Tjera

Letra e Tefta Camit për Gani Krasniqin

PËRSHËNDETJE, shoku dhe miku im, GANI KRASNIQI!
  Ju uroj përzemërsisht 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës! Përkulemi me nderim e respekt ndaj gjithë të rënëve shqiptarë në shekuj, si dhe 13.500 të rënëve gjatë Luftës të UÇK-ës me NATO-n të përkrahura nga aleatja më e madhe e shqiptarëve të këtij shekulli, SHBA e Britania e Madhe dhe BE. 
  Në arritjen e lirisë e pavarësisë të Kosovës e të lirive e të drejtave të shqiptarëve në Maqedonin e Veriut spikat lufta e kontributi juaj si familje dhe e birit tuaj të dashur e të të gjithë shqiptarëve, Labinotit! Kush lufton e derdh gjak për lirinë e pavarësinë e mëmëdheut vulos pavdekësinë ndër shekuj. Edhe në luftën e fundit u derdh shumë gjak nga shqiptarët dhe u bënë shumë sakrifica në Kosovë për t'u çliruar nga pushtuesit serbë. Vetëm ne shqiptarët e kemi provuar se sa shtrenjtë na ka kushtuar liria e pavarësia e mëmëdheut. Siç e dini, jam pasardhëse e katër brezave dëshmorë të Atdheut, të rënë kundër të huajve si komandanta çetash për mbrojtjen e trojeve shqiptare. 
  E kujtoj periudhën e bashkëpunimit në fushën e arsimit, te kulturës e arteve dhe sporteve midis Shqipërisë e Kosovës dhe viseve te tjera shqiptare, që i kishim bashkuar në vitet kur isha ministre. Kujtoj edhe vizitën time ne tetor 1980, që ishte vizita më e bukur dhe e papërsëritëshme e jetës time. Ndihem mirë që pas shumë vitesh u rivëllazëruam me bashkëkombasit tanë, që Fuqitë e Mëdha të Europës i kishin coptuar trojet shqiptare.
  Me keqardhje e shpreh, se BE ve barazinë midis serbëve si pushtues me shqiptarët si viktima të pushtuesve, që luftonin për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Mbi këtë filozofi të paragjykimeve të shekullit të kaluar po gjykohen bijtë e mij e të gjithë shqiptarëve, drejtuesit e UÇK-ës në Gjygjin e Hagës si, trimat Ashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Selimi, që janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e tyre të montuara. Mesazhi i BE-në dhe i Gjygjit të Hagës ka qenë dhe vazhdon të jetë: "Shqiptarët që luftojnë për mbrojtjen e mëmëdheut do të gjykohen e dënohen nga Gjygji i Hagës",. Pra sipas tyre: "Mos e mbroni mëmëdheun!" 
  Gjykata e Hagës njihet si Gjykata e padrejtësisë ndaj shqiptarëve. Kjo Gjykatë është vazhdim i frymës e qëndrimeve antishqiptare të ish-kryeprokurores të asaj Gjykate, Karla Del Ponte, që në librin e saj me titull "Unë dhe krimet e luftës", duke përshkruar dëshmi anonime e të montuara shpifi ndaj shqiptarëve të Kosovës deri edhe të ashtuquajturën Shtëpi të Verdhë në një fshat të Burrelit që nuk u vërtetuan asnjëherë. E mbështeti edhe ish deputeti i PE Dick Marty, që më vonë doli se ishte paguar nga serbët për të bërë deklarata të tilla për krime lufte në Kosovë nga drejtuesit e UÇK-ës. Dhe ish-kryeprokurorja e një institucioni më të rëndësishëm ndërkombëtar të drejtësise të OKB-ës nuk është hetuar e ndëshkuar për shpifje.
  Shtrohet pyetja: "A DUHET TË KEMI BESIM NE SHQIPTARËT TEK GJYKATA E HAGËS? JO! KURRË!
  I bëj thirrje Gjykatës së Hagës: 1. Lironi djemtë tanë!
Në kohë lufte vepron ligji i luftës: Forcat pushtuese serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre serbë apo të një nacionaliteti tjetër luftohen bashkë me pushtuesin.
   Me këtë rast po i këndoj heroit të madh, Adem Jasharit:
 "Mora lapsin për të shkrue,
  Mora lahutën për t'këndue,
 Për t'këndu për legjendarin,
 Për t'këndu për heroin Adem Jasharin!
 Çohu Adem, se Gjygji i Hagës,
 Po gjykon bashkëluftëtarët tuaj.   Me siguri, po të ishe gjallë, 
  do të gjykoheshe me ta.
Se kështu don BE
Na ka bërë ne fajtorë,
Që luftuam për vatan
Dhe Serbinë si pushtuese ta mbrojë.......
 2. Ndëshkoni masakrat serbe në luftën në Kosovë, si dhe sulmin e Banjskës, që të mos përsëriten më! Mos heshtni ndaj krimeve e masakrave dhe genocidit ndaj popullsisë shqiptare, që ka bërë Serbia!
3. U bëni thirrje serbëve të Kosovës, që të integrohen me popullsinë shqptare e të zbatojnë
ligjet e shtetit të Kosovës, siç kërkon kryeministri i Republikës të Kosovës, z.Albin Kurti. Kjo është rruga më e drejtë dhe jo  të kërkohet krijimi i asosacioneve të fshatrave me shumicë serbe, sepse është një ide përçarëse dhe jo integruese, siç e ka BE. 
  I bëj pyetje BE-në: Pse misionarët tuaj të BE-në e ricoptuan territorin e Kosovës, duke ua dhënë padrejtësisht Republikës të Maqedonisë të Veriut dhe Republikës të Malit të Zi dhe duke i vënë si mundësi liberalizimin e vizave që qe dhe mbetet një farsë qesharake dhe e pakuptimtë antishqiptare, duke lënë të vetmin shtet në Ballkan, qytetarët e Republikës të Kosovës pa i liberalizuar.
 4. UNESCO të njohë Monumentet e Kultit të ritit të krishter, si Kishat e Manastiret, që kanë qenë me origjinë ilire dhe janë mbrojtur nga shqiptarët edhe pasi i kanë përvetësuar e tjetërsuar pushtuesit serbë. Prandah duhet ta pranojë Republikën e Kosovës në UNESCO. 
 Me datën 11 tetor të vitit 1980, sapo isha kthyer nga vizita në Kosovë, prita Drejtorin e Përgjithëshëm të UNESCO-s, Amadou Mahtar M. Bou. Përveç monumenteve në Shqipëri, i fola për monumentet e kultit me prejardhje ilire në Kosovë dhe patëm mirëkuptim.
  Në këto kushte nuk ka arsye, që t'ju jepen territore nga pronat e popullit. 
 5.Të mbështetet Republika e Kosovës, që të ecë drejt progresit.
  Tefta Cami-Cani, ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë
Tiranë, e mërkurë, 12 qershor, 2024