Komenti

Xh. Gjini: Kush ishin e kush po shiten ky soji i kolaboracionistëve jugotitistë?

KUSH ISHIN E KUSH PO SHITEN?
Shteti shqiptar u krijua në një të tretën e Shqipërisë… Rreth 40 000 km katrore i kishte pushtuar dhe zaptuar Jugoserbia. Këto toka të Shqipërisë, pas Luftës së Dytë Botërore u copëtuan midis republikave jugoserbe… Është e kuptueshme që pushtuesit e tokave tona kishin nevojë për hyzmeçarë nga radhët e kombit tonë… Fatkeqësisht pati një përqindje “solide” të atyre shqiptarëve që ia falën shpirtin e mendjen Jugoserbisë pushtuese. Koha e gjatë i krijoi kushte dhe “komoditet” pushtuesit për krijimin dhe ndërtimin e një klase (mashe) kolaboracioniste me shqiptarë që për “grada”, pasuri dhe privilegje kishin pranuar të bëheshin mashë në duart e pushtuesit për shtypjen dhe ndëshkimin e popullit shqiptar që kundërshtonte, përpiqej e luftonte për liri dhe bashkim kombëtar.
Ky soj kolaboracionistësh ishin “konsoliduar” dhe ishin bërë si mishi e thoni me pushtuesit edhe pas Luftës së Dytë Botërore… Ripushtimin e tokave të Shqipërisë dhe robërinë e popullit shqiptar e paraqitnin dhe e “shitnin” si “çlirim”, “liri”, “bashkim – vëllazërim” dhe “zhvillim” e “përparim”!!? Radhët e Lidhjes Komuniste dhe të aparatit terrorist pushtues shtetëror ishin mbushur me këta gjakprishur, të cilët ishin bërë zëri, syri, veshi dhe dora e zgjatur e pushtuesit të tokave të Shqipërisë. Propaganda, persekutimet, arrestimet, dënimet, dhuna dhe krimet për llogari të pushtuesve dhe të ideologjisë kriminale titiste bëheshin me një përkushtim dhe zell prej qeni. Sahanlëpirës – eksponentë të këtij soji shpërbleheshin nga pushtuesit me pozita, pasuri e privilegje të majme…
Lëvizja Kombëtare Shqiptare, drejtuesit, organizatorët, veprimtarët dhe luftëtarët e saj, cilësoheshin dhe akuzoheshin si: “nacionalistë”, “irredentistë”, “separatistë”, “kundërrevolucionarë” dhe “armiq të socializmit jugosllavë”… Të gjithë këta sahanlëpirës e kolaboracionistë “shembullorë” mburreshin me “patriotizmin jugosllav”, me “bashkim – vëllazërimin dhe komunizmin jugosllav”, me diktatorin dhe antishqiptarin Tito dhe me ideologjine dhe veprën e tij antishqiptare, me vetëqeverisjen socialiste jugosllave dhe me “jugosllavizmin” titist, hegjemonist e shovinist!! Të gjithë këta zuzarë e kolaboracionistë, të cilve nuk u mungoi as qimja e flokut, gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe, sidomos pas Luftës Antipushtuese e Çlirimtare të LPK – UÇK – së, rrëmbyen dhe veshën rrobat “demokratike” e “patriotike” dhe nga komunistë jugosllavë, zuzarë, sahanlëpirës, dhunues, vrasës e kolaboracionistë par eksellance u shndërruan në “demokratë” e “patriotë” agresivë! Në vend se t’i kërkonin falje (minimumi) popullit të tyre për fyerjet, dhunën, terrorin, krimet dhe plagët që i kishin shkaktuar, ky “komunitet” bastardësh e gjakprishurish, me logjikën e sulmit si mbrojtja më e mirë, rinisën fushatën dhe propagandën e papresedan kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kundër veprimtarëve e luftëtarëve për liri e bashkim të kombit… Ata që deri dje nga bandat kriminale dhe repartet titiste e kolaboracioniste quheshin, ndiqeshin, arrestoheshin, akuzoheshin, torturoheshin, dënoheshin e vriteshin si “nacionalistë”, “irredentistë”, “separatistë”, “kundërrevolucionarë”, etj. tash quheshin dhe “akuzoheshin”, diferencoheshin e linçoheshin si “marksistë – leninistë” dhe si “enveristë”!!? Dhe, po të kishin pushtetin dhe fuqinë e kohës së pushtimit do t’i ndiqnin, torturonin, dënonin e vrisnin atdhetarët shqiptarë dhe përkrahsit e tyre si dikur, kur ishin zëri, syri, veshi dhe dora e zgjatur e pushtetit pushtues, kaq “autentike” është “demokracia” e tyre jugototiste e kolaboracioniste! Asnjë i vetëm nga ky “komunitet” kolaboracionistësh dhe nga këto banda jugotitiste, që kanë kryer një mal me padrejtësi, dhunë, terror e krime, nuk është distancuar deri sot nga ideologjia dhe doktrina terroriste, kriminale dhe antishqiptare titiste dhe nga babai diktator i kësaj ideoligjie dhe doktrine antidemokratike dhe anticivilizuese, Josip Broz – Tito!! Asnjë nga ky soj zuzarësh nuk ka kërkuar falje për dhunën dhe krimet e kryera kundër bijve e bijave më të mira të popullit shqiptar për hesap e interesa të pushtuesve gjakatarë jugoserbë!! Viktimat e dhunës, terrorit dhe krimeve të tyre presin drejtësi dhe gjykim të drejtë për interes të kombit dhe atdheut… Populli shqiptar i ka dënuar gjithmonë krimet dhe kolaboracionizmin e këtyre bandave titiste. Ka ardhur koha që edhe institucionet politike, shtetërore dhe ato të drejtësisë në Prishtinë të mbajnë qëndrim, të distancohen dhe ta dënojnë dhunën, terrorin, torturimin, dënimet dhe atë mal me krime e gjenocid të shtetit të diktatorit Tito, pasardhësve të tij dhe të bandave kolaboracioniste shqifolëse!