Uncategorised

Organizata Dëshmorëve: Elbasani shënoi 10 korrikun – Ditën e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH – së

Dita e premte në sallën e Teatrit “Skampa” të Elbasanit, pati veprimtarinë përkujtimore të 80-vjetorit të krijimit të UNÇL më 10 korrik 1943, duke i paraprirë ceremonisë zyrtare që organizohet për çdo vit, pikërisht në Labinot Mal, në ndërtesën ku ajo u krijua.
Veprimtaria e organizuar nga Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit” Dega Elbasan.
Në ceremoni ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i KKV, shoku Veli Myftari, veterani Abaz Murataj, e ftuar Kryetarja e OKDA Dega Elbasan Xhuljeta Graceni dhe disa anëtarë të kryesisë së kësaj organizate, anëtarë të organizatës së veteranëve Elbasan, të Shoqatës së Ushtarakëve dhe të ftuar të tjerë.
Ceremoninë e rastit e mbajti Gani Hida, Sekretar i OV të LANÇ Dega Elbasan, njëherësh Kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Shpati”.
Në emër të kryesisë së përgjithshme të KKV përshëndeti shoku Veli Myftari. Në emër të OKDA Elbasan, fjalën përshëndetëse e mbajti kryetarja e organizatës, Xhuljeta Graceni, e cila ndër të tjera tha: “Në LANÇ qyteti i Elbasanit dhe i krahinave të tij i ka dhënë Shqipërisë trima dhe heronj… Gjatë kësaj lufte, këtu në Elbasan, është zhvilluar një aktivitet i gjerë revolucionar… Me formimin e Shtabit të Përgjithshëm, u organizuan njësitë e ushtrisë sonë të lavdishme NAÇL… Këtej Shtabi ynë ka dhënë urdhra nga Labinoti për të goditur kolonat armike…”, dhe më pas vazhdoi: “Do të doja ta mbyll këtë përshëndetje me fjalët po të Edi Ramës kur u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ku thekson: “Historinë që e kanë shkruar idealistët nuk mund ta shkruajnë Revanshistët! Historinë që e kanë shkruar çlirimtarët, nuk mund ta shkruajnë pushtetarët, dhe historinë që shkruat Ju (i drejtohet veteranëve), do ta mbrojmë ne!” (Në takimin e parë me veteranët – 2005)”
Në mbyllje të veprimtarisë, nga organizata e veteranëve dega Elbasan, u ndanë certifikata falënderimi për disa nga anëtarët aktivë të saj, në vlerësim të punës së tyre të pa kursyer.