Botuar në DITA
Është në natyrën e opozitës, paçka se cila forcë merr atë rol, të mos bjerë dakord, të kontestojë e të kundravihet për një qeverisje më të drejtë e përfshirëse nga ana e atyre që janë në pushtet.
E përçarë, pa një lider dhe me shumë pretendues për copëzat e saj të shpërndara, qëndresa e saj në dyert e dhe sallën e Kuvendit mund të ndjellë edhe cazë simpati. Me fjalë të tjera, nga retorika e vetëviktimizimit, ka nga ata që do donin që pozita të ishte më e kuptueshme dhe të lëshonte pe, me idenë se kur dy palë zihen, faji më i madh i takon më të fortit, i cili nuk hapë rrugë. E ndoshta kjo do ishte shenjë mençurie për partinë e regjur dhe të konsoliduar frikshëm në pushtet.
Por, haptazi, opozitës shqiptare as nuk i vlen e as nuk po e meriton qasjen “një sy qorr e një vesh shurdh” prej askujt.
Së pari, rruga që e ashtuquajtura opozita shqiptare ka ndjekur, ka qenë vetërrënimi. Prej vendimeve tekanjoze të një lideri të jashtë-kohshëm, si në lulëzimin e vet, si kur shpiku “Lulin e vet”, si kur e mohoi atë, si kur uluriste në seli, foltore a, tash, në dritare, e vetëquajtuara opozita shqiptare e ka zgjedhë vetë tatëpjetën që nuk po e ndalon dot.
Dhe janë pikërisht zgjedhjet e pamenduara që e kanë kthyer atë në një forcë të tkurrur, tek e cila pakkush beson. Që nuk arrin të përfaqësojë më as veten, jo më një tërësi me të zhgënjyer, ikanakë pa zgjedhje apo jo detyrimisht të kënaqur me qeverisjen aktuale.
Së dyti, lojërat opozitare që vijojnë nuk i kanë vlejtur askujt më fort se atyre në pushtet. Duke heshtur dhe anatemuar, ndër vite, këdo që nuk binte dakord katërcipërisht me liderin historik dhe nuk i bindej verbërisht atij, opozita ka mekur zërin e vet.
Duke e kthyer liderin e saj në historik, i ka bërë një shërbim të paçmuar pozitës, pa u shqetësuar aspak për ata që i ka ardhur në majë të hundës. E nëse gjërat vijojnë kështu, nuk është çudi që pozita, pa shumë mund e lodhje, të barazojë vitet e saj në pushtet me numrin e viteve të liderit historik në krye të partisë rivale.
Së treti, opozita duhet ta kuptojë se nuk mund të vijë më në pushtet me kërcënime. Duhet ta kuptojë se edhe pse shqiptarët mund të jenë të pakënaqur në masë me Ekzekutivin, ata nuk janë as të marrë, as dritëshkurtër. Nuk do bëhen pjesë e dhunës së paralajmëruar mes rreshtave as më 20 shkurt, as me herët as më vonë. Në mbi tre dekada nga rënia e diktaturës, ata kanë pasur raste boll të mësojnë se kush fiton e përfiton nga telendisja e tyre dhe nuk do hidhen më në zjarr për llogari të askujt.
Së katërti, dikush duhet t’ia rikujtojë opozitës se, ndërsa ajo ishte tepër e zënë duke luftuar për kauza të shtira, shumë kauza të drejta e shumë probleme sociale në rritje nuk po adresohen. Fjala bie, vetëvrasja, pra gra dhe vajza që, përditë e më shumë, po shohin vdekjen si rrugëdalje. Asnjë prej deputeteve që ngulen kokëfortësisht para drirares së kryetarit, nuk u ndien. Nuk protestuan me karrige të bëra pirg për asnjërën prej viktimave të injorancës, skamjes dhe harresës. Nuk hodhën ndonjë shashkë për to.
Së fundi, opozita jonë aktuale duhet ta mësojë se, ndryshe prej saj, disa e bëjnë punën e vet, si për shembull gardistët. E veç prej kësaj nuk e meritojnë as të ofendohen e as të goditen me vezë e miell, se zëri opozitar kaq në shenjë di të qëllojë.
Po po vërtet dikush duhet t’ia thotë opozitës se vendi ka nevojë për opozitarizëm. Duhet t’ia thotë se opozitarizmi nuk bëhet as me kauza të humbura, as me burra-shteti të munguar, as me zë të ngjirur. Duhet t’ia thonë se palaço kemi me shumicë në çdo kah dhe nuk lodhet kush të zëvendësojë të kahershmit, me më të vjetër.
Dikush duhet t’ia thotë se mëshirëndjelljen dhe viktimizimin një fije i ndan nga neveria. Prandaj nuk shpien kund. Në pushtet, jo e jo!