Portreti/intervista

Ylli Meçe: Rekuiem për burrin e shquar të shtetit e të kombit, Enver Hoxhën

Zakonisht “rekuiemi” është një përkujtimore, që na kujton jetën e atij që tashmë nuk jeton midis nesh. Të shkruaje për Enver Hoxhën, në kohën e ardhjes në pushtet të falangave neofashiste të pas 90-tës, ishte një herezi e madhe dhe duhej të përballeshe direkt me ata që betoheshin me hanxhar në dorë kundër ish partizanëve pensionistë apo dhe veteranëve të punës, por dhe me litarin që ishin të gatshëm ta ngrinin nëpër shtylla! Veçse ky “nder i madh” u bëhej dhe u rezervohej vetëm komunistëve të dalë jashtë ligjit! Po pse e gjithë kjo stuhi revanshiste kundër Enverit? Kush na qenkësh ky burrë, që i gjithë llumi reaksionar, ish klasa e përmbysur e bejlerëve dhe agallarëve, apo “të moderuarit” me nga një barsolino në kokë, me pantallona lara-lara, të shitur më vonë te nazifashizmi, na e kishin marrë kaq inat, saqë nuk lanë përmendore, madje dhe varrin e tij si Komandant të partizanëve, ia dhunuan ashtu sikurse bënë gati 5 shekuj më parë hordhitë turke ndaj varrit të Gjergj Kastriotit në Krujë?

Tashmë, nga vdekja e Enverit apo më saktë nga ceremonia mortore e 15 Prillit 1985, po afrohen gati katër dekada. Të mendosh se e gjithë kjo maskaradë e tradhtisë së madhe na e paska inatin me Enverin si atdhetar, Komandant e Komesar dhe si komunist do të ishte një mendim foshnjarak. Jo, aspak ! Reaksioni, nuk e kishte më shumë inatin me Enver Hoxhën, se sa me të gjithë atë sistem të udhëhequr prej tij, qysh prej fillimit të Luftës së madhe Nacionalçlirimtare, rindërtimin e vendit, sistem ky që u karakterizua jo vetëm me përmbysjen e marrëdhënieve të vjetra ekonomiko – shoqërore, por dhe me ndërtimin e një jete të re pa shtypje e shfrytëzim të njeriut nga njeriu, pra filloi ndërtimi i socializmit, në të cilën gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë historike Enver Hoxha ka luajtur një rol të madh vendimtar e të padiskutueshëm. Ai, si gjatë lufte, ashtu dhe në ndërtimin e socializmit është karakterizuar nga një ndjenjë e lartë dashurie për atdheun. Pa u futur në kushtet historike të themelimit të PKSH -së dhe rolit të saj, mund të themi se vetëm një mendje e mprehtë dhe një udhëheqës largpamës e mëndje ndritur si Ai, do t’i jepte Luftës tonë Nac- Çl karakter popullor, duke u bërë thirrje gjithë shtresave të shoqërisë shqiptare, që pa dallim feje krahine dhe ideje të mobilizoheshin për çlirimin e Atdheut.

Sheshi luftarak i burrave do të tregonte se kush ishin atdhetarët e vërtetë dhe cilët ishin pseudo -atdhetarët, të cilët ranë në prehrin e pushtuesit, madje dhe duke u bërë anëtarë të qeverisë kuislinge, sikurse bënë ballistet e Mithat Beut. Periudha e luftës shërbeu dhe si gur prove jo vetëm për armiqtë e brendshëm sahanlëpirsve të fashizmit, por dhe për të njohur e kuptuar se shovinizmi i fqinjëve e sidomos i Jugosllavisë së Titos, që maskohej me frazeologji pseudokomuniste, nuk do të kishte asnjë ndryshim nga ai i krajlëve të hershëm të Serbisë. Dhe çfarë nuk bënë titistët të cilët në Mbledhjen e Beratit donin ta spostonin Enverin nga udhëheqja e Partisë dhe e luftës. Vetëm fakti i menduar se nëse Enverin do e kishin eleminuar , rrezik që Shqipëria fill mbas çlirimit të ishte bërë republikë e shtatë e Jugosllavisë me guvernator partiak, Koci Xoxen flet shumë për personalitetin e Enver Hoxhës.

Denoncimi që i bëri Ai ndërhyrjes Jugosllave dhe ambicieve të saj për të futur divizionet në rajonin e Korçës ishin vendimtare ndaj dhe informoi direkt Stalinin për këtë çështje. Çështja shqiptare e Kosovës së pushtuar (me Kosovë Ai kuptonte të gjitha trojet e pushtuara të Shqipërisë nga Jugosllavia), tendencat e Titos për t’u zgjeruar nën maskën e një të ashtuquajture “Konfederate ballkanike”, informacioni i Enverit e të tjera si këto bënë që Titua me gjithë bandën e tij në vitin 1948 të përjashtoheshin nga”Komiterni”. Qëndrimi i prerë ndaj armiqve të vendit tonë flet qartë se Enver Hoxha përpara se të ishte një komunist idealist i përmasave botërore ishte dhe një atdhetar po aq i zjarrtë, saqë sikurse e përshkruan një analist i huaj te Enveri , kur vinte çështja për fatet e atdheut dukej më shumë si një atdhetar se sa një komunist. Sigurisht që analisti i huaj nuk mund ta kuptonte dot se të qenurit komunist nuk mund te kuptohet po qe se nuk je një atdhetar sikur ishte Enveri dhe ai këtë e dëshmoi jo vetëm kundër Jugosllavisë titiste, por dhe kundër ndërhyrjes së Hrushovit dhe kërcënimeve të tij, apo presionit të kinezëve. Në mbrojtje të socializmit dhe fateve të atdheut Enver Hoxha ishte një burrë shteti i pakrahasueshëm. duke ndërtuar një sistem mbrojtjeje të tillë që për herë të parë në historinë e këtij vendi i gjithë populli ishte në roje të fitoreve të arritura duke patur një ushtri të përgatitur profesionalisht në një shkallë të tillë që t’i bënte ballë çdo lloj sulmi të armikut.

Enver Hoxha më shumë se kushdo e kuptonte se te duash Shqipërinë, duhet të punosh për të dhe jetën e re socialiste shqiptaret së bashku me të filluan me kalimin nga prapambetja shekullore dhe analfabetizmi në një hop gjigant me transformime madhështore në fushën arsimit e të kulturës duke ngritur shkolla universitete e filiale të tij falas, anë e kënd atdheut, nga ku për një kohë rekord nga 87% e popullit para lufte që ishte analfabete e ktheu ne 100% të arsimuar, me një sistem mjekësor dhe ky falas dhe për t’u patur zili, sepse nuk kishte fshat e qytet që nuk mbulohej nga sherbimet mjekësore. Ai me popullin e vet u vunë në ballë të punëve për transformimin e ekonomisë, duke ngritur me dhjetëra e qindra uzina, kombinate, fabrika, me sistem elektrifikimi që mbulonte çdo skaj të Republikës e që askujt nuk ia shtrinim dorën për ndihma; me një bujqësi të përparuar duke synuar sigurimin e bukës në vend si një masë me karakter strategjik që lidhej direkt dhe me fatet e atdheut e shume e shumë arritje të tjera.

Nëse do të vinim përballë këto arritje të popullit tonë të asaj kohe do të vrejmë se: E gjithë ekonomia e socializmit mbas tradhtisë së madhe që iu bë këtij sistemi nga kasta e degjeneruar, u shkatërrua totalisht, duke u vjedhur pikërisht nga banditizmi dhe pasojat e këtij degjenerimi u realizuan në bashkëpunim me faktorin nderkombëtar dhe ish klasën e përmbysur. Periudha mbas vdekjes së Komandantit e sidomos ajo e vandalizmit 1990 – 97 karakterizohet nga një shkatërrim i përmasave të mëdha historike të papara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, por kjo periudhë e prag luftës civile ishte dhe një ballafaqim midis asaj që ishte shkruar në literaturë për kapitalizmin dhe natyrën e tij, por dhe realitetit të hidhur që po e përjetonim mbi kurrizin tonë. Kacafytjet e mëdha dhe brenda llojit, ku banditët në pushtet eleminonin njeri – tjetrin, duke u marrë me tregtinë e armëve dhe karburanteve, duke ua shitur (për ironi të fatit) pikërisht shovinisteve serbë, atyre që ata ngrinin zërin në kupë të qiellit se Enveri na qenkish mik i tyre, u bënë tashmë vijë e moralit të shoqërisë.

Vlerat njerëzore të shqiptarit u kthyen në antivlera dhe ligjin e zëvendësoi kanuni. Me kanun vritej, pritej, vidhej e zhdukeshe pa lënë gjurmë teksa sistemi i drejtësisë u bë palë me krimin. Ishte e vështirë të dalloje krimin ordiner nga ai politik, madje të dy këta në garë me njëri – tjetrin fituan të drejtën e qytetarisë. Shqipëria e nxjerrë në ankand me “një euro” u bë turp i rruzullit dhe për t’u mbrojtur si struci futi kokën në rërë (e me prapanicën përpjetë) për ta prostituar NATO-ja dhe BE, sepse vet nuk ishim më të zotët aspak, madje tradhtia arriti deri në atë pikë, sa që për së largu shikonim se si vriteshin vëllezërit tanë të një gjuhe gjaku e një toke dhe qanim me kujë se Serbia po na hidhte bomba dhe në Kukës! Po të ishte Ai burrë gjallë divizionet tona do e mbanin frymën në Beograd, sepse planet e çlirimit të vëllezërve tanë të Kosovës i kishim gati. Po Shqipëria e banditëve nuk kishte kohe për këto, sepse i gjithë llumi i maskarenjve do hapte zjarr kundër vëllezërve te tyre , do hidhte në erë njerëz e fshatra, do vidhnin, ripnin, vrisnin pa mëshirë si dikur aventurierët e etheve të arit në Perëndimin e largët. Mbase kishte të drejtë ai i persekutuari i zhgënjyer kur deklaroi se e dua Enver Hoxhën dhe pse më dënoi…. sepse më thoni që mbas viteve 90-të cili burrë që ka qenë në krye të shtetit ka bërë më shumë se Enver Hoxha për Shqipërinë?