Uncategorised

Sejdi Gega: Mirënjohje për miqtë tanë zviceranë

MIRËNJOHJE PËR MIQTË TANË ZVICERANË
Më 18 qershor 2024, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Shoqërija LËVIZJA i dha mirënjohje çiftit: Beat Shferit (Beath Schffer) dhe bashkshortes së tij, Katrinë Azalit (Kathrin Asal). Mirnjohjen, në emër të Shoqërisë LËVIZJA dhe të popullit shqiptar, zonjës Katrinë ia dha një nga drejtuesit e LPK – UÇK – së, Ambasadori Ramadan Avdiu. Ndërsa, Sejdi Gega, Kryetar i Degës së Shoqërisë LËVIZJA jashtë Atdheut, foli në emër të kësaj Shoqërie dhe e falënderoi për ndihmesën që ajo dhe burri i saj i kanë dhënë përpjekjeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e trojeve të pushtuara tê Shqipërisë (Kosova me viset e saj) si dhe e uroi Zonjën Katrinë për Mirënjohjen që mori. Për këta dy miq të kombit dhe të çështjes shqiptare foli edhe bashkëveprimtarja, bashkëluftëtarja dhe gruaja e Heroit, Kadri Zeka, Saime Isufi. Të pranishëm në këtë ngjarje të shënuar ishin edhe disa bashkëveprimtarë, Veteranë të Lëvizjes dhe Luftës Çlirimtare. Të gjithë i shprehën keqardhjen dhe nderimin e tyre Zonjës Katrinë për bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë, Beatin…
Zoti Beat Shaferi dhe bashkshortja e tij, zonja Katrinë janë Zviceranë, që kanë jetuar në Biel të Zvicrës, në rrugën Badhaustrasse 35, 2503 Biel/Bjen, Zvicër. Beat Shaferi dhe Katrinë Azal kishin në pronësi një librari, mbi të cilën ishte edhe banesa e tyre.
Zoti Beat, kishte hapur derën për veprimtarin patriot, intelektualin dhe promotorin e bashkimit politik të organizatave patriotike, krijimin e LPK – së, Kadri Zeka dhe për shokun e tij, Hydajet Hysenin, për Hasan Malën, Saime Isufin, etj.
Çifti zviceranë, Beati dhe Katrina, qysh në takimet e para me Kadriun dhe Hydajetin ishin njoftuar për çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe ishin bashkuar me përpjekjet që bëheshin nga atdhetarët dhe organizatat politike për zgjidhjen e drejtë të saj. Këta dy miq zviceranë kishin pranuar pa hezitim që adresa e organit të LRSSHJ – së (më vonë LPK – së), “Zëri i Kosovës”, të ishte në librarinë e tyre. Adresë kjo që ishte bërë sinonim i besimit të patundur të popullit shqiptar, i miqësisë dhe solidaritetit midis popujve liridashës.
Në Evropë, në fund të viteve 70-ta dhe në fillim të vieteve 80-ta, vepronte një brezë i edukuar shumë mirë kombëtarisht përmes disa organizatave ilegale, në Zvicër në krye me Kadri Zekën, udhëheqës i OMLK-së, në Gjermani në krye me Jusuf Gërvallën, udhëheqës i LNÇKVShJ e Bardhosh Gërvallën dhe me Ibrahim Kelmendin, udhëheqës i Frontit të Kuq. Brez ky që ndërtoi themelet e shëndosha të oragnizimit në Mërgatë dhe në trojet e pushtuara shqiptare.
Ky brez, me ideale të larta, për të cilat luftuan deri në vetëmohim, përveç që ishin në shërbim të masivizimit të Lëvizjes liridashëse e çlirimtare në Atdhe, mobilizoi edhe mërgatën shqiptare dhe organizoi demostratat e para në Evropë.
Me nismën e Kadri Zekës dhe në bashkëpunim me të gjithë veprimtarët e dalluar në Zvicër, më 11 prill 1981, në Bernë të Zvicrës u organizua demonstrata e parë në mbështetje të kërkesave që i kishte shtruar populli i Kosovës në Pranverën Shqiptare ’81.
Organizimin e demonstratës do ta ndihmonte edhe miku nga Zvicera, zoti Beat Shaferi me bashkshortën Katrinë Azalin, të cilët do të nxjerrin lejen për demonstratën në Bernë, mandej edhe në Gjenevë (30 mai 1981).
Zoti Beat Shaferi për kontributin e dhënë Lëvizjes Çlirimtare dhe përpjekjes së popullit shqiptar në trojet e pushtuara, ishte bërë shënjestër e sulmeve të shërbimeve sekrete Jugosllave, të cilat, duke mos mundur të ndalnin vrullin e atdhetarëve shqiptarë në Zvicër, kishin ndërmarrë veprime kriminale kundër librarisë së Beat Shaferit në Biel (Beti ishte i specializuar në literaturën shqiptare dhe e kishte mbushur librarinë e tij edhe me libra në gjuhën shqipe), duke vendosur një bomë me fuqi të madhe shkatërrimi, duke shkelur sovranitetin e një shteti neutral, për t’iu hakamarrë Lëvizjes atdhetare. Pas zbulimit të bombës ndërhynë policia Zvicerane për ta eleminuar këtë mjet eksplozivë dhe ky lajm me 17 dhjetor 1984, ishte transmetuar në televizionet zvicerane, duke befasuar dhe indinjuar së tepërmi qytetarët e Zvicrës demokratike.
Politika e dhunshme e Beogradit, për të pasur informata më të hollësishme për aktivitetin e emigracionit shqiptar, përmes Ambasadës Jugosllave, kishte organizuar disa spiunë në Zvicër. Këtë akt spiunazhi më 8 shkurt 1986 e bënë publik edhe Deparatamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës. Për këtë ka kërkuar që menjëher të largohet nga Zvicra një konsull i ambasadës jugosllave. Ndërsa, tre informatorët Jugosllavë, duhet të përgjigjeshin para drejtësisë për veprimtari ilegale spiunazi, etj. Kjo veprimtari spiunazhi e UDB-së, dëshmoi më së miri se Beogradi ishte shkelës brutal i konventave ndërkombëtare dhe po ndërhynte në punët e vendeve tjera.
Përkundër kërkesës së zotit Hasan Malaj për të hequr adresën e Zërit të Kosovës dhe, në anën tjetër të kërcnimeve të Shërbimit Sekret të Jugosllavisë, miqtë tanë zviceranë, zoti Beat dhe zonja Katrinë nuk kishin pranuar të hiqnin dorë nga përkrahja për çështjen e drejtë të popullit shqiptar, të mbetur padrejtësisht nënë Jugosllavinë pushtuese.