Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Atdheu në një qese najloni (Tregime me pak fjalë) 27

Përfytyroje sikur për një çast humbin deti dhe lumenjtë. Përfytyroje, po ashtu, sikur s’ka më ara për grurë as kopshte për pemë e perime, as për zarzavate, as bagëti për tambël, e prodhime qumështore, as për mish a prodhime mishtore. Kështu po i thoshte gjyshi nipit të tij, Mirit. Punë e madhe, ia ktheu Miri, kemi mjaft pishina, kuti ushqimesh të bollshme në konserva peshku e mishi, qese najloni për të gjitha zarzavatet tjera… Madje, tash kemi ushqime të bollshme, në krahasim me kohën tënde, gjysh.Ke të drejtë, nipçe, sepse tashmë kjo po ndodh, s’ka më ara, s’ka bagëti, s’ka më kopshte, por s’ka më as rini. Ani, tash bota është e madhe, gjysh! Rinia shkojnë të jetojnë atje ku të duan. Para dy ditësh fola në video-chat me shokun tim të studimeve, Linin. Ai po punon me një fermë bagëtish zvicerane, një tjetër mik po punon në kopshtari diku në Itali, i treti në industrinë e peshkut në Gjermani… njoh mjaft shokë që kanë karrierë të suksesshme në sport, muzikë, mjekësi, nëpër këto vende… Për sa i përket mishit, zarzavateve, pemëve e perimeve, na sjellin firmat tona tregtare nga shtetet fqinje… Nipi, me veturën e tij, shkoi dhe i solli gjyshit ushqimet e nevojshme në qese najloni. Shtëpia ishte mbushur me qese najloni. Iu duk sikur ato e mbështollën shtëpinë, i mbështollën arat, stallat e bagëtive, rrugët, malet, fushat, shtëpitë, qytetet, fshatrat, tërë vendin. Madje, mbizotëronin qeset e zeza të najlonit. Nuk e kuptoi as vetë se si kishte hyrë në një qese të zezë najloni për mbeturina. (20 qershor 2021)