Tjera

Mustafë Xhemajli: Në ditëlindjen e Agron Bajramit

NË DITËLINDJEN E AGRON BAJRAMIT
PËRKUJTIM
Si sot, më 18 janar 1964, para 60 viteve lindi në Prishtinë, Agron Ibrahim Bajrami. Ai ishte dhe mbeti njëri ndër personalitet e veçanta të kulturës sonë kombëtare në mërgatat tona në gjithë Evropën, e në mënyrë të veçantë në Zvicër, ku ai jetoi dhe veproi deri kur vdes nga një sëmundje e rëndë, më 12 mars 2018.
Me një përkushtim të rrallë, me fuqinë dhe kreativitetin e tij artistik, Agron Bajrami kultivoi në mënyrë aktive vallet burimore folklorike me veshjet tona tradicionale kombëtare të të gjitha trevave shqiptare në Gadishullin Ilirk, duke i shpërfaqur ato me sukses në shumë skena, sheshe e bulevarde në mbarë Evropën para mërgimtarëve tanë dhe para artdashësve të shumtë vendas.
Me ansamblin e themeluar sëbashku me bashkëshorten Lirije Bajrami, Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” me qendër në Aarau Zvicrës, u bë ambasadori ynë i shkelqyer, jo vetëm në Zvicër, i cili përfaqësoi kulturën, traditën e folklorit tonë burimor, por dha shembullin e jashtëzakonshëm të edukimit të fëmijëve të mërgimtarëve përmes kësaj shkolle arti e kulture.
Me moton e shquar TË MËSOHEMI TË ECIM SHQIP, nga duart e mjeshtrit të valleve Agron Bajramit, kanë dalë gjenerata të tëra, të frymëzuara dhe edukuara në frymën e artit e të kulturës sonë kombëtar.
Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota”, e Agron Bajramit, ka mbushur 30 vjet veprimtari të pashkëputur. Edhe pas vdekjes së tij të hershme, kjo shkollë, e cila u bë emblemë e shqiptarëve në Zvicër, vazhdon punën dhe është bërë tashmë, një institucion kulture në shtetin helvetik.