Shqipëria/Aktualitet

Rama: Mediet ndërkombëtare, jehonë shpalljes së Vjosës “Park Kombëtar”

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Vendimi i qeverisë shqiptare për shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar” ka pasur jehonë në mediet ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale artikuj të medieve më prestigjioze ndërkombëtare si “The Guardian”, “France 24”, “Spiegel Wissenschaft”, “Frankfurter Allgemeine”, etj.

Me vendimin për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, qeveria shqiptare merr përsipër ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cenojë trupin e lumit dhe gjithë krahët e tij.

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare, përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.

/m.m/ /gj.m/