Histori

Jovan Bizhyti: Kongresi historik i Lushnjes dhe kontributi i patriotit Besim Nuri

                                     

Personalitetet e shquara të kombit mbeten përherë në ballë të panteonit të shoqërisë njerëzore, pavarësisht se koha dhe vitet pa kthim i lënë shpesh në hije, por vepra dhe kontributi historik i tyre mbesin të pavdekshme. Njeri prej tyre ishte dhe patrioti Besim Nuri, një emër i dëgjuar tashmë i një nga ngjarjeve më të rëndësishme në fillimet e shekullit XX, siç ishte Kongresi Historik i Lushnjes, i cili mbrojti fuqishëm fatet e shtetit shqiptar.

Në ato kohë, historia solli në vendin e duhur, njerëzit e duhur, për të realizuar ngjarje të rëndësishme dhe të veçanta për fatet e popullit tonë, të cilat Fuqitë e Mëdha e kishin bërë plaçkë tregu egzistencën e trojeve shqiptare. Shpallja e Pavarësisë në Vlorë në 28 nëntor 1912 nga patrioti i shquar Ismail Qemal Vlora, ishte një rreze e madhe drite për fatet e kombit tonë, e cila vite më pas, u bë lakmi e disa prej fuqive të mëdha të Europës dhe të shteteve fqinjë të Ballkanit.

Ishin vitet e përfundimit të Luftës së Parë Botrore 1918, pasojat e së cilës kishin lënë gjurmë të thella prapambetje e varfërie në popullin shqiptar. Vëndin e drejtonte Qeveria e Durrësit e drejtuar nga Turhan Pasha, i cili sapo kish nënshkruar dhe një marrëveshje të turpëshme me palën pushtuese italiane, një marrëveshje që ndante kompetencat administrative midis organeve vendase dhe atyre pushtuese. Në Lushnje, në ato kohë ishte kryetar Beledije (Bashkie), patrioti Besim Nuri, një emër tashmë i dëgjuar jo vetëm në Lushnje dhe në Myzeqe, por i njohur dhe në rrethet patriotike shqiptare. Ai vinte nga një familje patriote e qendrave të hershme urbane, siç ishte qyteti mbi 2400 vjeçar i Beratit, i lindur në 12 gusht 1883 në lagjen Mangalem, plotë 140 vjet më parë. Në moshën 21 vjeçare, ai studjonte në Stamboll dhe më pas në Itali, duke qenë kështu një djalë i shkolluar me plotë dije dhe me disa gjuhë të huaja si: osmanishte, persishte, frëngjishte dhe më pas gjuhën italiane.

Në vitin 1906, familja e tij (prindërit), për arsye ekonomike, vendosen në Lushnje, një qytet që sapo i kish mbushur 10 vite i njohur si qendër administrative e Kazasë së Myzeqesë, (më parë kjo qendër ishte në Karbunarë). Ndërsa të tjerët lartësoheshin nga fama dhe pasuria e familjeve, Besim Nuri e lartësoi veten dhe familjen me punën fisnike dhe veprimtarinë atdhetare idealiste të tij. Në vitin 1907, në Lushnje ai emërohet Sekretar i Çifligjeve të Pasurisë së Shtetit në Beledije (Bashki), Në atë kohë, 24 vjeçari Besim Nuri, ndihej një burrë i pjekur dhe zyrtar serioz e i përkushtuar. Në gjashtë vitet e punës së tij në këtë detyrë, ai la konsiderata të mira në popull, ku midis tjerash shkruhet në një “Çertifikatë vlerësimi”: “Për gjatë kohës së shërbimit si Sekretar i Çifligjeve të Pasurisë së Shtetit të sypërmueme të degës së Lushnjes, Besim Nuri e ka krye detyrën plotësisht me treguarje energjie dhe drejtësin e duhun, tue mos pas as ndonji pengim, si dhe ka pague plotësisht sasinë e pensionit…”. (Libri “Idealisti fisnik Besim Nuri”, me autorë, Andrea Liko dhe Dr. Niko Ferro. Lushnje 2021).

Shtëpia e Kongresit të Lushnjes, janar 1920

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore gusht-shtator 1918, e gjeti Besim Nurin si Kryetar i Beledijes (Bashkisë) së Lushnjes, pas një jete shumë aktive politike në krye të revoltave anti-osmane dhe të reformave anti-popullore të Qeverisë së Durrësit, i mbështetur nga masa e popullit dhe e miqëve të tij patriotë si: Vëllezërit Jakov e Llazar Bozo, Emin Vokopola, D. Arapi, Teki Libohova, Taq Bozo, M. Nezha, Sheh Karbunara e tjerë.

Ndër kohë, në Paris vijonin punimet e Konferencës së Paqes nga Fuqitë e Mëdha dhe prej andej vinin lajme gjithnjë e më të këqija për fatet e Shqipërisë. Si dhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë, që e donin si jetën e tyre mëmëdheun, u angazhua me tërë fuqinë e tij dhe 35 vjeçari, kryetar i Beledijes së Myzeqesë, Besim Nuri. Në mjedisin patriotik shqiptar, në këto situata kritike, zjente gjithandej shqetësimi dhe nevoja e mbledhjes së një Kuvendi mbarë shqiptar, për rrëzimin e Qeverisë tradhtare të Durrësit dhe krijimin e një Qeverie për t’i dalë zot vendit, ku  me vendimet e tij ti thoshin ndal planeve për coptimin e Shqipërisë. Ishte koha dhe momenti për ti dal zot vendit më shumë se kur.

Në Durrës, përpjekjet e patriotit Abdyl Ypi, ishin të pamundura të realizoheshin nga vet prezenca e qeverisë së Turhan Pashës. Edhe në Krujë nuk mund të mblidhej ky kongres, për faktin se Mustafa Kruja ishte ministër besnik i Turhan Pashës dhe i italianëve. Po ashtu në Elbasan, Tiranë apo Berat, influenca e Qeverisë së Durrësit ishte gjithashtu e pranishme dhe pasionantët e kësaj nisme nuk e mernin përsipër realizimin e kësaj pune kaq të madhe. Në Myzeqe, lindi ideja se Lushnja një qytet i vogël me një grup patriotësh idealist me Basim Nurin në krye, ishin gati të sakrifikonin gjithçka për t’iu përgjigjur situatës dhe momenteve kritike që kalonte vendi.

Në këto momente, kur po vihej në diskutim pavarësia e fituar pas rreth 500 vjet robërimi nga pushtimi osman, ishte nxjer në ankand tërësia territoriale e Shqipërisë dhe ashtu e përgjysmuar siç ishte pas pavarësisë së 1912-tës. Fqinjët lakmiqarë, po luanin të gjitha kartat me mbështetjen e fuqive të mëdha, për të coptuar edhe më tej kufijtë shqiptar, në mos për t’i fshirë krejtësisht nga harta territoret e saj. Në këto kushte, patrioti Besim Nuri, Kryetar i Beledijes së qytetit të vogël të Myzeqesë, i mbështetur dhe nga Nën/prefekti i sapo zgjedhur, Veli Vasjari, morën përsipër barrën e madhe, që ky Kongres mbarë shqiptarë të mbahej pikërisht në Myzeqe, në qytetin e vogël tashmë me histori rreth 30 vjeçare të Lushnjes, Ky do të ishte Kongresi themelues i shtetit modern shqiptar, ose si do të quhej i “Pavarësisë së dytë të Shqipërisë”, ndaj u dha dhe dakortsia e krerëve të kombit me Aqif Pashë Elbasanin në krye.

Pa humbur kohë, u thirrën Kryepleqtë e fshatrave të dëgjuara të Nahijes së Myzeqesë, bashkë me kryetarët e familjeve të mëdha të fiseve patriote, që do të mernin përsipër mbrojtjen, strehimin dhe ushqimin e dhjetra e qindra delegatëve, vullnetarëve e mbështetësve të këtij kuvendi të madh, pesha e të cilit e kalonte madhështinë e këtij qyteti të vogël me rreth 2800 banorë. Dhe ky takim u bë në 31 dhjetor 1919 në Teqenë e Karbunarës, ku vetëm pas tri javësh, në 21 janar 1920, ky Kuvend do bëhej realitet. Kjo qe e tërë filozofia pas vendimmarjes. Asnji kthim prapa, asnji mëdyshje.  Siç mbetet e shkruar 100 e ca vite më parë në kujtimet e mësuesit patriot nga Karbunara, Ahmet Shehu, pjesëmarës në takimin e pleqësisë në Teqenë e Karbunarës, ku ai shkruan: “Myzeqarët u betuan se nuk do kursenin as shpirt e as gjak, që kjo mbledhje të mbahej me sukses në qytetin e Lushnjes”.(Andrea Liko dhe Dr. Niko Ferro, libri “Idealisti fisnik, Besim Nuri”, Monografi-2021).

Në Lushnjë nisën përgatitjet për organizimin e mbarëvajtjen e këtij kuvendi. U ngritë një komision iniciator me 28 anëtarë, burra patriotë të shquar nga Myzeqeja dhe krahinat e tjera me në krye patriotin Besim Nuri, kryetarin e Beledijes së Lushnjes dhe katundarisë së Myzeqesë. Anëtarë të komisionit ishin: Ferit Vokopola, Sheh Ibrahim Karbunara, Taulla Sinani, Emin Vokopola, Jakov Bozo, Llazar Bozo, Nebi Sefa, Qemal Mullai, Zija Mullai, Mustafa Vokopola, Eshref Frashëri, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skënder Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Andrea Papai, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat (Hysni) Shazivari, Abdyl Azizi, Hasan Islam Like dhe Hamit Xheka. (AQSH. Dokumente të Kongresit Historik të Lushnjes, janar 1920}

Komisioni ndërtoi platformën e zhvillimit të Kongresit, listën e patriotëve pjesëmarës nga të gjitha krahinat mbarë shqiptare me ftesat përkatëse, masat mbrojtëse për zhvillimin normal të punimeve të kongresit, strehimin, ushqimin dhe mbështetjen popullore të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë. Pavarësisht numrit të vogël të banorëve dhe haneve të qytetit, shtëpitë e lushnjarëve të gjitha pa përjashtim, u treguan të gatshme për të strehuar dhe pritur delegatët. Theksojmë se bujaria dhe mikpritja lushnjare shprehej kudo. U zgjidh gjithashtu edhe problemi i furnizimeve me ushqime, ku përveç Lushnjes, të gjitha fshatrat përreth saj do kontribuonin me ushqime sipas mundësive.

Në sallën ku do të mblidheshin delegatët u vendosën dy foto, njëra ishte e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe tjetra e Patriotit Ismail Qemal bej Vlorës. Në qytet ishte vendosur rregulli e siguria, sipas porosive të Kryetarit Besim Nuri. Edhe alkoli ishte ndaluar përkohësisht në pijetoret e qytetit. Xhandarmëria bënte patrullime të shpeshta në rrugët kryesore, aty këtu dukeshin edhe ushtarë italianë. U ngritën dhe nën/komisionet për ndjekjen e detyrave. U caktuan dhe rojet për mikun anglez, konsullin Eden, që ishte i pranishëm në ato momente, ata ishin: Muç Bani, Sil Keqi, dhe Ram Dervishi. Firmëtari i Aktit të Pavarësisë së Vlorës për Myzeqenë, Zoti Qemal Mullai, u ngarkua të ideonte dhe prodhonte vulën e mbledhjes së kuvendit, ajo vulë që ruhet dhe sot e pa prekur. U vendos dhe godina e mbledhjes, një godinë e madhe dhe e bukur, siç ishte shtëpia hijerëndë e zotit Shaqo Fuga.

Nën/komisionet përbëheshin: për strehimin, Xhevdet Nepravishta, tregtari Andrea Papai, mësuesi Nikollaq Progri, drejtori i shkollës Izet Libohova dhe patrioti Kamber Ruli. Për furnizimin me ushqime u ngarkuan, Jonuz Sefa, Sil Prifti dhe Dervish Zylyfi, Mësuesi Nikollaq Progri, siguroi dhe bangat e shkollës e tryezat për sallën e delegatëve. Kryetari Besim Nuri, u morë vet direkt me ujësjellsin e qytetit, furrën e bukës, deri dhe me kafenetë, mëngjezoret, berberët dhe konakët për parinë e kuvendit. Sipas një shkrimi të gazetarit të mirënjohur, të ndjerit Astrit Nuri, shkruhet se kryetari Besim Nuri, ka paguar dhe rreth 80 franga ari për nevojat e Kongresit.

Ministri i Brendshëm i Qeverisë së Durrësit, Myfit bej Libohova, bëri disa përçapje për të penguar mbledhjen e këtij kuvendi. Në bashkëpunim me forcat italiane organizuan një batalion xhandarësh e mercenarësh të përgatitur në Gjirokastër, të cilët nisën marshimin drejtë Myzeqesë dhe konkretisht drejtë qytetit të Lushnjes. Organizatorët e kuvendit ishin mbledhur të gjithë në konakët e Vokopolëve në qendër të qytetit. Konsulli anglez, Eden, një aktor aktiv dhe i fuqishëm, që ishte njëkohësisht dhe garanci e fuqive perëndimore, nga informacionet që kishte, erdhi në mbrëmje vonë disi i merakosur dhe u tha të pranishmëve: “Po nuk ndodhi gjë sonte natën, atëhere shqiptarët duhet t’ua dinë tërë jetën për faleminderit popullit të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë”. Besim Nuri u ngritë në këmbë me peshën e përgjegjësisë që ndjente mbi vete:

-Asgjë s’ka për të ndodhur Zoti Konsull dhe kryqëzoi shikimin me Llazar Bozon dhe Taulla Sinanin, të ngarkuar me forcat mbrojtëse të kongresit. Sipas dokumentave të Muzeut historik të Lushnjes, forcat ushtarake të Myfit Libohovës, u ndeshën me forcat mbrojtëse të kongresit nga fshatarësia e zonës së Libofshës e Bubullimës në dalje të Fierit afër fshatit Kolonjë, dhe u shpartalluan tërësishtë. Forcat e Myzeqesë ishin përqëndruar mbi 350 forca vullnetare në zonën Libofshë-Bubullimë-Kolonjë me në krye Zoi Ndreko, Nasi Lepuri dhe Sil Keqi. Nga zona e Dumresë ishin angazhuar rreth 300 forca të drejtuara nga Demir Arapi dhe Dalip Hasko, nga zona e Fiersheganit  rreth 220 forca nën drejtimin e Pal Kadillarit, Ngjel Çukos dhe Lam Shtëmbarit, nga zona e Dushkut dhe e Çermës rreth 150 forca nën drejtimin e Selman Arapit e tjera. Më 18 janar, filluan të vijnë në Lushnje, fuqitë e para vullnetare të armatosura edhe nga rrethet e tjera. Po kështu me porosi të Aqif Pashë Elbasanit, erdhën 100 veta të armatosur vullnetarë nga Elbasani. Mbi 300 vullnetarë erdhën nga zona e Skraparit, nën komandën e Riza Cerovës. Të tjera forca erdhën edhe nga Korça, Mirdita, Mati, Shkodra, Dibra e tjera, pra nga e gjithë Shqipëria. (Historiku i Luftës ANÇl. i rrethit të Lushnjes, botim i vitit 2005).

Përfaqësuesit e krahinave, që u mblodhën në Lushnjë nga të gjitha anët e Shqipërisë, ishin të vendosur të bënin bashkimin kombëtar, t’i jepnin fund anarkisë, të ndërtonin një shtet shqiptar të përqendruar mbi forcat e tij dhe të pavarur. Kjo ishte e vetmja rrugë shpëtimi. Por kjo u prishte planet atyre që vepronin si agjentë e të huajve dhe që kishin varur shpresat e ambicieve të tyre tek të huajt. Prandaj disa anëtarë të Qeverisë së Durrësit, organizuan dhunë e reprezalie, deri dhe vrasjen e patriotit kavajas, Abdyl Ypi, që ishte një nga iniciatorët e mbledhjes së Kongresit. Megjithë këto vështirësi e pengesa, detyra dhe përgjegjësitë e mara u çuan deri në fund.

Në këto rrethana, Kongresi nuk u tund as nga këto kërcënime, as nga vështirësitë e gjendjes kaotike që ekzistonte në Shqipëri që pas Luftës së Parë Botërore e deri në prak të vitit 1920. Delegatët nga të gjitha krahinat, u drejtuan drejtë Kuvendit në Lushnje në Myzeqe. Përfaqësuesit sipas krahinave ishin: Nga prefektura e Durrësit: Abdi Bej Toptani, Irfan Ohri, Mytesim Këlliçi, Rexhep Jella, Shazivar Alltuni, Xhaferr Ypi. Nga Malësia e Gjakovës: Hasan Batusha, Xhemal Bej Bushati. Nga Prefektura e Dibrës: Ahmet Zogu, Dine Dema, Dine Nasuh Maqellara, Ramiz Daçi. Nga prefektura e Shkodrës: Ejup Sabri Bushati, Hoxha Kadri, Mati Logoreci, Ndoc Çoba, Rexhep Shala, Xhemal Naibi. Prefektura e Elbasanit: Aqif Pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Asllan Shahini, Filip Papajani, Kasëm Sejdini, Qazim Dyrmishi, Sali Ceka. Prefektura e Korçës: Beqir Rusi, Eshref Frashëri, Gjokë Ndini Gusho, Idhomen Kosturi, Koço Kota, Sali Butka, Selaudin Blloshmi. Prefektura e Beratit: Bektash Cakrani, Hysen Nikolica, Iliaz Vrioni, Kamber Belishova, Llambi Goxhomani, Llazar Bozo, Spiro Popa, Sheh Ibrahim Karbunara dhe Ferit Vokopola. Prefektura e Vlorës: Dhimitër Qypi, Myqerem Hamzaraj, Qazim Kokoshi dhe Ymer Ali Radhima. Prefektura e Gjirokastrës: Ali Këlcyra, Ali Kumbaro, Arshi Shehu, Dervish Seit Grosha, Kasem Radovicka, Kiço Koçi, Rasim Babameto, Shezai Çomo, Spiro Kosova dhe Veli Hashorva. Erdhën dhe patriotë të tjerë, edhe nga diaspora: Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr. Mihal Turtulli, Sulejman Delvina, Ali Riza Kolonja, Sotir Peçi e tjerë. (AQSH. Dokumente të Kongresit Historik të Lushnjes, janar 1920)

Kongresi i Lushnjes, u shpall si një Kuvend Kombëtar i plotfuqishëm, që i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme dhe iu përvesh punës për organizimin e shtetit shqiptar. Intrigat dhe kanosjet e fqinjëve e kishin neveritur popullin aq shumë, sa që ai e pa Kongresin si një forcë shpëtimi dhe e mbështeti, e brohoriti me tërë entuziazmin nacionalist të asaj kohe, duke iu dalë kundër intrigave të jashtme dhe planeve të copëtimit që bëheshin në Konferencën e Paqes. Kongresi i Lushnjes nisi të veprojë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Hartoi statutin e shtetit shqiptar me një Këshillë të Naltë në krye, zgjodhi sistemin e parlamentarizmit shtetror, vendosi që Tirana të jetë kryeqytet i Shqipërisë dhe i dha vendit një Qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të xhandarmerisë, ushtrisë, të shkollave për zhvillimin e arsimit shqiptar dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë. Në pak kohe, Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqiptarëve dhe u formua kështu një qendër rreth së cilës mund të mblidheshin energjitë e kombit.

Kongresi pas shumë diskutimesh, vendosi të bëheshin protestat më të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për moszbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Në dhjetor 1919, Fuqitë e Mëdha ishin marrë vesh të kënaqnin pretendimin e Italisë për sovranitetin ndaj Vlorës dhe të Greqisë që të pushtonte krahinën e Gjirokastrës, si hap i parë drejtë aneksimit. Mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së përkohshme të Durrësit, si për situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Në përfundim, u pranua që ajo qeveri kishte vepruar jashtë programit, që ishte mbajtur në 25 Dhjetor të vitit 1918-të në Kuvendin e Durrësit.

Rëndësia e veçantë e Kongresit të Lushnjës ishte rimëkëmbja e shtetit shqiptarë, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale. Kongresi vendosi unanimisht, të shpalli të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes. Ai caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumçi, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina. Kongresi zgjodhi gjithashtu një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. U zgjodh edhe qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina Kryeministër. Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit. Një vendim i rëndësishëm ishte që Tirana u caktua kryeqytet i Shqipërisë.

Rëndësia e vendimeve të Kongresit të Lushnjes u dukën që në ditët e më vonshme. Ushtria e shtetit të ri shqiptar, bëri që me luftën heroike të popullit të Vlorës, u hodh në det ushtria Italiane dhe Shqipëria mbeti automatikisht shtet i pavarur. Kjo ishte arsyeja që Shqipëria në shtator u pranua në Lidhjen e Kombeve. Kongresi i Lushnjes i tregoi botës se, Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme, çka do të thoshte se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi.

Vetëm 45 ditë nga përfundimet e punimeve të Kongresit të Lushnjës, Besim Nuri nën përgjegjësinë që ndjente si patriot dhe kontribuues madhor në kuvendin mbarë kombëtar, që mori vendime të rëndësishme për pavarësinë dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare, ndërmori një tjetër akt të një rëndësie historike për fatet e Shqipëroisë. Kjo u duk kur ai ngriti zërin deri në Kancelaritë më të larta botërore, duke i shkruar një letër dhe ish Presidentit të Amerikës Z. Uillson në 17 mars 1920, ku spikat fryma patriotike, atdhedashuria për t’iu gjendur vatanit në ditët më të vështira të copëtimit nga lakmitë e shovinistëve fqinjë. Gjithashtu, kryebashkiaku Besim Nuri, paraqitet si një burrë inteligjent, i kulturuar, njohës i situatës botërore, duke zgjedhur një mik të tillë me peshë si, Presidenti Amerikan, duke i kërkuar ndihmën shpëtimtare të vendit tonë.

Ja teksti origjinal i letrës:

“Shkëlqesisë së tij, Zotit Uillson, Kryetar t’Amerikës i Shteteve të Bashkueme Uashington!

Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Shkëlqesisë S’Uaj, sot iu luten të pranoni falënderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshirmadh që jeni tue kryer për shpëtimin e Atdheut të tyne. I nalti Kryetar, shpëtoni një popull që asht m’i vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdh gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet të 1913-tës. Ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufijtë natyral etnografik të Shkëlqesisë S’Uaj që nuk mund me kjen të ndara nga Mëma e tyne Shqipni. Ju lutemi në emën të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike”.

                                                Kryetari i Katundarisë së Lushnjes e Myzeqersë

                                                                   Besim Sadush Nuri

                                                                                         Lushnje më 17.03.1920

(Dokumente në Arkivën e Muzeut Historik të Lushnjes)

Ky ishte patrioti Besim Nuri, që vite më pas u burgos e u torturua nga qeveria fashiste italiane dhe më pas nga ajo e Ahmet Zogut, deri sa vdiq në Lushnje në 17 mars 1935, plotë 52 vjeç. U varros sipas amanetit të tij në kodrinën në dalje të Lushnjes kur shkon për në Berat, që mban emrin,”Kodra e Kalifasë” dhe varri i tij për gjithë ato vite lufte e më pas, u harrua i braktisur si dhe i shumë patriotëve të tjerë për rreth 80 vite. Me iniciativën e drejtuesve të muzeut historik të Lushnjes në 27 shkurt 2014, u zbulua varri i tij dhe një pllakë e shkruar me gërma të skalitura nga osmanishtja e vjetër, ku në shqipërim thuhej: “Qendro o ti, që pas kësaj fle Besim Nuri”! Bashkia e Lushnjes, pas shumë dekadash i harruar, vitet e fundit e ka nderuar atë me titullin, “Qytetar nderi i Lushnjes” pas vdekjes dhe në mjedisin para shtëpisë së Kongresit, është vendosur busti i tij..

Ai la pas dy djem e një vajzë. Djemtë, Faredini dhe Qenani u bënë gjithashtu të shquar, jo më në politikë si i ati, por në fusha të tjera, në ekonomi e në shkencë. Faredin Nuri u shqua si projektues i shumë veprave hidro-teknike bonifikuese anë e mbanë Shqipërisë, ndërsa Qenan Nuri, u shqua si shkencëtar e pedagog i kultivimit të bletarisë në Shqipëri.