Lëvizja\UÇK

Gjashtëdhjeteteta shqiptare – pjesë autentike e Pranverës Evropiane ’68

Shkruan. Hydajet Hyseni Kaloshi

Në vend të hyrjes

         Lëvizja shqiptare e vitit 1968 ka qenë dhe vazhdon të jetë temë e preferuar e hulumtimit dhe përkushtimit të gjerë shkencor e publicistik dhe rrjedhimisht ajo është lëvruar, trajtuar, ndriçuar dhe afirmuar në mënyrë të gjithanshme diakronike dhe sinkronike.

         Përvjetori i pesedhjetë, jubilar, jep rastin dhe krijon mundësinë për një qasje të re rekapituluese dhe analitike të Lëvizjes ‘ 68, në dritën e fakteve dhe dokumentave të shumtë të publikuar dhe veprave të ndryshme, të botuara ndërkohë, nga autorë të ndryshëm vendorë dhe të huaj.

         Punimi “Gjashtëdhjeteteta shqiptare – pjesë autentike e Pranverës evropiane ’68” mëton të trajtojë kontekstin historik dhe politiko – shoqëror në të cilin lindi dhe u zhvillua Lëvizja ‘ 68, në viset e robëruara shqiptare, dimensionin parardhës si dhe vizionin pasues e vijues, me fokusim të vaçantë tek realicioni historik me Gjashtëdhjetetetën evropiane në dy hemisferat e saj.

         Trajtesa është një përpjekje e natyrës eseistike, analitike dhe krahasimore, me referenca qasjeve dhe vlerësimeve të ndryshme e përplotësuese e përqëndruar në shquarjen, potencimin  dhe afirmimin e karakterit autentik të Nëntorit pranveror ’68, përgjithësisht, posaçërisht, si lëvizje pasardhëse e përpjekjeve paraardhëse atdhetare e çlirimtare dhe njëkohësisht parardhëse e Pranveres shqiptare ’81 dhe vazhdimësisë së saj, Lëvizjes së padhunshme politike të viteve ’90, Lëvizjes  stundentore të vitit 1997 dhe kulmimit me luftën fitimtare të ushtrive tona çlirimtare.

         Si e tillë, ajo mund të jetë edhe një intrigim dhe nxitje për studiuesit e ndryshëm, për hulumtime të reja arkivore dhe memoristike dhe për bërballjen e fakteve dhe argumenteve, në funksion të pasurimit, thellimit dhe ndriqimit të së vërtetës së plotë shkencore të Dhjetorit ~pranveror të vitit ’68 dhe rrezatimit të  pasues historik.

                                        Brezi i ndryshimeve historike

 Gjashtëdhjeteteta evropiane shënon të parën shkundje të madhe dhe këndellëse në tërë Evropën e përgjumur të pasluftës dhe madje edhe në një pjesë të madhe të gjithë Globit. Ishte kjo, pas Aleancës së madhe antifashiste, e para lëvizje e madhe politike e shtrirë në të dy anët e ndara në mënyrë aq absurde e ogurzezë: në njërënanë Lindja e në anën tjetër Perëndimi, një ndarje që brenda saj mbante dhe ushqente një ndarje tjetër po aq absurde për kohën, ndarjen: jug veri. Ishte mbase e para Lëvizje globale, siç thuhej “nga Berkli në Londër dhe nga Nju Jorku në Pragë…”

Lëvizja 1968 ishte një përpjekje e dëshpëruar dhe ne një masë edhe heterogjene, e llojllojshme dhe e shkapërderdhur, për t’u ngritur mbi logjikën e Luftës së Ftohtë dhe për të dalë jashtë kallëpeve ngulfatëse të mendimit e të veprimit të programuar e totalitarist.

                                                    1.

“Le te jemi realistë, le të kërkojmë të pamundurën!” Ky ishte njëri nga sloganeve në pamje të parë paradoksale e utopike të gjashtëdhjetetetës në Evropë. “Lëvizja ’68 ishte lëvizje rinore (e udhëhequr nga studentët), që synonte krijimin e një bote të re, një shoqërie të re”, thekson njëri nga prijësit e kësaj lëvizje, Daniel Cohn-Bendit XE (“Daniel Cohn-Bendit”).

I pakënaqur me gjendjen dhe i zhgënjyer me parajsën e vet, me të cilën ishte ushqyer e nanuritur aq gjatë, brezëi atëherë i ri i të dy gjysmëevropave, po merrte guximin të kërkonte ndryshime… Po krkoheshin, madje ndryshime rrënjësore, edhe  revolucionare… Parajsë tjetër, ndërkaq, ofrohej çdo ditë e në një mijë mënyra, nga ana tjetër e perdes së hekurt. E panjohur, e patrajtë, e mjegulluar…, por joshëse, tërheqëse, mashtruese.

Në skenë kishin dalë me zhurmë dhe në të njëjtën kohë, Lindja e Perëndimit dhe Perëndimi i Lindjes, ose thënë me shkronjë ndryshe (me shkronjë të vogël), lindja e Perëndimit dhe perëndimi i Lindjes. Dhe secila anë kishte krahun e saj të skajshëm Lindjen e Lindjes dhe Perëndimin e Perëndimit.

 Dy anë të kundërta, të dyja të pakënaqura. Secila anë i ofrohej tjetrës si alternativë e vetme dhe secila anë pranohej, në një masë, në anën tjetër si e tillë.

Të parët ishin gati të hiqnin dorë nga “bota e lirë, neoliberale dhe demokratike”, nga “shoqëria e konsumit, mirëqenies e bollëkut”, në favor të “parajsës” tjetër “pa shtypje, pa shfrytëzim e tëhuajsimtë njeriut, me barazi e siguri të plotë sociale…” e me sa e sa “mrekulli” të tjera.

Këta të dytët, ani, do t’i jepnin të gjitha këto, vetëm për një copëz të “parajsës” (po ashtu të imagjinuar dhe të idealizuar), të luksit, bollëkut e lirisë pa kufi, në anën perëndimore të perdes…

Të parëve s’u thoshin gjë tanket në Pragë, por as të dytëve s’u bënte fort përshtypje breshëria e bombave në Sajgon. Secila palë kishte parajsën e saj ngashënjyese. Siç shprehet kancelarja Angela Merkel: Njëra anë donte të rrënonte socializmin dhe ta bënte atë më njerëzor, por nuk kishte averzion ndaj ekonomisë së tregut shoqëror,si të tillë. Ana tjetër kishte njohuri për ekonominë e tregut të lirë dhe glorifikonte socializmin. Në themel, ato ishin  lëvizje të konfrontuara dhe prapë, në njëfarë mënyre, ato ishin të njëjta.”

Dhe secila anë kishte edhe  skajin edhe skajoren e vet. Por, edhe koston e vet. 

Në Perëndim, polici e gjandarmëri po pushtonin universitetet dhe sheshet me qindra mija protestues dhe po perballeshin me greva punëtorie milioneshe, kurse  Çekoslovakinë po e disciplinonin tanket ruse… Në skajin perendimor levizjes antikolonialiste dhe asaj antisegrecioniste, pas vrasjes së revolucionarit flakërues e fluturues Çe Gevara, po i vritej edhe ëndërrimtari paqësor Martin Luter Kingu, edhe presidentët demokratë e progresist Gjon e Robert Kenedi, kurse në Lindje  po  vëlonte e po vërshonte edhe përtej lindjes cikloni i “Revolucionit Kulturor”… 

Sipas teorcienit te madh Alain Badiou: “Kishte katër lloje Maji, të vitit ’68, përkohshmëria dhe aksionet e të cilave ishin të ndryshme. Maji 68 i Studentëve, lëvizja rinore, e cila si e tillë ishte si një lëvizje politike dhe kulturore. Maji 68 i grevës së madhe, që kishte standardet e veta. Dhe ishte Maji 68 që unë do ta quaj libertar. Dhe ishte May 68 që unë do ta quaja si kompozitë, përbërës, që mund të konsiderohet fillimi i një profili te ri në politikë, i ndërtuar kryesisht rreth një lidhje të re midis intelektualit dhe njerëzve të thjeshtë, që përbën një gjenealogji historike dhe politike. Unë nuk di të ketë pasur një periudhë kur ka pasur më shumë diskutime, shkrime mbi të gjithë historinë kryengritëse, popullore dhe të punës. (https://www.nonfiction.fr/article-890-entretien-avec-alain-badiou-4-sur-mai-68.htm)

Sidoqoftë, Evropa dhe Bota po lëvizte po sfidonte dhe po lëkundte statuskuonë. Me vetëdije apo pa të, gjashtëdhjeteteta po përplaste dhe po i përafronte pjesët e ndara e të konfrontuara të Evropës. Po kerkonte alternative, po kerkonte rrugedalje, po kërkonte zgjidhje dhe shpëtim nga kriza e gjithanshne dhe e pashërueshme…

Me vetëdije apo pa të, gjashtëdhjeteteta po i përafronte pjesët e ndara e të parenditura të Evropës. Muri i hekurt, që ndante Evropën në dy pjesë uloke, po goditej, në të njëjtën kohë, nga të dy anët. Ishte ky paralajmërimi më serioz i proceseve të përgjithshme demokratizuese e integruese që pas një çerek shekulli do ta përfshinin gjysmën e Evropës dhe jo vetëm atë. Ishte kjo mbase trokitja më e fuqishme e Evropës së bashkuar në dyert e historisë.

                                                    2.

E ndodhur në udhëkryq, tamam në vijë demarkacioni, Lindje-Perëndim e Veri-Jug, Jugosllavia e atëhershme ishte një gjendje dhe rast sui generis. Aty qenë pleksur në mënyrë të kondensuar të gjitha kundërshtitë kryesore që karakterizonin Evropën e atëhershme, aty qenë ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme interesa të thella të qendrave të vendosjes në Evropë e botë. Politika shumëftyrëshe që thirrej në veteqeverisje e mosangazhim, më shumë se “as-as”, siç proklamohen, ishte një politikë “hem-hem”, siç edhe funksiononte. Ura e lashtë mbi Mostar, ishte  një simbol i shumëfishtë uniteti e vazhdimësie  dhe ekspozohej si e tillë..

E krijuar qysh në gjenezë, në mënyrë artificiale, me forcë e padrejtësi, me hile e me sherr të brendshëm e të jashtëm dhe mbi fatkeqësi të popujve të tërë, Jugosllavia qe shndërruar në një arenë të hapur për demonstrim, ndeshje e shtrirje influencash, politikash e ideologjish nga më të ndryshmet. S’mund të mos gjente kjo shprehje edhe në demonstratat e Beogradit të vitit ’68 dhe në lëvizjen e Zagrebit, sidomos ndonjë vit më vonë.

Në Zagreb, ashtu si në Pragë e Varshavë, lëvizja, pos toneve antikomuniste, kishte edhe sfond të theksuar antihegjemonist. Ndërkaq, në Beograd, si askund tjetër, gjenin shprehje edhe tone shovinizmi, revanshizmi e despotizmi rankoviçist. Se ç’rrezik përmbanin në vetvete këto disponime, sidomos këto të fundit do ta dëshmojnë më vonë kasaphanat e tmerrshme në këto hapësira.

E vërteta për zgjidhjen “shembullore” dhe “të përhershme” të çështjes nacionale në Jugosllavi, siç ishte parashikuar decenie më parë, do “t’i tmerrojë arkitektët e saj edhe në varr,” vetëm disa vjet pas vdekjes së tyre.

Minat në themele të Urës së Moçme të Mostarit ishin mina të kohës së Versajës, që po shpërthenin tetëdhjetë vjet më vonë në themelet e Jugosllavisë titoiste; ishin edhe mina në idenë dhe në projektin  e Evropës së bashkuar.

Për gjashtedhjeteten e Beogradit dhe Zagrebit, te cilën ai e quan fitore, jo pa arsye   Dragosllav Dedoviq, poet, përkthyes dhe gazetar i “Dojçe Veles” thote: “Nga këndvështrimi gati 25-vite pas luftërave të Jugosllavisë, kjo fitore rezulton një dështim katastrofik dhe Alternativë e vdekur që në lindje ndërkaq 68 – ten idealiste  e quan: “Mashtrim makiavelist.”  https://www.dw.com/de/mein-europa-1968-niederlage-einer-generation/a-44046073

                                                    3.

Nëse nuk mund të thuhet aq lehtë se demonstratat e Beogradit dhe të Zagrebit u bënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të atyre të Evropës, mund të thuhet me siguri se gjashtëdhjeteteta shqiptare, si edhe ato të mëvonshmet, nuk mund të ishin (siç i quan pa të drejtë Branko Horvat (“Branko Horvat” dhe  ndonjë tjetër) jehonë e vonuar e demonstratave të Beogradit dhe Zagrebit”.

Jo. Gjendja në të cilën ndodheshin shqiptarët, në tërësi, dhe ata këndej kufirit, në veçanti, ishte krejt e veçantë, siç  ishte edhe rezistenca vite te tera me e hershme se maji 68 i Beogradit. Pakënaqësi me vetveten dhe me mangësitë e shumta vetjake, por pakënaqësi edhe me botën dhe me padrejtësitë e saj të mëdha…”Sa për mua, le të rrënohet muri i Berlinit…”, këndonte Jusuf Gërvalla dhe rendiste edhe një sërë dëshirash, atëbotë, utopike e heretikem por që më vonë u dëshmuan profetike…

Të pakënaqur edhe me Lindjen edhe me Perëndimin, shqiptarët e viseve të robëruara nuk mbanin anën e asnjërës anë, por mund të thuhet se simpatizonin Lindjen e Perëndimit dhe Perëndimin e Lindjes. Dhe, s’do mend, para së gjithash e mbi të gjitha, identifikoheshin me Jugperëndimin, me Republiken e Shqipërisë. Shqipëria, për ta, ishte dhe s’mund të mos ishte alternativa e parë e ëndërruar e përtej perdes së hekurt. Le të ishte si të ishte ajo. Ata e donin Shqipërinë dhe e donin fort. Si dikur Çajupi XE “Çajupi” e Kuteli XE “Kuteli” E dashura Mëmëdhe, të dua edhe kështu si je…”, Atdheu duhet edhe kur të vret…”

Shqipëria tani, ajo gjysmë Shqipëri e andej kufirit, ashtu siç ishte, e vogël, e varfër, e vetmuar, po braktiste edhe formalisht Traktatin e Varshavës, por s’po hynte dot në Evropë. Një pozitë e pazakonshme, një pozitë as – as, një pozitë e rëndë dhe disi pezull… Por, ështe e vertetë e pamohueshme dhe çuditërisht e paafirmuar sa e si duhet se Shqiperia Nënë, e bënte dhe e bënte mire punën e saj, u muar vesh,  brenda mundësive që kishte dhe hapësires që lejonte konteksti historik e gjeopolitik. Dhe ishte koha kur tanket që shkelen Pragen mund të mësynin edhe Tiranën.

  Levizja jonë kombetare e çlirimtare dhe Shkenca jonë e re e ka borxh ta thotë pa ekuivoke dhe pa ngurrim të vërtetën  për përkujdesjen e madhe dhe të pashoqe të Shqipërisë Nënë, krahasuar me vendet tjera me probleme të ngjashme nacionale, jo vetëm për përkujdesjen, mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer, por  edhe për këshillat, ndikimin  dhe influencimin frymëzues, edukues dhe maturues, në saje të cilës përkundesje, krahas pjekurisë së drejtuesëve tanë, Lëvizja jonë ia doli t’u shpëtojë grackave të rrezikshme dhe vetevrasëse të aventurizmit anarkist, fokist e terrorist dhe ekstermizmave që ishin atëherë në modë dhe shikoheshin me  simpati.    

Lëvizjet çlirimtare, për nga natyra dhe karakteri i tyre, zakonisht jane edhe demokratike, humaniste dhe  progresiste. E kishte gjashtëdhjeteteta jonë edhe socialen, edhe demokratiken (dhe i kishte burimore, të mirëfillta, të sinqerta), por mbi të gjitha e kishte kombëtaren. Në pozitën e pabarabartë e tipike koloniale të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, ata shihnin me të drejtë burimin e të gjitha të këqijave e fatkeqësive të tjera, prandaj edhe çelësin për zgjidhjen e tyre e kërkonin pikërisht në zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur kombëtare. Statusi i Republikës së Kosovës dhe të drjetat e ligjshme të viseve tjera shqiptare kërkoheshin, ku me shumë e ku më pak  edhe nëpër mbledhje e forume, por edhe nëpër rrugë e sheshe dhe madje edhe nëpër burgje. Ëndrra e lirisë i bashkonte të majtën e të djathtën, të vjetrën e të renë, të gjithë pa dallim. Synimet nuk ishin partikulariste dhe të improvizuara sot per neser, por ishin një kombinim i kërkesave të kohës dhe synimeve afatgjate.

Prandaj, mbase, pranvera jonë e gjashtëdhjetetetës kishte më shumë vulën e Nëntorit sesa të Majit. Flamuri kombëtar shqiptar ishte natyrshëm flamuri i tyre i vetëm i zemrës. Në këngë populli edhe sot ato i cilëson si demonstrata për liri e barazi, për flamur e për republikë.

Ishte një pranverë e vonuar, një pranverë në nëntor. Në Tetovë e gjetiu në Maqedoni ishte poashtu një dhjetor pranveror që ta kujton Bujanin.

Nga niveli më i lartë politik e shtetëror i Republikes se Shqipërisë demonstratat e vitit ’68 qenë cilësuar qysh atehere : “preludi i simfonisë patriotike të shqiptarëve të Kosoves. Titoja mendoi ta shuante zjarrin, por zjarri u ndez edhe më shumë. Tash ai nnuk do të shuhet kurre… Ky zjarr vatrën e ka brenda në vetë Kosovën. Zjarrin e ndezi patriotizmi i kosovarëve dhe kerkesat legjitime te tyre…”  

U dëshmua në praktikë saktësia e konstatimit të Klod Le for (XE “Klod Le for”) -it, i cili, duke folur për Kosovën dhe shqiptarët, shprehej:”Natyrisht, synimet kah pavarësia, kur iu takojnë kombeve të nënshtruara një fuqie të huaj, janë legjitime dhe mund të lidhen me aspirata demokratike…” Ndërkaq, duke aluduar në shovinizmin serbomadh theksonte: “Përkundrazi, është vdekjeprurës nacionalizmi që shoqërohet me ksenofobi dhe me racizëm, e aq më keq kur është në shërbim të një vullneti të ekspansionit, qoftë të shtypjes, qoftë të zhdukjes së pakicave.”

                                                    4.

Gjysme shekulli pas Lëvizjes së gjashtëdhjetetetës, Evropa nuk është më si dikur.

 Po, gjashtëdhjeteteta evropiane? A është ajo tani më afër vetvetes?

Për miliona të rinj, 1968 -ta mbeti një zgjim i madh, vlerëson Daniel Kohen, Benedict. Zbulimi i një politike të përditshmërisë, përmirësimi praktik i shoqërisë nga brenda, një qëndrim kozmopolit, një pasion për opinionin politik, një angazhim i vazhdueshëm social, insistimi në vetëvendosje dhe participimi demokratik, ndoshta është ajo që mbetet pas të gjitha gabimeve dhe hutimeve të gjashtëdhjetetetës. Nuk do të ishte pak“.

50 vjet pas Lëvizjes së gjashtëdhjetetetës, Evropa ka ndryshuar. Lindja dhe Perëndimi ka vite që shihen sy më sy, pa perde të hekurt, pa mur në Berlin…  Evropa e bashkuar dhe pothuajse e tëra demokratike, por jo pa lëkundje sizmike. Edhe bota është tjetër fare; më moderne, në proces globalizimi, por paradoksalisht me skena të tmerrshme mesjetare e biblike gjithandej…

Po, gjashtëdhjeteteta  evropiane? A është ajo tani më afër vetvetes? Brezi që vetëm para ndonjë viti pas sulmit të dëshpëruar të qiejve po zbriste në nëntokë, tani ringrihet përsëri dhe po ngjitet fuqishëm në skenë. Edhe në timon të Evropës. Në timon të planetit gjithashtu.Për miliona të rinj, 1968 -ta mbeti një zgjim i madh, shkruan Ralf Fuks. Derisa disa fshiheshin në celulat revolucionare dhe ne partitë e kuadrove komuniste, të tjerë themelonin dyqane antiautoritare për fëmijë, shkolla reformiste, shtëpi botuese dhe gazeta alternative, teatro të lira, grupe për të drejtat e njeriut, shtëpi grash dhe iniciativa qytetare, përpiqeshin për një mjekësi alternative, ose niseshin  në marshin e gjatë nëpër parti e parlamente.

Zbulimi i një politike të përditshmërisë, përmirësimi praktik i shoqërisë nga brenda, një qëndrim kozmopolit, një pasion për opinionin politik, një angazhim i vazhdueshëm social, insistimi në vetëvendosje dhe participimi demokratik, ndoshta është ajo që mbetet pas të gjitha gabimeve dhe hutimeve të gjashtëdhjetetetës. Nuk do te ishte pak…”

Le te jemi realistë, Le ta kërkojmë te pamundshmen!, brohoritej pesëdhjetë vjet më parë. Pas kësaj presidenti Zhak Shirak (XE “Zhak Shirak” ) e ridefinonte politikën  “si art i të bërit të mundshme të asaj që duket e pamundshme”.

Ndonëse në të dy hemisferat e Evropes e të Botës, ne Perëndim e në Lindjes, vërshimi i gjashtedhjetetetes, siç quhet, dhe qe cilësohet si levizja më e fuqishme  politike e shoqërore, megjithate nuk gezon trajtimin e duhur dhe të merituar, përveç  tjerash edhe për shkak të kontekstit aktual politik e sistemor.

                                                    5.

Megjithate, mund te thuhet: “eppur si muove”(megjithate po lëviz).

Shumëçka që pesëdhjetë vjet më parë gjakohej, edhe pse konsiderohej e pamundshme, tashme është realizuar ose po realizohet. Edhe rënia e murit të Berlinit dhe bashkimi i Evropës, edhe shembja e Jugosllavisë miniimperialiste, edhe Republika e pavarur e Kosovës… Dhe prapë mbetet shumë për të ndryshuar.

           Çka mund te thuhet per Gjashtedhjeteten shqiptare? Mbase më së miri flasin kerkesat dhe parullat e atehershme në stadin e tashëm historik…. Një pjesë të arritura, një pjesë në pritje e një pjesë, jo e parëndësishme, edhe sot e gjithe ditën – “plage e  hapur qe do sherim…”

             Kosova eshte Republike e shpallur. Madje shtet  i pavarur here sovran e here vetëm demokratik.

         Ka arsye gjashtedhjeteteteta shqiptare qe te ndjehet fitimtare, ndonese këtu në Maqedoni e në Luginën e Preshevës, veprimtarët e ’68, zyrtarisht nuk kanë gëzuar rehabilitimin e natyrshëm dhe asfarë satisfaksioni moral e material edhe përkundër rekomandimeve të institucione evropiane…

     Megjithatë, rrotullohet, do të thoshte shkencëtari i madh. Po rrotullohet edhe tek ne, do të thoshin njerëzit tanë, por po rrotullohet disi ndryshe, disi me të papritura e me paradokse…

 Gjashtëdhjeteteta kontestonte kufijtë që kishin lidhur Evropën si gjarpërinjtë e legjendës. Dyzet vjet më vonë prishen kufijtë dhe kreaturat artificiale imperialiste e miniimperialiste. Evropa bashkohet, kurse në Ballkan forcohen kufijtë e vjetër dhe vihen kufij të rinj mes për mes trupit të njërit nga popujt më të lashtë e më të përvuajtur të Evropës. Evropa bashkohet e demokratizohet, kurse në Ballkan rrezikohen pikërisht ata që kurrë nuk e prajtën luftën për bashkim, liri, demokraci paqe e progres. Miratohen qëndrime, akte e kushtetuta, që ndalojnë bashkimin e pashmangshëm të një kombi të ndarë e të rindarë me dhunë. Ndalohet madje edhe vetë parimi i shenjtë i vetëvendosjes! Relikt i së kaluarës apo ogur i zi për të ardhmen?

Në Kosovë, janë në sprovë edhe proceset më të reja integruese e demokratizuese evropiane e botërore. Janë në sprovë edhe Evropa e bashkuar, globalizimi, rendi i ri botëror dhe perspektiva e tyre.

Përveçse produkt i kohës, i koniunkturës së krijuar dhe kërkesave të kohës, gjashtëdhjeteteta jonë ishte edhe manifestim i vazhdimësisë së pandërprerë të Lëvizjes sonë kombëtare, ajo ishte ngritje në shkallë të re, më të lartë, të luftës së brezave të mëparshëm dhe njëkohësisht – bazë e sigurt për betejat e reja që brezi i gjashtëdhjetetetës do të zhvillonte tok me brezat pasardhës. Rrënjët e gjashtëdhjetetetës shkojnë thellë në të kaluarën tonë luftarake, ndërkaq, lastarët e saj vijnë e zgjaten e lulëzojnë në vitet e mëpastajme, në vitet shtatëdhjetë, në pranverën e vitit ’81, në Lëvizjen  demokratike të viteve  nëntëdhjetë,  në Lëvizjen studentore të vitit 97, në Luftën e madhe e fitimtare  të UÇK-së. Gjaku i Rexhep Malës, Zija Shemsiut, Isa Kastratit, Qamil Iliazit, Gafur Lokut, Afrim Loxhës e sa e sa te tjerëve, është shprehja më e fortë, por jo e vetmja e kësaj ndërlidhjeje dhe vazhdimësie atdhetare. Çuditërisht derisa në Evropë e në Botë, edhe përkundër vlerësimeve ende  të diskutueshme për Pranverën ’68’ nga plejada e këtij brezi kanë dalur bartës  të funksioneve të rëndësishme, si Bill Klinton, Havier Solana, Joshka Fisher, Bernard  Kushner, Gerhard Shreuder, e sa e sa të tjerë, (Krejt fajet i ka ai derri Shreder, shfrynte gjatë bombardimeve Milosheviq; po të ishte Koli, kjo nuk do te ndodhte kurrë, shprehej shovinisti kuazi majtist, Milosheviq). Çuditërisht, por është jo edhe  pa dometbënie, në institucionet tona  politike e shtetërore  nuk gjen  asnjë emër te vetëm, nga plejada e lavdishme dhe aq kontribuese e 68-tes shqiptare!

Lëvizja shqiptare, në vijimësi krahas karakterit kombëtar e çlirimtar, shquhej për një moral të lartë humanist, kishte edhe një dimension të perhershëm dhe të theksuar pogresist, një frymë drejtësie, barazie, humanizmi  e progresizmi…

Për dallim nga vendet tjera, Gjashtedhjeteteta shqiptare, në thelbin e saj ishte kryengritje paqësore dhe e organizuar per liri, barazi dhe të drejta elementare e ekzistenciale, ishte luftë për ruajtjen e qenies dhe identitetit të shenjt shqiptar. E tille ajo ishte në tërësinë e saj, por mbase me mirë se gjithkund tjetër shpërfaqet në demonstratën e Tetoves dhe në rezistencen shqiptare në ato vise. Ështe prandaj e qëlluar qe kjo konferencë shkencore vë theksin pikërisht te sfida e identitetit shqiptar si çështje mbi të gjitha çështjet, si çështje substanciale e ekzistenciale e çeshtjes shqiptare. Zhan Pol Sartri ishte njëri nga filozofet dhe intelektualët që u identifikuan me lëvizjen ’68. Nese nuk mund të thuhet se të rinjtë shqiptarë e njihnin filozofinë e ekzistencializmit, mund të thuhet se qysh atëherë, Sartri lexohej dhe pëlqehej. Pavaresish nga kjo, bën përshtypje përkimi i konstatimit të tij filozofik për njeriun si person, qe me te shkelur ne toke, merr përgjgjësinë dhe bëhet zot i fatit te vete vetëm kur te vetetdijësohet në shkallë të duhur dhe të krijojë vetidentitetin e tij. “Njeriu nuk është vetëm ashtu siç ai e mban veten, por ashtu si ai dëshiron të jetë, dhe kur ai e mbijeton ? veten pas ekzistencës, ashtu siç dëshiron pas këtij vrulli drejt ekzistencës, njeriu nuk është asgjë përveç asaj që bën. […] njeriu nuk është gjë tjetër veçse projekti i tij, ai ekziston vetëm për sa kohë që është realizuar, nuk është asgjë tjetër përveç se tërësia e të gjitha veprimeve të tij, asgjë përveç jetës së tij “(ekzistencializmi është një humanizëm) https: //(L’existentialisme est un humanisme)

Pa dyshim se në vijimësi studiuesit e rinj e të talentuar që kemi, do t’ ia dalin ta eksplorojnë dhe ta zbardhin në mënyrë meritore temën tejet të rëndësishme në dimensione historike, aktuale dhe përspektive, duke u fokusuar posaçërisht ne veçoritë dhe autenticitetin  e 68- tes së lavdisshme shqiptare.

Postimet e fundit !