Sot qenka dita ndërkombëtare e romëve. Në pamundësi ose në mungesë vullneti për të pasur politika publike për të eliminuar problemet shoqërore të filanit e fistekut (tjetër kategorie), është bërë zakon të bëhet një ditë përkujtimore për t’i qarë me lot krokodili. Në këtë ditë, mjerisht, nuk mund të konstatojmë tjetër veçse mjerimin, prapambetjen dhe margjinalizimin e skajshëm të bashkëqytetarëve tanë romë përkundër dhjetra miliona eurove, projektesh e fondesh të keqpërdorura nga OJQ-të dhe rrogëtarët e tyre. Pjesa dërrmuese e komunitetit RAE vazhdojnë të kenë kushte shtëpiake të mjerueshme, kushte sanitare, ekonomike dhe shoqërore larg mesatares së një familjeje shqiptare apo serbe në Kosovë. Ata vazhdojnë të jetojnë dita – ditës, përkundër gjithë atyre projekteve dhe avokimit të këtyre OJQ – ve, bizneseve dhe spoteve televizive koti. Nuk ka asnjë komunitet të jetë aq i diskriminuar, i shkelur, i shtyrë, i pshtyrë në Kosovë dhe kjo nuk rregullohet as me spote, as me pseudo fushata vetdijësuese, por duke ndryshuar botën materiale të njerëzve të këtij komuniteti, duke i arsimuar dhe integruar në shoqëri.
Problemi kryesor i këtij komuniteti mbetet jeta materiale e tij. Mbase kombi shqiptar paradoksalisht ofron një horizont integrues për gjithë komunitetet pavarësisht origjinën e individëve, Shqiptarët janë të bashkuar përtej dallimeve të larmishme dhe ndryshimeve të tyre përmes gjuhës, dëshirës për të jetuar bashkë dhe besës ndaj Atdheut. Racizmi nuk është pjesë e kësaj kulture. Prandaj, na takon neve si shumicë dërrmuese t’i afrojmë bashkëqytetarët tanë të komuniteteve tjera, t’i pranojmë me të mirat dhe vështirësitë e tyre dhe t’i bëjmë pjesë të komunitetit Kombëtar, që jeton përtej dallimeve tona dhe përtej kohës dhe hapësirës tonë. Mirëqenia dhe madhështia e Kombit tonë nuk matet me mirëqenien e Elitave, as atë të shtresave të mesme, por me mirëqenien dhe respektin që gëzojnë shtresat popullore ndër të cilët janë edhe RAE dhe vegjëlia jonë nga të gjitha komunitetet. Është koha të konceptohet dhe zbatohet një politikë ambicioze për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit RAE në veçanti dhe vegjëlisë sonë në përgjithësi. Është koha të caktohet një alokim mujor për të luftuar varfërinë ekstreme, bursa mbi kritere sociale për të studiuar, diskriminim pozitiv për regjistrim në fakultet që nesër të kemi më shumë RAE Inxhiniera, mësues, zyrtar t’administratës, sipërmarrës, etj. Komuniteti RAE duhet të ketë elitat dhe shtresat e mesme të ndritura të vetat që të marrë barrën dhe pjesën e vet në emancipimin tonë ekonomik dhe kombëtar si popull. Është koha për një vizion ambicioz dhe konstruktivist të shoqërisë ku Shteti formëson qytetarin (Shqiptarin) e ri të emancipuar nga origjinat e tij shoqërore dhe i cili arrin përkundër tyre të bëjë vendin e tij si qytetar i mirë i këtij vendi. Është koha gjithsecila forcë e gjallë të përkrahet, të orientohet, të shfrytëzohet për ngritjen dhe fuqizimin e Kombit Shqiptar. Kemi nevojë për të gjithë dhe duhet t’i bëjmë vend gjithsecilit.