Histori

Abaz Hoxha: Unë partizani 13 vjeçar i Brigadës V Sulmuese

Unë, partizani 13 vjeçar i Brigadës V Sulmuese

Nga Abaz Hoxha
Veteran
Jam një ish partizan i brigadës së V sulmuese. Kam marrë pjesë në formacionet e organizuara qysh para krijimit të brigadës, që sapo kisha mbushur 13 vjeç, duke u bërë më vonë partizani më i vogël i kësaj brigade. Kam përshkuar rrugët e luftës që nga fshati im i lindjes Tragjas të Vlorës, në krahinën e Mesaplikut në Kurvelesh, Përmet dhe me krijimin e Divizionit të Parë në marshimin e këtij divizioni në çlirimin e Shqipërisë së Mesme e deri në çlirimin e Dibrës. Më vonë i inkuadruar në një batalion special u kthyem pranë shtabit të Korparmatës së parë, me qendër në Priskë dhe Gurrë të Tiranës dhe morëm pjesë vetëm tre ditët e fundit në luftën për çlirimin e Tiranës. Qëndrova në radhët e ushtrisë deri me kapitullimin e Gjermanisë me 9 Maj 1945 dhe dorëzova një automatik anglez dhe ju vura studimeve, duke e harruar Luftën dhe duke ju përkushtuar Atdheut në fushën e Arsimit e Kulturës.
Asnjëherë gjatë jetës sime nuk e kam përdorur për qëllime përfitimi ose megallomanie qënien time si veteran i luftës. Kam shikuar t’i shërbej Atdheut në sektorin që më ishte ngarkuar dhe e harrova Luftën që kurse dorëzova automatikun në maj 1945.
Dihet tashmë botërisht që në atë luftë u ngrit e gjithë rinia shqiptare dhe veçanërisht rinija shkollore që i dha vrullin e saj rinor, i dha shpirtin dhe gjakun e saj pa marrë parasysh asnjë sakrificë sublime duke i rënë kryq e tërthor atdheut në sakrifica të panumërta. Dihet gjithashtu se u vu në krye të asaj Lufte si drejtuese dhe organizatore e saj Partia Komuniste Shqiptare dhe rinia dhe populli shqiptar e ndoqi atë kryesisht duke u nisur nga motive patriotike. Ishte një nder i madh dhe një faqe e lavdishme e historisë së popullit tonë që lufta e jonë u bë pjesë përbërëse e koalicionit të madh antifashist që udhëhiqej nga fuqitë e mëdha botërore Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lufta jonë u vlerësua nga i gjithë koalicioni antifashist, duke u renditur kontributi i Shqipërisë në vendin e 5-të në krahasim me popullsinë dhe që ishim i pari vend që u çlirua pa ndërhyrjen ushtarake të forcave të huaja.
Unë e kam për nder që kam marrë pjesë në këtë luftë çlirimtare dhe heshtja ime për luftën 70 vjet nuk ka të bëjë se unë e kam mohuar atë. Do të ishte absurde të mohoja sakrificat e mija që në moshë të njomë nëpër rrugët e luftës çlirimtare. Do të ishte absurde të mohoja gjakun e vëllait tim dëshmor- Kujtim Hoxha- e do të ishte Akoma më absurde të mohoja gjakun e 43 dëshmorëve të bashkëfshatarëve të mi dhe veçanërisht të 13 vajzave trimëresha të Tragjasit që dhanë jetën e tyre, ende pa e gëzuar atë. Lufta Nacionalçlirimtare është një nga epopetë më të lavdishme të Popullit tonë me të cilën duhet të nderohet çdo shqiptar dhe ta konsiderojë si një nga faqet me të ndritura të historisë tonë që u ngrit i gjithë populli, i madh dhe i vogël, burra e gra, pleq e të rinj për t’i dalë zot atdheut, detyrë që e kryen me nder. Luftën Nacionalçlirimtare nuk e bënë vetëm partizanët, por u ngrit në këmbë i gjithë populli që kur jepesh kushtrimi i luftës rrëmbenin armët, linin pleqtë dhe fëmijët dhe bëheshin një trup i vetëm me partizanët. përveç kësaj populli na ndihmoi, na ushqeu, na veshi, na shëroi plagët dhe sakrifikoi edhe pjesëtarët e familjes së tij për të mos treguar partizanët e plagosur që kërkoheshin nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre që tradhtuan interesat kombëtare. Lufta jonë ishte një luftë e drejtuar me kompetencë jo nga gjeneralë të karrierës, por nga populli i thjeshtë që i mundi ushtritë fashiste e naziste, ashtu sikurse bëri edhe në epopenë e Vlorës më 1920. Këtë luftë e kanë vlerësuar edhe kundërshtarët tanë. Anëtarët e partisë komuniste ishin të parët që u hodhën në luftë dhe dhanë shembullin e sakrificës dhe të heroizmit, ata që u vranë të parët në beteja, të parët në sakrifica, duke u hedhur në zjarr vetë për të shpëtuar jetën e shokëve të tyre. Këto ishin arsyet pse populli i ndoqi dhe u bashkua me ta në luftë.