Numërimi së prapthi filloi. 3,2,1 dhe ja, dita zero. Të urojmë për një fillim të ri! Këtë herë ishim me fat se fushata zgjedhore ndonëse filloi që ditën që u shpallën zgjedhjet, zyrtarisht nuk ishte më e gjatë se 10 ditë. Filluan debatet, përplasjet, sharjet, shpifjet, besa as fyerjet nuk munguan, por ja, kështu e kemi ne shqiptarët e të dy anëve të Drinit që na ndanë mes për mes. Çfarë nuk dëgjuam! Thirrje për ballafaqime, për të mos u thënë duele. Konstatime se ky apo ai po frikohet. Këtij apo atij i mungon programi, kjo apo ajo parti ma ka kopjuar programin ngase e kam më të mirë dhe puna e këtyre programeve nuk ka si të mos na i kujtoj programet e partive politike që i gjasonin si veja vesë, sidomos të atyre partive të viteve 90- ta, të cilat lejen e regjistrimit e kishin marrë në Beograd, nëse nuk gaboj, prej Vllado Kambovskit.
U premtua, gjithçka e çdo gjë. U ndërtuan ura edhe ku nuk ka lumenj dhe aty ku nuk pat ura u quan edhe lumenjtë t’ua ndërtojnë urat që vetëm e vetëm banorëve t’ua lehtësojnë jetën dhe kështu ndodhi para të gjitha zgjedhjeve. U premtuan dhe u ndërtuan rrugë dhe u shtrua asfalt gjatë këtyre 22 vjetëve, të cilin vërshimet e këtij viti e nxorën se nuk ishte më shumë se qilim stazë, madje siç i karektarizuan ca të rinj edhe me humor duke thënë se ai edhe mund të shkundet si qilim (tepih).
Gjatë të gjitha fushatave parazgjedhore u premtuan edhe hapje vende pune e punësime dhe nëse themi se nuk ka pasur punësime, vërtetë deputetëve e qeveritarëve thellë do t’u hynim në hak. Punësime pat, si nuk pat? Nuk iu mbet mik a mikeshë e pa punësuar, nuk iu mbet baxhanak as baxhanakeshë pa punësuar, nuk iu mbet dajë as teze pa punësuar, e për vëllezër e motra as mos të flasim. Për ta u zgjodhën punët më të rënda – punë në diplomaci. Dikush ambasador, dikush zëvendësambasador, dikush ministër këshilltar e dikush konsull a zëvendëskonsull, përplotë ambasada e konsullata me vëllezër e motra, me djemë e me vajza, madje – madje u shpikën edhe tituj diplomatik, që nuk njihen në historinë e diplomacisë, për ta rehatuar vëllain e një ministri. Vëllezër e motra e djemë e vajza, ndonjë baxhanak a baxhanakeshë lëvizin nga ambasada në ambasadë e nga konsullata në konsullatë. Më vije keq dhe iu kërkoj ndjesë atyre pak që nuk janë emëruar mbi këto baza dhe që performancën e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë të mirë. Nga qeveritë e kaluara u hapën edhe qendra kulturore të Kosovës në botë, njëra prej të cilave në Cyrih të Zvicrës , e cila më të shkurtë e pati jetën se përpjekjen për t’u hapur.
Edhe në këtë fushatë, që të lumtë ne qe nuk e patëm më të gjatë, çdo gjë e gjithçka dëgjuam. Nuk mbeti gjë pa na u premtuar nëse ne ua japim votën dhe i mbajmë edhe për nja njëzetë vjetë tjera në pushtet ashtu siç i mbajtem deri tani. U premtuan punësime e rritje pagash dhe gati gati u dyfishuan ato në premtimet e atyre që për këto 20 vjetë sa herë e kapen pushtetin, i harruan. Por, shumë herë u tejkaluan edhe kufinjtë me rrena, shpifje e maskarallëqe tjera prej veprimtarëve politikë dhe kandidatëve për deputetë, me të cilët e bashkuan dhe u bënë një edhe disa, t’u thuhet analistë, që janë largë të qenit të tillë, t’u thuhet panelistë, qe besa nuk u shkon ngase më mirë do t’u kishte shkuar t’u thuhet rrenca, shpifarak e ndonjë fjalë tjetër si mmth Valon Syla e Berat Buzhala, që me çdo gjë i gjason vjedullës po jo edhe njeriut. Shpifen për Albin Kurtin – punë e madhe! Shpifën edhe për të tjerë të VV-së drejtpërdrejtë e tërthorazi, madje shkuan deri aty sa t’ua mveshin fajin edhe për kushërinjë e djemë xhaxhallarësh, të cilët nuk i kanë në shtëpi dhe të cilët nuk janë minorë, siç ndodhi mbrëmë kur Xhelal Sveçla u atakua nga Vebi Kajtazi se e paskësh një djalë axhe në burg në Maqedoni të dënuar për narko trafik. Zoti Sveçla u atakua ngase paskësh djalë axhe filan fistekun, por nuk u tha nëse ai vetë ishte pjesë e ndonjë grupi narkotrafikantësh apo bashkëpunëtor i djalit të axhës, i cili 100% do të jetë i moshës madhore dhe nuk do ta ketë pasur kujdestar Xhelal Sveçlën, por edhe kjo si thotë populli, punë e madhe. Në këtë fushatë, që mos na raftë ta harrojmë, u sulmua edhe simboli i rezistencës kombëtare dhe nderi i kombit, Adem Demaçi. U sulmuan edhe të burgosurit politikë, të cilëve lëkurën ua ropën nëpër burgjet jugosllave për Kosovën Republikë e për bashkim kombëtar edhe etër të disave që ishin të privilegjuarit e të gjitha pushteteve të pasluftës në Kosovë, e madje edhe ministra kuisling të Rrahman Morinës e Sllobodan Millosheviqit.
Mos të zgjatem shumë me këto, ngase numërimi së prapthi ka filluar dhe uroj që të gjitha këto t’i përkasin të kaluarës e të jenë ëndrra dhe asgjë më shumë.
Ndryshimet e pushteteve po ndodhin dhe kjo po shihet qartë, por a do të ndodhin ndryshimet e premtuara, të cilat në ditën Zero po pritet të ndodhin në formë referendumi, nuk jam i sigurt, por jam i sigurt se nuk do të ketë më 20 vjetë pritje. Ia tha edhe ajo zonja në Ferizaj Albin Kurtit, zëri i së cilës ishte zë i popullit e zëri i popullit është zë i zotit.
„Nëse nuk punon mirë, nëse punon sikur këta, ty nuk do të presim 20 vjetë.“
Ashtu qoftë!