Në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së, në Prishtinë, sot me ceremoni ushtarake u shënua 27 Nëntori – Dita e Forcës. Për shkak të masave anti-covid, këtë vit aktivitetet ceremoniale u realizuan me pjesëmarrje të kufizuar. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë: Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Frank Best, ministra, zëvendësministra, deputetë, familjarë të dëshmorëve të kombit, atashe e oficerë ushtarakë të vendeve partnere si dhe oficerë, nënoficerë e ushtarë të FSK-së. Ceremonia zyrtare filloi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe me performancën ushtarake në nderim të të rënëve për liri nga ana e Togut Ceremonial dhe Bendit Muzikor të FSK-së.
U.d. Presidentja Osmani, në fjalën e saj, drejtuar përfaqësuesëve të institucioneve të vendit, si dhe oficerëve e nënoficerëve të FSK-së, theksoi rëndësinë e madhe që ka kjo ditë jo vetëm për Ushtrinë e Kosovës, por për të gjithë popullin e saj dhe historinë e saj të lavdishme. Ajo ndërlidhi simbolikën e themelimit të saj mbi luftën dhe sakrificën e madhe të komandantit Adem Jashari dhe Familjes Jashari si dhe politikën largpamëse për krijimin e miqësisë me aleatët perëndimor të kryesuar nga SHBA, të Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Ajo theksoi vizionin për Kosovën që duam si një vend të sigurt, të zhvilluar ekonomikisht, si dhe të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Ndërsa, kryeministri Hoti, në fjalën e tij, vlerësoi lartë kontributin e madh të FSK-së në të gjitha angazhimet institucionale e posaçërisht gjatë periudhës së përballjes me krizën e pandemisë COVID-19. Ai vlerësoi se angazhimi vetëmohues me përkushtim të plotë dhe profesionalizëm të lartë ka rezultuar me ruajtjen e epitetit për vite me radhë të institucionit me besueshmërinë më të lartë qytetare në vend. Ndër të tjera, ai shprehu zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që bashkë me autoritetet e FSK-së dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, të realizojnë planet zhvillimore për ushtri të strukturuar mirë, të disiplinuar dhe të përgjegjshme për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të saj.
Në fjalën e tij, ministri Quni, përveç të arriturave të deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, vlerësimit të angazhimit dhe përkushtimit të ushtarakëve të FSK-së, ai theksoi nivelin e lartë të bashkëpunimit dhe koordinimit me ministritë dhe forcat partnere, Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) si dhe KFOR-in. Me këtë rast, ai shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e madh për mbështetjen e shumanshme nga ana e tyre në zhvillimin dhe avancimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në forca profesionale, moderne, me standardet më të larta të NATO-s dhe vendeve anëtare të saj të gatshme për ndërveprim në operacione të përbashkëta paqeruajtëse për të ofruar kontributin e çmueshëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, fillimisht ua uroi Ditën e Forcës të gjithë oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të saj, duke theksuar se suksesi i deritashëm i FSK-së qëndron mbi vlerat më të larta të besnikërisë, detyrës, respektit, shërbimit vetëmohues, nderit, integritetit dhe guximit personal të mishëruara në karakterin dhe personalitetit e çdo pjesëtari. Ndër të tjera ai nënvizoi rëndësinë e madhe që ka realizimi i Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit sipas dinamikës dhe përmbajtjes së paraparë duke potencuar nevojën e angazhimit të të gjithëve në këtë projekt madhor që ishte ëndërr e shumë brezave para nesh, kurorëzim dhe nderim i sakrificës së tyre si dhe kurorëzim i përpjekjeve të partnerëve tanë për ndërtimin e shtetit tonë dhe institucioneve të saj.
Në fund të ceremonisë, para të pranishmëve u lexua vendimi i Ministrit Quni dhe urdhri i gjeneral Ramës, për ndarjen e mirënjohjeve dhe medaljeve me emrat e oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve si dhe zyrtarëve të dalluar të Ministrisë se Mbrojtjes dhe FSK-së. Ceremonia u mbyll nga Bendi Muzikor i FSK-së të cilët interpretuan pika të zgjedhura nga repertori i tyre. (I. Sh.)