperializmit”, “ballistë” etj. Pas të sharave dhe akuzave kundër studentëve shqiptarë, hosanara për Titon, për titizmin, për vet administrimin dhe për “fitoret e Kosovës”. Pas hosanarave për titizmin, premtime mashtruese “do të bëjmë këtë”, “do të bëjmë atë”, “ka vështirësi, po fajin e ka kriza botërore” etj. Më në fund arrestimet e shumta dhe kërcënime për reprezalje akoma më të mëdha. Është e qartë, kosovarët janë të shtypur, të mjeruar, janë gjakosur nga serbomëdhenjtë dhe nga titizmi. Tani, siç duket, kanë gjykuar se u mbush kupa dhe se ishte momenti i volitshëm që të kërkonin të drejtat që u janë mohuar. Sa dëgjojmë e mësojmë nga informacionet e agjencive të huaja të lajmeve, radiot e televizioni i huaj, pse ne nuk kemi fare gisht në këtë punë, në këtë çështje ka pasur organizim të dobët, por edhe elementë të huaj që kanë manipuluar. Nuk ekskludohet edhe agjentura e jashtme, por, në analizë të fundit, mendoj se këtyre, në këto momente, nuk u intereson edhe aq turbullira, sidomos në Jugosllavi. Arsyet e vërteta duhen kërkuar e gjetur në faktorin e brendshëm, në vetadministrimin që dështoi, në borxhet e mëdha, në ngritjen e çmimeve, në inflacionin, në papunësinë, në mjerimin e masave, si dhe në problemet nacionale që janë zgjidhur në mënyrën më shoviniste nga titizmi. Të gjitha këto të këqija rëndojnë më shumë në kurriz të shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi. Nuk mund të përjashtohet edhe manipulimi i agjenturës serbomadhe kundër vetë sistemit, i separatistëve kroatë etj., që gjetën terrenin e Kosovës si hallkën më të dobët të Federatës Jugosllave. Sidoqoftë, kjo që ngjau në Kosovë ishte një grusht i rëndë për titistët që duan t’i japin botës përshtypjen se “në Jugosllavi çdo gjë është zgjidhur drejt” — çështja nacionale, socializmi, demokracia, stabiliteti etj., etj. Gjithë sistemi i tyre mban erë…

E SHTUNE

4 PRILL 1981

TITISTET SILLEN EGER ME DEMONSTRUESIT KOSOVARE

Dje në mëngjes, më 3 prill, u kthyem nga Vlora me Nexhmijen dhe me fëmijët. Ngjarjet në Kosovë më kanë preokupuar e më kanë shqetësuar shumë, pse titistët e poshtër jugosllavë, sipas lajmeve të agjencive, kanë sulmuar me mjetet më të egra popullin dhe studentët që në mënyrë paqësore kërkonin përmirësimin e konditave të tyre të jetesës dhe statusin e republikës për Kosovën në kuadrin e Federatës Jugosllave.

E DIEL

5 PRILL 1981

BYROJA POLITIKE DISKUTON MBI NGJARJET NE KOSOVE

Thirra mbledhjen e Byrosë Politike, ku diskutuam mbi ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dhe masat që duhet të marrim ne. Të gjithë shokët ishin plotësisht dakord me propozimin që bëra për të shkruar një artikulll të rreptë kundër dhunës së serbomëdhenjve jugosllavë ndaj popullit e studentëve kosovarë, si dhe me tezat që kisha përgatitur për të. Vendosëm që artikulli të botohet sa më parë. I dhashë Ramizit disa teza.

E MARTË

7 PRILL 1981

ÇFARE POHON E ÇFARE MOHON ZOTI DRAGOSAVAC

Shënime

Zoti Dushan Dragosavac, ju, në fjalimin tuaj, që mbajtët më datën 3 prill, drejt thoni në një vend: “Përvoja ka treguar se vazhdimisht kemi pasur dëme kur i kemi lënë pas dore momentet që paraqiteshin për ne si historike”. Kjo këshillë “e vlefshme” që jepni ju, nuk është me vend vetëm për udhëheqjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, por është një kujtesë edhe për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, nuk është një rekomandim vetëm për popullin serb, por edhe për popullin shqiptar që jeton në trojet e veta në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Por ne dëshirojmë të theksojmë, me këtë rast, se ju asgjë nuk keni lënë në harresë dhe historinë nuk keni dashur ta shikoni ashtu si duhej shikuar, që e kaluara e hidhur të mos përsëritej. Zoti Dushan Dragosavac, po në këtë fjalim ju thoni edhe këto: “Ne kemi zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e kombësive të republikave kombëtare dhe, në kuadrin e Republikës Socialiste të Serbisë, çështjen e krahinave autonome”. Ky pohim juaji tregon se, edhe pas Luftës Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë, historia e vjetër nuk u harrua; Kosova mbeti “një krahinë autonome” e Republikës Socialiste të Serbisë dhe popullsia shqiptare kompakte, si nga kombësia, ashtu edhe nga territori, u nda në mes tri republikave të Federatës Jugosllave. Pse u bë kjo kështu, ju bie ta shpjegoni ideologjikisht, politikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. Po të bëhej një analizë e tillë, atëherë mund të gjykohet se sa vlerë kanë afirmimet tuaja kur thoni: “Ne kemi zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme çështjet e kombësive dhe të republikave kombëtare”. Zoti Dragosavac, në vazhdim të pikëpamjeve tuaja, se gjoja i keni zgjidhur drejt çështjet e kombësive, ju në fjalimin tuaj vazhdoni të thoni edhe këto: “Megjithatë, do të ishte iluzion të mendohej se këtë e kemi zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe të përsosur dhe se nuk do të ketë probleme ndërnacionale”. Qartë, ju pohoni se “nuk e keni zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe të përsosur”, këtë problem kaq të koklavitur të kombësive. Atëherë duhet të dilet me konkluzionin se nga popujt që përbëjnë Jugosllavinë duhet të bëhen përpjekje që këto probleme të përsosen. Pra, u përket popujve të Jugosllavisë që t’i zgjidhin e t’i përsosin këto demokratikisht, brenda kuadrit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Konkretisht: popullsia dërrmuese shqiptare që jeton në Kosovë dhe në republika të tjera të Jugosllavisë, kërkon brenda normave, por edhe në rrugë, që krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Republikës Socialiste të Serbisë, ajo kërkon t’i njihet statusi i një republike brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ç’krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, ashtu siç e cilësuan udhëheqja e Federatës Socialiste të Jugosllavisë dhe disa udhëheqës kryesorë të krahinës së Kosovës? Ne gjykojmë se ajo s’bëri asnjë krim. Përkundrazi, konstatojmë se këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan.

Asnjëherë populli shqiptar i Kosovës nuk është lejuar të shprehet lirisht dhe në mënyrë demokratike mbi statusin që duhej të kishte, brenda ligjeve dhe kushtetutës jugosllave, krahina ku ai banon. Persona të tjerë kanë vendosur për këtë dhe, pas shumë kërkesave paqësore, kur ai kërkoi me zë të lartë që të dëgjonin popujt vëllezër të Jugosllavisë se Kosova kërkonte statusin e një republike brenda kuadrit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ata që bënin veshin e shurdhër, s’ngurruan të sulmonin me tanke dhe të qëllonin mbi shqiptarët. Jo vetëm kaq, por studentët trima kosovarë i akuzuan se gjoja vepruan si gangsterët e Çikagos dhe vunë përpara kalamanët e vegjël. Këto zakone të ndyra mund të jenë cilësi të të tjerëve, por kurrë të shqiptarëve që kanë luftuar dhe luftojnë me pallën sheshit. Një thënie e tillë e shtypit jugosllav vërteton qartë të kundërtën, se demonstratat ishin popullore dhe paqësore. Ajo, po ashtu, të lë të kuptosh se, po të mos ishin turma nxënësish, policia serbe do t’i kishte grirë me mitraloza. Këto nuk harrohen kollaj dhe nuk tregojnë forcën, por dobësinë, nuk tregojnë pjekurinë, por hutimin. Duhen gjykuar çështjet me objektivitet dhe me drejtësi dhe jo të arrihet derisa të shtyhen gjithë popujt e Jugosllavisë, me të gjitha udhëheqjet e çdo rangu në krye, të sulmojnë, të shajnë, të rrahin, të vrasin, të gjymtojnë dhe të burgosin lulen më të bukur dhe trime, rininë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Nuk është as në nderin dhe as në interesin e Jugosllavisë që të derdhen mbi Kosovë gjysma e policisë serbe dhe e milicisë së Beogradit, të armatosura deri në dhëmbë, të rrethojnë qytetet e Kosovës me tanke, të mbulojnë qiejt me avionë dhe të mbushin aerodromet me parashutistë. Jo, kjo s’duhej të ngjiste. Ne e dënojmë rëndë këtë dhunë të pashembullt në Kosovë. Shkaktarët e vërtetë të situatave duhet të gjenden, por këta nuk janë në Kosovë, as në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, siç nuk mungohet të bëhen aluzione dhe nënkuptime. Ata duhet të kërkohen e të gjenden më thellë, më lart, në arsyet subjektive dhe objektive. Të kërkosh të frikësosh një popull me epitete monstruoze dhe me tanke, siç po veprohet me shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi, nuk mund t’i arrihet kurrë qëllimit. Me shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe me ata që kanë shkuar në emigracion nga mjerimi dhe papunësia, duhet biseduar shtruar, me qetësi, me arsye e jo me paragjykime të këqija, dhe të kenë të gjitha të drejtat dhe barazi të plota brenda kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Çdo propozim, çdo kërkesë, çdo pretendim i drejtë i shqiptarëve, që jetojnë në Jugosllavi, por që nuk u pëlqejnë dhe u prishin rehatinë udhëheqjes federale dhe asaj krahinore, kualifikohen pa hezitim “armiqësore, shoviniste shqiptare, irredentiste”, etj. Çdo gjë, çdo protestë kundër padrejtësive që u janë bërë dhe po u bëhen shqiptarëve që jetojnë në tokat e veta në Jugosllavi, dhe ato s’janë as të pakta dhe as të vogla, futen në këto kanale -ofenduese. Ç’do të thotë në gojën e jugosllavëve epiteti armiqësor “nacionalistë”? Fjala nacionalist vjen nga fjala nacion, që do të thotë komb, kombësi.

Çdo diksioner, i vogël ose i madh, e shpjegon qartë këtë nocion. Fjalën nacion-nacionalitet, që do të thotë komb-kombësi, jugosllavët e mbajnë në gojë e në letër, të shkruar të zezë mbi të bardhë. Kur një kombi përpiqesh t’ia mohosh kombësinë, sovranitetin dhe të gjitha atributet që rrjedhin prej tyre, atëherë fjalët që lëshon janë vetëm demagogji dhe shkaktojnë e krijojnë fërkime që mund të çojnë edhe në konfrontime të padëshirueshme e të rrezikshme. Në qoftë se një populli përpiqesh t’ia shtypësh dhe t’ia zhdukësh traditat dhe aspiratat nacionale, atëherë do të hasësh patjetër në një reaksion vetëmbrojtës. Vetëm marksizëm-leninizmi dhe socializmi shkencor, sipas teorisë së Marksit, Leninit dhe Stalinit, i zgjidh drejt këto probleme. Në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe posaçërisht në Republikën Socialiste të Bosnjë-Hercegovinës e në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, është shkuar deri atje sa të krijohet një “kombësi myslimane”. “Kombësia myslimane”, është një specifikë e Jugosllavisë, por, për në Jugosllavi nuk ka “kombësi kristiane ortodokse” dhe as “kombësi katolike romane”! Për këtë s’duhen shpjegime, ajo shpjegohet lehtë. Është e qartë pse Dobrivoje Vidiçi, kryetar i Republikës Socialiste të Serbisë dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, pasi hodhi vrerin dhe mërinë më të madhe mbi Kosovën, foli “veçanërisht mbi marrëdhëniet e barazisë së plotë në marrjen e vendimeve mbi të gjitha çështjet me rëndësi shoqërore në kuadrin e Republikës Socialiste të Serbisë, në të cilën krahinat socialiste autonome kanë pavarësi të plotë të garantuar dhe të përcaktuar në dokumentet kushtetuese të Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Krahinës Socialiste Autonome”. (Autonomi “e plotë” nën tutelë.) Është kuptimplotë se çdo veprim i shqiptarëve të Kosovës, brenda kushtetutës dhe ligjeve të Federatës, por që nuk i vjen pas qejfit udhëheqjes, cilësohet menjëherë “shoviniste shqiptare” dhe, për t’i futur në burgje e në kampe përqendrimi, njerëzit cilësohen fare lehtë si “irredentistë”. Të akuzosh për irredentizëm një popull dhe një komb të tërë, prej më shumë se 2 milionë banorësh, siç është pjesa e kombit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, duhet të mos kesh qenë e të mos jesh vetë irredentist dhe të kesh zhdukur të gjitha shkaqet dhe burimet e kësaj doktrine, shkaqe që janë pjellë e imperialistëve dhe e feudo-borgjezisë së vjetër ballkanike. Në qoftë se pas Luftës Nacionalçlirimtare është zbatuar parimi i vetëvendosjes së popujve, atëherë pse duhet të ketë irredentizëm? Më parë se të flitet për të ashtuquajturin irredentizëm, duhet të shpjegohet prapambetja ekonomiko-kulturore, inflacioni, papunësia në masë dhe emigracioni i detyruar i shqiptarëve, një nga emigracionet më të mëdha të Jugosllavisë në vendet e huaja. Ky problem i madh nuk zgjidhet drejt dhe nuk shpjegohet vetëm me “krizën botërore”, siç duan ta shpjegojnë disa udhëheqës jugosllavë, gjoja teoricienë të Federatës Socialiste Jugosllave dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Për sa i përket shovinizmit, karakteri i shqiptarit dhe historia e tij në shekuj tregojnë të kundërtën e asaj për të cilën ju akuzoni shqiptarët e Jugosllavisë, pse shqiptari asnjëherë s’ka shtypur dhe s’ka shfrytëzuar asnjë popull.

Kurrë ai nuk ka sulmuar dhe copëtuar tokat e popujve të tjerë. E kundërta ka ngjarë ndaj tyre. Prandaj shovinizmin kërkojeni se do ta gjeni gjetiu dhe jo te shqiptarët e Kosovës dhe as tek ata të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë që përbëjnë një popull. Shovinizmin kërkojeni pikërisht tek ata udhëheqës jugosllavë që urdhëruan sulmin me tanke e me policë serbë dhe vranë, gjakosën, torturuan dhe burgosën studentë, punëtorë dhe fshatarë shqiptarë, nipërit dhe mbesat e heronjve të popullit tonë, Isa Boletinit, Bajram Currit, Abdyl dhe Naim Frashërit, Sulejman Vokshit, Ymer Prizrenit, Azem e Shote Galicës, Çerçiz Topullit e Selam Salarisë, vëllezërve dhe bashkëluftëtarëve të Hajdar Dushit, Hysni Kapos, Miladin Popoviçit, Emin Durakut dhe mijërave partizanë heroikë shqiptarë, malazez dhe maqedonas që luftuan së toku si vëllezër dhe derdhën gjakun e tyre në Jugosllavi për lirinë, pavarësinë dhe vetëvendosjen e popujve të Jugosllarisë. Këto akte brutale dhe të përgjakshme përbëjnë shovinizmin më të egër. Mos vallë ju dëshironi që shqiptari të mos jetë patriot? Jo, kjo s’do të ngjasë kurrë! Shqiptari kurdoherë është mbrojtur me heroizëm dhe i ka mundur armiqtë e tij, pse gjithnjë ka qenë në të drejtën e vet. Shqiptari kudo që jeton, punon dhe lufton, tregon kurdoherë pjekuri dhe durim. Historia shekullore e shqiptarëve dhe ajo e kohës së Luftës Nacionalçlirimtare kanë vërtetuar se populli ynë ka derdhur gjakun e bijve dhe bijave të tij për t’u ardhur në ndihmë edhe popujve vëllezër fqinjë. Këtë shpirt të lartë sakrifice dhe internacionaliste ju e quani shoviniste. Gjënë më të vogël që mund të themi, kjo është paturpësi dhe asnjeri të mos harrojë se vërtet populli shqiptar është i durueshëm, por ama kur i shkelen të drejtat dhe kur zemërohet shqiptari, merr zjarr e flakë edhe stralli.

Për këto probleme ne mendojmë se udhëheqja jugosllave duhet të jetë shumë e matur, të tregohet e pjekur, gjakftohtë dhe t’i studiojë e t’i zgjidhë drejt problemet e saj të brendshme dhe jo t’u japë mësime me bollëk të tjerëve «për moderacion, për zgjidhje paqësore, për të drejtat e njeriut dhe të popujve» e të tjera. Ne mendojmë se duhen ulur gjakrat, nga udhëheqësit jugosllavë në radhë të parë, dhe çështjet e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi të studiohen me gjakftohtësi, me urtësi e drejtësi. Po u veprua ndryshe, nuk shërohet plaga, përkundrazi, do të thellohet hendeku. Ne nuk duam të ngjasë kjo dhe jemi gati të ndihmojmë me të gjitha forcat tona të pastra e fisnike, të zemrës dhe të mendjes, për të ruajtur miqësinë me popujt vëllezër të Jugosllavisë, për të ruajtur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që janë vendosur dhe të ndihmojmë si edhe më parë vëllezërit tanë shqiptarë në çështjet tregtare dhe të shkëmbimeve kulturore, siç i bëjmë edhe me popujt e tjerë të Jugosllavisë, malazez, maqedonas etj., në bazë të marrëveshjeve të vendosura bashkërisht në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Këtë e do interesi i të dy shteteve tona, e do miqësia, fqinjësia e mirë, pa ndërhyrë në asnjë moment në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Në rast se ne shfaqim mendimet tona për çka ngjau në Kosovë, kjo nuk do të thotë se jemi ne shkaktarët apo nxitësit e atyre ngjarjeve që po ndodhin atje. Ne e kemi thënë dhe po e themi se do të interesohemi për vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi, do t’i mbrojmë ata, siç i kemi mbrojtur, kur u bëhen padrejtësi dhe ligësi. Ashtu siç ka të drejtë Jugosllavia dhe çdo shtet tjetër të mbrojë dhe të kërkojë të drejtat për pakicat e veta nacionale, këtë të drejtë e kemi edhe ne. Traktati i Londrës, Traktati i Versajës dhe çdo traktat tjetër imperialist nuk kalon më mbi kurrizin e popullit shqiptar. Këtë ta kenë të qartë të gjithë, miq dhe armiq, shtete të vogla e të mëdha, imperialistë dhe revizionistë, shokë e vëllezër komunistë dhe njerëz përparimtarë, si dhe antikomunistët e pseudosociallstët.

E SHTUNE

11 PRILL 1981

SHQIPTARI NUK E KA DURUAR KURRË ROBËRINË

Armiqësia e serbëve është viseralet kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe, veçanërisht, kundër shqiptarëve që banojnë në tokat e veta në Jugosllavinë e ish-kralëve serbë, të kralit Tito dhe të shovinistëve të tjerë që sundojnë atje pas tij. Shqiptarët që banojnë në Jugosllavinë e krijuar nga traktatet antishqiptare të Londrës e të Versajës, kanë qenë dhe janë vazhdimisht të persekutuar, nuk kanë liri. Asnjëherë ata nuk kanë vetëvendosur për fatin e tyre, bile as edhe pas luftës Nacionalçlirimtare, pavarësisht se ç’pretendojnë titistët. Kufijtë e Jugosllavisë “së re” u vendosën në Bihaç, në mos gabohem, në mbledhjen e parë ose të dytë të AVNOJ-t dhe asnjë shqiptar nuk mori pjesë në këtë të ashtuquajtur mbledhje konstitucionale. Këta “kufij të rinj” ishin po ata të vjetrit, që i vendosi si deshi Klemansoi në Versajë. Pra, “vetëvendosja” e popujve të Jugosllavisë është një gënjeshtër, pse pas çlirimit asnjë referendum nuk u bë, askush nuk u pyet. Çdo gjë ishte vendosur veçanërisht në dëm të interesave të shqiptarëve nga pseudomarksistët titistë, që nuk ishin veçse shovinistë dhe nacionalistë të tërbuar. Bile Kosova u caktua një krahinë e thjeshtë e Serbisë dhe u quajt Kosmet. Vonë, me një amendament në kushtetutën e RSFJ, ajo u quajt “Krahinë Autonome e RS të Serbisë”. Tokat shqiptare dhe shqiptarët etnikë në Jugosllavi u bënë, me tërë kuptimin e fjalës, plaçkë tregu: një pjesë u quajt “Krahina Autonome e Kosovës”, një pjesë iu ngjit Maqedonisë, e cila ndryshe as nuk do të kishte kuptim të quhej «RS e Maqedonisë», ndaj së cilës bullgarët kanë pretendime, ku banojnë edhe turq dhe grekë të ashtuquajtur maqedonas të Egjeut dhe pjesa e tretë e tokave shqiptare iu bashkua Republikës të Malit të Zi, që pa shqiptarët nuk ka as 400 mijë veta. Kështu e ujdisën Federatën e tyre titistët jugosllavë. Stane Dolanci në një intervistë që u dha gazetarëve të huaj dhe atyre jugosllavë në Beograd në lidhje me ngjarjet në Kosovë, dënoi, si një qen i tërbuar shovinist, shqiptarët e Kosovës, sulmoi kërkesat e drejta të kosovarëve që krahina e tyre të bëhet republikë duke thënë midis të tjerave se “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë”, pse një gjë e tillë nuk është në interesin e Serbisë, se, po të shpallet ajo republikë, “shkatërrohet Federata” etj. Nuk ka vërtetim më të mirë se ky për atë që Federata Jugosllave qëndron në këmbë mbi bazën e përdorimit si “monedhë tregu” të tokave shqiptare dhe të shqiptarëve. Me fjalë të tjera copëtimi i shqiptarëve mban “në këmbë” Federatën, kurse shpallja e Kosovës republikë “plagos Serbinë”, bën inekzistuese RS të Maqedonisë dhe varfëron Malin e Zi. Sipas Dolancit, pra, Serbia e ka pushtuar Kosovën. Dolanci mendon se po të bëhet Kosova republikë, do të ngjallen dëshirat e kroatëve, me “kombësi myslimane” etj., për hegjemoni në Bosnjë dhe Hercegovinë. Prandaj, sipas tij, më mirë të këqijat le të vazhdojnë të bien mbi kurrizin e shqiptarëve. Dolanci gënjeu në këtë intervistë kur, për të fshehur të vërtetën, tha se në Kosovë u vranë 11 veta. Sipas të dhënave të tjera deri tani janë vrarë: në Prishtinë 150-200 veta, në Ferizaj 13, në Prizren 3 veta. Shumë të vrarë ka në Lipjan, Obiliq (nxënës shkolle të mesme), Podujevë etj. Të plagosur ka boll, janë mbushur spitalet. Edhe burgjet po ashtu. Masakër, gjenocid i vërtetë ndaj shqiptarëve nga policia dhe ushtria serbe. Por kjo nuk do të kalojë lehtë, siç mendojnë armiqtë jugosllavë, vrasësit e vëllezërve tanë kosovarë. Këtë problem jetik ne do ta studiojmë thellë dhe do të nxjerrim edhe pasojat. Sido që ne nuk kemi gisht në këto demonstrata, ne do t’i mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë deri në fund, në të drejtat e tyre dhe tonat të përbashkëta. Shqiptari nuk e duron robërinë, ai e di dhe e ka provuar se liria fitohet me gjak dhe me luftë. Lavdi studentëve, punëtorëve, rinisë dhe gjithë popullit shqiptar që jetojnë në trojet e veta në JugosIlavinë titiste, që i treguan grushtin e hekurt armikut. Le të dridhen titistët, “dy duart për një kokë” i kanë edhe shqiptarët. Ata kanë qenë shumë të durueshëm, shumë të sjellshëm. Ne derdhëm edhe gjakun tonë për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, kurse këta të na vënë pushkën!? Jo. Ky është kulmi i armiqësisë, i egërsisë, i shovinizmit serbo-titist.

E PREMTE

17 PRILL 1981

ARSYET E VËRTETA TË GJENDJES DHE TË NGJARJEVE TË KOHËVE TË FUNDIT NË JUGOSLLAVINË TITISTE

Panoramë

Stane Dolanci me kombësi sllovene, ku niveli i jetesës është nga më të lartët në Jugosllavi, në intervistën që u dha gazetarëve të huaj dhe atyre jugosllavë në Beograd në lidhje me ngjarjet në Kosovë, mund të themi se nuk e përmendi fare gjendjen e rëndë ekonomike të kësaj krahine. Ai jo vetëm duhej ta kishte përmendur këtë, por edhe duhej të kishte analizuar për ç’arsye Sllovenia, Kroacia dhe Serbia kanë një nivel aq të lartë, kurse Kosova aq të ulët. A është toka e Sllovenisë, e Kroacisë ose e Serbisë më pjellore se ajo e Kosovës? Po nëntoka e Kosovës nuk është vallë më e pasur se çdo nëntokë tjetër e do republikë jugosllave? A nuk e di zoti Dolanci se çështjet ekonomike luajnë rolin vendimtar në ekzistencën e shteteve dhe të popujve? A nuk determinojnë këto çështje në politikën e mirë apo të keqe të brendshme dhe të jashtme të një vendi? Pse nuk u mor mundimi të shpjegoheshin këto probleme kapitale? Eshtë lehtë të shpjegohen këto çështje primordiale me sharje politike dhe ideologjike, se “shqiptarët u treguan kundërrevolucionarë, shovinistë, irredentistë”.

Këto të dytat nuk i shpjegojnë të parat, ndërsa të parat mund të shkaktojnë edhe të dytat. Si mundet në një vend si Jugosllavia, ku predikohet “barazia në të drejta politike dhe ekonomike”, “bashkim-vëllazërimi”, në realitet të ekzistojë diskriminimi dhe pabarazia në këto të drejta bazë? Si mundet që një republikë apo krahinë të trajtohet si “djali i nënës” dhe krahina tjetër si i “njerkës”, që të ketë një vëlla që ha me lugë të artë, kurse tjetri me një lugë të vogël prej druri? Kjo nuk tregon as “bashkim”, as “vëllazërim”. “Në të mira dhe në vështirësi të gjendemi të njëllojtë”. Kjo ishte dhe është parulla e revizionistëve jugosllavë. Por kështu nuk ngjet as në Jugosllavinë e Titos, dhe nuk ngjet as në atë pas Titos. Kujt i bie faji për këtë gjendje reale? Artikullit të “Zërit të popullit”, që shprehu mendimin e vet si gjithë shtypi botëror, i cili dënoi udhëheqjen jugosllave për represionin barbar të ushtruar kundër shqiptarëve të Kosovës?! Shqipëria socialiste dhe gazeta “Zëri i popullit”, edhe më parë se të tjerët, kanë të drejtën të thonë fjalën e tyre për vrasjet dhe torturat e egra që u bënë nga UDB-ja dhe ushtria serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe nuk është hera e parë që bëhet një gjë e tillë.

Historia nuk harrohet, ajo është e shkruar. ‘Scripta manent’. Klithmat, të gërthiturat, epitetet, fshehja e së vërtetës nga personalitete “të mëdha” të Federatës dhe të republikave, histerizmat e shtypit serb, kroat, slloven etj., që arrijnë deri në akuza të përbindshme, sipas të cilave “Shqipëria socialiste ka gisht në demonstratat e Kosovës”, se “Shqipëria socialiste u bashkua me reaksionin kroato-slloveno-shqiptar në emigracion”, se “Shqipëria bashkohet me ato shtete që duan shpartallimin e Federatës Jugosllave”. etj., etj., janë shpifje rrugaçësh. Sa të shumta dhe aq me zë të lartë të jenë këto britma, aq më mirë njerëzimi kupton se bëhen përpjekje të pashpresa që të mbulohet e vërteta. Verba volant. Asgjë s’do të mbetet nga këto, se asgjë nuk është e vërtetë. Zoti Dolanci, në intervistën në fjalë, tha se «në demonstratat në Kosovë u vranë 11 veta». Një shërbëtor i tij shqiptar nga udhëheqja e Kosovës tha nëntë. Me sa duket për këtë çështje ata nuk patën kohë të merreshin vesh dhe të binin dakord. Megjithatë, të gjithë gënjyen opinionin botëror dhe atë jugosllav.

Shtypi i huaj flet për qindra të vrarë, qindra të humbur, të plagosur e të arrestuar në Kosovë. Këto i di mirë vetëm populli i Kosovës, pse gjaku i tij u derdh — pse u derdh dhe kush e bëri këtë gjëmë. Ata, pra, nuk ishin as 9, as 11 veta, por me qindra të vrarë dhe, duke u thënë gazetarëve të huaj se kjo që ngjau ishte vepër e një grushti “shovinistësh”, u mendua se u dhanë arsyet dhe u lanë duart. Por e vërteta do të çajë muret e shtetrrethimit dhe të censurës jugosllave, që është vendosur në Kosovë dhe bota do të shohë ç’masakra masive u bënë atje nga ushtria dhe policia serbe, do të shohë mashtrimet që u bënë dhe do të njohë fytyrën e vërtetë të atij “socializmi vetadministrues” me fytyrë gjoja njerëzore dhe që “po i zgjidh problemet e jashtme botërore me aq mjeshtëri akrobatike dhe ato të brendshmet me aq drejtësi dhe tejpamësi shembullore — me tanke”. Po i del kallaji kësaj gënjeshtre. Dolanci po ashtu tha se “i njohim cilët janë organizatorët. Ata janë në Shtutgart, në Bruksel dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ai tha, po ashtu, se gjoja në demonstratë ishte një numër i vogël të gënjyerish.

Kur zoti Dolanci i njihte organizatorët se ishin në Shtutgart e gjetkë nëpër Evropë, përse nuk i neutralizoi? Në rast se në demonstratë mori pjesë një numër i vogël njerëzish, atëherë pse u dërguan atje ushtria, milicia e Beogradit, tanket dhe avionët? Vallë për “një kokërr ulli prishet dasma”, ajo “dasmë”, për të cilën që tash nga të katër skutat e Jugosllavisë vërshojnë si lumi i Danubit, Savës dhe Dravës telegramet plot indinjatë e zemërim kundër “shovinistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, dhe plot himne ditirambike për “unitetin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë”? Kush e ndjell dhe e forcon armiqësinë në mes popujve të Jugosllavisë? Kjo fushatë e tërbuar që ka ngritur udhëheqja e Jugosllavisë, apo artikulli i natyrshëm, i drejtë dhe i matur i “Zërit të popullit”, që vetë Dolanci gjatë konferencës së tij të shtypit, kur një gazetar i huaj e pyeti: “A ka gisht Shqipëria”, u përgjigj: “jo” dhe shtoi se nga “Shqipëria nuk ka ardhur ndonjë protestë”. Kjo vërteton se “fajtori” priste një protestë. Por Qeveria Shqiptare nuk bëri protestë zyrtare.

A mos donte vallë udhëheqja jugosllave që shtypi shqiptar të heshtte për këtë tragjedi që ajo shkaktoi në Kosovë, kur gjithë shtypi botëror ka javë të tëra që po flet dhe dënon egërsinë e treguar? Jo, zotërinj udhëheqës jugosllavë. Jini realistë, ruani gjakftohtësinë! Ç’po bëni ju për demonstruesit dhe grevistët e “Solidarnostit” në Poloni, ku deri tash kundër tyre nuk është hedhur as edhe një pushkë nga qeveria polake? Ju po flisni, ju po shkruani. Ju paskeni vetëm të drejtë të flisni e të shkruani dhe, kur ne botuam një artikull të drejtë për problemin e madh të Kosovës, ju u hodhët përpjetë, por çfarë të hedhuri, saqë Radioja e Zagrebit arriti të kërcënojë dhe ekzistencën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë! Zagrebi harron se Shqipëria di të mbrohet edhe pa Zagrebin. Duhet ta dijë ai se Jugosllavia, qoftë dhe ajo e Titos, në asnjë kohë nuk e ka ndihmuar çlirimin e Shqipërisë. Kurse Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare e ka ndihmuar me gjak të derdhur çlirimin e popujve të Jugosllavisë dhe ne prapë do ta bëjmë këtë vepër sublime kur të rrezikohet Jugosllavia! Ne s’i kemi fjalë këto, por vepra, kurse ju flisni dokrra dhe bëni kërcënime rrugaçësh!

A harruat ju, zotërinj udhëheqës jugosllavë, si luftuat në Konferencën e Parisit për Triesten, Pulën, Fiumen etj? Të drejtë kishit. Ne nuk ju quajtëm as “shovinistë, as irredentistë”. Por kur nuk ishit të tillë, pse nuk ju shkoi ndër mend që ekzistonte një popullatë shqiptare, e treta në Jugosllavi nga madhësia, e cila duhej të bashkohej me Shqipërinë, aleaten tuaj socialiste në Luftën Nacionalçlirimtare? Ju heshtët. Pse heshtët, kur na qenkeni kaq parimorë? Ju as statusin e krahinës autonome nuk ia dhatë Kosovës deri në vitin 1968. Pse presidenti Tito nuk e realizoi atë që më tha mua në bisedimet zyrtare që patëm në vitin 1946 se “Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe do t’jua kthejmë, por jo tash, se reaksioni serbomadh nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Zoti Dolanci e shfaqi më hapur mendimin e tij “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë… pse këtë nuk e lejon Serbia”. “Po të bëhet Kosova republikë në kuadrin e Federatës’, tha Dolanci, atëherë u shkatërrua Federata”. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që viset e Shqipërisë janë bërë plaçkë tregu dhe njëkohësisht janë “kyçi i murit” që mban Federatën në këmbë. I çuditshëm mendim! Këtë nuk e themi ne, e tha Dolanci.

“Republikën e Kosovës” brenda Federatës Jugosllave, nuk e kërkuam ne, e kërkoi populli i Kosovës. Rivendikime territoriale nga ana e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk janë bërë. Nuk mund të gjesh një kërkesë të tillë në asnjë dokument, por dokumente për të mbrojtur të drejtat e vëllezërve kosovarë dhe të shqiptarëve që banojnë në tokat e veta në republikat e tjera të Jugosllavisë, të drejta që ua njeh kushtetuta dhe që u janë shkelur dhe po u shkelen, do të gjesh boll, në të kaluarën dhe në të sotmen. Dhe varet nga politika e qeverisë jugosllave ndaj shqiptarëve nëse do të ketë ose jo në të ardhmen. Jugosllavët kanë protestuar edhe për tabelat e dyqaneve, “përse nuk shkruhen në serbisht”, kur është fjala për ndonjë vend ku ekziston një minoritet i tyre! Këtë bëri tani së fundi, në mes të tjerave, zoti Gjuranoviç në Austri në lidhje me minoritetin e vogël slloven që ndodhet në Karinti. Ne nuk e akuzuam atë as si “kundërrevolucionar, as si irredentist, as si shovinist”. Si mundet populli shqiptar të mos interesohet jo për tabelat e dyqaneve në Kosovë, por për vetë gjuhën shqipe, për shkollat, liritë dhe të drejtat e tyre, si të mos interesohet ai për vrasjet në masë, për burgosjet e torturat që u bëhen shqiptarëve në Jugosllavi?