Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXVII) – KOMORANI – FSHATI QË KA VETËM NJË PROBLEM, TË BËHET KOMUNË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXVII)

KOMORANI – FSHATI QË KA VETËM NJË PROBLEM, TË BËHET KOMUNË
Në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë, në krahinën e Drenicës shtrihet fshati i madh i rreth 5000 banorëve, me emrin Komoran, i njohur edhe me emrin Bushat. Më shumë se një fshat, Komorani është një qytezë, që synon të pavarësohet nga komuna e Drenasit dhe të bëhet komunë më vete. Komorani shtrihet në pjesën qendrore apo në mesin e Kosovës, në një pozitë shumë të përshtatshme gjeografike, në fushën e Drenicës dhe shumë pranë lumit Drenica. Ky fshati paraqet një nyje të rëndësishme të rrugëve drejt lindjes e perëndimit dhe drejt jugut e veriut. Atë e gjejmë rreth 6 km nga qyteti i Drenasit, 17 km nga Carraleva, 26 km nga Prishtina dhe 57 km nga Peja.
Në vitet 90-ta të shekullit të kaluar Komorani ishte shndërruar në një vend të frikshëm. Milicia serbe në kryqëzimin e rrugëve e në qendër të fshatit kishte ngritur një pikë kontrolli ku, jo vetëm që udhëtarët dhe banorët kontrolloheshin, por edhe plaçkiteshin, torturoheshin e ndaloheshin. Të kaloje nëpër atë pikë kontrolli e të mos ndaloheshe nga milicia ishte fat i madh.
Në luftën çlirimtare të UÇK-së Komorani ka dhënë kontribut të çmuar, duke i dhënë lirisë 13 dëshmorë dhe 37 martirë. Në qendër të fshatit ngrihet madhështor lapidari, ku janë të skalitura emrat dhe imazhet e Dëshmorëve të Kombit nga ky fshat, në krye të të cilëve qëndron emri i dëshmorit të parë të fshatit, Ymer Alushanit – Vogëlushit, i rënë në epopenë e Grykës së Llapushnikut.
Derisa Komorani ka dalë nga lufta i shkatërruar në masë të madhe, pas lufte ka përjetuar një zhvillim të hovshëm ekonomik. Fshati, i shtrirë në anën e majtë të rrjedhës së lumit Drenica, ka tokë të klasës të parë. Sipërfaqet bujqësore të Komoranit janë të ujitura, pos nga lumi Drenica, edhe nga sistemi ujor “Ibër – Lepenc”, që krijon kushte dhe mundësi për prodhimtari të lartë dhe cilësore bujqësore. Janë hapur shumë ndërmarrje, sa që ky fshat sot është një qendër e rëndësishme ekonomike. Vetëm në ekonominë e fshatit mund të numërohen rreth 400 biznese të ndryshme, ku janë të punësuar mbi 3000 punëtorë. Një shumicë e madhe e popullsisë së Komoranit punojnë e jetojnë në shtetet europiane.
Që nga paslufta Komorani me rrethinë ka kërkuar të ndahet nga Drenasi dhe të bëhet komunë më vete. Banorët thonë se Komorani ishte komunë edhe më parë, qysh nga viti i largët 1918, madje edhe në vitet 50-ta të shekullit të kaluar. Në ndërkohë, komuna e Komoranit ishte shuar apo ishte bashkuar me komunën e Drenasit, kurse sot kërkohet të rithemelohet. Komunën e kërkojnë 18 fshatra me rreth 24 mijë banorë të Drenicës jugore. Prandaj, në Komoran, thonë: Pse të mos jemi komunë, ne kemi qenë komunë para Drenasit? Dhe ka 10 vjet e më shumë që nga Qeveria e Kosovës është premtuar formimi i komunës. Edhe kërkesa dhe të gjitha dokumentet e nevojshme i janë dorëzuar qeverisë qysh para 10 viteve. Mirëpo, kërkesa deri tash është zvarritur apo është heshtur, pa dhënë një përgjigje të duhur, në kohën kur janë formuar komuna etnike pa e plotësuar asnjë kriter.
Edhe në lëmine e kulturës Komorani paraqet një qendër të rëndësishme, duke e pas qëmoti qendrën kulturore me sallë të kinemasë, të teatrit e të koncerteve brenda saj. Nga veprimtaritë kulturore e veçojmë festivalin kombëtar folklorik “Komorani”.
Sot Komorani i ngjanë një qyteti, pasi aty gjenden të gjitha ato që ka një qytet, si qendër tregtare dhe shumë lokale tregtare e shërbyese, restorante, çerdhe për fëmijë, shkollën fillore “Xheladin Gashi – Plaku”, shkollë të mesme profesionale, stacion policie, qendër shëndetësore, qendër kulturore, zyrë postare, ofiçari, treg të mallrave, treg të kafshëve etj… Kështu, ngadalë, por sigurt, Komorani po bëhet një qytet, një qendër dhe një vendbanim i rëndësishëm i Kosovës.