Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Rama në OKB: Nuk do të ndalemi kurrë së nderuari të vërtetën e lirisë së Kosovës

Rama shtoi se “ne nuk do të ndalemi kurrë së nderuari të vërtetën e lirisë së Kosovës dhe askush, në emër të askujt, nuk mund të hedhë asnjë grimë balte mbi ata që dhanë jetën për pavarësi.

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi mëngjesin e sotëm një pjesë nga fjala e mbajtur dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, teksa flet për luftën çlirimtare të Kosovës dhe rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës në mbështetje të raportit famëkeq të tregimtarit Dick Marty.

Rama thekson se, Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

Në fjalën e tij Rama dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se, “nuk mundem të mos e them para jush një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë mësim për gjithë botën e pikë së pari për botën demokratike. Në vitin 2011 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një raport të përpiluar nga një parlamentar i zellshëm me emrin Dick Marty, e ku akuzohej UÇK për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Z. Marty duhet të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Europës. Raporti i tij ishte tronditës, e jo vetëm shumë asokohe, i besuan, por u shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovën. U bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandë mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës”.

Rama tha se, “çdo përpjekje hetimore gjatë këtyre 11 viteve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza, por më kot, asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë apo diku tjetër që kishte të bënte me trafikimin e dyshuar të organeve. E megjithatë dhomat e specializuara për Kosovën që u ngritën mbi këtë raport, ndërkohë që flasim kanë arrestuar pa padi presidentin e Kosovës Hashim Thaçi”.

“Ne mendojmë dhe shpresojmë që bazuar në këtë mungesë provash, saktësisht, Asambleja e Këshillit të Europës do të nderojë të vërtetën dhe do pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Rama në fjalimin e djeshëm në OKB.

Rama tha se kjo përpjekje s’ka të bëjë me një person, as me procedurat e një gjykate, po me njollosjen e papranueshme të një vendi dhe të historisë së tij.

“Përpiquni ta imagjinoni të gjithë për një moment, presidenti apo kryeministri juaj, udhëheqësi i vendit tuaj që merret nga zyra, çohet në një vend të tretë, mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akt-akuzë zyrtare nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga një komunitet vendesh demokratike e pa gjejeni? As edhe një fjalë e vetme e gjithë akt-akuzës që vijoi nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Një fantazi e tërë.  Ky është një dështim monumental në nivel ndërkombëtar dhe nuk ka të bëjë me një person, nuk ka të bëjë me procedurat e gjykatës; ka të bëjë me njollosjen e papërshtatshme të një vendi dhe historisë së tij”, tha ai.

Rama shtoi se “ne nuk do të ndalemi kurrë së nderuari të vërtetën e lirisë së Kosovës dhe askush, në emër të askujt, nuk mund të hedhë asnjë grimë balte mbi ata që dhanë jetën për pavarësi.

“Çdo përpjekje hetimore gjatë këtyre 11 viteve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtarisht, por më kot, asgjë, asnjë grimë prove a treguesi nuk u gjet askund në Kosovë apo dikund tjetër që kishte të bënte me trafikimin e dyshuar e të pretenduar të organeve. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e vërtetë dhe kurrë nuk do ndalim së nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre dhe për të cilët askush, në emër të askujt, nuk mund të hedhë as edhe një grimë balte”, tha Rama.