Lëvizja\UÇK

Emrush Xhemajli: Edhe emblema për UÇK – në u krijua nga Lëvizja Popullore e Kosovës

KRIJIMI I EMBLEMES SË UÇK-SË: E POROSITI DHE E APROVOI LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS (E IDEOI DHE SKICOI GAFURR ELSHANI, NDËRSA TEKNIKISHT E REALIZOI ADNAN ASLLANI)
– Nga fundi i vitit 1997 emblema e UÇK-së u bë e domosdoshme për plotësimin e një prej elementeve që ushtria jonë të ketë jo vetëm përmbajtjen por edhe formën e një ushtrie që do t’i plotësonte kushtet për t’u pranuar jo vetëm në terren por edhe ndërkombëtarisht.
Lëvizja Popullore e Kosovës ishte themeluesja dhe udhëheqësja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovws. LPK, Kryesia e saj, Këshilli i Përgjithshëm, bazuar në dokumentet që rridhnin nga Mbledhjet e Përgjithshme, punoi me përkushtim që UÇK-ja, sa më shpejt që të ishte e mundur, t’i plotësonte kushtet që kërkohen për një ushtri: strukturën e saj, rregulloret, zinxhirin komandues, nderlidhjen, logjistikën (armatimin, municionet, pajisjet, intendanturën, financimin) uniformën, emblemën e deri te formulimi i Betimit të Ushtarit të UCK-së.
Në kuadër të imazhit të UÇK-së, identitetit vizual të saj, përpos për uniformat, në Kryesinë e LPK-së u bisedua disa herë edhe për krijimin e emblemës së UÇK-së. Një nga komunikatat e hershme nga viti 1995 u lëshua me një logo – emblemë që e kishte pasur për model atë të Lidhjes së Prizrenit, por që nuk u përsërit më. Ushtarët e parë të UÇK-së në terren e përdornin si emblemë atë të ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, ose thjeshtë shqiponjën kuq e zi në formë mburoje majë-poshtë me akronimin UÇK në fund. Madje disa nga ushtarët dhe eprorët, megjithëse shumë rrallë, nga krenaria për përkatësi në grupet e para të UÇK-së, e kanë mbajtur emblemën në fjalë deri nga fundi i luftës ose deri sa janë vrarë në beteja.
Forcimi, zgjerimi dhe rritja e fuqisë komanduese dhe goditëse e UÇK-së në vitin 1996/97 solli nevojën që të rritej disiplina, uniteti dhe identiteti ushtarak i UÇK-së. Krijimi i emblemës, logos së kokës dhe të krahut, ishte bërë tani më nevojë për një zhvillim normal të ushtrisë. Në fund të vitit 1997 kryesia vendosi që kjo punë të bëhej sa më parë. Meqenëse varianti i emblemës që u përdor në një nga komunikatat e UÇK-së, dhe të cilën e kishte bërë Emrush Xhemajli, ishte vështirë e përdorshme si emblemë kapele dhe krahu, Kryesia ngarkoi për këtë punë Gafurr Elshanin, i cili ishte marrë edhe më parë me përgatitjen e materialeve me natyrë të ngjashme për nevoja të organizatës (për grumbullimet masive, demonstratat etj). Ai në biseda të ndara me Emrush Xhemajlin dhe Xhavit Halitin filloi të punonte në këtë drejtim. Veprimtarët e LPK-së, kur kishin vështirësi, zakonisht konsultoheshin me ekspertët. Edhe për emblemën pati një konsultë të natyrës politike, ideore e estetike. Gjatë kohës sa ishin në Tiranë Xhavit Haliti dhe Gafurr Elshani patën një takim me Fatri Sinanin, politikan nga Republika e Shqipërisë, me qëllim që ai të gjente ndonjë artist disenjator nga Tirana që do ta përgatiste stemën e UÇK-së. Por ai u thotë atyre: “Shikoni, këtu në Shqipëri ka artistë e piktorë të aftë. Dërgoi ku të duash në botë e nuk të turpërojnë, mirëpo për atë që doni ju këta nuk bëjnë punë… Atë mund ta bëni vetëm ju – ju që po merreni më këtë punë. Kjo duhet të dalë nga zemra e juaj. Më e fortë do të jetë një figurë me dy vija që dalin nga zemra e juaj se sa veprat e tyre artistike. Sepse artistët këtu nuk jetojnë me botën tuaj.”
Ky ka qenë momenti që ka ndikuar te vetë Gafurr Elshani që të mos kërkojë ndihmë nga dikush tjetër, por t’i hyjë punës vetë e ta përpunojë idenë se si do të dukej stema e UÇK-së. Gafurr Elshani, konsultoi emblema dhe logo prej më të ndryshmeve. Pas një pune të përkushtuar bëri skicimin për emblemë të kapelës dhe të krahut, duke u konsultuar për ndonjë finesë edhe me sekretarin e LPK-së, Emrush Xhemajlin.
Lëvizja Popullore e Kosovës në atë kohë i kishte zyrat Qendrore në Aarau të Zvicrës, aty ku Kryesia mbante mbledhje, mblidheshin aktivistet e Fondit Vendlindja Thërret, si dhe redaktohej e përgatitej për botim gazeta “Zëri i Kosovës”. Aty kishte kushte dhe teknologji për realizimin kompjuterik të skicave të vizatuara.
Në Lëvizjen Popullore të Kosovës, ka mbizotëruar fryma e bashkëpunimit dhe kolegjialitetit në punë. Në këtë frymë janë plotësuar dhe kompletuar punët me ndihmën dhe këshillimin e njëri-tjetrit. Gafurr Elshani në Redaksinë e «Zërit tët Kosovës» merret vesh me Adnan Asllanin, që në atë kohë ishe anëtar redaksie dhe bënte faqosjen e gazetës, për t’i ekzekutuar teknikisht në kompjuter emblemat të cilat deri atëherë ishin në formë skice të vizatuar me dorë. Adnan Asllani, me një shije të hollë për dizajnin grafik, me figurat e vizatuara prej Gafurrit i bëri disa variante të pamjeve të të njëjtës skicë fillestare për emblemat. E gjithë kjo punë është bërë në zyrat e Redaksisë së ZiK-ut dhe në prezencën e Kryeredaktorit të atëhershëm të «Zërit të Kosovës», Bislim Elshanit.
Gafurr Elshani e ka dorëzuar propozimin për emblemat e UÇK-së në format letre A/4. Sekretari i LPK-së, Emrush Xhemajli, gjatë përgatitjes së rendit të punës për mbledhjen e Radhës së Kryesisë ka futur si pikë të veçantë shqyrtimin e formës së emblemës së UÇK-së, variante të emblemave të UÇK-së për kapelë (kokë), dhe për krah. Në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit të vitit 1998 Kryesia e LPK-së (Perberja e Kryesise ne mandatin 1995-1998, Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Adem Grabovci, Rexhë Ibërdema) shtroi në rendin e ditës, veç tjerash, edhe çështjen e emblemave të UÇK-së. Në pikën e rendit të punës për emblema të UÇK-së u shqyrtuan me vëmendje propozimet e bëra. Kishte propozime për emblema të kokës që tri shkronjat e UÇK-së të ishin në pjesën e poshtme ndërsa gjithë emri i plotë në pjesë të njëjtë rrethore, anash apo përsipri. Të gjithë anëtarëve u pëlqeu varianti i emblemës së kokës në forme rrethore me akronimin UÇK të ngritur sipër pjesës tjetër të rrethit (ky ishte edhe varjanti i skicës fillestare të emblemës), me shkronjat e plota “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” në pjesën tjetër të rrethit dhe me shqiponjën ne mes, si dhe varianti i krahut me akronim të drejtë nga lart dhe me përkulje ovale poshtë. Për emblemën, që tashmë e njeh çdokush në botën shqiptare dhe shumëkush në botë, anëtarët e Kryesisë u përcaktuan njëzëri. Ishte me të vërtetë e bukur, e thjeshtë, e kapshme shpejt, imponuese, dinjitoze e madhështore. Edhe nga aspekti profesional i plotësonte të gjitha kushtet që kërkoheshin nga fusha e dizajnit e identitetit vizual. Në mbledhje u diskutua edhe për sasinë, se sa copë emblemash duhej të prodhoheshin e shpërndaheshin. Aty u fol për një numër prej 1500 deri 10.000 copë. Dhe në fund u vendos të bëheshin 3000 copë, ndërsa më vonë të porositeshin edhe të tjera sipas nevojës. Vendimi për sasinë duhej marrë për arsye se pas vendimit duhej mbulesa financiare përkatëse për to. Gafurr Elshani u ngarkua ta bënte porosinë për realizimin e tyre në tekstil. Edhe kjo punë u bë me logon e njëjtë, si emblema e kokës, pos në rastet kur teknikisht ishte e pamundur.
Iu drejtuam një ndërmarrjeje për logo e emblema në një fshat afër qytetit Olten, Zvicër, mirëpo ajo e shihte si problem prodhimin e tyre. Shefi i kësaj firme na shpjegoi me dashamirësi se nuk mund ta bënte një punë të tillë. Ai ishte konsultuar për domethënien e emblemave dhe nuk donte të merrej vetë me to. Por u tregua i gatshëm të na ndihmonte. Na dha një adresë në Gjermani ku mund të bëheshin. Kështu që emblemat e para të UÇK-së u prodhuan në Gjermani dhe brenda një kohe të shkurtër u përcollën te luftëtarët në terren. Pas këtij vendimi të Kryesisë së LPK-së edhe materialet tjera të UÇK-së u publikuan me logon që mori dhenë.
Emblema për herë të parë u bë publike me rastin e botimit të librit të Gafurr Elshanit, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Dokumente dhe Artikuj”, e cila doli nga shtypi në muajin shkurt të vitit 1998.
Në vazhdim porositë për shtypjen e stemave i vazhdoi Agush Buja, të cilit ia kishte dorëzuar detyrën dhe lidhjet Gafurr Elshani, pasi që ai vetë, në maj të vitit 1998, me Vendim të Kryesisë së LPK-së kishte hyrë në Kosovë, për t’ju bashkuar radhëve të UÇK-së.
Stema e UÇK-së ka luajtur një rol të madh unifikues, ka qenë një lloj programi i tërë i komprimuar brenda saj. Nga fundi i luftës edhe struktura në Ekzil e Bujar Bukoshit u mblodh dhe e aprovoi emblemën që tashmë ishte në përdorim, atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonëse ishte një veprim krejt formal, ajo flet shumë se sa UCK ishte e padiskutueshme, jo vetëm nga ana përmbajtjesore por edhe vizuale. Edhe Ushtria Çlrimtare Kombetare në Maqedoni dhe Ushtria Çlrimtare për Presnevë, Medvegjë dhe Bujanoc emblemat e tyre i patën me të njejtën formë sikurse UÇK në Kosovë. Në fakt struktura e UÇK-së deri në gusht të vitit 1998 ishte edhe për këto troje shqiptare ndërsa pas luftës në Kosovë UÇK në Maqedoni dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ishin vazhdim i programit clirimtar të LPK-së dhe UÇK-së. Kjo vazhdimësi shprehej edhe nga pikëpamja e identitetit vizuel të tyre.
Rrethanat e përplasjeve dhe fushatave kundër LPK-së dhe UÇK-së në kohën e vendosjes për emblemën e UÇK-së nuk mundësuan që të ketë një debat pak më të gjerë, dhe, sikur se shumë vendime të tjera edhe vendimi për të qe i diktuar nga kushtet e luftës. Ndërsa vendimmarrësit për aprovimin e emblemës së UÇK-së, Kryesia e LPK, krijuesi i emblemës së UÇK-së, autori Gafurr Elshani, finalizuesi i saj teknik, Adnan Asllani, dhe gjithë ata që e kanë emetuar me qëllim që të duket sa më e bukur në kohë lufte këtë punë nuk e kanë bërë as për ndonjë shpërblim as me qëllimin që të afirmohen si autorë të saj, por vetëm për t’i shërbyer luftës çlirimtare.
(Ky publikim është një pjesë e shkëputur nga një shkrimi më i gjërë me të njejtën temë).
Emrush Xhemajli
Ish-Sekretar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (1987-1998)