Tjera

Fatos Kola: Letër ngushëllimi për vdekjen e doktoreshë Pranverë Vukës

Të nderuar miq dhe ju bashkëkrahinorë matjanë!
Në këto çaste tejet të trishta e nën tronditjen shpirtërore të natyrshme, po ju përcjell me këtë postim lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta (sot datë 04.08.2021, në orën 15.00 ) prej një sëmundjeje të papritur, të doktoreshë Pranvera Vukës, mjekes së mirënjohur prej mbarë matjanëve. Doktoreshë Vera, bashkëshortja e doktorit të famshëm matjan, pediatrit të pashoq Isak Vuka, menjëherë pas mbarimit të fakultetit të Mjekësisë në fillimvitet ‘60-të edhe pse ishte e emëruar si mjeke ne Senatoriumin e Tiranës, ajo zgjodhi që ta ndaj fatin e saj jetësor dhe profesional me mjekun e shquar matjan dr. Isak Vuka në Burrel. Ajo erdhi me dëshirë dhe pasion rinor e profesional që të punonte në vendlindjen e bashkëshortit bash në kohën kur mjekët profesionist në rrethin e Matit numëroheshin me gishtat e dorës. Doktoreshë Vera, mjeke radiologe tejet e talentuar, së bashku me doktor Isakun, kontribuan me sakrifica të pashembullta për ngritjen e shërbimit shëndetësor në mbarë krahinën e Matit, si dhe për përballimin e nevojave të pacientëve me cilësi dhe ndërgjegje të lartë. Pikërisht në këto kushte të rënda sistemike shkëlqeu humanizmi i doktoreshë Verës, krahas atij të doktor Isakut, që pa përtim u shërbyen mbarë matjanëve, duke u shndërruar në shembuj të gjallë të sakrificës që konsumoi rininë e tyre në shërbim të një populli që i deshi dhe i nderoi pafund…Doktoreshë Vera ishte simbol përkushtimi, mirësjelljeje, përulësie, kulture, qytetarie, edukate sipërore, fisnikërie, humanizmi e sakrifice, virtyte me të cilat shkëlqeu si të paktat bashkëshorte të intelektualëve matjan, vendlindjen e të cilit e deshi aq shumë. Transferimi i çiftit Vuka në rrethin e Krujës në fundvitet ’70-të ishte një humbje e madhe për shëndetësinë dhe mbarë komunitetin matjan, siç ishte fatlum për komunitetin e ri krutan, të cilit ata i shërbyen sërish me po aq përkushtim dhe devocion në profesionin fisnik të mjekut. Pensionimi i tyre në fundvitet ’90-të shënoi përmbylljen me dinjitet të dy karrierave të panjolla e të shkëlqyera në rrafshet profesionale dhe morale, larg korrupsionit material dhe komercializimit të një profesioni kaq human e të shndërruar në mision të shenjtë prej këtyre dy intelektualëve-mjekë elitarë, që humanizmin e kishin komponentin më sipëror të karakterit dhe personalitetit. Por ata mbetën gjithmonë shembull i lartë i intelektualëve plot kulturë e qytetari, e me të cilët krenoheshim ne miqtë e tyre, që çiftinVuka e kishim pikë reference. Kultura e thellë profesionale dhe përvoja e gjatë e tejet e pasur, i kish shndërruar doktoreshë Verën dhe doktor Isakun në enciklopedi shëtitëse dhe në “konsultore” të njimendtë për të gjitha llojet e sëmundjeve që preokuponin miqtë dhe të afërmit e tyre, sidomos sot, në kushtet e pamjaftueshmërisë së kulturës mjekësore dhe edukatës shëndetësore. Bashkëbisedimi me ta, gjithmonë shoqëruar me humorin dhe natyrshmërinë e komunikimit, të ngjallte ndjenjën e respektit të thellë për këtë çift bonomësh e ndjellamires që përplotësonin në mënyrë të përkryer shoshoqin teksa edhe shijet, dijet dhe preferencat për gjithçka që i rrethonte i kishin të unifikuara e të mirëkordinuara. Prania e tyre dhe efektet antistres që prodhonin dhe përhapnin ngado, ishin dëshmi e fuqisë intelektuale dhe emergjencës morale në shoqërinë tonë të kërcënuar nga mungesa ulëritëse e vlerave dhe bjerrja e humanizmit. Ata ishin gatuar për të qenë mjekë dhe shërbestarë të popullit të tyre, ishin gatuar për të qenë miq zemre dhe melhem plagësh… Por doktoreshë Vera, megjithë humorin e saj të pashoq dhe komunikimin tejet inteligjent e plot sqimë, më kot mundohej të mbulonte mallin e pashuar për vajzën e saj rrezëllyese, Evën, të cilës fati ia solli që të martohej dhe të jetonte në Prishtinë, ku krijoi një familje të mrekullueshme…Pikërisht qëndrimet e gjata në Prishtinë, sikurse edhe ky i dimrit, pranverës dhe verës së fundit, na pamundësoi ne miqve të çiftit Vuka kontaktet pothuajse të përditshme, ku doktoreshë Vera shkëlqente megjithçka rrezatonte. Humbja e saj pakthim është një goditje e rëndë sidomos për doktor Isakun, bashkë idealistin, kolegun dhe mikun e shtrenjtë të jetës, përplot vlera e virtyte, por edhe për Evën, fëmijët dhe të afërmit e shumtë të tyre. Kjo humbje na dëshpëroi pa masë edhe ne, miqtë e dashamirët e familjes së mrekullueshme Vuka. Lamtumirë mike e shtrenjtë! Shpirti yt i dritshëm pushoftë në paqen e Parajsës! Ngushëllimet më të thella bashkëshortit doktorit të nderuar Isak Vuka, vajzës Eva me tre fëmijët dhe gjithë familjarëve motra e vëllezër të doktoresh Verës si dhe familjarëve të tjerë vëllezër e motra të familjes Vuka! Me dashuri e respekt pa fund miku juaj prej zemre Fatos Kola (familjarisht).