Kujt iu desh një vendim kaq absurd në kohë kaq të pakohë?
Në emër të qeverisë, një ditë para heshtjes zgjedhore, u keqpërdor me shpirt prej mjerani e drejta e vendimarrjes. Qeveria nxori pamfletin e radhës për të ndaluar mërgimtarët në të drejtën e tyre për votën që duan t’ia dëshirojnë për të mirë e për ndryshim atdheut të tyre, ashtu sikur ata e mendojnë. Këtë vendim të nënshkruar e të dërdëllisur deri në detajizime, mbllaqitur në gjithë mjerimin e vet, zhytur në pashpresë dhe veshur në frikë nuk duhet ta lejoi populli ynë. Qeveria dhe të gjithë ata që zhvatën këtë vend duhet të dinë dhe të mos harrojnë se edhe sikur ta blindojnë kufirin nga jashtë do mjaftoj reagimi i brendshëm kundër tyre. Ata nuk duhet të harrojnë se e keqja që solli zhgënjimin është këtu bashkë me ne të zhgënjyerit dhe ne do ta mundim me votë derisa të ketë kohë! Uroj të ketë kohë dhe kohën të mos e hanë të këqinjtë për ta lëshuar vendin në paqëndrueshmëri!
Kujt po i frikohet Qeveria e Kosovës? Mërgimtarëve, frymës a të dyjave bashkë?! Kush po e shtyn Abdullah Hotin në kaq faj, e në këso poshtërsi? Çfarë mendon ai? Se mund ta ndalë rrjedhën e historisë?! Se mund ta pushtoj frymën e re?! Kjo nuk është thjeshtë frymë.
Ky është vetëm zhgënjim, i cili para se të bëhet frymë po rrrezikon të përdoret edhe njëherë politikisht. Por kush po e bënë të pavlerë këtë mundësi deformimi dhe pse po e bënë qeveria këtë? Edhe njëherë: nga kush po shtyhet ajo?
Nëse ndryshimi, edhe publikisht, u quajt me thirrje “Kmerët e kuq”, ish pushtetarët sikur janë zhytur thellë në keqbërje, po shihet se do provojnë ta ndalin ndryshimin. Fatmirësisht ata i kanë mjetet e pakta, për faktin se zhgënjimin e kanë prodhuar të madh.
Qeveria dhe politika ish pushtetmbajtëse nuk e shmangin dot përballjen me të vërtetën që ata krijuan, nuk e shmangin dot fatin që projektuan për veten e tyre me vet punët e këqija që bënë, nuk e shmangin dot përgjegjësinë as fatin që ua ndan rruga e shërimit të shoqërisë.
Ne, të zhgënjyerit, mund të mundemi nga kurthet e shtetit të kapur, ne mund të mposhtemi përkohësisht, sa nga ne edhe mund të ripërdoren si mesofazë për shkak rrethane të krijimit të ndonjë percepsioni të gabuar, por asnjëherë ne nuk do t’ia dorëzojmë përjetësisht të ardhmen tonë të babëziturve, të cilët për fajet e tyre të vogla a të mëdha, provojnë edhe kësaj radhe të gjejnë strehë në përdorjen e shtetit që po u shqet nga duart, fatmirësisht.
Në vend se të kujdesemi të gjithë për cilësinë e ndryshimit që po vjen, neve po na merret koha dhe energjia në drejtim të pa duhur. Ne sot po na kërkohet energji atje ku po ndodhë përmbysja në vend se të lihej të rrjedh historia vetiu dhe ne të kujdeseshim për cilësinë e ndryshimit. Forca të errëta po provojnë ta ndalin historinë dhe ta flenë atë në kohën zero të tyre, ne nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë. Atje po na dërgojnë dhe atje duhet të mos rreshtim së shkuari, derisa të mos ua nxjerrim nga duart çdo fije ndikimi për babëzinë e tyre.
Krahas vendimeve absurde dhe të këqija të qeverisë, fjalori elektoral po tenton cytje masash kundër ndryshimit për t’i ruajtur bëmat kriminale të të babëziturve. Kjo përdorje që po tentohet duke stisur rreziqe të paqena, i ka mbledhur e po i mbledhë horrat në strehën e tyre të fundit, marrëzinë e klasës.
Kjo amalgamë, e cila po e shtrëngon skenën tonë politike të momentit konkurrues ku gjendemi, do të duhej të ishte më shumë përmbajtje se sa masë numrash për hapësirë përfaqësimi. Vetëm kështu garantojmë përballje në kapacitete të plota me sfidat që na presin.
Por jo! Këtë nuk e duan ata që kanë çfarë për të fshehur e për të ruajtur të paprekshme nga pasuria dhe aureola e tyre e ndërtuar me zhvatjen e vendit, andaj edhe ne duhet të mos harrojmë e të mos mashtrohemi se ndryshimi nuk është ndërrimi i pushteteve ku po shtyhet vendi.
Kjo armiqësi që po stiset, nuk është një përlindje rasti dhe e pamenduar. Të babëziturit duan ndërrim pushtetesh dhe jo ndryshim gjendjesh. Ata mendojnë se po të prodhojnë ndërrim pushtetesh do kenë mburojë gabimet që do prodhojnë domosdo të rinjtë e pushtetit. Ky intimidim që po tentohet me armiqësi vendosje: shtyrje në kënetë të të resë, duke e ashpërsuar përballjen, është detyrë e pushtetardhjes të mos lejoj të ndodhë. Vetëm kështu do të fillonte ndryshimi cilësor për të mos mbetur në paramentrat e vetëm një ndrrimi pushtetesh, për çka është ngritur i tërë zhgënjimi sot nga gjithë qoshet e atdheut e deri te secili mërgimtarë sado larg në hapsirë e kohë të jetë i emigruar!
Edhe pse po na shtyjnë në kaq sprova, megjithatë është koha edhe të kujdesemi: çfarë ndryshimi po vjen, apo ndoshta nën petkun e tij, intimidimi po ia del ta shëndrroj atë në vetëm ndrrim pushtetesh!