Pas premtimeve të Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund vartësisë nga gazi rus, Turqia po synon të luajë një rol kyç në furnizimin e Evropës nga vende të tjera. Ankaraja dëshiron të jetë pika kryesore lidhëse, përmes kontrollit të tubacioneve nga furnizuesit e rinj në Irak dhe Izrael.
Turqia ndodhet mes Evropës dhe rajonit të pasur me energji të Lindjes së Mesme. Me infrastrukturën e saj të gjerë të tubacioneve të lidhura në rrjetin evropian të furnizimit me gaz, Turqia beson se mund të luajë një rol vendimitar për t’i dhënë fund vartësisë së BE-së nga gazi rus.
“Situata në Ukrainë ka krijuar një problem serioz për energjinë në Evropë. Ndoshta zgjidhja është furnizimi i Evropës me gaz natyror nga Mesdheu Lindor përmes Turqisë. Këto janë çështje interesante që do të diskutohen nga palët”, thotë Ilnur Cevik, këshilltar i lartë i presidentit turk.
Në Mesdheun Lindor, Izraeli ka rezerva të mëdha gazi, të zbuluara së fundmi. Turqia po propozon që një tubacion nga Izraeli të lidhet me rrjetin turk, për të furnizuar Evropën.
Bashkëpunimi energjetik u diskutua në vizitën e muajit të kaluar të presidentit izraelit në Ankara.
“Është projekt i rëndësishëm për të lidhur gazin izraelit dhe atë të Mesdheut Lindor në rrjetin kombëtar turk, prej nga mund të dërgohet gaz në Evropë. Nuk është e lehtë, por me përpjekjet e përbashkëta të Turqisë, Izraelit dhe Bashkimit Evropian projekti mund të realizohet”, thotë Mithat Rende, ish ambasador i Turqisë në Katar.
Ministrat e energjisë në Turqi dhe Izarel do të takohen në Jeruzalem, më vonë këtë muaj.
Por marrëdhëniet e tendosura mes dy vendeve shtojnë dyshimet nëse Izraeli është gati t’i besojë Turqisë për arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë, Uashingtoni mbështet planet e tubacionit turko-izraelit të gazit, thonë analistët.
“Përpjekjet e përbashkëta të Izraelit dhe Turqisë janë në interesin e Shteteve të Bashkuara, që si aktorë perëndimorë të bashkëpunojnë në rajon. Sa i përket energjisë, jam më pak optimiste se një ditë gazi izraelit do të kalojë përmes Turqisë. Një opsion tjetër, si Egjipti është më i mundur”, thotë Gallia Lindenstrauss nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.
Gazi nga rajoni gjysmë autonom kurd në Irak është një alternativë tjetër për furnizim të Evropës.
“Gazi i Kurdistanit në Irak, është gati dhe distanca nga fushat deri në rrjetin turk është shumë e shkurtër. Tani është koha, vullneti politik ekziston, është e përshtatshme, pse jo?”, thotë ish konsulli i përgjithshëm turk në Kurdistan, Aydin Selcen.
Sulmet me raketa të muajit të kaluar në Erbil, për të cilat fajësohet Irani, sipas vëzhguesve, janë paralajmërim i Teheranit kundër marrëveshjes.
Bagdadi duhet të bekojë çdo marrëveshje të mundshme, që do të thotë, se ka ende shumë punë, para se Turqia të sigurojë rolin që po kërkon.