Lëvizja\UÇK

Agim Sylejmani: Një letër e Rafi Halilit që hedh dritë në veprimtarinë e Tij gjatë kohës së ilegalitetit të thellë

Një letër e Rafi Halilit që hedh dritë në veprimtarinë e tij
gjatë kohës së ilegalitetit të thellë

Të nderuar pjesëmarrës të këtij Simpoziumi shkencor kushtuar kolosit të çështjes kombëtare, të papërkulshmin Rafi Halili dhe Organizatës politiko-ushtarake “Kushtrimi i lirisë”, Simpozium i cili po organizohet në 50 vjetorin e krijimit të kësaj organizate patriotike e revolucionare klandestine në trojet e pushtuara shqiptare nën ish-Jugosllavinë titiste.

Unë nuk do të ndalem në biografinë e pasur dhe dinamike jetësore të këtij kolosi të Lëvizjes sonë Kombëtare, por do merrem me një letër të Rafiut, të cilën ai ia dërgoi diku në prill të vitit 1982 Mehmet dhe Hasan Malajt, babait dhe vëllaut të viganit të Revolucionit të Kosovës Rexhep Malaj. Unë Kosovën e kuptoj si tërësi e tokave shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia titiste. Kjo letër është gjetur gjatë njërës nga shumë bastisjet e hollësishme të shtëpisë së Rexhep Malajt, letër të cilën UDB-ja në Maqedoni e ka përkthyer edhe në gjuhën maqedone.

 

Faksimile të faqes së parë të letrës së Rafiut dhe të përkthimit maqedonisht.

 

Letrën e tij Rafiu e kishte titulluar: “Regjimi racist maqedonas na ndjek e diskriminon si Hitleri jahuditë”.  

Këtë letër e gjeti në dosjen e tij Rushit Nesimi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe bashkëveprimtar i Rafiut, të cilën ai ma dërgoi për t’ia bashkangjitur shkresave interne të UDB-së, të cilat ishin temë e librit tim të parafundit, “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”, botuar në mars 2021, me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij. Shkresat zyrtare interne të UDB-së në burgun famëkeq të Idrizovës ndriçojnë shumë të panjohura nga jeta dhe veprimtaria e palodhshme dhe e pandërprerë e dy kolosëve të çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare dhe organizimit klandestin të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, Rexhep Malajt dhe Rafi Halilit. Përmes këtyre shkresave ne mund të mësojmë për përpjekjet titanike të këtyre dy figurave shumë të rëndësishme të çështjes kombëtare, për përafrimin, bashkërenditjen dhe bashkimin e veprimtarisë së dy organizatave klandestine më shpresëlënëse dhe të organizuara mirë nga veprimtarë patriotë dhe revolucionarë të devotshëm të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, “Grupi Revolucionar i Kosovës” dhe “Kushtrimi i lirisë”.

Këto shkresa janë janë gjetur në lëndën e repartit operativ të koduara si “Pena” dhe “Repriza”, e që kishte të bënte me kolosin e luftës për çlirim e bashkim kombëtar Rafi Halilin me shokë, por edhe nga dosja e krijuar për veprimtarin tjetër të çështjes kombëtare dhe anëtar i organizatës “Kushtrimi i lirisë”, Rushit Nesimi.

Meqë letra në shumë vende ishte e paqartë për lexim, për shkak të fotokopjimit jo të mirë, një pjesë të saj është dashur të riprodhohet nga letra e përkthyer nga maqedonishtja, përkthim të cilin e kishte bërë UDB-ja maqedone. Këtë letër Rafiu duhet ta ketë shkruar në disa etapa kohore, duke filluar diku nga gjysma e shkurtit 1982 dhe përfunduar diku në prill 1982, kur edhe e dërgoi në Gjilan përmes dajës së tij Mustafë Mustafa, nga fshati Selcë, Tetovë.

Në këtë letër të gjatë, të cilën Rafi Halili e shkroi gjatë ilegalitetit të tij të thellë, ai fillimisht i bëri një përshkrim gjendjes së krijuar në trojet shqiptare nën Maqedoni, duke konstatuar që në fillim se:

“Duke vepruar ky pushtet maqedon me të gjitha mënyrat e metodat ka arritur të sllavizon një pjesë të popullatës shqiptare: 1. Përmes terrorit dhe shtypjes fizike; 2. Përmes terrorit dhe shtypjes ekonomike e politike, si çështja e punësimit, sigurimit social, sigurimit shëndetësor etj. Pamundësia për të zhvilluar kulturën kombëtare, duke ndërprërë çdo manifestim dhe aktivitet të çfarëdo shoqërie kulturore, duke i shkatërruar edhe ato pak që ekzistonin. …

… Presioni që në shkolla të shkruhen orët mësimore dhe të gjitha shënimet tjera administrative në gjuhën raciste maqedono-bullgare dhe secili mësimdhënës ta fillojë orën në gjuhën maqedone, që gjuha raciste maqedone të bëhet gjuha kryesore dhe duke i rritur orët në gjuhën e tyre në paralelet me mësim në gjuhën shqipe e duke i zvogëluar ato në gjuhën amtare. Me pretekst të barazisë së “vëllazërim -bashkimit”.

Eliminimi i çdo gjëje shqiptare përcillet në të gjitha planprogramet, në të gjitha institucionet dhe shkollat, edhe në ato parashkollore. Historia shqiptare është eliminuar nga të gjithë historitë dhe asnjë orë nuk i kushtohet historisë shqiptare. … Regjimi fashist maqedonas në çdo shtëpi të patriotëve apo të personave të dyshimtë shqiptarë, hyjnë dhe shkatërrojnë çdo gjë që gjejnë, thyejnë, i grabisin, veçanërisht veshjen kombëtare të burrave dhe grave, … stoli të arit, fotografi kombëtare, duke filluar nga Skenderbeu dhe romane, libra në gjuhën shqipe, literaturë marksiste, p.sh. mua më morën “Manifestin”, “Kapitali dhe mëditja” dhe të tjera, bustin dhe fotografinë e Skënderbeut, Ali Kelmendit, të cilat vetë i kam punuar, po ashtu edhe flamurin e punuar, e kështu është gjithandej.

… Tani ky gjenocid është krijuar në Tetovë, Manastir, Prilep, Krushevë, Resnjë, Shkup, Kërçovë, Kumanovë, ku p.sh. mbiemrat janë riemëruar me prapashtesën maqedone “ski”, Abdullovski, Selmanovski, etj. Konsta-tohet se gjoja të gjithë shqiptarët dhe muslimanët maqedonas janë “shqiptarizuar” nga disa banda ardhacakësh. … Si në Pollog ashtu edhe më gjërë, gjoja paskan qenë 150.000 muslimanë – maqedonas, kurse shumica të shqiptarizuar, ashtu që këtë numër e kanë shfaqur gjoja disa shkencëtarë akademikë, sikurse është Nijazi Limanovski dhe të tjerë zotërinj fashistë…”

Nijazi Limanovski, një renegat shqipfolës, i cili u vu në shërbim të plotë të regjimit titist në Maqedoni, për të “dëshmuar” “shkencërisht” “ekzistimin” e etnitetit të shpifur “maqedono-musliman”, gjoja maqedonas të muslimanizuar dhe shqiptarizuar, duke zvogëluar kështu në mënyrë artificiale numrin e shqiptarëve autoktonë në Maqedoni.

Dhe Rafiu vazhdon: “Shqiptari është i nënçmuar dhe i përqeshur gjithkund dhe në çfarëdo lloj sfere të jetës, në rrugë, në zyre, në punë dhe veprimtari tjera. … P.sh. në Tetovë, e kështu është në të gjitha qytetet e vendet e banuara nga nacionaliteti shqiptar në Maqedoni, në këtë krahinë qytetet të cilat janë të banuara me mbi 75% shqiptarë kurse 25% maqedonë dhe të tjerë, janë punësuar vetëm 10 % nga nacionaliteti shqiptar, kurse maqedonasit janë të punësuar 90%….”. Këto pastaj Rafiu i ilustron me të dhëna faktografike të të punësuarve në sektorë të ndryshëm dhe strukturën e të punësuarve atje.

Diskriminimin e popullsisë në baza kombëtare Rafiu e përshkruan edhe në sferën e shëndetësisë dhe përkujdesjes shëndetësore, duke konstatuar se “Për t’u shëruar një shqiptar duhet të paguaj dyfish edhe pse shumica e tyre janë të papunë, kurse për operacione përveç pagesës është e nevojshme edhe të jepet ryshfet për të mbetur gjallë”. Ndërsa nëse do të protestoje, ata “zotërinjtë fashistë maqedonë e lajmërojnë UDB-në dhe policinë se gjoja është irredentist dhe armik i vëllazërim-bashkimit dhe pas të cilës pason dhuna dhe burgosja”.

Sidomos e rëndë është për Rafiun kur ata (fashistët maqedonë – shënim i autorit) “kur të duan hyjnë në shtëpitë e shqipëtarëve, sidomos të patriotëve, qoftë të burgosur apo të arratisur ose të dyshuar, u prekin nderin. Por këtu në Tetovë së pari i burgosin burrat e mandej shkojnë dhe i arrestojnë gratë, motrat, bijat qofshin edhe me fëmijë të djepit dhe i çojnë në UDB dhe polici duke i maltretuar, turpëruar dhe duke kërkuar nga to që të ndahen nga burrat, vëllezërit, djemtë e tyre bandita dhe nacionalista dhe të martohen për burra sikurse janë ata, të cilët janë për vëllazërim – bashkim, duke u thënë që t’i zhdukin fëmijët e banditëve si farë armiqësore ose në të kundërtën i pret maltretimi, mundimi, burgosja dhe në fund vdekja nga uria. Për ju nuk ka ndihmë sociale, sigurim shëndetësor, mbrojtje njerëzore dhe të tjera. Jo vetëm kaq, por kërkojnë që t’ua ndërrojmë emrat e fëmijëve nëse i kanë shqip, t’i ndërrojmë me emra sllavë”.

Rafiu sqaron në letër edhe përpjekjen e përçarjes brenda-shqiptare, duke i ndarë edhe teritorialisht, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, etj. duke konstatuar se “Këto janë dallavere ndarëse dhe asimiluese, fashiste dhe borgjeze titiste. Pavarësisht a është Republika e Kosovës ose e bashkuar si bashkim natyror me Shqipërinë e kuqe, për ne shqiptarët nuk duhet të ekzistojnë këto ndarje dhe të detyrohemi për një bashkim regjional, si p.sh. vetëm Kosova Republikë kurse të tjerët në dreq të mallkuar. Republika e Kosovës prej Ohrit deri në Shkup – ku përfshihen Kosova, Ulqini, Plava, Gusia, Presheva, RPS e Shqipërisë, të jenë një, vëllezër të respektuar si një komb”. Bashkimin kombëtar ai e shihte përmes bashkimit të të gjitha viseve shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia në një njësi të vetme territoriale, e kështu të bashkuara ato të bashkohen pastaj me vendin amë Shqipërinë Socialiste.  

Rafiu shkon edhe më tej, duke shpjeguar se ky bashkim mund të arrihet vetëm me armë, prandaj edhe kërkon zëshëm ndihmë në armatim: “Kështu është disponimi i masave dhe ndihmesës nga atdheu për këtë armatim. Në të kundërtën do të flas populli “Nëse kemi armatim nga mëmëdheu, Kosova dhe të tjerët, sot dalim në male e qytete me disa batalione e brigada, por kështu pa armë dhe me duar bosh nuk arrijmë kurgjë, sepse armiku me armë do të na shuaj dhe shkatërrojë, kështu nuk jemi në gjendje as të mbrohemi e ku më të bashkohemi”.

Rafi Halili shqetësohej për ndasitë politike që kishin filluar të krijohen edhe në spektrin e organizuar të Lëvizjes Kombëtare dhe kërkesat e artikuluara nga grupet dhe organizatat që vepronin fshehurazi. Ai parashihte rrezikun e ndarjeve të tilla, prandaj ngriste zërin kundër këtyre fenomeneve edhe në letrën që u dërgonte babait dhe vëllaut të Rexhep Malajt, i bindur se këto shqetësime të tij do të përcilleshin tek shokët e organizuar në Kosovë. “Sikur të kishim ndarje dhe mosmarrëveshje në lëvizje, armiku këtë do ta shfrytëzonte, e pastaj neve do të na merrte lumi. I vranë tre bijë në Stuttgart. UDB-ja dhe reaksioni i vrasin edhe brenda në shtetin tonë, por neve duhet të mbetemi në çdo situatë të bashkuar dhe të fortë. Aty është fitorja jonë”.

Sinqeriteti i Rafiut duket i përkryer, nëse do shihte se ka gabuar dikund ai ishte i gatshëm ta pranojë dhe të përpiqet ta korigjojë. Këtë e dëshmon edhe në këtë letër, ku ai iu drejtohet shokëve të organizuar në Kosovë, i bindur se edhe atyre do u binte në dorë kjo letër, “Ju vëllezër nëse e lexoni këtë letër, e cila na jep një pasqyrë të përgjithshme të situatës nga marsi 1981 deri sot, jepni edhe ju mendimin që të shkëmbejmë përvojat, që të mësojmë për të dy palët. Nëse unë kam bërë ndonjë lëshim, do ta përmirësoj”.

I gjendur në një situatë të veprimit të ilegalitetit të thellë, atij dhe celulave që ai kishte krijuar dhe po i krijonte gjithandej, u mungonte armatimi. Ai kërkonte të paktën armatim për të dhe celulat e tij: “Nëse mundeni dhe keni mundësi të më furnizoni me një automat me 180 fishekë dhe katër bomba, le të kushtojnë sa të kushtojnë, unë do t’i kisha shitur teshat e mia … . Armë duan të blejnë edhe disa shokë nga celula, të cilën tani e kam themeluar nga aktiviteti i mëparshëm me aktivistë të tjerë. Kemi edhe disa tradhëtarë të UBD-së, të cilët i kanë bërë lëvizjes dhe popullit shumë dëme dhe të këqia. Terrorrit dhe terroristëve t’u përgjigjemi po me të njëjtën masë! … dhe të shohim për demonstratë si do të rrjedhin punët me organizimin …” Pra, Rafiu mendonte dhe planifikonte që organizimin politik ta shoqërojë edhe me veprimtari luftarake, sidomos ndaj tradhtarëve të kombit, të cilët ishin vënë në shërbim të UDB-së.

Pastaj Rafiu në këtë letër jep edhe një pasqyrë të të arrestuarve nëpër komunat shqiptare nën Maqedoninë, si dhe të arratisurit jashtë shtetit, për t’i shpëtuar arrestimit, duke konstatuar se pas arrestimeve dhe të të arratisurve nga Tetova: “… vetëm unë jam ndalur me plot vuajtje për ta vazhduar e sakrifikuar, vetëm që lëvizja të mos shuhet në Tetovë…,” duke përfunduar në këtë pjesë me një thirrje shumë domethënëse: “Mua ma merr mendja që kemi nevojë të bashkëpunojmë sa të mundemi sa më tepër, fort e thellë për jetë a vdekje, se jemi një”. Këtë e thoshte Rafiu nga meraku i dobësimit të unitetit në mes të grupeve dhe organizatave klandestine shqiptare dhe përqarjeve që kishin filluar gjithandej.

Nga kjo letër mësojmë se Rafiu, pas strehimit disa muajsh nëpër vende të ndryshme ndër shokë e miq, por edhe në male e nëpër fusha, ishte kthyer në trevat e Tetovës para festave të 28 dhe 29 Nëntorit 1981. “Tani jam në Tetovë, gati qe dy muaj e gjysmë. Erdha para 28-29 Nëntorit”. Kjo dëshmon edhe për kohën e të shkruarit të letrës, dikund nga mesi i shkurtit 1982. Pas kthimit në trevat e Tetovës, nga letra mësojmë se Rafiu mbi një muaj qëndroi i strehuar në shtëpinë e Zaim Beqirit, veprimtar i palodhshëm i Lëvizjes Kombëtare, ish i burgosur politik dhe njëri nga themeluesit e “Partisë së Punës Kombëtare” e themeluar më 22 qershor 1979, nga fshati Shipkovicë, njëri nga fshatrat më të mëdhenj të malësisë së Sharrit, 9-10 kilometra nga Tetova, ku Rafiun e njihnin me emrin Hasan, si shok i djalit të tyre Emriut, emigrant në botën e jashtme… Këtu mësojmë se ishte strehuar edhe: “Një muaj në shtëpi, gjersa UDB-ja mendonte se isha i ikur në Shqipëri apo diku jashtë. Ashtu mendon edhe tani. Por, në kohën e fundit duke hyrë e duke dalë nga shtëpia, dikush nga kusherinjët ma kanë dëgjuar zërin, ashtu që këto fjalë një ditë do të arrijnë në veshët e regjimit…”

Në kohën kur e shkroi këtë letër ishte i strehuar tek daja i tij, Mustafë Mustafa, në shtëpinë e të cilit ai kishte vendosur makinat e shkrimit dhe bazën e teknikës së shytpit e të shumëfishimit. Në letër këtu ai tregon edhe për qëllimin e dërgimit të letrës dhe pse pikërisht nëpërmjet dajës së tij, Mustafës: “Këtë dajën M – (dajën Mustafë- shënim i  autorit) edhe po e çoj ke Ju, të nderuar baca M. (Mehmet Malaj – shën. i autorit) e baca H. (Hasan Malaj – shën. i autorit), që të vendosim lidhjen me shokët e dashur e stabil”. Pra, Rafiu përpiqej që të rivendoste lidhjet e shkëputura me shokët e organizuar në Kosovë, një pjesë e të cilëve ishte arrestuar në fund të vitit 1981 dhe në fillim të vitit 1982, dhe pikërisht Mustafë Mustafa, përmes të cilit është dërguar letra, duhej të bëhej lidhje në mes shokëve të organizuar në Kosovë dhe atyre të viseve shqiptare të pushtuara nën Maqedoni.

Nga përmbajta e letrës mësojmë për riaktivizimin e celulave të cilat Rafiu i kishte krijuar pak më heret, ndërsa tani, gjatë kohës kur ishte hedhur në një ilegalitet të thellë, edhe duke i hedhur anëtarët e këtyre celulave në aksione të vazhdueshme të shpërndarjes së trakteve dhe materialeve tjera të shkruara, por edhe të shkruarjes së parullave në Tetovë dhe fshatrat përreth.

Nga letra mësojmë se në këtë kohë Rafiu me shokët e tij, pos trakteve, kishin shtypur edhe një broshurë për nevoja të brendshme, siç thotë ai “… të krijojmë një besim te masat popullore, tek revolucionarët, aktivistët dhe forcat e tyre”.  

Nga letra mësojmë se nga tetori e deri në shkurt “… përveç 800 shkrimeve dhe afisheve të cilat i kemi shtypur dhe shumëzuar, kemi shtypur dhe shumëzuar një kërkesë, si kërkesë dhe protestë ndaj regjimit, të cilën e bjmë që sa më mirë të njihet populli dhe t’i hap sytë nga e vërteta, e jo të mashtrohet nga agjitacioni fashist serbo-jugosllav. Kjo kërkesë është shtypur në 11 faqe”. Pra, krahas veprimtarisë për ndërgjegjësimin e masave të gjera popullore, Rafiu merrej edhe me kërkesat politike drejtuar regjimit fashist serbo-jugosllav. Në të njëjtën kohë ai kërkon zëshëm që të furnizohet me gazetën “Liria”, organ i OMLK-së. Ai kërkon të paktën nga një kopje të secilit numër, të cilat do t’i shumëzojë pastaj me shokët.

Derisa Rafiu përpiqej të rivendoste lidhjet e shkëputura me shokët në Kosovë, edhe ata të Kosovës përpiqeshin të rivendosnin lidhjet e tyre me organizatën e Rafiut. Për këtë ata kishin dërguar Shaip Ismajlin, i cili ishte hetuar nga disa udbashë që vëzhgonin shtëpinë e Rafiut, por ai arrin t’iu ikë nga duart. Këtë rast e shpjegon edhe Rafiu në letër: “Shoku me emrin Shuip[1] nga Gjilani, qenka kapur në grackë nga ana e UDB-së, por për fat të mirë që kishte pjekuri dhe guxim dhe iu kishte ikur nga duart dhe plumbat e xhelatëve Kur kuptova për këtë rast, se edhe armiku qenka xhindosur edhe më tepër sepse ia bëri si trimat, për ç’arsye edhe tetovarët në çdo vend e konsideronin si akt trimërie. Mua më erdhi keq kur mora vesh kush ishte dhe ka bërë shumë mirë që është sjell si trim.” “Shuip”-i, bëhet fjalë për Shaip Ismajlin nga fshati Malishevë e Gjilanit, njëri nga drejtuesit e OMLK-së për trevat Gjilanit dhe mbante pseudonimin Besniku, i cili ishte dërguar nga Hydajet Hyseni në qershor të vitit 1981 për të kërkuar Rafi Halilin në Tetovë, për të rivënë lidhjet e shkëpura me të dhe për ta ndihmuar atë në disa aksione.

Rafiu kishte bërë edhe një përpjekje tjetër në tetor të vitit 1981 për të rivendosur lidhjet e shkëputura me shokët e organizuar të OMLK-së në Kosovë.

“Në tetor e kam dërguar një mik[2] të një shoku[3] tim nga Struga. Bashkëshortja[4] e këtij miku është nga Gjilani, mbesa e KAD.[5] nga ana juaj, mbasi nuk dija përmes kujt të lidhem dhe ta krijoj lidhjen me ju të nderuar. Juve, xhaxhi M.[6] i keni thënë se lidhja para disa ditëve kanë dalë jashtë vendit kurse lidhja ende paska qenë në burg dhe asgjë tjetër. Kjo nuk më kënaqi dhe më erdhi keq për Ilm.[7] nëse është e vërtetë dhe si është me torturat Ilm., a është i liruar apo i dënuar dhe a është gjallë?” Në këtë kohë Rafiu gjendej i strehuar në Strugë tek familja e Shpëtim dhe Mersim Pollozhanit. Shpëtim Pollozhani, një bashkëveprimtar i Rafi Halilit dhe ish i burgosur politik nga Struga, e dërgoi në tetor 1981 Bujar Shaipin tek Mehmet Malaj, babai i Rexhep Malajt, për të rivënë lidhjet e shkëputura për shkak të arrestimeve të shumta që kishin ndodhur atë vit. Bujar Shaipi, ekonomist i diplomuar nga Struga bashkëshort i Hajrije Sylejmanit–Shaipi, nga fshati Përlepnicë dhe mbesa e Kadri Osmanit, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare dhe ish i burgosur politik. Bujari për të shkuar te Mehmet Malaj ka marrë me vete Irfan Shaqirin, ish të burgosurin politik, i cili është edhe tezak i gruas së Bujarit. Në këtë pjesë të letrës ai pyet edhe për Ilm.- Ilmi Ramadanin, për të cilin ishte i njoftuar se është arrestuar, ndërsa fillimisht është thënë se ishte larguar nga Kosova.

Në këtë letër ai intersohet për shokun e tij, Rexhep Malajn: “Dua ta di edhe për Ra[8]. si qëndron, ku është dhe si është? A ju lejojnë këta fashistë të shkoni ta vizitoni dhe të bisedoni?” – Në këtë kohë kur shkruhej kjo letër Rexhep Malajn sapo e kishin dërguar në një izolim pa afat me tre të burgosur tjerë politikë Skender Kastratin, Agim Sylejmanin e Behxhet Shalën, në Burgun e Qarkut në Mostar, në Bosnë e Hercegovinë.

Këtu Rafiu shpërthen me optimizmin dhe shpirtin e tij luftarak për luftën e ligjshme e të drejtë që po bëhet, duke u dhënë kurajo xha Mehmetit dhe Hasanit: “Ti xha M.[9] dhe baci H[10]. si qëndroni, a keni presion dhe në çfarë mase? Qëndroni si burrat, të jeni të lidhur si mishi me ashtin, sepse nëse këta na vrasin, arrestojnë, terrorizojnë dhe dëbojnë, nuk mund ta ndalin dhe vrasin hovin e revolucionit tonë shqiptar. Një ditë së bashku do të fitojmë, do të bashkohemi, e me siguri do të çlirohemi. Këtë të vërtetë asnjë fuqi në botë nuk mund ta ndalojë apo ta mposhtë. Vetëm që na duhet bashkim, sakrificë, punë, luftë dhe lidhje të fortë ndërmjet shqiptarëve në Jugosllavi dhe atdheut dhe forcave progresive”.

Në letër Rafiu hedh mendimet e veta për organizimin dhe mënyrën e veprimtarisë si dhe kahet politike që duhet ndjekur në një luftë të gjatë dhe të pakompromis me pushtuesit: “… ajo që është më e rëndësishme që tek çdo aktivist apo anëtar ashtu edhe te gjithë populli atdhetar shqiptar, i mundon që të kemi armatim, lidhje dhe ndihmë nga mëmëdheu, Kosova e të tjerët. Veçanërisht armë baruti dhe ndihma, edhe pse arma më e fortë, sipas mendimit tim, është baza, strehimoret, organizimi në treshe, disiplina, konspiracioni dhe në të njëjtën kohë ngritja ideologjike, ngritja dhe orientimi i vetëdijes nacionale dhe sociale për një luftë të pakompromis dhe të gjatë, grumbullimi i mjeteve materiale në një fond e pastaj vetë armatimi, pasi që ajo është normale që pa të nuk ka fitore. Ky regjim fashist dhe i egër kërkon vetëm plumb e barot në kokë e jo vetëm fjalë…!”

Më tutje ai vazhdon të tregojë edhe për rrjedhat e veprimtarisë, sidomos nga fillimprilli i vitit 1981, kur edhe agjentët e UDB-së i kishte hap pas hapi në survejim të çdo lëvizjeje që bënte. Këtu ai tregon se si pas një bisede telefonike me një person me inicialin “J”, të nesërmen e arretuan në vendin e punës, por në mungesë të fakteve u detyruan ta lirojnë, duke e detyruar që të paraqitet në organet e sigurimit çdo të dytën ditë brenda 15 ditëve, si dhe të mos lëvizi ditën. Atë ditë Rrafiun e mbajtën gjer vonë dhe e liruan. Regjimi e kërkonte që “me ose pa fakte të më arrestojë, prandaj unë kalova në ilegalitet”. Këtu ai tregon edhe për qëndrimin Zaim Beqirit para organeve të hetuesisë dhe gjyqit: Zaimi[11], Rah.[12] (Zaim Beqiri dhe Rahim Neziri nga fshati Shipkovicë e Tetovës) e shokë të tjerë që mbajtën një qëndrim revolucionar para gjyqit e organeve fashiste maqedone…”.

Nga kjo letër mësohet se Rafi Halili me shokë kishin përgatitur dhe organizuar një demonstratë për 9 prill 1981 në Tetovë, për t’iu dalë në krah shokëve në Kosovë dhe kërkesave të artikuluara në demonstratat e mars-prillit nëpër qytetet e Kosovës, por për shkak të bllokimit të qytetit që më 3 prill, gjithë përpjekja dështoi: “Me datën 9 prill duhej të nisnin demonstratat në Tetovë, por me 3 prill regjimi fashist bëri bllokimin e qytetit. Këtë e bëri sigurisht nga frika që të mos bëhej diçka, edhe pse diçka dyshonte se lëvizë, por nuk kishte të paktën ndonjë dëshmi faktike. Në ato ditë para 9 ditëve duhej të kthehej nga Prishtina përgjegjësi i grupit aktiv të gjimnazistëve dhe anëtari i celulës që në …”. Këtu ai shkruan se një demonstratë ishte organizuar edhe në Strugë, por që kishte dështuar: “Edhe në Strugë dështoi, edhe atje kishte dy rryma që nga fillimi, njëra pjesë …”

Rafiu në këtë letër tregon se pas goditjeve që kishin pësuar nga arrestimet e shumta, kishte arritur të konsolidojë radhët e organizuara dhe të hidhet në aksione dhe veprime të vazhdueshme që në shtator të vitit 1981: “Unë me një anëtar të celulës, studentin F.[13] (bëhet fjalë për Fatmir Ibrahimin nga Tetova, ish i burgosur politk) dhe disa aktivistë për 4 muaj e gjysmë, më 13 shtator shpërndamë nëpër qytet afishe dhe parulla dhe ndonjë sabotim. Kryesisht t’u jemi përkrah vëllezërve në Kosovë dhe popullit tua hapim sytë…”.  

Në këtë letër Rafiu tregon se në demonstratën e organizuar të 9 prillit 1981 duhej të merrte pjesë edhe Bardhyl Mahmuti, i cili në këtë kohë ndodhej në Prishtinë: “… një shok të celulës së studentëve[14] të Tetovës. Bazuar që vetëm ai qëndroi dhe tash qëndron shëndosh si revolucionar dhe tani është i dënuar 7 vjet burg në Prishtinë. Ky u dasht të vijë, por nga që qe vështirë, pasi edhe ai kaloi në ilegalitet e këndej  nuk mundi të vie me shokë”.

Brengën e tij për situatën e krijuar e përshkruan si si armiku me: “Konferencat dhe agjitacionet e ndryshme nga klyshët tradhëtarë të regjimit, me ndihmën e fesë nga pak, kurse nga ana tjetër literatura ilegale e pamjaftueshme, mosdalja e të gjithë numrave të gazetës “Liria” në qarkullim, në këtë situatë fryma e panikut në popull dhe komentimet gjoja të “patriotëve” të mos lëvizë askush sepse ky regjim vret dhe burgos. …”, situatë së cilës ai me shokë i përgjigjej me aksione të vazhdueshme: “Disa herë unë sipas mundësive shkruaj pamflete, parulla dhe afishe dhe ndonjë raport në formë bilteni[15], sepse nga marsi i vitit të kaluar lidhjet u ndërprenë për shkaqe objektive dhe subjektive, sikurse dihet dhe shkruhet më poshtë:…”, dhe pikërisht këtu shfaqet shpirti luftarak dhe përkushtimi i këtij kolosi të madh të çështjes kombëtare Rafi Halili, i cili çështjen e luftës për çlirim e bashkim kombëtar e kishte vënë mbi çdo gjë dhe para çdo gjëje, mbi interesat personale e familjare: “Sot as vendi, as gjumi nuk më zë, i kam harruar detyrat që i kam si baba e kryefamiljar, i cili duhet ta ushqejë, ta veshë dhe ta mbathë familjen, ta mbrojë dhe të kujdeset për shëndetin e familjes, gruas dhe fëmijëve, sepse mendja më rri tek mossuksesi i demonstratave në Tetovë dhe që duhej rregullisht të ndërmerren aksione ashtu sikurse na mësonte dhe kërkonte shoku Enver në Kongresi e 8-të të Partisë. I harrova edhe vuajtjet ku do të më zinte nata në këtë dimër të fortë, si do ta kaloj natën dhe a do të kem për të ngrënë.

Këtë e bëra në fillim të prillit 1981, deri më tani janë 10 muaj në ilegalitet, nëpër male, fusha, kolibe dhe hambarë, nëpër shtëpitë e ndonjë shoku e ndonjëherë edhe në shtëpinë time, por tani rrethanat nga gjurmët regjimi po m’i ndjek dhe po ushtron terror mbi gruan, fëmijët, prindërit dhe më gjerë, po e rritë e shumëzon. Të gjitha këto në një anë, acari, ushqimi, terrori i familjes dhe në anën tjetër ekzistencën time, sepse të gjitha këto i harrova, përveç që mendja më rri te ideali dhe puna praktike revolucionare për riorganizimin, shërimin dhe aktivizimin e të gjitha forcave të shëndosha këtu në Tetovë, edhe pse prezenca ime sipas armikut është e rrezikshme dhe e pamundur.

Dy herë na dështuan demonstratat, armiku me provokatorët, qoftë me vetëdije a pa vetëdije, ia arritën qëllimit që pjesërisht të na i shpërndajnë celulat, duke burgosur e ca u tërhoqën e unë jam në ilegalitet, si i vetmuar në Tetovë, derisa edhe në ….. Të përqëndrohemi, të rreshtohemi dhe t’i bashkojmë këto përgjithmonë. Për këtë më shkruani nëse doni dhe nëse mundeni dhe mandej m’i dërgoni. Të nderuar vëllezër të jetës, armës dhe idealit ….. . Të keni besim të plotë në te. Unë dhe shokët, të cilët jemi të së njëjtës ideologji këtu, jemi pjesë dhe do të qëndrojmë ashtu që të mos ndahemi kurrë nga ju, vëllezër e motra aq të nderuar deri në vdekje për bashkim dhe liri. Të nderuar vëllezër e motra pranoni të fala të përzemërta nga vëllezërit e motrat e juaja dhe nga unë. Fjalën e kam për atë kush nuk e di lidhjen tuaj përveç lidhjes që po jua dërgoj. Rroftë Kongresi i 8 i Partisë Punës së Shqipërisë”. Pikërisht në këtë pasusin e fundit të kësaj pjese të letrës së Rafiut, mësojmë se organizata të cilën ai e drejtonte, “Kushtrimi i lirisë”, kishte bashkërenditur dhe bashkuar veprimtarinë me shokët e OMLK-së[16] në Kosovë, duke u bërë pjesë e pandarë e saj.

Këtu vlen të theksohet se Elmaz Ademi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe njëri nga drejtuesit e organizatës “Kushtrimi i lirisë” dhe bashkëpunëtor i Rafi Halilit, menjëherë pas lirimit të tij nga burgu, më 21 shtator 1976, sipas porosisë së Rexhep Malajt, më 15 tetor 1976 vë kontaktin e parë me shokët e organizuar të Grupit Revolucionar të Kosovës. Lidhur me mbarëvajtjen e takimit me të, Rexhepi u njoftua nga një letër konspirative e shifruar, të cilën ia dërgonte Hydajet Hyseni, përmes bashkëshortes dhe bashkëveprimtares së Rexhepit, Hanife Malaj, e cila në vizitën e 16 nëntorit 1976 arriti t’ia jap fshehurazi gjatë përshëndetjes me të.

Në fund të letrës, pos tjerash ai interesohet edhe njëherë për shokun dhe vëllain e tij të idealit dhe armës, Rexhep Malajn: “I nderuar, te R. (Rexhepi) a keni qenë dhe dua të di si i ka hallet, më kryesorja është shëndeti i tij kurse hallet dhe vuajtjet që i përjeton ai, unë veç i paramendoj. Kur do të lirohet nga burgu dhe ku është tani ai me shokët? Nëse shkoni tek ata përzemërsisht i përshëndetni. Le të qëndrojë se Rafiu nuk pushon dhe qëndron në besa-besë”.

Nga fjalitë e fundit ai pyet edhe për Hydajet Hysenin, për të cilin sapo ishte njoftuar se është arrestuar: “Tani më tregoni a është e vërtetë se i nderuari Hid. (Hydajet Hyseni) gjindet në duart e xhelatëve titistë fashistë?”

Tani të fala me qindra herë nga e tërë familja R.[17]

 

Ju falemnderit për vëmendjen.

 

Agim Sylejmani

22.06.2022, Tetovë

[1] Shaip Ismajli

[2] Bujar Shaipi nga Struga.

[3] Shpëtim Pollozhani

[4] Hajrije Sylejmani – Shaipi

[5] Kadri Osmani

[6] Mehmet Malaj

[7] Ilmi Ramadani

[8] Rexhep Malaj

[9] Mehmet Malaj

[10] Hasan Malaj

[11] Zaim Beqiri

[12] Rahim Neziri

[13] Fatmir Ibrahimi

[14] Bëhet fjalë për Bardhyl Mahmutin.

[15] Fjala është për gazetën «Kushtrimi i lirisë»

[16] «Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës».

[17] Familja e Rafiut.