Komenti

Xh. Gjini: A ka kuptim dialogu me Vuçiçin që thotë botërisht se “Kosova është Serbi”

A KA KUPTIM DIALOGU ME VUÇIÇIN QË THOTË BOTËRISHT SE “KOSOVA ËSHTË SERBI”?
Kryetari i Serbisë vazhdon të këmbëngul se “Kosova është Serbi”!? Në një zë me të qenka edhe Rusia që përsëriti të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se për Rusinë “Kosova është Serbi”!? Këto deklarata dhe këto qëndrime të unisuara serbo-ruse u bënë menjëherë pas kërkesës së përfaqësuesit amerikan (i dërguar special për dialogun Kosovë – Serbi), Eskobar, që “Serbia ta harrojë që Kosova është Serbi”. Nëse Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të saj, atëherë ç’kuptim ka dialogu me të?! Qëndrimi kaq shovinist dhe kaq agresiv i saj kundër një krahine tërësisht shqiptare tregon se Serbia po luan në këtë kartë maksimaliste me qëllim të  fundit: krijimin e “zajednicës” – entitetit serb me 5 % të pakicës serbe në një pjesë të territorit tonë shqiptar (rreth 30 % të tokës së Kosovës!) me çka do të garantonte praninë e saj në Kosovën shqiptare dhe një ditë aneksimin e këtij territori! Që të mos realizohet kurrë kjo ëndërr fashiste e Serbisë, Kosova dhe kombi shqiptar (sidomos Tirana, Prishtina e Shkupi) duhet urgjentisht të ndërtojnë një platformë dhe një strategji unike për t’u përballur me pretendimet dhe kërcënimet e Serbisë… Mënyra më e suksesshme dhe më e sigurt për t’u dhënë fund rreziqeve, që përfaqëson dhe përbën Serbia për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës së mbetur nga kafshimet dhe copëtimet, është përgatitja e gjithanshme ushtarake për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës shqiptare. Vetëm kështu Serbia dhe nëna e saj, Rusia, do ta kuptojnë e do të binden se Kosova është Shqipëri dhe zemra e Shqipërisë.
Miqtë tanë herë të përhershëm e herë të përkohshëm gjatë këtyre 23 viteve nuk e përkrahën Kosovën që t’i bashkohet shtetit të saj! Këta miq nuk e përkrahën Kosovën as për ngritjen e forcave të armatosura (ushtrisë)! Në vend se ta armatosnin Kosovën dhe popullin e saj shqiptar, ata morën përsipër “mbrojtjen” e saj me trupa multietnike! Përgjegjëse për këtë pozitë të vështirë të Kosovës në zotësinë e saj mbrojtëse është edhe klasa e saj e paaftë politike, e cila në vend se të ishtë balli i popullit të saj dhe partner serioz i miqve tanë u bë bishti i pranisë ndërkombëtare dhe i UNMIK – ut  antishqiptar!
Edhe sot, kur Serbia po bënë fushatë të fuqishme kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, Ministria e Jashtme e Kosovës po “drejtohet” nga njerëz me kufizime të rënda intelektuale, politike e kombëtare, ashtu si një pjesë e mirë e Qeverisë që është mbushur me praktikantë e militantë të ideologjive e rrymave politike jo kombëtare! Shembulli më drastik i dilitantizmit dhe militantizmit ideologjik e politik antishqiptar është vetë Kryetarja e Republikës me flamurin e LDK – së në krye të shtetit!! Shembull tjetër që nuk po i shërben unitetit dhe kohezionit kombëtar përballë kërcënimeve të Serbisë është edhe vetë Kryeministri që shkon e vjen anembanë botës, edhe me nga dy – tri javë, për të takuar ndonjë zyrtar shteti a tregtar të madh, por nuk shkon në Kryeqendrën e kombit tonë, në Tiranë, ku do të duhejë të ishte shumë shpesh!!..
Jemi me pakëz fat që, pas luftës në Ukrainë, SHBA-të dhe fuqitë tjera përëndimore kanë reflektuar dhe po angazhohen t’i revidojnë qëndrimet e politikat e tyre në Iliri dhe sidomos ndaj Serbisë… Edhe krijimin e republikës serbe në tokën e Bosnje-Hercegovinës po e shohin si një gabim të madh që duhet përmirësuar dhe janë angazhuar me të gjitha kapacitetet e tyre për kufizimin e ingerencave dhe ambicjeve shoviniste e separatiste të republikës serbe në Bosnje-Hercegovinë… Por, vështirësitë për t’ua kufizuar të drejtat dhe ingerencat që ua kanë dhënë janë bukur të mëdha. Të njëjtin gabim e kanë bërë, falë edhe klasës së tredhur politike në Prishtinë, me krijimin e komunave, kishave e zonave të mbrojtura “serbe” në Kosovën e pastër shqiptare (mbi 92 % shqiptarë), me qëllim të krijimit të një “republike serbe” (zajednica)-bosnizimin e Kosovës!! Produkt i të gjithë “dialogut” dhe i të gjitha marrëveshjeve me Serbinë ishte “zajednica” (republika serbe në zemër të tokës shqiptare!)!! Zbatimi i saj, siç është nënshkruar në Bruksel dhe, për turpin tyre, siç është votuar në Kuvendin e Republikës, do të prodhonte një minishtet serb në Kosovë, që një ditë do t’i bashkohejë Serbisë. Prandaj, duke patur parasysh situatën e re në botë dhe tendencën për korrigjimin e gabimeve (fajeve) që janë bërë në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë nga Fuqitë Perëndimore, Qeveria e Kosovës (Kryeministri) – Kosova nuk duhet të pranojë me asnjë kusht krijimin e “zajednicës” dhe nuk duhet të pranojë vazhdimin e dialogut me një qeveri që Kosovën e konsideron Serbi dhe të Serbisë!? Vetëm dialogu shtet me shtet ka kuptim dhe është i nevojshëm edhe me një Serbi që mban të pushtuara mbi 20 000 km katrore tokë shqiptare dhe është përgjegjëse për vrasjen, shpërnguljen dhe zhdukjen e mbi 1 milion shqiptarëve vetëm nga viti 1876 e këndej… Qeveria e Kosovës, njëshi i saj, duhet të gjejë kohë, të ketë energji, mençuri e durim dhe t’i unifikojë partitë dhe popullin rreth platformës dhe angazhimit për shkëputjen e plotë të Kosovës shqiptare nga Serbia dhe prania (hija) e saj. Një Kosovë e përçarë në parti, fe, rajone e  ideologji e ka të vështirë ta përballojë Serbinë e mbështetur nga aleati i saj i madh, Rusia. Një Kosovë e përçarë e ka të vështirë ta fitojë përkrahjen që i duhet nga “miqtë e përhershëm” dhe, më e rëndësishmja, një Kosovë e “distancuar” nga shteti i saj, e ka të pamundur (është edhe e pamoralshme) ta fitojë përkrahjen e plotë nga fuqitë e mëdha perëndimore…