Botë

Janusz Bugajski: Amerika dhe Rusia tashmë janë në luftë

Janusz Bugajski

Sulmi që Moska ndërmorri kundër Ukrainës është shndërruar në një luftë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ndonëse lufta është në një fazë ende të vakët, ajo mund të nxehet në mënyrë domethënëse gjatë vitit të ardhshëm. Qëllimi i Moskës është të përçajë Perëndimin dhe të pushtojë territore që dikur i përkisnin perandorisë sovjetike.

Sulmet e saj joushtarake ndaj Perëndimit kanë filluar mbi dy dekada më parë, kur Putini u bë president, veçanërisht përmes sulmeve dezinformuese, korruptimit të politikës dhe varësisë energjetike. E pikërisht për shkak të reagimit të dobët të Uashingtonit, Kremlini e përshkallëzoi sulmin në luftë të armatosur ndaj Ukrainës.

Në shkurt të 2022-it, Putini i dha një paralajmërim Uashingtonit, sipas të cilit NATO duhej të anulonte vendimin e saj për të përfshirë Europën Qendrore në Aleancë si dhe duhej të hiqte të gjitha armët pranë kufijve të Rusisë. Për më tepër, ndërsa Ukraina aspironte anëtarësimin në NATO për t’u vetëmbrojtur, Moska donte ta ndalonte me çdo kusht këtë proces.

Sipas përllogaritjeve të saj, Kievi nuk do të rezistonte gjatë, mbështetja e Perëndimit për Ukrainën do të ishte e përçarë, nuk do të kishte sanksione ekonomike dhe popujt e Perëndimit do të lodheshin shpejt nga lufta. Për më tepër, Moska vijon të mbështetet mbi retorikën se fitorja e Rusisë është e pashmangshme.

Kremlini e konsideron të ardhmen e Ukrainës vendimtare për të ardhmen e Rusisë, pasi pa nënshtrimin ose zhdukjen e tërësishme të Ukrainës, federata ruse do të shpërbëhet. Në fakt, kjo është pikërisht çfarë duhet t’i inkurajojë qeveritë perëndimore që të mbështesin Ukrainën të fitojë luftën. Nëse Uashingtonit i duhet të zgjedhë mes kapitullimit të Ukrainës të shoqëruar me fuqizimin e Rusisë dhe fitores së Ukrainës që shoqërohet me shpërbërjen e Rusisë, atëherë qëllimi nuk mund të jetë veçse shpërbërja e perandorisë së fundit të Europës.

Alternativa e parë, pra fitorja e mundshme e Rusisë në Ukrainë, i ka bindur disa anëtarë të NATO-s se kjo do të thotë një luftë më përfshirëse në të ardhmen. Ministrat e Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Polonisë, Norvegjisë dhe disa aleatëve të tjerë janë të mendimit se Perëndimi duhet të përgatitet për një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Paralajmërimet e tyre synojnë të tërheqin vëmendjen në tre pika: së pari, Europa nuk mund të vazhdojë të varet nga SHBA-të, veçanërisht nëse Trump zgjidhet sërish president; së dyti, Europa vijon të jetë e papërgatitur dhe e keqpajisur ushtarakisht; dhe, së treti, çfarëdo lëshimi territorial nga ana Ukrainës kundrejt Rusisë do ta inkurajonte Moskën që të përballej ushtarakisht drejtpërdrejt me NATO-n.

Ndonëse mundësia kërcënuese e një lufte bërthamore ngjall frikë në mesin e zyrtarëve perëndimorë, (duhet kuptuar se) liderët rusë nuk do të bënin vetëvrasje, duke i përdorur ato kundër NATO-s, pasi sulmet bërthamore të NATO-s do të zhduknin të gjitha qytetet kryesore të Rusisë nga faqja e dheut. Ashtu si elita sovjetike, klika aktuale e zyrtarëve të korruptuar rusë ka për qëllim të mbijetojë dhe të mbrojë të ardhmen e vet politike dhe pasurinë e tyre. Megjithatë, një rrezik domethënës, që po shfaqet në horizont është hezitimi i mundshëm i Uashingtonit për të ndërhyrë në rast se Rusia sulmon ushtarakisht në territoret e NATO-s. Shkatërrimi i disa objekteve infrastrukturore apo ushtarake pa një kundërpërgjigje nga Aleatët nën udhëheqjen e SHBA-ve, do ia shtonte ambiciet Moskës.

Atëherë, Uashingtoni do të ishte përballë një zgjedhjeje të vështirë: ose do të braktiste aleatët e tij ose do të detyrohej të hynte në një tjetër luftë europiane. Prandaj, vendosja e forcave dhe bazave amerikane përgjatë frontit lindor të NATO-s, që nga Estonia e Polonia deri në Rumani e Shqipëri është e rëndësishme dhe shfaq angazhimin e SHBA-ve.
Një luftë e drejtpërdrejtë SHBA-Rusi mund të shmanget, nëse, përgjatë muajve të ardhshëm, Ukraina armatoset plotësisht dhe kështu mund ushtrinë ruse, pasi, tashmë, forcat e saj ushtarake i kanë treguar aftësitë e veta. Në të njëjtën kohë, SHBA dhe BE kanë ekonomi dhe burime shumë më të mëdha se Rusia dhe pikëpyetja e vetme është vullneti dhe vendosmëria e liderëve të Aleancës për t’i siguruar Ukrainës armë dhe municione.

Ndërsa disa vende europiane, tashmë, po i zgjerojnë industritë e veta të mbrojtjes dhe po e shtojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, vihet re edhe konsensusi i fortë dypartiak për NATO-n dhe Ukrainën në të dy dhomat e Kongresit të SHBA. Sondazhet e fundit të opinionit publik, gjithashtu, tregojnë se shumica dërrmuese e popullit amerikan mbështet armatosjen e Ukrainës. Shumë republikanë me peshë janë të vetëdijshëm për urgjencën dhe rëndësinë e mposhtjes nga Kievi të një prej kundërshtarëve kryesorë të Amerikës.

Gjysma e ushtrisë profesioniste të Rusisë tashmë është shpartalluar në Ukrainë dhe duke shpenzuar më pak se 5% të buxhetit vjetor të Amerikës për mbrojtjen, ky misioni mund të përmbushet.

Që politikëbërësit ndërkombëtarë të Uashingtonit të triumfojnë, në plan aftagjatë, ata duhet të inkurajohen të përmbushin parimet e tyre, ndërsa izolacionistët të mos votohen në nëntor. Në të njëjtën kohë, administrata Biden duhet të përdorë mënyra të guximshme dhe inovative për të armatosur Ukrainën, duke përfshirë përdorimin e miliarda dollarëve asete të ngrira të shtetit rus në Perëndim dhe dhënien e armëve të tepërta, të cilat nuk janë më të nevojshme për forcat amerikane.

Beteja kyçe e kësaj lufte midis Rusisë dhe Amerikës është fitorja e Ukrainës, duke çliruar të gjitha territoret e veta. Kjo do të parandalojë një konflikt më të gjerë dhe një luftë mirëfilltazi të zjarrtë midis Amerikës dhe Rusisë.