Histori

Mustafa Bakiasi: Një rrëfim rrënqethës për krimet gjermano – balliste gjatë operacionit të dimrit 1943 – 1944 në Skrapar

Lexo dhe mbaj shënim: shkruajnë veteranët
Një rrëfim rrënqethës për krimet gjermano – balliste gjatë Operacionit të Dimrit 1943 – 1944 në Skrapar
Nga MUSTAFA BAKIASI
Veteran i LANÇ
Në zbatim të urdhrit me shkrim me titull «Udhëheqja e unifikuar e luftës kundër komunizmit në Juglindje të Europës” që Hitleri kishte lëshuar më 29 tetor 1943 ku thuhej:Urdhëroj të organizohen forcat anti-komuniste dhe të drejtohen politikisht në luftë kundër bandave komuniste në të gjitha vëndet e Europës Juglindore. Sikurse lexohet më sipër, kryetari i Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri udhëzonte çetat e Ballit Kombëtar në rrethe të bashkëpunonin me komandat e reparteve gjermane në luftë kundër “bandave” komuniste, Ushtrisë Nacional-Çlirimtare partizane, duke theksuar në veçanti zonat Skrapar, Opar, Vithkuq, etj.
Në zbatim të urdhrit të Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji në dhjetor 1943 grumbulloi rreth 3000 forca balliste të komanduara nga Abaz Postena, Fetah Gurazezi, Maliq Dushari, Hiamit Matjani, Tefik Cfiri, Kujtim Cakrani, etj. Këto forca sulmuan forcat partizane në Skrapar. Forcat balliste si zakonisht edhe këtë radhë u sollën barbarisht me banorët, duke ngrënë e duke grabitur.
Kemi shkruar edhe tjetër herë, por i kujtojmë se pas një goditje të rrufeshme të forcave partizane u shpartalluan me turp, duke lënë mbi 300 robër. Këtë disfatë e thotë vetë edhe Abaz Ermenji në shkrimet e tij se kjo ishte “një fitore e zezë”.
Aleanca gjermano-balliste vështirësoi lëvizjen Nacionalçlirimtare në të gjithë vëndin, edhe në rrethin e Skraparit. Kjo situatë agresive detyroi forcat partizane të qarkut të Beratit, siç ishin Grupi i Myzeqesë, Batalioni Gramsh-Sulovë, si edhe Çeta e Parë dhe e Dytë partizane të Skraparit, të qarkullojnë në Skrapar, Tomorric, Vithkuq e Opar. Pas dështimit të operacionit të Ballit Kombëtar, forcat gjermane donin me çdo kusht asgjësimin e forcave partizane në Skrapar, ndaj në janar 1944 organizuan operacionin që u quajt në histori “Operacioni i Dimrit”. Ky operacion ishte shumë agresiv dhe të gjithë banorët ishin të tronditur. Disa familje me emër që kishin djemtë në funksione drejtuese në forcat partizane si familja Ylli, Ujaniku, Veleshnja, Zaloshnja, etj. u larguan. Këtu veçoj familjen e Mestan Ujanikut që nga muaji gusht 1942 kur detashmenti i milicisë fashiste i dogji shtepinë, detyroi Pembe Musabelliun me djalin e vogël 5 vjeç të jetojnë në ilegalitet në zonën Tomorricë-Skrapar. Në Operacionin e Dimrit jeta e kësaj familje u bë edhe më e veshtirë.
Në prag të Operacionit që kishte filluar, shtabi partizan i qarkut me shokët Gjin Marku, Mestan Ujaniku, Kahreman Ylli, Mane Nishova, Hysen Zaloshnja, etj. në datat 8-9-10 janar ishin në Kapinove në shtëpinë e Avni Kapinovës. Pasi benë vlerësimin e situatës përcaktuan masat për veprimin dhe drejtimin e forcave partizane, duke u ndarë në tre grupe:Kahreman Ylli, Hysen Zaloshnja; Gjin Marku në drejtim me Grupin Partizan të Myzeqesë dhe Mestan Ujaniku, Mane Nishova, Avni Kapinova në drejtim Panarit-Vithkuq.
Më dt. 10 janar grupi i Mestanit, ku isha dhe unë me Hetem Bakiasin, mbasdite, rreth orës 17.00, u nisëm në drejtim të Qafës së Martës. Në orën 19.00, papritur, u takuam me Xhemalin, djalin e Mestanit, i cili ishte nisur të çonte nënën me vëllain 6 vjeç për në fshatin Çemerricë. “U ktheva se në Çemerricë e Backë ishin forcat gjermane”- tha ai. Në këtë situatë u desh ndërrimi i drejtimit. U kërkua mendimi i Avniut, si me pervojë e njohës i terrenit. U vendos të kalohej për në fshatin Faqekuq. Terreni ishte tepër i vështirë, po kështu edhe lartësia e Malit të Ostorvicës ku kaluam kishte mbi 1 metër debore dhe kaluam në përrenj me ujë të ngrirë.
Në përbërje të grupit ishin edhe shoqe partizane, por edhe Pembja me djalin e vogël në krye të grupit udhëhiqnin rrugën dhe çanim dëborën unë, Hetemi dhe Xhemali. Rreth orës 22.00 të datës 10 janar mbërritëm në lagjen “Koromani”, në shtëpinë e Rroko Faqekuqit që ishte familje bazë e luftës dhe qëndruam aty disa orë. Gruan e Mestanit dhe djalin e vogël i lamë në këtë shtëpi. Grupi vazhdoi sipas mendimit të Avniut, zbritëm në lumin e Kapinovës dhe u futëm në pyllin e madh të Kapinovës. Në orët e para të mëngjesit të datës 11 janar erdhi edhe Gruipi i Myzeqesë me Rrahman Ruçin komandant. Veç masave të sigurimit dhe disiplinës së rreptë, u organizua edhe vrojtimi sekret sepse forcat gjermane në fshatin Kushovë kishin arrestuar banorë. Po kështu edhe në fshatin Kapinovë dhe Trubovë. Këta të arrestuar, të cilët ishin me dhjetra, i mbyllën në teqe dhe gjatë natës kryen pushkatimin e tyre.U pushkatuan 24 burra nga Kapinova, 13 nga Kushova, 6 nga Trubova.
Gjatë natës 11 janar, kolona gjermane shoqërohej edhe nga nje avion. Forcat gjermane kishin udhërrëfyes ballistë me uniformë, të cilët në kontrollin e banesave në Kapinove bënin preson, duke folur shqip. Në orët e vona të mbrëmjes së 11 janarit, forcat partizane, rreth 500 vetë, në terren të vështirë kaluan në zonën e Potomit. Po atë natë korrierët njoftuan se do të kalonte Brigada e IV Partizane në itenerarin Faqekuq, Kushovë, Lumi i Kapinovës dhe zona e Potomit.
Duhet theksuar se populli i fshatrave të komunës Potom, në kushte të vështira ekonomike, mbajti në gjirin e vet të gjitha forcat partizane mbi 15 ditë.
Forcat gjermane në këtë operacion masakruan e vranë 114 banorë në Skrapar. Shumë tronditëse ishin rastet në fshatin Vlushë ku vranë 22 burra, në Kapinovë 24 burra dhe në Krushove 13 burra. Burrat e Kapinovës që u vranë në fshatin Krushove vajtën morën gratë e tyre duke përshkruar mbi një orë rrugë. Por në historinë e Skraparit, historikisht edhe armiqtë e kanë shtrenjtë krimet qe kanë bërë.