Kulturë\Letërsi

Shefkije Islamaj: Në 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar Jakov Xoxa (15.4.1923 – 15.4.2023

NË 100 VJETORIN E LINDJES SË SHKRIMTARIT TË MADH SHQIPTAR JAKOV XOXA (15 4. 1923 – 15.4.2023)
Krijimtaria letrare-artistike e shkrimtarit Jakov Xoxës është shembull i shkëlqyeshëm i rikrijimit të jashtëzakonshëm poetik e gjuhësor të botës shqiptare në kohë e në hapësirë të caktuar, me refleksione drejtuar edhe kohëve që vijnë dhe njerëzve shqiptarë kudo. Me veprën e tij, ai i siguroi vetes vend të veçantë në letërsinë shqipe. Me ide të larta, me art të përsosur e me gjuhë tejet të pasur, shprehu lartësisht, përsosmërisht e thellësisht jetën shpirtërore e fizike të njeriut e të kohës së vet.
Forca e mendimit të Xoxës rroku një botë të tërë, paraqiti shumanshëm anë të ndryshme të jetës e të shpirtit njerëzor. Shumësitë ndjenjore e mendimore të njeriut, të vendosura në ajrin shqiptar, nën pendën e tij të përsosur morën një forcë tronditëse, madhështore, më shumë se njerëzore: ai i bëri art botën filozofike, përvojën e njohuritë e tij jetësore, por edhe dijet e përvojën e tij letrare e poetike.
Me prozën a tij artistike, Jakov Xoxa, provoi se vepra letrare është gjuhëkrijuese, po aq sa është botëkrijuese, dëshmoi se gjuha si shprehje e përvojës njerëzore, e pasuruar ndër shekuj e breza, është, si do të thoshte Sapiri, e gatshme ose mund të përgaditet shpejt për të përcaktuar individualitetin krijues.” Me individualitetin e tij krijues, ai la gjurmë në krijimin e përbashkët të pafundshëm gjuhësor të shumë brezave shqiptarë dhe me këtë i siguroi shqipes një prestigj të veçantë duke na forcuar bindjen dhe mendimin se: “gjuha nuk është instrument i dobët dhe fajtor pse nuk shfaqen maja në krijimtarinë letrare, por janë faktorë të tjerë jashtë saj “.
Eduar Sapir, «Gjuha – hyrje në studimin e ligjërimit», Prishtinë, 1980, f. 258.
Me këtë rast po shkëput një fragment të shkurtër nga monografia ime «Gjuha e Jakov Xoxës – veçori leksiko-semantike dhe stilistike», Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2000, 420 f.
MOTOT DHE NËNTITUJT NË ROMANET “LUMI I VDEKUR” DHE “LULJA E KRIPËS”
Nëntitujt e motot që shoqërojnë kapitujt e romaneve – «Lumi i vdekur» e «Lulja e kripës» janë në funksion organizues në gjithë diskursin artistik të tyre, në të vërtetë në funksion të organizimit të tyre stilistik. Ato paraqesin jo vetëm këndvështrimin e veçantë të shkrimtarit, po edhe motivimin e fortë artistik. Edhe në këtë formë të shprehjes gjuhësore e letrare mbizotëron gjuha e figurshme, në të vërtetë, ndeshet një gjuhë e pasur stilemash. Shumëkuptimësia shfaqet në të gjitha rrafshet që nga titujt – «Lumi i vdekur», «Lulja e kripës», «Juga e bardhë» – e deri te motot nëntitujt interesantë. Gjithçka është e lidhur me idenë e përgjithshme të veprës, e mbrujtur me kuptime të ngjeshura plotësuese e mbishtresimet semantike.
Nëntitujt e romanit «Lulja e kripës» janë thënie të organizuara mirë dhe paraqesin një lloj sinteze paraprirëse të kapitullit, ndërsa motot e «Lumit të vdekur» janë tekste të gatshme, paraqitëse, të përzgjedhura nga kapitulli gjegjës. Strukturat që paraqiten në këto ndërtime janë të qëndrueshme, standarde. Të tilla dalin prej fillimit deri në fund. Ato në mënyrë shumë të saktë përputhen me përmbajtjen e kapitullit gjegjës, madje në nëntitujt del një si rezyme e përmbledhur e tij. Nga analiza e inventarit të mjeteve dhe të veçorive të tyre në këtë kontekst zbulohet qartë edhe parimi organizues artistik i vetë veprës si krijim gjuhësor e letrar.
Ajo që shquhet në këto ndërtime dhe që, njëkohësisht, del edhe në gjithë prozën në vështrim është veçantia e anëvështrimit dhe e rikrijimit të botës përmes, po ashtu, një gjuhe shumë të veçantë e dalluese. Xoxa nuk është vëzhgues i paanshëm i gjithë asaj që ka projektuar vetë: vlerëson, shpreh haptas e fshehtas atë që ndien, arsyeton, filozofon dhe përpiqet të arrijë te e vërteta, te e larta, te sublimja që referohet nga artistikja. Perceptimi e përjetimi subjektiv ndërthuren me realitetin letrar: dalin shumë pjesë në relieve, por mbeten mjaft në “dritëhije”, do të thoshte Xoxa, që nënkuptohen, që përjetohen e që mbahen mend, sepse krijojnë një prapaskenë me shumëkuptimësi e me ndikim sugjestiv. Edhe shkallëzimi e përplotëson këtë pamje, metaforat lëkunden prej një skaji në tjetrin, sendëzimi i gjendjeve psikologjike e personifikimi i mendimeve janë gjithmonë të pranishëm. Mbi të gjitha mbizotërojnë ndërtimi tipik dhe leksiku gjithmonë i përzgjedhur. P.sh.:
«Kështu e kanë njëherë njerëzit e varfër, kërkojnë gjithmonë anës vetes të gjejnë një strumbullar ku hedhin mullarin e mjerimeve të tyre…» (L.v. f. 97); «U ngjall Lumi i vdekur, mjerë të gjallët!» (L.v. f. 283); «Kur bredhin të rinjtë bën gaz t’i shohësh. Kur vrapojnë burrat, të vjen të qeshësh.» (L.v. f. 270); «Gurin e rëndë të varrit të vdekur ia vënë, po i gjallë e mban.» (L.v. f. 114); Ditë e re, shpresë e re.» (L. v. f.633); Mos vallë bukuria paska mbi njerëzit më pushtet nga e drejta.» (L.v. f. 531).
Ajo që pëlqehet në këto moto është qëndrimi dhe gjykimi i shkrimtarit, i ndërthurur me shumë mjeshtëri – kur pohon a mohon, kur mendon a dyshon, kur kërkon a ironizon, kur stepet e kur hamendet, kur shqetësohet e kur gëzohet. «Ndal beg, se ka hendek!» (L.v. f.238) nis kapitulli i trembëdhjetë në «Lumin e vdekur». Epigrafi sikur përmbledh krejt çka përmban kapitulli. Xoxa sikur është pjesëmarrës i vërtetë i ngjarjes, i gëzohet marrjes në thua të beut. Sentenca ka semantikë të dyfishtë, ashtu siç ka epigrafi tjetër: «Ah, ky njeri i shkretë: rrënjë s’ka., po është lidhur me tokën më fort se rrapi shekullor. (L.v. 612).
Rendi i shpalosjes së elementeve të ligjërimit është fillimisht njohës: së pari na paraqitet ajo që dimë e që njohim, pastaj tjetra, më e largëta, më e panjohura. Jo rrallë ndodh edhe e kundërta, madje shpesh informacioni shtyhet për më vonë, ose lihet të nënkuptohet brenda tekstit, si p.sh.: «Kam tri ditë e tri net që po shoh si mbin e rritet bari i varrit…» ( L.k.I, f. 317).
Xoxa rrallë hamendet për zgjedhjen stilistike. Zgjedhja gjithmonë është e suksesshme. Jo rastësisht. Në çdo analizë që bëhet mund të vërehet lehtë se ai ka bërë llogari tepër të saktë, gati se matematikore në përzgjedhjen dhe në ndërthurjen e elementeve të nevojshme gjuhësore, në mënyrë që shprehja e tij të funksionojë, ashtu siç funksionon në të vërtetë: artistikisht. Këtë mund ta provojmë edhe vetëm në një shembull, si ky: «Pranë lumit toka kullon, pranë gojës, buzët përthahen…» (L.v. f.132). Paralelizmi në këtë moto funksionon përsosur. Numri i elementeve gjuhësore në të dy blloqet paralele është i barabartë, informacioni del i qartë, porosia po ashtu e qartë: ajo që nuk kuptohet, po që parandihet, mbetet të shihet në kapitull: të shihet apo më mirë të thuhet të përjetohet, sigurisht të përjetohet me përshtypje të veçantë filozofike, estetike e gjuhësore.
Në «Lumin e vdekur», në të vërtetë në motot paraprijëse të kapitujve në roman, paraqitet një gjuhë pak a shumë më e pasur, më poetike, me konotacione që ngjiten drejt pikave qendrore, me karakteristika të gjuhës së përgjithësimeve filozofike, me një simbolikë universale, me asociacione të shumta e të ndryshme, shkurt, paraqitet një gjuhë shumë e veçantë dhe e përdallueshë individualizuese: «Nata për të rinjtë është e butë e zemërgjerë, si prehri i gjyshes që u fshesh lodrat fatkeqe të jetës» (L.v. f. 157); ndërsa në «Lulja e kripës», kemi një gjuhë të afërt me gjuhën e ligjërimit të zakonshëm letrar, më të qartë, fjala vjen: «Kapitulli në të cilin Paci dëshiron me shpirt që lufta të bëhet lojë, mbasi loja u bë luftë.» (L. k. I, f. 223). Edhe pse me gjuhë të zakonshme, këto ndërtime shquhen me shumëkuptimësi e me simbolikë, po ashtu polisemike. Simbolika funksionon sipas parimit që funksionon në krijimet gnomike, dhe përfshihet pothuajse në të gjitha këto ndërtime.
Fusha asociative e simboleve të Xoxës është ajo që mbruhet në gjithë romanet – është shumë e gjerë dhe mjaft individualizuese. Mundësitë e shndërrimeve të caktuara kuptimore në lidhje të realizueshme reale janë gati të përafërta me simbolet që ndeshen edhe brenda tekstit. Karakteri gnomik i këtyre ndërtimeve, ashtu si edhe i motove të «Lumit të vdekur», qet në dritë prirjen e Jakov Xoxës për sintetizime: fjalitë janë derivuar deri në minimum, ndërsa përqendrimi semantik është i lartë. Forma është në përputhje me përmbajtjen, p.sh.: «Kapitull ku tregohet se çdo gjë që nuk përsëritet, duket si ëndërr.» (L. k. I, f. 44).
Nëntitujt në «Lulen e kripës» ndërtohen sipas një strukture të gatshme në formë fjalie të rëndomtë, që ruhet pothuajse në gjithë romanin dyvëllimësh. Ata shquhen me nuancime të nevojshme kuptimore e shprehëse. Gjithçka i referohet përmbajtjes, edhe forma gjuhësore i përgjigjet pikërisht asaj. Veçantia simbolike ka kushtëzuar kod të veçantë, prandaj është ndier nevoja për formulime të këtilla si ky: «Kapitull në vend të parathënies së vëllimit të parë, ku bëhet fjalë për kripën e butë, e cila mban shijen e gjakut e të vdekjes.» (L. k. I, f. 7).
Edhe në pikëpamje gramatikore, formulimet, në të shumtën e herës, janë ndërtime korrekte, konkrete, ndonëse lidhja e tyre me tërësitë e caktuara mendimore shpesh sjell rrezik që shpjegimet të mos jenë përkatëse gjithmonë.
Për shkak të simbolikës së thellë, nëntitujt shpesh duken jo të rëndomtë, ndonëse lexuesi shpejt mësohet me ta dhe arrin t’i dekodojë me lehtësi. Pos përjetimit emotiv, ata në masë të madhe angazhojnë botën mendimore të tij. Me shumë afrojnë se largojnë. Lexuesi në asnjë rast nuk mbetet indiferent, sepse ata lënë përshtypje të veçantë. Përmbajtja e secilit kapitull ligjëson titujt e moto paraprijëse të tyre.
Larmia tematike e gjuhësore e motove dhe e nëntitujve është e ndryshme. Ajo është në përputhje me tekstin në përgjithësi. Në të vërtetë, motot e nëntitujt paraqiten si sinteza të kësaj larmie tematike e gjuhësore, sinteza të asaj që sugjeron shkrimtari me kapitujt dhe me veprën në tërësi, prandaj shquhen me vlera të shënuara konotative, me struktura të thella të shprehjesore e me shumëkuptimësi të simboleve. Secila nga ato bart mesazh të qartë. P.sh.: «Kapitull për gruan naforiote, që nuk duron helmin e shterpëzimit, ashtu siç nuk duron burri naforiot hidhërimin e ullashtrës.» (L. k. I, f. 143); «Lumi i thellë ka më tepër bujana se vahe.» (L. v. f. 441)
Në shembullin e parë teksti i referohet Gruas së Mallkimit dhe të shoqit të saj: Llambros. Mikrobota e këtij kapitulli është sintetizuar në këtë fjali – paralelizëm, të ndërtuar në mbështetje të krahasimit dhe të ngjeshur me informacion të dendur semantik. Ashtu siç nuk duron Llambroja, një fshatar naforiot, jopjellorinë e ullishtes së tij, në të cilën shkrin jetën e tij, për ata që duhet ta trashëgojnë atë – pasardhësit, të cilët Gruaja e Mallkimit nuk kishte mundur t`ia dhuronte, ashtu edhe ajo, Gruaja e Mallkimit, nuk e duronte dot ndjenjën e shterpësisë, jopjellorinë, sepse ashtu si kudo edhe në Naforë, ishte mëkat që të mbetej vatra pa fëmijë e të shuhej zjarri. Shtresimet semantike janë të tejdukshme. Toka krahasohet me gruan. Ashtu si toka, që mbillet e ujitet, edhe gruaja duhet të «mbillej e ujitej» dhe të lindte, prandaj ajo duhet të spërkatej me farën e stërkungujve të egër e jo meshkujt. Ndonëse, dëshira për fëmijë i ishte bërë obsesion dhe shkak i fatkeqësisë së saj fizike e psikike dhe shkak i anatemimit absurd, të cilit i nënshtrohej pamëshirshëm përdotë, ajo e di se toka është femër, kurse meshkujt argatë. Shtresimet semantike vazhdojnë: «bahçeja me ullinj shterpë të shterponte shpirtin, ashtu siç shterpohej shpirti pa fëmijë». Kjo është poenta e kapitullit në vijë të drejtë. Kjo dëshirë e sforcuar do të bëhej shkak i vuajtjeve më të thella për të dytë, burrë e grua, do të bëhe “brengë kronike” – shprehet Xoxa.
Motoja «Lumi i thellë ka më tepër bujana se vahe» – i referohet Pilo Shpiragut, në të vërtetë ai materializohet pikërisht me këtët shprehje. Shprehja është e qëlluar, edhe semantikisht, edhe stilistikisht. Vuajtjet e peripecitë e njëpasnjëshme do të ndikojnë që Piloja ta ruajë gjakftohtësinë deri në kufirin e mundshëm. As dëbimi nga Griza, as vdekja e së shoqes, as ndarja nga i vëllai, as rrëmbimi i tokës e i shtëpisë, as i gjësë së gjallë, nuk kishin mundur t’ia hapnin as gojën, as zemrën. Të gjitha këto fatkeqësi ia kishin shkaktuar të tjerët, prandaj ai ruante mendjen, mirëpo, ajo që kishte bërë i biri, kur kishte filluar të merrej me vjedhje, do të bëjë që Piloja të bëhej tjetër njeri. Edhe pse do të përpiqej ta ruante qetësinë, të analizonte gjithë ndodhinë, ai nuk do t’ia arrijë. Do t’i sillet nëpër mend: «Të rroj njeriu me shpirt në dhëmbë, që të vdesë i ndershëm, a është e udhës, o zot!» Hezitimi do të zgjasë shkurt. Dhe sakaq, ashtu si lumi i qetë që di të tërbohet, edhe Piloja do të hidhet mbi Leksin…
Fjalia-moto, si rrugëhapje e kapitullit, do të ngërthejë gjithë atë shumësi ndjenjash e përjetimesh që shpërthejnë në shpirtin e Pilos. Kjo na shpaloset në mënyrë të veçantë, dhe na e zbulon individualitetin gjuhësor – artistik të shkrimtarit. Këtu nuk kanë rëndësi e vlerë vetëm përftesat e figurat e veçanta, po në rend të parë parimi drejtues i organizimit artistik. Edhe motot funksionojnë në këtë parim. Motot janë si një fletëhyrje në botën e kapitujve, një fletëhyrje për zbulimin e domethënies së vërtetë vertikale të tekstit të dhënë, sepse ajo, domethënia horizontale, ndihet vetvetiu. Vetëm duke i vendosur këto moto në hyrjen e kapitullit përkatës, në një kontekst më të gjerë, në situatën ligjërimore, mund të përcaktohet vlera e vërtetë denotative dhe konotative e tyre.
Në romanin “Lumi i vdekur” – prej gjithsej 31 kapitujve, Xoxa në 29 prej tyre do të vendosë në krye epigrame ose moto, ndërsa në romanin «Lulja e kripës» (në të dy vëllimet) do të vendosë 71 nëntituj. Secili nga ata ka fushë të gjerë të simboleve. Fleksibiliteti i simboleve është realizuar gjuhësisht me sukses, edhe kur fuqia e gramatikës normative ka pushuar (në dialogët e monologët e personazheve), atëherë kur ka funksionuar një gramatikë e re – gramatika poetike, e cila vë e përcakton rregulla të tjera, rregulla të cilat Xoxa i njeh mire duke qenë edhe stilistikan edhe teoricien i letërsisë. P.sh.:
“O zot! Përmbytja jote qenka si shiu, merr që lart-poshtë. Beu përbuz agallarët, agallarët subashllarët, subashllarët kosovarët, kosovarët myzeqarët, myzeqarët sarakaçanët, sarakaçanët evgjitët, evgjitët arixhinjtë, arixhinjtë…O zot! Ç’është ky mallkim yt që bie nga lart mbi njerëzit! O rob! Urrejtja jote ngrihet nga poshtë lart, si flaka! Si flaka u xhindostë, që t’u vërë zjarrin atyre që janë sipër!» (L.v. f. 213)
Duke qenë se këto, t`i quajmë përftesa stilistike, paraqesin kategori të veçantë të organizimit gjuhësor e stilistik në një vepër letrare, ato duhet të trajtohen veçantë dhe në raport me tërësinë. Vetëm në këtë raport mund të shihet ndikimi i tyre estetik dhe fuqia e tyre shprehëse. Fuqinë shprehëse të tyre, gjuhësore e stilistike, e kanë përcaktuar këta tregues: sasia e informacionit që sjellin, shkalla e lartë konotative, karakteri polisemantik i simboleve dhe, pa dyshim, përzgjedhja e leksikut.
Çështja e përcaktimit të sasisë së informacionit paraqet gjithmonë problem jo të lehtë, sidomos në njësitë si këto, që mund të konsiderohen edhe njësi poetike. Meqë te Xoxa ndeshim numër të madh të mundësive alternative të shprehjes së caktuar, kuptohet se sasia e informacionit është edhe më e madhe se ç’mund të parashihet me një a dy lexime, dhe mesazhi natyrisht më i fshehtë. Në të vërtetë, në këtë rrafsh, fitohet përshtypja se pikërisht motot ofrojnë më shumë se ç’mund të parandihet. Përpjestimi ndërmjet elementeve strukturore me karakter denotativ dhe i atyre me karakter konotativ, pothuajse si rregull, është në favor të këtyre të dytave.
Shkalla konotative dhe karakteri i simboleve paraqesin faktorë me rëndësi këtu. Shpjegimet më se të gjera, tipike për prozën në vështrim, ia lëshojnë vendin ekonomizimit, jo vetëm në rrafshin gjuhësor. Kjo është më se e domosdoshme për strukturën dhe natyrën e këtyre kategorive. Ekonomizimi nuk lëndon qartësinë, ritmin dhe saktësinë në nivelin fjaliesor. Lidhjet asociative janë të qarta, prandaj nuk imponohet ndonjë analizë e thellë për t’u kuptuar ato.
Zgjedhja e leksikut është dobësi e shkrimtarit, dihet, prandaj është edhe ana më provokuese në gjithë veprën e tij, natyrisht duke përfshirë edhe kategoritë që u vështruane analizuan më këtë rast. Në përzgjedhjen e leksikut ai synon të veçantën, estetikën, evokuesen. Ia arrin.
Del përfundimi, vetvetiu, se Xoxa edhe me motot e me nëntitujt, sikur edhe me vetë titujt e veprave të tij, ka arritur të krijojë përftesa shumë të rëndësishme stilistike.