Uncategorised

Mehmet Bislimi: Poezi për Heroin Fazli Grajçevci

Univers

(Fazli Graiqevcit, Kujtojmë të lavdishmit)

përditë po i zvogëlojmë borxhet
përball jetës sonë të varfër
shprehimisht
vitet që na takojnë po zvogëlohen
numra në rënie
shtrëngatat ziliqare na kanë rrethuar

arkeologu pranë ashtit fosil
gojëhapur mbeti
retë ngarkuar plot me shi
ulur por si kësulë e bardhë
mbi majat e larta të Golashit
atje ku flamuri i ëndrrave tuaja
zhurmshëm po valon

me zvogëlimin e viteve
dhe borxhit ndaj jetës
pengu i borxhit një ditë
mbetur fashitur brenda vetes
të porta me rrapëllima do na trokasë
për të marrë hakun e së vërtetës
natyrshëm
do t’na thërras

o burra
kush (s)më thotë
e kemi zvogëluar borxhin
për vëllain e motrës
për birin e tokës
për Fazliun e nënëlokes
që dashuri i fali atdheut
i fali jetës
i fali tokës
Fazliu
i nënëlokes Shqipëri
për ty as sot
nuk i ndali lotët ky shi

Nëntor, 2014
Mehmet Bislimizli