Lëvizja\UÇK

Ibish Neziri: Rënia e Agim Ramadanit (Në 22 vjetorin e thyerjes së kufirit që kishte ndarë Shqipërinë)

Marrë nga libri „Këtu jam për t’i luftuar armiqët

Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj“ –

Ushtarëve të lodhur nga luftimet e ditës, kishin filluar t’u mbylleshin sytë. Kjo vërehej nga bisedat, të cilat rridhnin shumë ngadalë dhe gjithnjë e më rrallë. Edhe gacat e fundit u shuan dhe bashkë me to edhe bisedat. Më nuk dëgjohej zë, pos frymëmarrjes, paksa të vështirësuar nga të ftohtit, të ndonjë ushtari. Të gjithë i kishte zënë gjumi, kë ulur e kë mbështetur për ndonjë dru a lis. Mes shokësh nuk ishin katër ushtarë.  Ata kishin rënë në fushëbetejë!

Edhe pse temperatura binte vazhdimisht dhe të ftohtit bëhej i padurueshëm, asnjëri nuk pipëtinte. Një ushtari, që mbështetur në një lis e kishte zënë gjumi, i rrëshqet helmeta dhe i bie në kokë Agim Ramadanit. Nga goditja Agimi zgjohet dhe e zgjon edhe Anton Çunin.  „Anton, do të vdesim nga të ftohtit pa na goditur plumbi“ – i thotë Agimi.  Gjysmështëpiza e drurit nuk ishte larg, prandaj Antoni vendos që ushtarët të strehohen në gjysmështëpizë. „Vdekë për vdekë, më mirë nga plumbi se sa nga të ftohtit!“ – thotë Antoni, edhe pse e dinte mirë se shtëpiza përballë pozicioneve të armikut nuk kishte fare mur dhe lehtë mund të gjendeshin drejtpërdrejt nën goditjen e zjarrit dhe vetëm nga një granatë minahedhësi mund të përfundonin të gjithë. “I zgjova të gjithë ushtarët dhe i urdhërova që menjëherë të futën në atë gjysëmshtëpizë, në qetësinë më të madhe. Rreptësisht ua ndalova përdorimin e shkrepsave dhe të çfarëdo ndriçuesi. Në shtëpizë gjetëm batanija dhe thasë për fjetje, të cilat i përdorëm për shtrojë dhe mbulojë. Hapësira nuk ishte e mjaftueshme për të gjithë, prandaj dhjetë veta u vendosem në shtëpizën e drurit, kurse disa të tjerë në dy bunkerë më të izoluar.

Para se të më zinte gjumi, i shtrirë në mes Xhemës dhe Agimit, m’u kujtua thënia i një ushtari: ‘Edhe një natë e tillë dhe ne do të vdesim të gjithë nga të ftohtit’! ‘Si për ne, ashtu edhe për serbët’, -i pat thënë Xhema.  Së paku ishte ngushëlluese, se nuk ishim të vetmit ne që po e përjetonim acarin e Alpeve shqiptare. Të paktën ne kishim shpresë se këto ndaj neve, bijve të tyre, do të jenë më të mëshirshme”, – thotë Anton Çuni.  Edhe pse natë e ftohtë, sikur kaloi shpejt.

Me rrezet e para të diellit filloi shkëmbimi i zjarrit. Minahedhësit, topat, raketahedhësit, mitralozët, snajperët e të dyja palëve me intensitetin më të madh villnin zjarr dhe çelik. Xhemajli menjëherë pozicionohet pranë minahedhësit 62-milimetërsh dhe fillon të hapë zjarr. Derisa hap zjarr, me duar e mban tytën e minahedhësit. Komandanti ia tërheq vërejtjen për rrezikun, ndërkaq Xhemajli si me shaka, ia kthen: “Qenka i mirë me i nxehë duart!”.

Pas konsultimeve të shkurta vazhdon operacioni i filluar një ditë më parë. Tre snajperistët më të mirë, mirë të maskuar, vendosën në distancë edhe me të afërt me pozicionet e armikut. Mitralierëve iu caktohen detyrat për eliminimin e grupeve të zjarrit. Ato duhet shpartalluar! Një skuadër dërgohet në vëzhgim të rrethinës. Dy djem vendosin minat kundërtanksë dhe kundër këmbësorisë me ndezje elektrike. Një skuadër fillon ndërtimin e strehimoreve. Në orët të paradites arrin Sali Çeku me skuadrat e armëve kolektive dhe vendosen në pozicionet e paracaktuara.  Nga fshati Botushë vërehet lëvizje të kolonës së mekanizuar të armikut, e cila dukej se ishte nisur për t’u shkuar në ndihmë njësiteve të rrethuara në kazermë. Xhemajl Fetahaj, Sali Çekaj, Agim Ramadani dhe Anton Çuni me dylbi në sy, me shumë kujdes i përcillnin lëvizjet e kolonës armike. Që të katër e dinin pozicionimin e njësitit diversant të udhëhequr nga Musë Gjakova, i cili kishte për detyrë që të pamundësojë arritjen e çfarëdo ndihme njësiteve armike në kazermë, nga drejtimi i fshatit Botushë.

Nuk u desh të pritej shumë. Së pari një dritë e fortë sikur ua verboi sytë e pas dy tre sekondash u dëgjua edhe një shpërthim i fuqishëm.  Një autoblindë me gjithë ekuipazhin dhe armët kundërajrore 2×20 milimetra, me të cilat ishte e pajisur, u shkatërrua tërësisht, kurse një kamion përplot me ushtarë u përplas në theqafje, ndërkaq kolona që ishte prapa kamionit filloi të tërhiqej prapa, duke shtënë me breshëri të shkurtra. Ushtarëve armiq, të ngujuar në kazermë, iu shuan edhe shpresat e fundit për ndihmë.

“Me vëmendje përgjonim dhe analizonim bisedat e eprorëve. Prej atyre bisedave kuptuam se ne kishim arritur t’i befasonim plotësisht dhe se ata nuk ishin të përgatitur për situata të tilla”, – thotë Anton Çuni.  Njësitet serbe ishin tërhequr nga të gjitha pozicionet e zjarrit dhe ishin ngujuar në karaullë dhe përreth karaullës, gjë që forcave sulmuese të UÇK-së ua bënë të mundur që me gjithë forcën të gjuajnë në një objektiv.  Me urdhrin e komandantit të Batalionit GO 3, Rrustem Berisha, pasdite filloi sulmi mbi forcat armike me të gjitha armët artilerike dhe me armë tjera. Njësiti “Kobra” luftonte me armë automatike nga afërsia prej 70 deri në 100 metra. Forcat komando “Delta” me grupin e snajperistëve gjuanin me shumë precizitet nga largësia 400-500 metërshe. Karaulla para syve të ushtarëve të UÇK-së filloi të shndërrohej në gërmadhë.  Goditjet ishin aq të fuqishme sa ushtarët armiq u detyruan t’ia mbathin dhe të dezertojnë në masë. Të kota ishin kërcënimet me gjykatë ushtarake dhe ekzekutim që ua bënin komandantët e tyre. Intensiteti i sulmit të njësiteve të UÇK-së sa vjen e rritet. Xhemajl Fetahaj pa u ndalur gjuante me një minahedhës 60 milimetrash, deri sa në njërën anë tyta e minahedhësit i ishte skuqur e në anën tjetër, fytyra e Xhemës ishte bërë zi nga tymi i barotit. Ai, për shkak të skuqjes së tytës së minahedhësit, u detyrua ta ndërpresë gjuajtjen me minahedhës, por jo edhe sulmin. Iu bashkua grupit të snajperistëve.

Komandanti i karaulles, i detyruar nga sulmet e fuqishme të forcave të UÇK-së, dezertimet në masë, mungesa e ndihmës dhe mungesa e udhëzimeve të qarta për veprim urdhëron tërheqjen e njësitit në drejtimin e vetëm të mundshëm Karaullë – Botushë. I bindur se i shpëtoi “Ferrit Koshare” dhe tani më ndodhej në vend të sigurt, u zu në befasi nga njësiti diversant i komanduar nga Musa Gjakova.  Në karaull kishin mbetur disa grupe të vogla të shkëputura nga zinxhiri komandues. Pas konsultimeve të shkurta mes komandantëve Skënder Hasangjekaj, Hysen Berisha, Skënder Rexhahmetaj dhe Anton Quni, filloi sulmi për neutralizimin e atyre grupeve të mbetura brenda karaullës. Në sulm marrin pjesë të gjitha njësitë. Zhvilloheshin luftime për çdo pëllëmbë, për çdo istikam, pozicion zjarri, dhomë, korridor, strehimore e labirinte të transheve.

Shumë shpejt nga shtiza ra flamuri i urryer serb që për 87 vjet kishte qëndruar në mes të tokave shqiptare dhe u ngrit flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenore, ku me fillimin e valimit të tij përfundoi faza e e parë e operacionit.

Ditën e tretë të luftimeve, më 11 prill, Agim Ramdani bashkë me Xhemajl Fetahajn, Cenë Aliçkajn, dhe disa ushtarë tjerë të njësisë “Delta” u nisen drejt Oplazit, i cili shtrihet mbi Gjocaj dhe Jasiq, me qëllim të marrjes së objekteve të rëndësisë së veçantë, të cilat i synonin të dy palët ndërluftuese. Duke ecur, nën Gomure, binë në pritë të forcave serbe të brigadës 63 parashutiste, të cilat ishin desantuar gjatë natës. Përleshjet ishin të ashpra. Komandanti Agim Ramdani ra nën Gomure, ndërkaq te Shkoza ranë Driton Veliu dhe Sylejman Shala. U plagosën rëndë edhe komandanti Musa Gjakova dhe ushtari Fatmir Hoti.  E gjithë java e parë kaloi përmes luftimesh dhe betejash të përgjakshme.  Njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke çarë përpara hap pas hapi, kishin arritur deri në fshatin Koshare. Njësia “Delta” ishte vendosur mbi fshatin Koshare në anën e majtë të lumit Gusha, në lartësinë mbidetare 800 – 900 metra, në mes të Rrasës së Koshares, Shkozës dhe Majës së Kokës, rrethuar me male. (Skema e Drecunit – Faksimil, harta topografike…) Në mbështetje të kësaj njësie ishte një grup artilerik me dy topa 82 milimetërsh dhe një MAX 12.7 milimetërsh. Në këtë anë luftimet ishin të përditshme. Armiku, i shtyrë nga sulmet e pareshtura, hap pas hapi tërhiqej drejtë brendisë, ndërkaq njësitë e UÇK-së ecnin para duke e kontrolluar e krehur terrenin, duke e bërë pastrimin e objekteve të forta, vënien e pritave dhe neutralizimin e grupeve armike të zjarrit.  “Xhemajli si oficer shtabor i zbulimit edhe pse nuk ishte i detyruar të merrte pjesë në luftime, gjithnjë ishte pranë njësisë “Delta”. Asnjë veprim luftarak nuk mund të imagjinohej pa pjesëmarrjen e tij” – thotë Anton Quni.

Vlerat e larta njerëzore dhe ushtarake bënë që të gjithë ushtarët ta donin dhe ta respektonin. Rënia e dëshmorëve të parë të njësisë komando “Delta”, Kasim Uka dhe Ali Ivaja, fort e kishte goditur, por edhe përkundër dhimbjes së madhe që ndiente, gjente forcë t’i ngushëllonte bashkëluftëtarët.

Komandanti i Batalionit GO3, Rrustem Berisha më 16 prill, në bazë të kompetencave që kishte, i bëri disa ndërrime e plotësime kadrovike në njësi.  Anton Qunin e emëroi shef të shtabit të GO 3-shit, detyrë kjo që më parë e kishte kryer Agim Ramadani, ndërkaq u bë edhe emërimi i komandantit të ri të njësisë komando “Delta” me që vendi i komandantit të kësaj njësie mbeti bosh. U bënë konsultime edhe me ushtarët për emrin, dhe i vetmi emër që u mor në konsideratë pa asnjë vërejtje ishte emri i Xhemajl Fetahajt. Emërimin e bëri komandanti i Batalionit, Rrustem Berisha, dhe Xhema edhe zyrtarisht iu bë pjesë e Njësisë Komando “Delta”, njësi e cila do të mbjell frikë e tmerr te forcat e armikut dhe do ta ngris moralin te të gjitha njësitë që kishin nevojë për ndihmën e kësaj njësie.  Ditët kalonin shpejt edhe pse nganjëherë dukej se kurrë nuk do t’u vinte fundi. Kishte filluar dita e dhjetë e operacionit. Dy ditë më herët njësitë e përgjimit kishin arritur ta kapnin dhe deshifronin një mesazh të forcave armike, në të cilin thuhej: “Në zonën X, ne jemi të përgjysmuar dhe të rraskapitur. Batalioni kufitar nuk ekziston më! Ata janë me mijëra dhe të mbështetur nga njësitë speciale të Perëndimit. Nëse nuk na i dërgoni urgjentisht njësitë elite për mbështetje, mbështetje artilerike dhe të mekanizuar, ne do të tërhiqemi….”

Atyre iu dukej se çdo kaçubë, gurë dhe lis ishte ushtar i UÇK-së dhe nuk e dinin se nuk kishte më shumë se 300 veta në vijën e luftimeve.  “Ata janë me mijëra…”, – ishte një mbivlerësim , i cili njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do t’i vinte padyshim në një pozitë të pafavorshme, nga se ata do të merrnin ndihmë për t’u përballur “me mijëra”.  Të kufizuar në teknikë dhe në numër, njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishin në gjendje për operacione të mëdha sulmuese, por i kishin marrë të gjitha masat për mbrojtje aktive. Ishte supozuar se nga mund të sulmonte armiku për t’ia marrë krahët UÇK-së dhe forcat e saj për t’i vënë në gjendje rrethimi, por, komandantët i kishin marrë të gjitha masat në bazë supozimeve, për të mos lejuar befasi nga forcat armike. Ata e bënë radhitjen e forcave, caktuan forcat rezervë, caktuan dhe u verifikuan goditjet e artilerisë, e përgatitën koordinimin për zjarr të armëve 12.7 dhe 20 milimetrash, përgatitën grupin e snajperistëve, përforcuan fortifikimet, ndërtuan pozicionet mashtruese dhe ndërmorën masat për maskim.

Si njoftonin përgjuesit, armiku kishte filluar një heshtje. Ishte kjo, si kishte treguar përvoja, heshtje para sulmit. Së shpejti mund të pritej sulmi, së pari me artileri, e pastaj edhe me këmbësori. Zakonisht sulmeve të këmbësorisë i paraprinin sulmet artilerike!  Xhemajli dhe Anton Quni po sa i përfunduan punët e shtabit, boshatisën komandën, dhe u nisen drejt njësisë “Delta”. Me ta ishin edhe disa ushtarë, si Imeri, Luzi, Demiri etj. Ende pa arritur te njësia aty për ku ishin nisur, forcat serbe filluan të gjuajnë me artileri të rëndë. Goditja ishte aq e fuqishme sa nuk mund vazhduan tutje, por u detyruan të ndalen dhe të presin për deri sa të pushoj pak zjarri. Deri sa pritnin, nga pylli doli një ushtar i UÇK-së. Dukej i trishtuar. Xhemajli dhe Antoni e ndaluan dhe e pyetën se i cilës njësi ishte. Nga frika dhe trishtimi, përgjigjet i kishte të paqarta, por megjithatë kuptuan se ishte teknik i mjekësisë i një njësie fqinje. Xhemajli ia ofroi pagurën me ujë dhe e tërhoq mes vetes dhe Antonit që të ndjehej më i sigurt. Pas kësaj dhe fjalëve se “rreziku nuk është aq i madh sa duket”, -ngadalë filloj të qetësohej.  Fishkëllimat e predhave dëgjoheshin pa ndalë para se të arrinin cakun dhe vetë fishkëllima e tyre ishte një tregues se ku ato mund të binin, prandaj ushtarët përpiqeshin që sa më mirë të mbroheshin nga to. Deri sa ata të strukur duke e përcjellë fishkëllimën e predhave, 4-5 metra më tutje ishte një kalë i ngarkuar me municion, që i përkiste njësitit të furnizimit. Në ajër përsëri u dëgjua fishkëllima e një predhe. Bisedat u ndërprenë bashkë me frymëmarrjen. E gjithë vëmendja u përqendrua në përcjelljen e fishkëllimës. Dukej se predha do të binte mu në mes të tyre, prandaj, të gjithë në çast u shtrinë. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa i shkëputi nga vendi ku ishin të shtrirë dhe i përplasi më tutje duke ua mbuluar shpinën me dhe. Pas pak sekondash i ngritën kokat ngadalë dhe filluan të shikonin përreth se çfarë kishte ngjarë. Të gjithë ishim të përgjakur. Asnjëri nuk lëshoi zë. Nuk kishte të plagosur. Ata ishin spërkatur me gjakun e kalit.

Nuk mbeti tjetër pos të ndërronin vend dhe të nxitonin për të njësia.

Mu në momentin kur duhej të niseshin, vërejtën se tekniku mungonte.  Duke shikuar rrotull e panë duke vrapuar sa i hanin këmbët. E kishte pllakosur tmerri.

Për të arritur deri te karaulla, ku ishte e pozicionuar njësia, duheshin sëpaku edhe dy kilometra. Një pjesë e rrugës nga duhej të kalonin, ishte e zhveshur dhe me të kaluar përmes kësaj pjese u gjenden nën zjarrin e një tanku T55 apo T84, nga i cili erdhi një fishkëllimë shurdhuese dhe një shpërthim i menjëhershëm që ishte shenjë se objektiv i tij ishte ky grup.  Grupi vrapoi me shpejtësi drejt një transheje dhe pas rreth 15 sekondash, në afërsi bukur të madhe ndodhë shpërthimi i dytë. Grupi arrin të dalë pas një buldozeri të lënë nga forcat serbe. Menjëherë pason edhe shpërthimi i tretë nga i cili xhamat e kabinës së buldozerit thermohen dhe grupit të ushtarëve të UÇK-së iu bien mbi kokë.  Pas këtij shpërthimi grupi i vogël, duke kapërcyer shkurre e kaçuba, me vrap u nis drejt karaullës, nga e cila e ndanin rreth 100 metra, e kaluan rrethojën dhe sakaq u gjenden në karaullë mes komandosëve të “Delta” -s. Detonimi i fundit u dëgjua tutje prapa shpinës së pjesëtarëve të grupit.