Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Dashamirësia

(Çast eseistik), 1

Cilësi dalluese e një njeriu është edhe dashamirësia e tij, mirëdashja. Do të thosha, cilësi e rrallë, e veçantë, e jashtëzakonshme. Njerëzit me këtë cilësi e meritojnë nderimin e secilit prej nesh. E cila filozofi, cili religjion apo shoqëri heq dorë nga kjo veçanti që buron nga zemra?
Fjalori i shqipes e përkufizon fjalën dashamirësi kështu: “Të qenët mirëdashës, vetia e sjellja e atij që është dashamir, qëndrim miqësor, mirëdashje…”
1.
Pyetja shtrohet: a ka nevojë njerëzimi për më shumë dashamirësi e bamirësi? Për bujari e fisnikëri? Sigurisht që njerëzit e vuajtur do ta ndiejnë një lehtësim, mundimet e tyre zbuten, pakësohen dallimet, hiqet ashpërsia, forca e së ligës vjen duke u zbehur. Grindjet zënë të pushojnë, urrejtja zë të fashitet, inatet dalëngadalë pushojnë, egërsia i kthehet fatkeqësisë së vet, burimit të vet. Nuk është e habitshme përse kaq shumë insistojnë në zhvillimin e këtyre vetive dashamirëse, siç janë mësuesit shpirtërorë, reformuesit e proceseve shoqërore e të ndryshimeve historike, personalitetet e jashtëzakonshme (shembulli Nënës Tereze). Këmbëngulin që kjo e mirë njerëzore i bën mirë shoqërisë.
Në secilën kohë, qoftë dhe nën pushtim, nevojitet gjithsesi më shumë kjo dashamirësi dhe kjo bamirësi, pikërisht për faktin pse ti e do vendin tënd, pse dashuria jote për atdheun është e pakufi, e pakushte. (Le ta kujtojmë, ndër të tjera, lëvizjen humaniste nën firmën e SHHB “Nëna Tereze” gjatë viteve ’90).
Që në lashtësi, Konfuci pohonte se dashamirësia është elementi karakteristik i njerëzimit.
Nuk është e rastit përse riti i lashtë antik, në daç pagan (i shoqërisë skllavopronare) e në daç edhe religjioz; praktikohet edhe sot: për t’i nderuar dëshmorët që e kryen detyrën e tyre ndaj atdheut, duke mos menduar që t’i shkojnë pas lakmisë, egërsisë, poshtërimit të tjetrit, plaçkitjes, keqbërjeve apo rrënimit të të mirave të përbashkëta.
Të mirat e përbashkëta?!
Po!
Prej asaj antike tonë rrjedh edhe koncepti i së mirës së përbashkët, siç është fjala Res Publika (Republika): të mirat e përbashkëta. E përbashkët dje ishte rezistenca për ta mposhtë dhunën.
Të përbashkëta sot na janë liria, rrugët e ndërtuara, shëndetësia, arsimi, kultura, ligjet, mbrojtja, institucionet, zhvillimi ekonomik e i përgjithshëm.
Të përbashkët e kemi Kosovën.
Të përbashkëta duhet t’i kemi edhe mirëqenien, punësimin, vlerat shoqërore e ato familjare.
Të përbashkëta na janë koekzistenca dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët, me vlerat evropiane dhe me mbarë kombet e shtetet e botës. Si vlera universale.
E si mund të arrihen këto, po qe se mungon virtyti i dashamirësisë?
2.
Kësisoj, marrëdhëniet brenda shoqërisë sonë, do të jenë më të qëndrueshme. Në shoqëritë ku mbisundon egërsia, marrëdhëniet e tilla janë katastrofike (me vrasje bandash e vrasje nga shteti, me mbisundimin e ligjit të të fortit).
Në shtetet e tilla (sidomos tek ata me mendësi pushtuese), nuk është e habitshme pse mbizotërojnë çorientimi, përhapja e urrejtjes ndaj të tjerëve.
Dikush mund të thotë: po, në shoqëritë e përparshme a fisnore apo në komunizëm, njeriu shkrihet në kolektivtet; s’ka më individ e individualizëm. Në fakt, rrymat moderne të mendimit politik, filozofik, sociologjik, apo edhe të letërsisë; kur i bëjnë analizë shtetit, shoqërisë dhe zhvillimit historik të shekujve të fundit, pohojnë se ato (shteti, shoqëria etj) drejtohen nga interesi personal.
Letërsia, ç’hyn këtu në punë?
Po pikërisht pse e duan një botë njerëzore, ku të mbiozërojë humanizmi, shkrimtarët japin mendime të bukura për të gjitha kohët.
Naim Frashëri: “Ai që ka mirësinë, ka perëndinë e të mirat, edhe kush ka djallëzinë, ka djallë e ligësirat!”
Mark Twain: “Mirësia është gjuha të cilën të shurdhrit mund ta dëgjojnë dhe të verbrit mund ta shohin.”
Shembullin na jep edhe Gjergj Fishta te “Lahuta e Malcis”, kur i drejtohet Turqisë, për t’ia tërhequr vërejtjen që t’i lejojë e t’i nderojë vlerat e lirisë, të fqinjësisë dhe miqësisë:
T’ thuesh, Shqyptarët lshue i ké pa zot;
E lshue u ké ti m’ qafë xhahilat,
N’ krye t’ vendit vû u ké katilat,
E as per t’ mjeren moj Shqypní,
Qi nder lufta per tý âsht shkrî,
Turk e i kshtênë, po, gjâ ndertue
S’ ké dér m’ sod; veç se rrenue,
Djegë e pjekë edhè shkretnue,
Me i u dhimtun minit n’ múr
E atij gjarpnit per nen gúr.
Prandej vetë kishe me thânë,
Se s’ bân keq lirín m’ u a dhânë:
Asht mâ mirë me i pasun miq
E të lirë, se rob e anmiq;
Edhe filozofët, si Adam Smith, gjerësisht e trajtojnë esencën e dashamirësisë e të mirëdashjes: “Të ndiejmë shumë për të tjerët dhe pak për veten tonë, që të përmbajmë egoizmin tonë dhe të kënaqim me dashuritë tona dashamirëse, përbën përsosjen e natyrës njerëzore.”
3.
Pikërisht demokracia është shansi më i mirë për shquarjen e individualitetit në të gjitha vlerat personale e shoqërore. Që në shek. XVIII-XIX, kur jetoi William Godwin (filozof i mendimit politik, romansier dhe gazetar), thoshte:
“Ndjekësit më të ashpër të doktrinës së interesit personal, pohojnë, që njerëzimi në të gjitha rastet drejtohet nga pikëpamjet e interesit më të ngushtë personal dhe se ata që përparojnë me pretendimet më të larta për bamirësi, dashamirësi, filantropi, patriotizëm, bujari dhe vetëmohim, gjatë gjithë kohës mashtrojnë të tjerët ose e mashtrojnë vetveten”, se të tillët (bamirësitë, njerëzit e vlerave të dashamirësisë e bujarisë), “përdorin një gjuhë të besueshme dhe me tingëllimë të lartë të thjeshtësisë, që nuk shërben për asnjë qëllim tjetër përveç për ta mbuluar nga vëzhgimi ynë ‘atë pamje të kobshme, zemrën e zhveshur njerëzore’ “. Nuk është e rastit përse Godwin ishte kundër doktrinave ekstreme, edhe atyre religjioze, edhe atyre politike-filozofike; tek të parët, po qe se “njeriu i virtytshëm” nuk prodhon të mira të përbashkëta për të tjerët, atëherë nuk është virtyt, sepse bën vlerësime të rreme, duke parapëlqyer një të mirë të parëndësishme, pra jo gjithëpërfshirëse.
Interesi vetjak, sidomos në qarqet politike, po e shohim për çdo ditë në të katër anët e botës (e shohim edhe në Kosovën tonë), se ku na çoi, pasi po e përjetojmë të gjithë.
E përse nuk paska mundësi që ta gjejmë kënaqësinë e këtij interesi në dobi të të tjerëve?
4.
Në një vend ku të rrethojnë shumë kundërshtarë e armiq, shumë përbuzës dhe injorantë; aty ku mbisundon konkurrenca armiqësore e një të keqeje; praktikimi i dashamirësisë merr vlerë të veçantë. Po e dhurove atë, dhuratat të kthehen shumëfish. Mu si te ajo vlera tjetër e shoqërisë njerëzore, siç është bamirësia për skamnorët dhe hallexhinjtë. Po qe se ti ke rezultate të shkëlqyeshme në mësim a në studime, kur ti nuk harmonizohesh me rrethin shoqëror, atëherë humb nga kjo vlerë.
Kështu ndodh edhe me jetën shkencore, me njeriun e suksesshëm në politikë apo në sferat tjera të jetës. Kjo do të thotë që bashkërendimi a harmonizimi i suksesit tënd me të mirat e përbashkëta, krijon një ambient dashamirës, pikërisht sepse ti je i kujdesshëm. Nëse tjetri e përbuz këtë virtyt, ti ec përpara. Dashamirësi do të thotë që i nderon vlerat e suksesit të tjerëve, sepse ato të jepen edhe ty. Dhe kësisoj, siç thotë një mendimtar bashkëkohës, krijon edhe një mjedis të larmishëm (e jo të thjeshtëzuar, të shtypur si nën regjimet totalitare), apo mjedis kaotik si në shoqëritë anarkike ku i forti e bën ligjin.
Ligji?
E po, është si ajo logjika që na thotë: merr e jep. Jep të mirën për të mirat e përbashkëta, dhe ashtu do të shpërblehesh.
Po qe Tjetri e dhuron të keqen, lakminë, agresivitetin pushtetor, ashtu edhe do të përfundojë: te ky synim i padrejtë dhe të pangopësia e tij për pasuri e pushtet mbi të tjerët. Martin Luther King do të pohonte: “Çdo njeri duhet të vendosë nëse do të ecë në dritën e altruizmit krijues apo në errësirën e egoizmit shkatërrues.”
Njerëzimi e di që ajrin e kemi të përbashkët, si natyra, si njeriu, si shtazët. Ashtu siç e kemi të përbashkët dritën e diellit a ujët që e pimë.

Postimet e fundit !