Komenti

Bedri Islami: Erdhi koha e Albin Kurtit

KOHA E ALBIN KURTIT ERDHI!

KREJT NË DUART E TIJ!

A DO TË SHKOJË DREJTË?

Në Kosovë ndodhi ajo që pritej. Lëvizja Vetëvendosje! është forca politke që do të qeverisë në katër vitet e ardhshme dhe, si duket, ajo do të ketë në drejtimin e saj të gjitha institucionet kryesore. Nuk është, po ashtu, asgjë e papritur, pasi, ndryshe nga sa ka ndodhur më herët, vetë lideri i saj, Albin Kurti kishte bërë të qartë se forca politike që ai drejton, së bashku me 12 të zgjedhurit e Listës Vjosa, do të jenë në bashkëqeverisje në të gjithë piramidën e shtetit.

Tani, pasi po numërohen edhe votat e fundit të mërgatës, që në shumicë dërrmuese ka zgjedhur VV si të besuarën e saj, më shumë se gjysma e vendeve në parlamentin e Kosovës duket se do të jenë nga deputetët e saj dhe, kjo është risia e parë, mund të krijojë krejt e vetme qeverinë, pa patur për asnjë çast nevojën të futet në bisedime të gjata dhe lëshime të paarsyeshme me Listën serbe, apo t’u shtrijë dorën deri në çastin e fundit pakicave të tjera, të cilat, edhe pse janë më pak se dy përqind e popullsisë së Kosovës kanë të rezervuara 10 vende në parlamentin 120 vendësh të Kosovës.

Ishte një votë plebishitare, e cila duhet lexuar qetësisht dhe pa entuziasmin e çastit apo mërzinë e humbjbes, si nga ata që fituan, ashtu edhe nga ata që kaluan në opozitë. Shenja e parë e mirë është largimi i Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK-së, me të cilin, ndoshta përfundimisht, nuk do të ketë më zyrtarë të lartë të kohës së Titos e Milosheviçit, si ishte ish ministri Mustafa, në qeveritë e pasluftës në Kosovë.

Edhe sikur vetëm kaq të kishin sjellë dobi këto zgjedhje, ato duheshin përshendetur nga të gjithë.

Fituesi i zgjedhjeve është njeriu që pikërisht i përgatiti me durim ato. Duke e shtyrë kohën e tij të ngutshme, si ishte një vit më parë, në kohën e tij të duhur. Një vit më parë koalicioni i tij me Isa Mustafën ishte më i pakuptueshmi dhe më regresivi, që zbehu figurën e Kurtit në një çast dhe do e kishte zbehur shumë më tepër nëse do të rrinte edhe më tej në qeveri. Ai i hodhi të gjitha kartat, më saktë, i përplasi fort mbi tryezë, bëri provën e tij të forcës, duke e ditur se në atë çast mund të dukej i mundur, dhe tani, erdhi në ditën e realizimit të kredos së tij politike: ndryshimi i domosdoshëm.

Albin Kurti i takon trupës drejtuese të Lëvizjes Studentore, së bashku me Bujar Dugollin, Muhamet Mavrajn dhe Driton Lajçin, që kishin për mësues rektorin e shquar të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovcin. Të kesh një mësues në jetë si Statovci dhe rektor, pa dyshim duhet të mësosh nga drejtësia e tij dhe jeta e militantit akademik të përkushtuar Kosovës.

Kurti është një politkan që i jep më tepër rëndësi realiteteve konkrete sesa të drejtave abstrakte. E përdor në diskursin e tij abstrakten për të qenë konkret dhe, dua të besoj se, pas këtyre zgjedhjeve, edhe ai e di se koha e mohimit ka përfunduar dhe ka ardhur koha e sendërtimit.

Ai e ka të domosdoshme të kuptojë se është një punë e vështirë, por e urtë të ndalosh një fushatë përpara çastit kur fitorja kthehet në rraskapitje dhe se, tani, mbaroi koha e Kurtit militant dhe kryengritës dhe duhet të fillojë ajo e Kurtit ndërtues i atyre që ka besuar dhe të cilën e ka shpallur: luftën kundër korrupsionit, ndërtimin e shtetit të së drejtës, shembëllimin e të vërtetës dhe realizimin e tyre përmes njerëzve të denjë për të bartur këtë mision historik.

Ai do të jetë në qendër të shumëçkaje: jo vetëm të atyre që kanë humbur pushtetin dhe që nuk janë të paktë dhe që në fund të fundit, si opozitë, do të bëjnë atë që Kurti ka bërë ndaj tyre; por edhe të institucioneve ndërkombëtare, të cilat, duke e ndjekur rrugëtimin e tij hap pas hapi, e dinë më mirë ndoshta se sa votuesit e Kosovës se cilat vlera dhe mangësi qëndrojnë pas tij.

Problemet që ka përpara vetes janë të mëdha, jashtëzakonisht të mëdha dhe të vështira. Dsa të krijuara nga qeveritë pararendëse, ku do të gjejë kohën e tij të shfajsohet për vonesat e domosdoshme, e shumë të tjera nga ndikimi i politikës serbe në Kosovë, jo vetëm përmes Listës serbe.

Problemi më i madh i tij do të jetë ruajtja e besimit të njerëzve, të cilët bënë ndarjen më të pazakontë, por të nevojshme: nga njëra anë Lëvizja VV dhe nga ana tjetër gjithë të tjerët që kanë përgjegjësinë historike për ngadalësinë e zhvillimit dhe keqpërdorimin e pushtetit. Tani, para vetes e rreth tij, nuk ka më as kundërshtarët e tij historikë, Thaçin e Veselin, as institucione që do të mund të ndalin vrullin e idetë e tij: është në një fushë të madhe, ku topin e ka gjithnjë ai dhe nuk e ndan me askënd tjetër. Merita do të jetë e tij, ashtu si edhe përgjegjësia e tij do të jetë!

Vota e 14 shkurtit ishte një votë dykahshme: votë besimi për një brez të ri që ende nuk është provuar, që është dinamik dhe i etur për të lënë emrin e tij, dhe, nga ana tjetër, votë ndëshkimi për një klasë politike, që, edhe pse është mundur, synon të rikthehet.

Kurti është aktualisht njeriu më i besuar në Kosovë, por, nëse njerëzit do e trajtojnë si Mesia i ri, ata do të gabohen dhe vetë Kurti do të jetë i gabuar. Kosovës i duhet një lider tokësor, që i prek nga afër hallet e saj, që i do njerëzit si i barabartë me ta dhe nuk mendon për lavdinë. Problemet e Kosovës janë tokësore: Veriu i Kosovës, integrimi veriut në jetën e përditshme, shuarja e idesë së Zajadnicës, punë, shërbime sociale, energji elektrike, ujë të pijshëm, çështja e pronave, e më pas marëdhëniet me fqinjët veriorë, duke pasur gjithnjë mendimin e saktë se rruga e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet të kenë një trase të përbashkët. Bisedimet me Serbinë vërtet do të kenë kohën e tyre, të cilat, edhe po të duan në Kosovë, nuk do të mund t’i shtyejnë në kalendat greke. Në mos tjetër edhe nga presioni ndërkombëtar, që, herë pas here, kërkon të mbyllë një çështje e jo të zgjidhë një padrejtësi. Nëse presioni ndërkombëtar do të trajtohet si njerëzt që janë përkulur mbi hartën e Kosovës me thika ndër dhëmbë, do të kthehemi përsëri në një fillesë që nuk do të ketë fund.

Njerëzit e votuan Kurtin pikërisht për këtë besim. Për të zgjidhur hallet e problemet e tyre dhe të vendosë në rrugë të mbarë pikërisht atë që ka parë të trajtuar keq nga të tjerët.

Vota ishte edhe shenjë ndëshkimi për njëzet vite të qeverisjes së paduhur. Afera të ndjeshme korruptive e kishin mbuluar rrugën e qeverisjes mes tri forcave politike dhe, mosndarja prej tyre, krijimi i zonave të influencës, që doli se kishin qenë të përkohshme, pasi, me përjashtim të dy komunave të Drenicës, Lëvizja VV fitoi kudo, riciklimi i një kaste politikanësh në të njëjtat tryeza, herë duke u zënë për flokësh me njëri – tjetrin e herë duke i buzëqeshur sho-shoqit, cektësia e ideve dhe mungesa e vizionit, fakti që shumë struktura, jo vetëm nuk u reformuan, por u deformuan më tej, papunësia e masës, kur elita e quajtur e tillë u bë pasunare e madhe, të gjitha e meritonin ndëshkimin dhe ndëshkimi i erdhi jo rastësisht e jo befasisht.

Nuk mjafton sot të thirresh se je parti e luftës. Kjo është tejet e pamjaftueshme sot, aq më tepër kur, pikërisht vlerat e saj, nuk ke ditur t’i ruash, kur mes veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe titullarëve krijohet mali i ndarjes. Lufta ka përfunduar që tash 20 vite. Edhe unë vetë i kam shërbyer asaj. Nëse forca të tjera politike dalin kundër UÇK-së dhe nuk je i zoti ta mbrosh, sepse je i përlyer në afera financiare, kjo do të thotë se nuk je i denjë ta mbrosh. Askujt tjetër, më shumë se sa atyre, nuk do i shërbejë kjo periudhë ringritjeje dhe rimëkëmbjeje!

Albin Kurti ka tani gjithë kohën e duhur për të realizuar ato projekte që ka synuar dhe që nuk i ka gjetur te të tjerët. Ka edhe gjithë fuqinë e duhur. Askush tjetër, deri më tani, nuk ka pasur kaq forcë dhe mundësi për të realizuar idetë e tij.

Njerëzit në Kosovë i dhanë gjithçka ai deshi dhe për gjithçka ai luftoi në më shumë se 20 vite.

Është lideri i vetëm në Kosovë që gjithçka e ngriti vetë, e shkriftikoi vetën kur iu desh dhe e çimentoi kur mendoi se ishte koha, që bëri lëvizje politike të panjohura dhe të njohura, që sulmoi këdo që i doli përpara, por që nuk e braktisi kauzën e tij.

Ai hodhi tymuese në parlamentin e Kosovës, por qëndroi aty; ai iu kundërvu gjithçka ndodhi në Kosovë, edhe akteve madhore dhe kjo ishte në natyrën e tij të militantizmit dhe rrugës drejt pushtetit; shumë gjëra që gjykoi në të shkuarën e tij politike nuk kishin qenë të zeza, ndaj po heq dëshmitë e fundit, por, në fund të fundit, kjo është shenjë e rritjes dhe jo e drojes.

E kam përsëritur disa herë një thënie të Adem Demaçit, shumë vite më parë, në Zvicër:

“Djalë i bacit, vetëm i marri dhe i vdekuni nuk ndryshon”.

Adem Demaçi ishte mësuesi i tij i dytë.

Albin Kurti është njeri i mënçur.

Miku ynë i përbashkët, Moikom Zeqo e vlerësonte jashtëzakonisht, mes të tjerave, edhe për njohuritë e tij të thella në shkollën politike moderne, duke njohur gjërësisht filozofët e botës sonë të trazuar.