Nga bukuritë e rralla natyrore të Kosovës janë edhe Ujëvarat e Mirushës, Liqenet e Mirushës, Lumi i Mirushës, Kanioni i Mirushës, Shpellat e Mirushës, një kompleks i tërë natyror që ndodhet në një sipërfaqe të vogël e të ngushtë, i përmbledhur në Parkun Natyror Regjional të Mirushës.
Lumi Mirusha, me kalimin e kohës, ka krijuar kanione, ujëvara, liqene dhe shpella, të citat e përbëjnë Parkun e Mirushës. Parku i Mirushës, që verës gurgullon zhurmshëm e dimrit flenë mes akujve të zgjatur pingul, ka kanionin e mrekullueshëm, 16 liqene të vogla, 12 ujëvara, shumë shpella interesante nëpër shkëmbinjë dhe lumin gjarpërues. Parku është pasuri natyrore e dy komunave, e Klinës dhe e Malishevës, i ndodhur në kufirin administrativ të tyre. Gjendet 16 km nga Malisheva, 14 km nga Klina, 32 km nga Gjakova, 37 km nga Peja dhe 60 km nga Prishtina, ndërsa është larg nga rruga Klinë – Gjakovë rreth 5 km dhe larg rrugës Prishtinë – Pejë 6 – 7 km.
Në Parkun e Mirushës, që është park natyror i rëndësisë së veçantë shkencore, kulturore e turistike, përfshihen edhe Ujëvarat e Mirushës. Ato shtrihen në gjatësi prej 650 m dhe në lartësi mbidetare 340 – 600 m. Zona e ujëvarave dhe e liqeneve është vënë në mbrojtje nga komunat Klinë e Rahovec në vitin 1975 si rezervat i veçantë natyror në sipërfaqe prej 190 hektarësh. Për vlerat gjeografike, peisazhet specifike, shumësinë e bimëve, faunën e zhvilluar, në vitin 1982 kjo zonë është shpallur park regjional i kategorisë së pestë apo “peisazh i mbrojtur”, me sipërfaqe prej 555 hektarësh, që shtrihet në territorin e tri komunave; Klinë, Malishevë e Rahovec. Madje komuna e Klinës dhe ajo e Malishevës identifikohen me Ujëvaren, duke e mbartur edhe në stemat e tyre, edhe pse zonën e ujëvarave e kanë lënë pa organ udhëheqës. Për vlerat ujore, gjeomorfologjike e të peisazheve rrjedha e lumit Mirusha në vitin 2013 është shpallur monument natyre i kategorisë së tretë, kurse Ujëvarat – Monument Natyror i Rëndësisë së Veçantë, në sipërfaqe prej rreth 600 hektarësh.
Janë gjithësej 16 ujëvara dhe 12 liqene që paraqesin pjesën më tërheqëse të kanionit dhe të parkut të Mirushës. Ujëvarat kanë vlera unike të trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Të gjitha liqenet lidhen mes vete përmes ujëvarave, që ndryshojnë në formë e madhësi, sipas pozitës së tyre. Ujëvara më e lartë, 21 metra, ndodhet mes liqeneve të 8-të e të 9-të. Nga 16 liqenet e vogla, më i madhi është liqeni i fundit, me sipërfaqe 2250 m2, me dimensione 55 x 45 m. dhe me thellësi 5 m. Liqeni më i thellë është liqeni i 10-të me radhë – 9 m., kurse liqeni më i gjatë, liqeni i 8-të – 56 m., i gjerë 18. 5 m. dhe i thellë 6 m.
Rrjedha e lumit Mirusha paraqitet si një monument natyror i klasit të parë, por më shumë si një fenomen natyror i papërsëritshëm. Lumi Mirusha, i gjatë rreth 37 km, është njëri nga lumenjtë më të bukur të Kosovës, në rrjedhën e poshtme të të cilit është krijuar një grykë e ngushtë – kanion, i gjatë 10 km, duke formësuar një seri ujëvarash e liqenesh të vogla që kanë formën e një kaskade. Në këtë rast është krijuar fenomeni i rrallë morfo – hidrologjik i Mirushës.
Kanioni i Mirushës është njëra nga zonat më interesante natyrore dhe njëra nga pikat më të rëndësishme turistike në Kosovë. Në të, pos rrjedhës së lumit, ndodhen ujëvarat, liqenet dhe shpellat nëntokësore në forma e madhësi të ndryshme. Njihen disa shpella, nga të cilat dallojmë Shpellën e Dushit, të Panorcit, të Zatriqit, të Azem Galicës, të Kishës së Madhe dhe të Kishës së Vogël (sipas Planit të Ahtisarit, dy shpellat e Kishës janë zona të mbrojtura si vende të kishës ortodokse serbe) etj.
Rreth Parkut Natyror të Mirushës janë ngritur objekte hoteliere pa leje e me material të fortë ndërtimi, në kundërshtim me rregullativën ligjore për park natyror. Edhe hapja e rrugëve pa respektim të procedurave ligjore e ka degraduar peisazhin natyror dhe ka mundësuar fluks të makinave në mjedise të mbrojtura rreth kanionit. Problemi më i madh është ndotja e mjedisit, duke përfshirë edhe ndotjen e ujit. Këtë zonë shpesh e mbulojnë mbeturinat, kurse në ujin e lumit derdhen kanalizimet e shumë vendbanimeve të Llapushës. Dikur uji i lumit ishte i pastër e i rrjedhshëm, me shumë peshq, kurse sot peshqit shpesh ngordhin masivisht. Nuk kanë munguar nismat për pastrimin e mjedisit, por ato janë të rralla e të pamjaftueshme. Ujëvara e Mirushës, që është pronë e komunës së Malishevës por që administrohet nga komuna e Klinës, sikur ka mbetur në mëshirën e fatit, e harruar nga të dy komunat, si dhe nga ministria përkatëse.
Gjatë verërave të thata ujëvarat disa herë kanë mbetur pa ujë, me ç’rast krijohen pamje të rënda dhe dëmtohet rëndë zoologjia dhe botanika e zonës. Në të kundërtën, gjatë dimriave të ftohtë ndodhë që ato ngrihen, duke krijuar pamje krejt tjetërfare – mahnitëse. Përveç kushteve klimatike gjatë verës, thuhet se rrjedhën e lirë të lumit Mirushë e penon një pendë e një liqen i vogël, e ndërtuar nga komuna e Malishevës gjatë viteve 2006 – 2007 pa leje e pa pëlqim mjedisor. Edhe shfrytëzimi, pa kriter, i ujit të lumit Mirusha dhe sidomos ujitja e tokave bujqësore ndikojnë në mosfunksionimin normal të rrjedhës së lumit, për pasojë edhe të ujëvarave.
Ujëvarat dhe liqenet, si dhe tërë lumi, kanioni e parku i Mirushës janë një grykë shkëmbore dhe një oazë tërheqëse natyrore e strukur në pyll mes gjelbërimit. Është një vend i pëlqyer nga turistët, i pëlqyer veçanërisht për ekskursione në natyrë mbresëlënëse, por edhe për vizitorët njëditorë apo vizitorët e fundjavës, që vijnë nga tërë Kosova dhe nga jashtë saj. Numër i madh i qytetarëve e kalojnë ditën apo tërë fundjavën te Ujëvarat e Mirushës. Ujëvarat janë një potencial i madh turistik dhe një vend i përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive kulturore, rekreative e sportive. Ujëvarat, liqenet, shkëmbinjtë dhe shpellat formojnë peisazh mahnitës të paparë. Vizitorët këtu mund të merren me veprimtari sportive; not, peshkim, ecje në natyrë, alpinizëm e lojëra të ndryshme. Herë pas here aty organizohen edhe gara kërcimi në liqen. Për vizitorët është rregulluar një shteg për këmbësorë dhe një tjetër për biçikleta me ndriqim që nga rruga Klinë – Gjakovë deri te ujëvarat, në gjatësi 2300 m.
Kanioni i Mirushës është nga zonat me vlera të veçanta natyrore, me bukuri tërheqëse e interesante. Kanioni, ujëvarat, shpellat dhe liqenet, paraqesin bukuri të rralla e të përsosura, kurse lumi Mirusha, gjatë gjarpërimit nëpër kanion, duket një lumë i magjishëm, i papërshkrueshëm. Kjo është Mirusha; me lumin, parkun, kanionin, ujëvarat, liqenet, shpellat, me një natyrë të papërshkrueshme. Mirusha është bukuroshja “e fjetur” e Kosovës, që pret dorën tonë, dorën e ndërtimit e zbukurimit.
add a comment