Uncategorised

Mehmet Hajrizi: Kadri Halimi personalitet i shquar i shkencës dhe i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Kumtesë e lexuar në Tryezën përkujtimore kushtuar studiuesit dhe atdhetarit të shquar, Kadri Halimi, në 100 – vjetorin e lindjes. Tryeza u organizua nga Instituti Albanologjik, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria Lëvizja në kuadër të Vitit Jubilar “Pranvera Shqiptare ’81”.

 

NJË QËLLIM NË DY BINARË

Kadri Halimi, personalitet i shquar shkencor dhe i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Prishtinë, më 21 dhjetor 2021

Të dashur familjarë të profesor Kadri Halimit

Zonja dhe zotërinj

1.

Të flasësh për figurën e studiuesit shkencor, të themeluesit të etnologjisë shqiptare në Kosovë, profesorit erudit dhe veprimtarit të shquar të çlirimit kombëtar e bashkimit të Atdheut, Kadri Halimi, është nder i veçantë, por edhe përgjegjësi e madhe.

2.

I lindur në fshatin Cernicë të Gjilanit, më 9 shkurt 1921, Kadri Halimi u rrit dhe u edukua në një familje me traditë kryengritëse, përparimtare dhe emblemë e atdhetarisë shqiptare. Mjafton të përmenden dy personalitete historike të kësaj familjeje, gjyshin e Kadriut, Mulla Halimin, i njohur si luftëtar i plagosur i rezistencës së  Kaçanikut,  zhvilluar nën komandën e Idriz Seferit më 1912 dhe Ramiz Cernicën e madh, Uilliam Uilberforsin shqiptar, figura e të cilit prej përfaqësuesi besnik, me integritet e dinjitet, e skalitur në një monument madhështor, do t’i bënte nder të madh Kuvendit të Republikës së Kosovës, pikërisht para dyerve të tij.

Shkollimin fillor Kadriu i ri e kreu në vendlindje, kurse më 1934 regjistrohet në  Medresenë e Madhe të Shkupit, ku ndoqi mësimet deri kur u mbyll, më 6 prill 1941. Si nxënës shkruante poezi në Shoqërinë Letrare të Medresesë, kryetar i së cilës qe për një vit. Gjatë kësaj kohe ishte angazhuar edhe në Lëvizjen e Rinisë Antifashiste. Kadri Halimi, i intervistuar nga revista “Fjala” nr.12 e 15 qershorit 1990, ka thënë: “Unë jam luftëtar i vitit 1941, kurse anëtar i SKOJ-it që nga viti 1939…Gjatë luftës tri herë nga disa muaj kam qenë i burgosur” [1]

Gjatë luftës, por edhe fill pas saj, ai bënte punë të ndryshme, kryesisht administrative, në nivel lokal dhe qendror. Pas shtatë klasave të Medresesë, Kadriu kreu edhe një klasë në Prizren, për të vazhduar studimet nga viti akademik 1946/1947, në Universitetin e Beogradit, Fakulteti Filozofik, Katedra e Etnologjisë. Gjatë studimeve nis të merret me gjurmime  etnologjike. Duke qenë student shembullor, pas mbarimit të fakultetit e pranojnë asistent në Katedrën ku kishte studiuar.

Profesor Kadri Halimi, parimor në jetë dhe objektiv në shkencë, në kërkim të së vërtetës për shqiptarët dhe çështjen e tyre, shikohej me dyshim dhe mosdurim shovinist. Ai e paraqiti disertacionin e doktoratës, por nuk ia pranuan, gjoja në mungesë të ekspertëve të etnologjisë. Kjo ishte shenjë e qartë se ai konsiderohej i padëshirueshëm, prandaj obstruktohej në karrierën shkencore. Më në fund, nën akuzën e nacionalistit shqiptar, pas dy vjet pune në katedër, arrestohet profesori i ri dhe mbahet për 26 muaj në Burgun e Goli Otokut famëkeq, gjatë viteve 1952-1954. Ndërkohë teza e doktoratës iu pranua në Universitetin e Shkupit, por kur profesori ndodhej në burg.

Pas lirimit nga burgu, Kadri Halimit nuk i jepej një vend pune deri më 1955, kur filloi të punonte si kustos në Muzeun e Kosovës.

Më 1961, për veprimtari çlirimtare,  arrestohet sërish dhe dënohet me burgim të gjatë e të rëndë. Pastaj mezi gjeti një vend pune  në administratën e Spitalit në Prishtinë, prej ku  më 1973 pensionohet para kohe.

Pas një jete të tërë në shërbim vetëmohues të lirisë e emancipimit të popullit e të vendit të vet, Kadri Halimi u nda nga jeta në paqe me ndërgjegjen e vet, më 19 tetor 2001, i rrethuar nga familjarët e tij, bashkëshortja, dy vajzat dhe dy djemtë, me familjet e tyre.

3.

Në rrethanat historike të pas LDB, kur Kosova ishte nën sundimin e egër udbesk të regjimit pushtues serbo-jugosllav, studiuesi i ri Kadri Halimi, filloi veprimtarinë prej pionieri të studimeve etnologjike dhe në fushë të folkloristikës shqiptare, me një laps e një fletore ne terren, pa asnjë mjet teknik ndihmës.

Gjatë arrestimeve policore dhe bastisjeve, studiuesit premtues për karrierë të bujshme shkencore, iu konfiskuan dhe nuk iu kthyen kurrë shumë materiale të antropologjisë kulturore, të mbledhura me mund dhe të studiuara me kompetencë profesionale. Megjithatë, ai kishte botuar gjithandej mbi 100 punime shkencore të fushave të ndryshme, të cilat ndonjëherë detyrohej t’i botonte pa emrin e vet, sepse i ndalonte censura policore. Profesor Kadri Halimi, më 1994 botoi veprën  “Studime etnologjike”, më 1995 “Shkëndijë e lirisë”, kurse më 1998 një tjetër vepër me studime etnologjike, “Trajtime e studime etnologjike”.

Nën përkujdesjen shkencore të së bijës, dr. Drita Halimi-Statovci, Instituti Albanologjik e botoi veprën e Kadri Halimit më 2011, në kompletin prej pesë librave. Studiuesja dhe pedagogia universitare dr. Drita Halimi-Statovci në këtë komplet veprash, botoi librin e vet dokumentar e monumental, për babain, jo vetëm si bijë e tij, por edhe vazhduese e hullive që kishte hapur i ati në studimet etnologjike, për t’i çuar ato më tej. Profesor Kadri Halimi në fund të jetës së tij e përjetoi gëzimin e themelimit të Departamentit të veçantë për studime etnologjike e antropologji kulturore në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në vitin akademik 2001/2002, që ishte arritur me angazhimin dhe kontributin e bijës së tij.

Kadri Halimi survejohej nga policia, ngado që shkonte e çfarëdo që bënte dhe i ndalohej veprimtaria shkencore, kulturore e arsimore.

Në intervistën e cituar, Kadri Halimi ka thënë edhe këtë: “UDB më ndiqte hap pas hapi: interesohej nga shkoja, me kë flisja, për çfarë flisja, çfarë i thosha… Me një fjalë, më ndiqte si armik, e a mund të bëjë ‘armiku’ shkencë?! Dhe, kjo situatë disi më bëri të ‘ndahem nga shkenca’, ose ajo të ndahet nga unë.”[2]

Veterani  ynë i studimeve etnologjike, profesor Kadriu, na ka lënë trashëgimi të begatshme studiuese, që do t’u shërbejë hulumtuesve të shumë brezave. Ai e ka vendin e nderit, si një ndër shkencëtarët e parë dhe themelues i etnologjisë shqiptare në Kosovë. Akademik Idriz Ajeti ka shkruar: “Profesor Eqrem Çabej, në veprën e tij kolosale me titullin  Studime  etimologjike në fushë të shqipes,  emrin e Kadri Halimit e zinte shpesh në gojë duke marrë prej tij leksik shqiptar me forma e kuptime të rralla.”[3]

Është veçanërisht e rëndësishme veprimtaria atdhetare e Kadri Halimit, intelektual ndër të parët që kishte Kosova. Në plan të brendshëm, por edhe të jashtëm ky fakt kishte refleksion dhe kuptim madhor për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Më 1960, nën kushtet e shtypjes së egër kombëtare e të protestës së heshtur dhe të dilemës hamletiane “të jesh a të mos jesh”, veprimtarët e çështjes kombëtare, Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha, të cilët më herët kishin mbajtur burg në Goli Otok e Mitrovicë të Sremit, formuan organizatën çlirimtare klandestine. Ali Aliu, duke kujtuar themelimin e organizatës ka dëshmuar: “Në maj të vitit 1960, pas shumë bisedimeve, Kadriu, vëllai i tij Ramadani, që mbante mbiemrin Hoxha dhe unë vendosëm ta themelonim organizatën Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë (KRBTSHJSH)[4]

Qëllimet programatike të organizatës ishin objektivat historike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirim dhe bashkim të territoreve dhe popullit të ndarë shqiptar në një shtet të vetëm.[5] Siç ka shkruar Kadri Halimi, kjo organizatë busull kishte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit  si dhe vendimet e Bujanit për vetëvendosje e bashkim me Shqipërinë.[6]

Në kuadër të programit strategjik, organizata kishte definuar edhe disa kërkesa imediate politike, sociale, ekonomike dhe arsimore, si ndërprerja e represionit dhe diskriminimit, lejimi i përdorimit  të simboleve dhe gjuhës kombëtare shqiptare, punësimi i qytetarëve shqiptarë, ndarja e banesave shoqërore edhe për shqiptarët, të cilët kishin përfituar vetëm 3 për qind të fondit banesor, mundësimi i ndjekjes së studimeve në Universitetin Shtetëror të  Tiranës, hapja e fakulteteve dhe e universitetit në Kosovë, rihapja e Institutit Albanologjik etj.[7]

Organi më i lartë i organizatës do të ishte, siç shkruan Ali Aliu, Konferenca e Përgjithshme, e cila nuk u mbajt për shkak të burgosjeve të veprimtarëve. “Konferenca e Përgjithshme kishte për detyrë të zgjidhte organet udhëheqëse, të miratonte statutin dhe programin, si dhe të formonte sektorët për veprimtari të caktuara të Lëvizjes.”[8]

Pas terrorit sistematik mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, kjo organizatë merrte rolin e ringjalljes dhe ripërtëritjes së rezistencës, së cilës po i binte intensiteti.

Mbi bazën e programit të saj politik e kombëtar, organizata brenda një kohe shumë të shkurtër ngriti një strukturë të tërë organizative, me anëtarësi prej qindra vetash dhe me një bazë mjaft të gjerë shoqërore. Ali Aliu vazhdon: “Mund të thuhet se në të gjitha viset tona kishte filluar të shtrihej rrjeti i organizatës sonë.”[9]  Si e tillë organizata kishte shumë karakteristika të një lëvizjeje çlirimtare.

Në plan organizativ radhët e saj ishin planifikuar të strukturoheshin në këshilla të rretheve, duke caktuar edhe përgjegjësit për themelimin e tyre: Për rrethin e  Prishtinës, Hasan Dumani, të Vushtrrisë, Zenel Hajrizi, të Ferizajt, Beqë Heta, të Mitrovicës, Ramadan Rexha, të Gjilanit, Enver Tali, të Preshevës, Mulla Nuredin Xhemaili (Hoxhë Maxhera), të Gjakovës, Jusuf Zherka, të Suharekës, Muhamet Veseli-Reçani, të Shkupit, Amir Gashi, të Kumanovës, Naip Orizarja etj. Organizata arriti të themelonte komitetet e rretheve në Vushtrri, në Gjilan dhe në Preshevë. [10]

Veprimtaria e organizatës mbështetej në teknika të konspiracionit të thellë, sepse kështu impononin kushtet nën një regjim represiv pushtues. Organizata aplikonte veprim paqësor, por përgatitej edhe për formën më të lartë të rezistencës, atë të kryengritjes së armatosur. Për këtë qëllim, krahas propagandimit të ideve të lirisë dhe organizimit, duke zgjeruar radhët, ajo rekrutonte luftëtarë të armatosur dhe furnizohej me armë, si në Artakoll të Vushtrrisë, ku dy aradhe të armatosura ishin gati për veprime luftarake, nën komandën e tribunit popullor, Zenel Hajrizi.[11] Grupe të armatosura ishin organizuar edhe në Preshevë e Bujanoc.[12]

Ndonëse në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar, femra shqiptare ishte në një gjendje të rëndë  pabarazie dhe injorance, me shkallë tepër të ulët arsimimi e emancipimi shoqëror e politik, brenda radhëve të organizatës kishte edhe gra patriote, të cilave u printe denjësisht intelektualja dhe veprimtarja e shquar, motra e Xheladin Hanës dhe e shoqja e Ali Boletinit, Hyrie Hana.

Në radhët e organizatës pranoheshin sipas kritereve të rrepta seleksionuese veprimtarë të dëshmuar për virtyte të larta patriotike e morale dhe me biografi të pastër familjare.

Organizata kishte vendosur lidhje zyrtare me Tiranën, nëpërmjet të përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë, por në Shqipëri u dërguan për  këtë qëllim edhe veprimtarët  Zeqir Hajrizi e Banush Ademi.[13]

Në janar të vitit 1961 UDB kishte filluar arrestimin e veprimtarëve të Komitetit Revolucionar. Ali  Aliu dhe Ramadan Hoxha kalojnë në ilegalitet të thellë më 25 janar 1961.

Ndonëse kjo organizatë kishte rreth 200 anëtarë, pas zbulimit të saj nga policia sekrete serbe dhe me gjithë torturat çnjerëzore në hetuesi, para gjyqit regjimi arriti të nxirrte 40 veta, të cilët u dënuan në grupe të ndara në gjykatat në Prishtinë, në Gjilan, në Vrajë e në Kumanovë.

Kadri Halimi shkruan në librin e tij, “Shkëndijë e lirisë”, se  organizata nuk kishte arritur ta zgjidhte organin drejtues të saj, sepse arrestimet e pamundësuan, por  ai dhe Ali Aliu, kishin rol vendimtar në themelimin dhe drejtimin e saj.

Në rrethin e Prishtinës u dënuan veprimtarët Kadri Halimi, Ali Aliu, Ramadan Hoxha, Hyrie Hana, Zenel Hajrizi, Hasan Dumani, Zeqir Hajrizi, Banush Ademi, Mafak Ahmeti, Miftar Mustafa. Të arrestuarit u gjykuan disa ditë në muajin shtator të vitit 1961. Aktakuza Kadri Halimin e ngarkonte si organizator dhe ideolog të organizatës.

Kjo organizatë ka rëndësi historike për programin e saj kombëtar e demokratik, për kohën veçanërisht të rëndë kur u organizua, për shtrirjen në tokat e pushtuara shqiptare, për përgatitjen e formave supreme të çlirimit me mjete të luftës së armatosur, për rolin ripërtëritës të Lëvizjes sonë Kombëtare të dërmuar  nga goditjet e njëpasnjëshme që i kishte bërë regjimi pushtues, për vlerat e reja që i solli Lëvizjes Kombëtare, për përvojën e pasur dhe cilësore organizative që i la brezave të ardhshëm të Lëvizjes dhe për virtytet që mishëronin anëtarët e saj vetëmohues.

Historiografia shqiptare i ka borxh kësaj organizate studimin e plotë, objektiv e shkencor dhe vendosjen e saj në vendin e merituar të historisë së lavdishme shqiptare.

Ajo u shua më 1961, por jo Lëvizja Kombëtare e Kosovës, e cila ringjallej nga hiri i vet, gjithnjë më e organizuar, më e fortë dhe më e qëndrueshme.

5.

Kadri Halimi jetoi dhe veproi në rrethana të rënda historike, nëpër të cilat po kalonte nën vuajtjen e robërisë Kosova e tij.

Në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, Kosova rënkonte nga shtypja e egër kombëtare dhe nga politika koloniale e shfrytëzimit ekonomik. Me politikën e saj, gjoja neutrale ndaj superfuqive dhe aleancave të tyre ushtarake, por në fakt e angazhuar këmbë e kokë në të dy krahët, me një këmbë në Lindje dhe tjetrën në Perëndim, Jugosllavia duke shfrytëzuar me dinakëri edhe gjendjen ndërkombëtare të Luftës së Ftohtë,  do të vendosej shpejt në krye të Lëvizjes së ashtuquajtur „të paangazhuarve“, Konferenca Themeluese e së cilës po mbahej në Beograd pikërisht gjatë gjykimit të organizatës. Pozita ndërkombëtare e Jugosllavisë, por edhe raportet brenda Federatës, ia linin duart të lira shovinizmit serb të vepronte si të donte me shqiptarët. Beogradi ringjalli projektet e vjetra antishqiptare dhe hartoi të tjerë, për të zbatuar doktrinën akademike dhe shtetërore për zhdukjen e shqiptarëve.

Politika shfarosëse serbe e jugosllave kundër shqiptarëve ishte orientuar në shumë drejtime, duke filluar nga diskriminimi i egër që ushtrohej ndaj tyre, me deportimin masiv në Turqi, me shfrytëzimin ekonomik e varfërimin e skajshëm dhe mohimin e të drejtave elementare demokratike, kombëtare, arsimore e kulturore dhe deri te përndjekja policore, dhuna e terrori sistematik.[14]

Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore, e rrezikuar seriozisht nga jashtë, e varfër, e izoluar fillimisht nga Perëndimi, kurse nga viti 1960 edhe nga Lindja dhe e përballur me problemet e njohura të brendshme e të jashtme, nuk paraqiste ndonjë faktor të fuqishëm mbështetës për viset e robëruara shqiptare jashtë kufijve të saj.[15]

Në statistikat  e fillimit të viteve gjashtëdhjetë thuhej se nga viti 1945 deri më 1960 kishin dalë para gjyqeve famëkëqija jugosllave mbi pesëqind organizata, grupe të mëdha e të vogla ose individë, të cilët janë akuzuar për “orvatje me e shkëputë Kosovën nga Jugosllavia dhe me ia bashkangjitë Shqipnisë”.

Aleksandër Rankoviq, politikën antishqiptare e zbatonte pothuajse papengueshëm nga federata, pasi republikat tjera kishin hallin e vet për shpëtim nga unitarizmi, etatizmi dhe hegjemonizmi serb, që po i kërcënonte seriozisht. Ato e lanë Kosovën në mëshirën e shovinizmit serb, si një çështje e brendshme e Republikës së Serbisë. [16]

6.

Kadri Halimin e dënuar me shtatë vjet e gjysmë, regjimi e kishte degdisur nëpër kazamate jugosllave, si në Nish, në Mitrovicë të Sremit, në Pozharevc, në Gradishka etj., nëpër të cilat mbante dënimin në kushte mesjetare.

UDB ka zbatuar në vijimësi një praktikë të shëmtuar dhe kriminale, të shkatërrimit shëndetësor të të burgosurit shqiptar, por edhe të familjes së tij, ekonomikisht dhe deri edhe moralisht. Në këtë kuptim bashkëshorten besnike të Kadriut, UDB për t’i dhënë një vend pune që të ushqente fëmijët, e kushtëzonin me divorcin nga i shoqi. Kadri Halimi në intervistën dhënë revistës “Fjala”, më 1990, ka thënë: “Përveç keqtrajtimit tënd, keqtrajtohej edhe familja e ngushtë, e bile edhe ajo e gjerë. Gruaja dhe fëmijët më hoqën shumë, sado që i qëndruan këtij presioni dhe skamjes së vazhdueshme.”[17]

Në korrik të vitit 1968, Kadriu u lirua nga burgu i vogël për të iu kthyer burgut të madh të quajtur Kosovë. Brenda burgut i mohoheshin të drejtat themelore, madje edhe kushtetuese e të konventave ndërkombëtare, të cilat i kishte pranuar Jugosllavia, kurse jashtë tij, përveç të drejtës së krijimtarisë shkencore, i ndalohej punësimi dhe lëvizja e lirë. Më 1 maj 1981 arrestohet përsëri dhe pa asnjë të drejtë mbahet në izolim një muaj në burg.

Pas lirimit nga burgu, vazhduan përndjekjet, arrestimet dhe keqtrajtimet edhe të bashkëveprimtarëve të tij, shumë nga të cilët vdiqën para kohe, kurse të tjerë kanë mbetur gjithë jetën invalidë.

7.

Kadri Halimi ishte njeri i penës, ishte hulumtues dhe studiues i traditës, i kulturës shqiptare, ishte njeri me virtyte fisnike, ishte atdhetar, guximtar dhe njeri i sakrificës, ka shkruar e bija e tij e përkushtuar, prof. dr. Drita Halimi-Statovci.[18]

Kadri Halimi nuk u mor me histori në kuptimin e ngushtë të fjalës, por bëri histori… Në fakt, Kadri Halimi nuk mund të rrinte anash situatave me të cilat po ballafaqoheshin shqiptarët në Jugosllavinë titiste dhe qetë-e-qetë të kridhej në studime shkencore, ka shkruar studiuesja prof. dr. Emine Arifi-Bakalli.[19]

Kadri Halimi ishte njeri modest, komunikues dhe shumë i dashur e kokunjur para popullit e atdheut të vet.

Kur u lirua nga burgu Kadri Halimi më 1968, unë isha 20 vjeç, si normalist. Nëpërmjet të bashkëveprimtarit të tij dhe vëllait tim, Zeqirit, pata nderin e madh të njihesha me profesor Kadri Halimin, vëllain e tij, Ramadanin, Ali Aliun, Enver Talin e shumë bashkëveprimtarë të tyre. Kadri Halimi dhe Ali Aliu kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin tim, si veprimtar i lirisë, me të cilët kam mbajtur komunikimin atdhetar gjatë gjithë viteve shtatëdhjetë, duke qenë i organizuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të kohës. Në kujtimet e mia kam shënuar dikur këto fjalë për këtë idhull të rinisë time: ”Kadri Halimi ishte intelektual me format të rrallë në Kosovë. I qetë dhe i thellë në mendime, të bënte ta dëgjoje me vëmendje çdo fjalë që fliste. Kur u kthye nga burgu, unë banoja me qira vetëm disa qindra metra larg shtëpisë së tij. Kur ia thash këtë, më tha qenkemi fqinj dhe mund të vish më shpesh këtu. Kjo për mua ishte më shumë se të më thoshte falë të qoftë shtëpia! Nga gjithë të burgosurit e vjetër, për këtë veprimtar kam pasur dhe ruaj një respekt të veçantë, për vendosmërinë e tij, për thjeshtësinë dhe për përgatitjen e lartë intelektuale. Për një të ri, siç isha unë, çdo ligjërim i tij, ishte një mësim i ri.” 

8.

Profesor Kadri Halimi në rrethe shoqërore e familjare shprehte pikëpamjet e tij për zhvillimet aktuale dhe të ardhmen politike të Kosovës, ndonjëherë edhe publikisht, sidomos në librin e tij publicistik-shkencor “Shkëndijë e Lirisë”, pastaj në intervista, si ajo te “Fjala” në vitin 1990, kur thoshte: “Jam për subjektivitet të plotë të Krahinës sonë, të kombit tonë me kombet tjera të Jugosllavisë. Deri tash është marrë nëpërkëmbë  sovraniteti dhe vullneti i popullit shqiptar… Të bisedohet sot për zgjidhjen afatgjate të problemit të Kosovës, duhet përfillur patjetër vullnetin e popullit të Kosovës, vullnet i cili kurrë nuk është përfillur” [20] “Më herët, në kohën rankoviqiane, kam pas shfaqur mendimin se shqiptarët e Jugosllavisë duhet t’i bashkohen Shqipërisë, meqë ky popull në mënyrë të padrejtë, kundër vullnetit të tij, është ndarë në dysh. Për këtë edhe kam qenë i gjykuar e i dënuar… Kosovarët duhet, pra, në mënyrë sovrane të vendosin për fatin e vet” [21] Ose: “Lufta e popullit shqiptar të Kosovës është e gjatë dhe e mundimshme. Procesi i pavarësimit po vazhdon dhe s’ka të ndalur deri në fitore.”[22]  Kurse te gazeta “Bujku” e 22 prillit 1995, vazhdonte: “Të gjithë së toku kemi një objektiv: çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.”[23]

9.

Studimet tona albanologjike, edhe për shkak të mungesës të të gjitha materialeve të konfiskuara shkencore të profesor Kadri Halimit, ende nuk e kanë trajtuar gjithë gjerësinë dhe thellësinë e veprimtarisë së tij shkencore prej etnologu dhe folkloristi, por as veprimtarinë atdhetare.

Shkenca kërkon studiues kompetentë e objektivë, por mbi të gjitha të guximshëm dhe vetëmohues, siç ishte Kadri Halimi.

Ai i dha gjithçka që kishte Atdheut, por nuk i mori gjë, pos dy metra katrorë tokë për një varr me një muranë.

Kadri Halimi, një jetë njeriu ia kushtoi veprimtarisë kombëtare, por në dy binarë paralelë: Shkenca dhe angazhimi çlirimtar si dy anë të një medaljeje, të quajtur Kadri Halimi. Të dyja këto veprimtari ishin në një funksion dhe për një qëllim të vetëm, afirmimi dhe çlirimi i popullit të robëruar shqiptar.

Veprimtaria shumëdimensionale e Kadri Halimit, si baba i shkencës së etnologjisë shqiptare dhe si drejtues në Lëvizjen kombëtare Shqiptare, duhet trajtuar, studiuar e vlerësuar si thesare të lavdishme në fondin e sistemit të vlerave tona kombëtare.

Studiuesit do t’i kthehen trashëgimisë shkencore të intelektualit të madh Kadri Halimi, si një burim literature shumë i çmueshëm në gjurmimet e mëtejme në fushë të etnologjisë shqiptare dhe të folkloristikës.

Frytet e veprimtarisë jetësore të Kadri Halimit, janë  si kurban në themelet e lirisë që po e gëzon sot Kosova, kurse figura e tij morale, patriotike e shkencore, është monument në zemrat e shqiptarëve liridashës.

Ja përse kujtimi për Kadri Halimin do të jetë i përjetshëm.

 

Burimet dhe literatura:

 

  1. Kadri Halimi, „Shkëndijë e lirisë“, Prishtinë, 1995.
  2. Kadri Halimi „Këngë popullore shqiptare“, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2011
  3. Kadri Halimi „Studime etnologjike“, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2011
  4. Kadri Halimi „Trajtime dhe studime etnologjike“, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2011
  5. Drita Halimi-Statovci, Një jetë ndërmjet shkencës dhe atdhetarisë, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2011
  6. Hakif Bajrami: “Dosja Demaçi”, Brezi 81, Prishtinë, 2003
  7. Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë 2008.
  8. Avni Dehari, Ali Aliu Kelmendi Ringjallja e Prometeut, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë 2018.
  9. Mehmet Hajrizi, Konteksti politik i veprimtarisë së Ahmet Haxhiut, Kolegji Biznesi, Ahmet Haxhiu dhe Atdheu, Prishtinë, 2016.
  10. Mehmet Hajrizi, Kujtime, dorëshkrim.
  11. “Fjala” nr.12, 15 qershor 1990.
  12. “Bujku”, 22 prill 1995.

13.“Infopress”, 29 dhjetor 2009 – 5 janar 2010, (Intervistë me Zeqir Hajrizin).

[1] Botuar edhe në veprën dokumentare të Drita Halimi-Statovci, Një jetë ndërmjet shkencës dhe atdhetarisë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011 f. 48.

[2] Po aty f. 50.

[3] Drita Halimi-Statovci, Një jetë ndërmjet shkencës dhe atdhetarisë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011 f. 81.

[4] Avni Dehari, Ali Aliu Kelmendi Ringjallja e Prometeut, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë 2018  f. 459.

[5] Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë 2008.

[6] Kadri Halimi, “Shkëndijë e lirisë”, Prishtinë, 1995, f. 6 dhe 29.

[7] Po aty, f. 39, 40.

[8]Avni Dehari, Ali Aliu Kelmendi Ringjallja e Prometeut, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë 2018. F. 461.

[9] Po aty, f. 461.

[10] Kadri Halimi, “Shkëndijë e lirisë”, Prishtinë, 1995, f. 35.

[11] Po aty, f. 37.

[12] Avni Dehari, Ali Aliu Kelmendi Ringjallja e Prometeut, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë 2018, f. 460.

[13] Kadri Halimi, “Shkëndijë e lirisë”, Prishtinë, 1995, f. 37

[14] Vetëm në të ashtuquajturin “Aksion i armëve” në dimrin e viteve 1955-1956, u torturuan mbi 30.000 shqiptarë, prej të cilëve rreth 1.000 vdiqën nga pasojat e saj.

[15] Mehmet Hajrizi, Konteksti politik i veprimtarisë së Ahmet Haxhiut, Kolegji  Biznesi, Ahmet Haxhiu dhe Atdheu, Prishtinë, 2016, f. 33-48

[16] Programi i LRBSH, 1963,  Dr. Hakif Bajrami: “Dosja Demaçi”, Brezi 81, Prishtinë, 2003, f. 100.

[17] Drita Halimi-Statovci, Një jetë ndërmjet shkencës dhe atdhetarisë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011, f. 53.

[18] Drita Halimi-Statovci, Një jetë ndërmjet shkencës dhe atdhetarisë, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2011, f. 11.

[19] Po aty, f. 20.

[20] Po aty, f. 55.

[21] Po aty, f. 56.

[22] Po aty, f. 60.

[23] “Bujku”, 22 prill 1995.