Dardania jonë, ky krah i Shqipërisë mëmë, më 14 shkurt 2021, duke bërë historinë, i jep hov të ri orentimit të plotë të Kombit drejt botës sonë shpirtërore e morale – aleancës sonë politike me demokracitë liberale të perendimit euroatlantik.
Prishtinë,
15 shkurt – Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi, ishte deklarata e
Thaçi/Mustafa. Fitorja e Vetëvendosjes është e karakterit plebishitar – ajo lë
mbrapa të gjitha partitë politike shqiptare (LDK, PDK, AAK, NISMA), duke
shënuar kështu rishkrimin e hartës politike në gjithë Republikën.
Për çfarë në fakt votoi populli në Republikën e Kosovës?
E para, për një elitë të re politike.
E dyta, kundër establishmentit të vjetër politik.
E treta, për kryeministrin në ardhje Albin Kurti, i cili që nga mbrëmja e 14 shkurtit do të bëjë jehonë gjithandej në mediat e informimit brenda dhe jashtë.
Kjo fitore ishte e pritshme, ndërkaq më 14
shkurt u bë realitet.
E katërta, zgjedhjet reflektuan mbështetjen masive të popullit për ndryshimin e
kursit të qeverisjes, respektivisht shkëputjes nga regjimi.
Qytetarët votuan për shtetin e së drejtës.
Kundër atyre që kishin kapur shtetin.
Për drejtësi sociale e mirëqenie.
Kundër olhokratëve më atipik.
Për shtet të së drejtës e kundër korrupsionit.
Zgjedhësit e Kosovës ndëshkuan establishmentin e vjetër politik në bllok: ata që thirreshin në traditën politike (LDK) dhe luftën e UÇK-së (PDK/AAK/NISMA), por që herë në mënyrë legjitime e herë nën rrogoz e me njëmijë e njëqind intriga, në nëpërkëmbje të vullnetit politik të qytetarëve dhe vet kushtetutës, krijonin koalicione para e paszgjedhore, vetëm e vetëm që të mbeteshin në pushtet. Ky establishment në fakt nuk e qeverisi Kosovën, por e sundoi atë.
Për rrjedhojë, ai ia kishte arritur që në
institucionet e Republikës ta instalonte armatën e vet të militntëve dhe me
këtë edhe injorancën politike. Jo rrallë, duke instaluar nepotizmin si frymë
dominuese të qeverisjes, kudo në institucione vërehej mesjeta: gëlonte
gjithandej krahinarizmi dhe bajratarizmi.
Kjo frymë, ishte e ndjeshme dhe me përmasa skandaloze, sidomos në diplomaci.
Gjatë fushatës elektorale partitë politike të
establishmentit të vjetër, sërish vazhdan me fushatën mashtruese e premtime
marramendëse. Por, qytetarët e Kosovën kësaj radhe u treguan vigjilent.
Vetëvendosja prezentoi qartë tri prioritete: së pari, për drejtësi e
anti-korrupsion e anti-krim të organizuar, duke i dhënë kështu mesazhe të qarta
qytetarëve se me ardhjen në pushtet ata do ta godasin krimin; së dyti, për
ndërtimin e shtetit zhvillimor dhe të drejtësisë sociale, me arsim cilësor e
shërbime shëndetësore të mirëqena; së treti, për një kurs të ri në marrëdhëniet
ndërkombëtare, konform interesave nacionale.
Kosova më 14 shkurt, ashtu si e prisja, shpërfaqi në mënyrën më të mirë të mundshme frymën e revolucionit demokratik, që do të promovojë një elitë të re të përgjegshme politike, e aftë dhe e dinjitetshme ta funksionalizoj Republikën.
Kosova më 14 shkurt përmes një organizate politike të strukturuar jashtëzakonisht mirë, me gjithë atë ushtri aktivistësh model i atdhetarisë moderne dhe me një lidership të pashembullt në hapësirën tonë kombëtare, tok me mbështetjen popullore që u dëshmua, i bën të realizueshme objektivat tona në rrafshin socioekonomik e politik.
Dardania jonë, ky krah i Shqipërisë mëmë, më 14 shkurt 2021, duke bërë historinë, i jep hov të ri orentimit të plotë të Kombit drejt botës sonë shpirtërore e morale – aleancës sonë politike me demokracitë liberale të perendimit euroatlantik.