Histori

Sali Onuzi: Beteja e Slivovës dhe e Shtimjes

Pasi Ushtria turke dhe flota ndërkombëtare ia dorëzuan qytetin shqiptar të Ulqinit, Malit të Zi (nëntor 1880), Lidhja e Prizrenit kaloi në një etapë tjetër më të përparuar, vendosi të luftojë për autonominë e Shqipërisë së Bashkuar. Kulmi i veprimtarisë politike e ushtarake përkon me luftën e Lidhjes së Prizrenit për të realizuar me forcën e armëve qëllimin e saj politik. Nën komandën e Sulejman Vokshit dhe të një Shtabi ushtarak, brenda një kohe të shkurtër, Lidhja organizoi një ushtri shqiptare, të vogël në numër.

Që në dhjetor 1880 forcat e Lidhjes  çliruan Prizrenin, Lumën, Gjakovën, Gucinë dhe brenda janarit e shkurtit 1881, Shkupin, Prishtinën, Mitrovicën duke zënë edhe urat hekurudhore. Autoriteti i Lidhjes shumë shpejt u shtri edhe në Tetovë, Gostivar e Dibër. Brenda janarit dhe shkurtit 1881, ushtria e Lidhjes arriti të çlironte rrufeshëm Rrafshin e Dukagjinit, Kosovën, Shkupin, vuri nën kontrollin e saj hekurudhën Shkup- Mitrovicë dhe përgatitej për të çliruar vise të tjera të Shqipërisë.

Por, siç dihet, Qeveria e Përkohshme e Lidhjes, nuk pati kohë të organizonte si duhej as pushtetin e as ushtrinë e saj në mbarë Shqipërinë. Porta e Lartë vendosi ta shtypte sa më parë me zjarr e me hekur Lidhjen e Prizrenit. Me 27 dhjetor 1880 Dervish Pasha i dërgoi sulltanit relacionin e tij të zi, në të cilin propozonte, që në Kosovë ku “autoriteti shtetëror është zhdukur krejtësisht”, duhej të dërgohej një forcë ushtarake e madhe në numër (prej 40 batalionesh ) “për të shtypur dhe likujduar” Lidhjen e krerët e saj. Kjo duhej te fillohej pikërisht nga Gegëria ku “ka lindur ideja e bashkimit” të shqiptarëve shkruante ai.

Marshalli famëkeq Dervish Pasha  me 7 gjeneralë ne vartësi, me të paktën 30 batalione, të pajisuar me teknikën më moderne te kohës, me shumë topa, me bateri malore dhe dy vagona me municion zbriti nga deti  ne Selanik. Me 7 prill  hyri në Shkup pa luftë.

Kushtrimit të Lidhjes iu përgjigjën vetëm kazatë e Prizrenit, Gjakovës dhe Lumës. Ushtria e Lidhjes arriti në vetëm 5 mijë ushtarë. Kundërshtarë të  Lidhjes e sabotuan dhënien e kushtrimit, sidomos në Fushën e Kosovës.

Prijësit e Ushtrisë së Lidhjes humbën kohë duke kuvenduar për planet e luftës dhe disa pak forca të saj nuk mundën të bënin veçse një qëndresë të shkurtër në  Grykën strategjike të Kaçanikut, duke humbur këtë pozicion shumë të rëndësishëm për qëndresë. Më 7 prill, ushtria osmane zbriti në Ferizaj. Objektivi i parë i trupave osmane ishte qendra e Lidhjes, qyteti i Prizrenit. Forca të mëdha u nisën edhe në drejtim të Prishtinës, Mitrovicës, Gjilanit  etj.

Forcat e Lidhjes zunë rajonet e mbrojtjes në rrugën  Ferizaj –Prizren. Shtabi me Sulejman Vokshin u vendosen në Shtimje me forcat kryesore, pjesa tjetër zuri vend më përpara, në Slivovë. Shtabi kishte vendosur edhe një stacion telefonik për lidhje me Prizrenin.

Dervish Pasha nuk u ngut, por qëndroi dhjetë ditë  me zbulimin e terrenit, të forcave ushtarake të lidhjes, organizimin e tyre dhe demagogjisë për të futur përçarje. Por edhe nga frika që kishin përhapur nëpunësit e Postës së Prizrenit sikur ushtria e Lidhjes  përbëhej nga 45 mijë ushtarë, gjë që kish ngjallur një frikë të madhe tek komandantët e ushtrise turke.

Brezi i mbrojtjes së forcave të Lidhjes shkonte deri në 10 km gjerësi dhe 18 deri në 25-30 km thellësi. Vokshi dhe Shtabi i tij e ndërtoi formacionin e luftimit në dy skalione. Në skalionin e parë: Zaskok-Nerodimë-Slivovë vendosi repartet pararojë rreth 2000 veta, në skalionin e dytë Shtimlje-Topican përqendroi forcat kryesore rreth 3000 veta. Në luftim merrnin pjesë direkt edhe vetë udhëheqësit e Shtabit ushtarak të Lidhjes, si Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia  etj. Si shihet, Vokshi i mbajti  forcat kryesore në skalion të dyte, gjë që u bë  për të pasur  mundësi manovrimi dhe goditjeje të befasishme nga një drejtim në tjetrin, sipas situatës që do të krijohej.

Më 16 prill forcat osmane sulmuan në drejtim të Slivovës, por forcat shqiptare e përballuan më trimëri sulmin dhe për 4 ditë e netë i gozhduan ata para kodrave. Një kronist shkruan: “Prita dhe presioni i tyre (shqiptarëve) u bënë aq të papritura sa, në çastin e parë ushtria turke u detyrua të tërhiqej. Sulmi i shqiptarëve u përsërit disa herë”.

Me 20 prill, ora 6.00, Dervish Pasha sulmoi në shkallë të gjerë duke patur si objektiv Slivovën, Shtimjen, Grykën e Carralevës, e pastaj Prizrenin. Rreth 15 000 ushtarë osmanë sulmuan në tri drejtime. Dervish Pasha…urdhëroi të silleshin menjëherë në kodrën përbri Slivovës 6 topa, të cilët hapën zjarr… më shumë se një orë e gjysmë. Shpirtziu nuk hezitoi të qëllonte me top as ushtarët e një batalioni të tij (me nizamë shqiptarë) që hezitoi të sulmonte, duke vrarë 50 prej tyre.

Duke parë dëmin që shkaktonte artileria e armikut, Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës me disa luftëtarë sulmuan drejt kodrës për të asgjësuar baterinë turke, por ranë heroikisht, aty, para grykave të topave.Zjarri i artilerisë pati pasoja të rënda për forcat e skalionit të parë, të cilat u detyruan të tërhiqen drejt Shtimjes, nga vijë në vijë, ku u bë edhe qëndresa më e fortë dhe shkëlqeu heroizmi masiv i shqiptarëve, nga të cilët ranë  duke luftuar 1200 prej tyre, kurse nga forcat osmane rreth 800. Ka të dhëna se raporti i të vrarëve është 2000 turq e 1000 shqiptarë.

Dhuna e forcave turke arriti kulmin edhe ndaj popullsisë civile, vrasjeve, djegieve të shtëpive. Ata kapën dhe varën në një majë lisi Sef Kosharen, njërin nga anëtarët e Shtabit ushtarak të Lidhjes, njërin nga heronjtë e qëndresës 6 mujore të Plevnës të vitit 1877 kundër ushtrisë ruse. Ashtu, të varur, e lanë tri ditë për të tmerruar popullin, po ky e përjetësoi në këngë trimërinë e figurën e tij.

Me taktikën e tyre forcat e Lidhjes duhej të kompensionin mangësitë e mëdha të  armatimit që ato kishin në përdorim. Ushtria e Lidhjes ishte e pajisur me pushkë me çark që mbusheshin nga gryka (duke humbur shumë kohë) dhe nuk e hidhnin plumbin më shumë se 100-120 metra, ndërsa ushtria turke ishte e pajisur me pushkë me shumë fishekë të tipit “Uinçestër” dhe të sistemit më të ri “Martini- Henri”, model i vitit 1871 të prodhimit amerikan dhe anglez, me topa  gjerman dhe mitrolozë amerikan.

Pushkët “martin” ushtria e Lidhjes i kishte shumë të pakta dhe ishte shumë keq për fishekët e tyre (nga 40 fishekë për ushtar !) Në këto kushte shqiptarët përdorën me sukses luftimin e afërt, pritën e deri luftimin trup me trup që zgjati disa orë në Shtimje dhe me të cilin mundën të ulnin në një shkallë të madhe efektin e pushkëve “martin”, apo të artilerisë.

Edhe me pak përforcime që erdhën nga Prizreni, S. Vokshi organizoi një qëndresë në Grykën e Carralevës dhe më 21 prill në Qafën e Duhles, e në  në Suharekë ku u zhvilluan luftime të ashpra. Po edhe këtu shqiptarët u detyruan të tërhiqen. Dervish Pasha hyri me 24 batalione në  Prizren me 23 prill.

Forcat e Lidhjes, ndonëse të pastërvitura si duhej e të paorganizuara mirë u angazhuan në një lufte frontale dhe qëndruan me heroizëm për 7 ditë kundër një armiku tepër superior në numër e armatim. Disfata e tyre lidhet më armatimin e tyre të pakët e të vjetëruar, me mungesat e mëdha në municion dhe së fundi me numrin e pakët te luftëtarëve.

Por qëndresa nuk u shua. Në maj e qershor ajo vazhdoi në Lumë, nën udhëheqjen e Mustafës Litës, Bajram Gjanës, Ramadan Zaskocit  dhe  në Dibër.

S. Vokshi me shumë luftëtarë u tërhoq në Malësi të Gjakovës, që, mbeti gjithnjë një zonë e lirë, një bazë e luftëtarëve të lirisë prej kah ato, herë pas here, ndërmorën sulme kundër garnizoneve turke në Gjakovë, Pejë e Prizren dhe në shkurt 1885, përsëri nën udhëheqjen e Sulejman Vokshit shpërthyen një kryengritje të fuqishme.

Lidhja shqiptare e Prizrenit u shtyp me gjak e hekur. Por qëndresa e saj politike dhe ushtarake ishte dëshmi e vendosmërisë së shqiptarëve për të fituar autonominë. Lidhja shqiptare e Prizrenit  ndezi një flakë shkatërrimtare e cila për 34 vjet do të bëhej një nga arësyet kryesore të rënies së Perandorisë Osmane, ka shkruar akademiku britanik Noel Malcolm.

Lidhja la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen e popullit shqiptar, i cili nuk u përkul, por e çoi objektivin e saj deri në fund te Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe një shekull më pas, te  pavarësia e Kosovës.

(Gazeta DITA)