Arkiv / Ripublikim

Shoqëria Lëvizja: Pllakë përkujtimi e nderimi në shtëpinë ku ishte mbajtur Mbledhja konsultative e LPK – së në Kollare

Prishtinë, 23 prill 2017

Mbledhja konsultative e LPRK – së në Kollare (Kërçovë) ishte e një rëndësie të veçantë për Luftën e armatosur Çlirimtare, për themelimin e UÇK – së dhe çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Prandaj, ta rikujtojmë dhe nderojmë këtë Mbledhje dhe Mbledhjen e katërt të Përgjithshme historike të LPRK – së në Prishtinë! Ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë organizatën, LPK – në, që organizoi Luftën Çlirimtare dhe themeloi forcën ushtarake, UÇK – në, për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë nga Serbia, Maqedonia e Mali i Zi (Jugoserbia).

Më poshtë, dy deklaratat politike të LPRK-së, nga Mbledhje Konsultative dhe nga Mbledhja e Katërtë e Përgjithshme e LPRK-së – LPK-së:

ZËRI I KOSOVËS Nr. 6, 1.5.1993 KONKLUZAT E MBLEDHJES KONSULTATIVE TE LPRK-së MBAJTUR NË PRILL 1993.

TË ZGJEROHEN AKSIONET ÇLIRIMTARE POPULLORE NË KOSOVË.

Kombi shqiptar aktualisht gjendet në fazën më të rëndë të historisë së tij. Përveç që ra nën një okupim më të rëndë ai u nda midis shteteve të Ballkanit të dala nga ish-Jugosllavia. Këtë pushtim të ri e sanksionuan edhe organizmat ndërkombëtarë. Çka është më e keqja, partitë politike në vend që të marrin qëndrim të drejtë dhe të ndryshojnë mënyrën e veprimit të tyre, të vetëdijshëm apo pa i menduar pasojat, u pajtuan me „zgjidhjet“ e përcaktuara nga të huajt dhe si forma te veprimtarisë edhe më tutje i kanë përcaktuar format pacifiste; ato forma që çuan te pushtimi edhe më i egër. Në anën tjetër kemi një lëvizje dhe pakënaqësi të madhe të masave me gjendjen e krijuar, e cila me siguri do të intensifikohet në të ardhmen për të arritur në mënyrë të pashmangshme deri te përleshja e armatosur me armikun. Nga kjo situatë e krijuar dalin detyra konkrete para organizatës. Mbi këtë bazë propozojmë që nga MK të dalin këto vendime e rezoluta:

I. Të përgatiten dhe të zhvillohen veprimtari për të çliruar vendin tonë të pushtuar, duke filluar me aksione popullore: demonstrata, greva, protesta dhe aksione konkrete në përputhshmëri me format qytetare të rezistencës të shtrira në gjithë hapësirën shqiptare. Ato duhet të jenë të organizuara, të kohës dhe të kryhen me disiplinë të rreptë.

II.Kur dihet se LPRK-ja në Kosovë dhe jashtë vendit ruan në vete përvojën e aksioneve kombëtare kundër pushtuesve dhe se anëtarët e saj janë të gatshëm që të punojnë e luftojnë deri në çlirimin e vendit, del si detyrë forcimi organizativ i LPRK-së. Kjo nuk duhet parë ngushtë, vetëm si çështje të forcimit të një subjekti politik, por duhet kuptuar si detyrë që çon drejt forcimit të rezistencës aktive gjithëpopullore dhe krijimit të frontit çlirimtar. Kjo shtron si detyrë para çdo anëtari të veprojë me përpikëri sipas Programit, Statutit dhe vendimeve të organizatës. Të rritet disiplina, gatishmëria, vigjilenca dhe fryma e veprimit konkret, në mënyrë që kështu të kontribuojmë së bashku në këtë çështje të madhe kombëtare. MBLEDHJA KONSULTATIVE E LËVIZJES POPULLORE TË REPUBLIKËS SE KOSOVËS, Prill, 1993 Kosovë.

ZËRI I KOSOVËS Nr.14, 1. 09. 1993- DEKLARATË POLITIKE E MBLEDHJES SË KATËRTË TË PËRGJITHSHME TË LPK-së.

ÇELËSI I ÇLIRIMIT TONË KOMBËTAR ËSHTË NË VEPRIMTARINË TONË TË GUXIMSHME KUNDËR PUSHTUESIT ( Pjesë nga Deklarata Politike ) . . LPK, rithekson edhe një herë se çelësi i çlirimit tonë kombëtar nuk është as në Konferencat ndërkombëtare e as në rezolutat e panumërta, po në duart tona, në unitetin tonë dhe në veprimtarinë tonë të guximshme kundër pushtuesit. LPK, afirmon qëndrimin e njohur se, përkundër forcës ushtarake e policore të pushtuesit serb, fitimtar do të dalë forca e popullit të organizuar dhe të vendosur në realizimin e vullnetit të tij për çlirim, jetësimin e Republikës së Kosovës dhe bashkimin e viseve të banuara me shqiptarë. LPK, do t’i orientojë dhe do t’i vërë të gjitha energjitë dhe forcën tonë në shërbim të realizimit të këtij vullneti të popullit, pa realizimin e të cilit nuk ka asnjë perspektivë për popullin tonë. LPK fton të gjitha forcat që janë të interesuara sinqerisht për çlirim, të kontribuojnë për krijimin e frontit të përbashkët çlirimtar popullor. LPK, fton komunitetin ndërkombëtar të njohë Republikën e Kosovës dhe të drejtën e popullit të robëruar shqiptar për vetëvendosje.

(Kosovë, gusht 1993- MBLEDHJA E KATËRT E PËRGJITHSHME E LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS)