Botë

Personalitete, liderë botërorë dënojnë sulmin kundër shkrimtarit Salman Rushdie

NJU-JORK, 13 gusht /ATSH/ – Personalitete të famshëm dhe liderë botërorë janë shprehur të tronditur përmes postimeve në rrjetet sociale, ndërkohë që shkrimtari i mirënjohur Salman Rushdie lufton me vdekjen dhe merr frymë me ndihmën e aparaturave të oksigjenit, pasi u sulmua me thikë gjatë një aktiviteti letrar një ditë më parë në Nju-Jork.

Shkrimtari 75-vjeçar u transportua me helikopter drejt spitalit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe rrezikon të humbasë njërin sy si pasojë e sulmit të befasishëm.

Hadi Matar nga fshati Fairvieë – konteja e Uestçesterit –  agresori 24-vjeçar i shkrimtarit, u arrestua nga oficeri i sigurisë i angazhuar për sigurinë gjatë aktivitetit.

Presidenti amerikan Joe Biden ishte i pari që reagoi lidhur me ngjarjen, duke publikuar një deklaratë pasi mësoi rreth gjendjes së rëndë të Rushdie.

“Sot, vendi ynë dhe bota mbarë u bënë dëshmitarë të një sulmi të dënueshëm kundër shkrimtarit Salman Rushdie”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar që “ky është akt i urryer dhune.”

“Të gjithë në adminstratën Biden-Harris luten për shërimin e tij të shpejtë. U jemi mirënjohës qytetarëve të mirë dhe atyre që reaguan duke i ardhur në ndihmë aq shpejt zotit Rushdie pas sulmit, si dhe organzeve ligjzbatuese për punën e tyre të shpejtë dhe efikase, që vazhdon ende,” thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Me të njëjtën keqardhje, kryeministri britanik në largim, Boris Xhonson shprehu përmes një postimi në rrjetin social “Tëitter” shqetësimin e tij të thellë lidhur me këtë sulm.

“I tronditur që Salman Rushdie është goditur me thikë, teksa ushtronte një të drejtë që s’duhet të ndalojmë kurrë së mbrojturi”, deklaroi Xhonsoni, i cili pritet të largohet nga posti i kryeministrit muajin e ardhshëm.

Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu shprehu  shqetësimin e tij për sulmin duke theksuar përmes një postimi se “prer 33 vjet, Salman Rushdie mishëron lirinë dhe luftën kundër obskurantizmit.”

“Ai sapo është bërë viktimë e një sulmi prej burracaku nga forca të urrejtjes dhe barbarizmit. Lufta e tij është lufta jonë; është e përbotshme. Sot më shumë se kurrë, ne jemi pranë tij”, shkruante Macron në një postim në Tëitter.

Po ashtu, personalitete të famshëm dhe figura të tjera të letërsisë botërore shprehën menjëherë shqetësimin e tyre dhe i përcollën shkrimtarit urimin për shërim sa më të shpejtë.

Autori i romanit “Gjahtari i Balonave”, Khaled Hosseini gjithashtu e dënoi sulmin kundër shkrimtarit të njohur.

“Jam absolutisht i tmerruar nga sulmi i ulët kundër Salman Rushdie. Lutem për shërimin e tij. Ai është një zë themelor dhe nuk mund t’i mbyllet goja”, shkroi ai në një postim në Tëitter.

Shtëpia botuese e veprave të Rushdie, “Penguin Random House”, e dënoi sulmin përmes një deklarate.

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të tmerruar kur mësuam rreth sulmit kundër Salman Rushdie, ndërsa fliste në Institutin Chautauqua në Nju-Jork,” deklaroi drejtori i shtëpisë botuese, Markus Dohle.

/u.sh/

Postimet e fundit !