Portreti/intervista

Pëllumb Xhufi: Për kryetarin e munguar dhe për ata që duan të mbjellin “luftën civile” brenda Organizatës së Veteranëve

Kryetari nuk duhet të jetë një person që tregon interes për këtë post e që bën njërën për t’ia arritur qëllimit, por duhet të jetë një person që plotëson deri në një kriteret e përcaktuara, i cili nuk vetëkandidohet, por identifikohet e ftohet për t’u bërë pjesë e procesit të zgjedhjes nga një komision i posaçëm” – thotë në këtë intervistë për DITA, profesor Pëllumb Xhufi.

I pyetur lidhur me situatën e krijuar në Organizatën e Veteranëve të LANÇ, akademiku i njohur thotë se “emrat heronjve të LANÇ-it nuk duhet të bëhen pis nga njerëz, të cilët në rastin më të mirë janë të paditur e të pazotë, e në rastin më të keq janë meskinë e intrigantë”.

Me profesor Xhufin bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:

– Prof. Xhufi, besoj jeni informuar mbi debatet e zhvilluara brenda Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it. Ju jeni anëtar i Komitetit Kombëtar i Organizatës, si e vlerësoni situatën e krijuar?

– I kam ndjekur sigurisht me shqetësim dhe i hidhëruar sa më s’thuhet, kur shoh që simptomat e egoizmit, arrogancës, mediokritetit, intrigës, servilizmit, karrierizmit janë shfaqur edhe në trupin e kësaj organizate.

Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it ka qenë edhe duhet të mbetet mishërim e shëmbëlltyrë e vlerave më të mira të Luftës Antifashiste. Dashuria ndaj atdheut e ndaj popullit, idealet e lirisë, pavarësisë e përparimit të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare duhet të jenë ylli polar i asaj organizate. Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare e vunë në piedestal të historisë djem e vajza të ditur, të edukuar e patriotë, që u bënë therror që në orët e para të rezistencës antifashiste dhe që me sakrificën e tyre sublime tërhoqën në fushën e nderit e të dinjiteti kombëtar edhe masat e gjëra të të rinjve dhe të moshuarve, të fshatit e të qytetit.

Kjo është pasqyra e vlerave, me të cilën duhet të maten anëtarët e nderuar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it dhe aq më shumë drejtuesit e saj. Këtyre, sigurisht, nuk u kërkohet më as rinia dhe as sakrifica sublime në emër të interesave të atdheut. Për fat të mirë, nuk jemi në luftë. Për fat të mirë jemi në demokraci. Por, po jetojmë kohë të turbullta, kur ujërat janë përzier keq dhe kur është bërë e vështirë të dallohet vlera nga antivlera, virtuti nga vesi, trimi nga burracaku, i dituri nga i padituri, i majti nga i djathti, socialisti nga demokrati, e kështu me radhë.

Prandaj, sot më shumë se kurrë, Organizata e Veteranëve duhet të jetë një referencë e sigurtë vlerash, të cilat sot nuk ka organizatë tjetër apo parti që mund t’i mbrojë e t’i popullarizojë. Por, siç e thotë një fjalë e urtë franceze, “noblesse oblige” (fisnikëria detyron). Dhe vlerat fisnike të LANÇ-it duhet t’i rezatojë çdo anëtar i nderuar i Organizatës e më së pari Kryesia e saj.

Emrat e Qemal Stafës, Margarita Tutulanit, Mustafa Matohitit, Vojo Kushit, Zaho Kokës, Manush Alimanit, Shejnaze Jukës, Ali Demit, emrat e birit kosovar të Labërisë Xheladin Beqirit, e Pesë Heronjve Legjendarë të Vigut e bashkë me ta aradha e mijra heronjve të LANÇ-it nuk duhet të bëhen pis nga njerëz, të cilët në rastin më të mirë janë të paditur e të pazotë, e në rastin më të keq janë meskinë e intrigantë.

– Si duhet të bëhet zgjedhja e duhur e Kryetarit?

– Shikoni, për fat të keq, këto 2-3 vjetët e fundit u shuan dy kryetarë të shquar të Organizatës, shokët e nderuar Rustem Peçi e Odise Porodini. E pothuaj nuk kanë mbetur më përfaqësues nga brezi i luftëtarëve të lirisë të viteve të Luftës II Botërore. Në këto kushte kuptohet, që drejtimi i Organizatës do kalojë gradualisht në duart e pasardhësve të veteranëve të LANÇ-it.

E kuptueshme është edhe vështirësia në të cilën gjendet aktualisht Kryesia, e cila, sipas meje, e mendoi drejt që për zgjedhjen e Kryetarit të ri vendosi të hartohet një set parimesh e kërkesash që duhet të plotësojnë kandidatët. Për këtë qëllim u përzgjodh një grup intelektualësh, anëtarë të Organizatës e të Komitetit Drejtues të saj, të cilët, pavarësisht profesionit e detyrave, janë evidentuar në mbrojtjen publike të LANÇ-it. Të cilët, gjithashtu, nuk kanë konflikt interesi, në kuptimin që nuk pretendojnë të konkurojnë për vendin vakant të Kryetarit.

Mirëpo, ky vendim i marrë me shumicë votash nga Kryesia prej pesë anëtarësh, duket u ka prishur qetësinë disa partizanëve të markës “bëje vetë”! Dhe këta, siç ka bërë e bën Berisha brenda Shqipërisë e brenda mbarë shqiptarisë, po duan të mbjellin “luftën civile” brenda Organizatës.

Unë jam vërtet i zhgënjyer prej ndonjërit prej tyre, që e kam njohur për punonjës të ndershëm e kokëulur të shtetit. Aq sa kam filluar të mendoj se Kryetari nuk duhet të jetë një person që tregon interes për këtë post e që bën njërën për t’ia arritur qëllimit, por duhet të jetë një person që plotëson deri në një kriteret e përcaktuara, i cili nuk vetëkandidohet, por identifikohet e ftohet për t’u bërë pjesë e procesit të zgjedhjes nga një komision i posaçëm “të urtësh”.

– Ju vetë keni ndonjë emër të mendje, që do mund ta kryente me nder e dinjitet detyrën e Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it?

– Kam, posi, dhe jo vetëm një emër. Kam disa emra burrash e grash, bij të denjë të prindërve të tyre, luftëtarë të LANÇ-it, dhe që kanë qenë ata vetë qytetarë të denjë e të përkushtuar të këtij vendi, intelektualë të respektuar që janë dalluar në mbrojtjen e vlerave fisnike të Luftës Antifashiste si dhe në betejat e pasluftës për ndërtimin, fuqizimin e zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe mbrojtjen e demokracisë kundër prirjeve diktatoriale e neofashiste, që janë rishfaqur në jetën politike të vendit.

—-