Arkiv / Ripublikim

Disa dokumente të arkivave shqiptare për pjesën e pushtuar të Shqipërisë (Kosova me vise) nga Jugosllavia (11)

   Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…

   Në arkivat e shtetit tonë AMË është një mal me shkresa e dokumente që presin mendjen, vullnetin dhe dorën e studiuesve tanë për t’i hulumtuar, analizuar e publikuar. Studimi, analizimi, interpretimi dhe botimi i dokumenteve arkivore është shkencë më vete… Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve kemi patur rastin t’i shohim edhe ne në arkivin e Ministrisë së Jashtme (kryesisht të viteve 1981, 1982, 1983).

   Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)

Prof. dr. Sabit Syla 

DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.

 

                                                                                   -27-

 Republika Popullore e Shqipërisë                                                       Tepër sekret

Ministria e Punëve të Brendshme                                          Tiranë, më 7/II/964

Drejtoria e Parë

Nr. 0Z/6-11

 

Relacion përmbledhës mbi vazhdimin e politikës shoviniste të Qeverisë jugosllave, për shkombëtarizimin e asimilimin e shqiptarëve të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi

Dihet se Qeveria jugosllave, me qëllim shkombëtarizimi e asimilimi të popullsisë shqiptare në Kosovë e vise të tjera në Jugosllavi, që pas luftës e deri në vitin 1965, pati përdorur forma e metoda të ndryshme, nga krimet më të shëmtuara e deri në shpërnguljen e një numri të madh shqiptarësh për në Turqi e vende të tjera, veprime këto që, Partia e Qeveria jonë i demaskoi me kohë dhe deri në njëfarë mase u preu hovin.

Nga ndjekja dhe studimi i të dhënave që kemi disponuar në këtë drejtim, del qartë dhe vërtetohet plotësisht, se jugosllavët kanë vepruar e veprojnë në mënyrë sistematike, dhe vitet e fundit, sidomos gjatë vitit 1963, kanë shtuar në mënyrë të theksuar aktivitetin e tyre. Vlen të theksohet se, ndryshe nga veprimtaria e mëparshme, e cila zhvillohej në mënyrën më vulgare, demaskonte para botës bandën titiste, dhe se me ato forma nuk do të ishte e mundur që t’ia arrish qëllimit, tani veprojnë në bazë të një plani e afati të caktuar, duke përdorur forma e metoda shumë të rafinuara, me anën e të cilave kanë mundur të arrijnë disa rezultate, të cilat sa vijnë e shtohen dhe po bëhen shumë të rrezikshme për popullin e krahinat shqiptare në atë vend. Megjithëse qëllimi dihet, por duke marrë parasysh fjalët e veprimtarinë e personaliteteve qeveritare që prej Rankoviqit, Kardelit, Bllazho Jovanoviqit, Dushan Mugoshës e tjerë, nënkuptohet se jugosllavët parashikojnë që brenda 10-20 viteve, të arrijnë që Kosova e Rrafshi i Dukagjinit të popullohen me më tepër se 50% sllavë dhe në këtë mënyrë, t’i përjetësojnë këto krahina shqiptare, duke e bërë fakt të kryer. Kështu, profesori Koraç, në shtator 1963, u thoshte studentëve shqiptarë të albanologjisë në Prishtinë: “Kosova është nja nga zonat më të begatshme të Evropës. Është detyrë jetike e gjeneratës tonë të sigurojnë Kosovën për jetë e mot, si pjesë të pandashme të Jugosllavisë, ndërsa gjeneratës së ardhshme i mbetet ta shfrytëzojë këtë xhevahir të ekonomisë sonë”. Po në këtë mënyrë shprehen dhe shumë të tjerë. Çështjet që do të përmendin shkurtimisht më poshtë vërtetojnë qëllimin e vërtetë të tyre.

  1. Shpronësomi i fshatrave shqiptare me anën e “kooperativave” fermave bujqësore, caktimin e zonave të gjuetisë dhe për mbjellje bimësh industriale

Aktualisht, shpronësimi është forma kryesore që përdoret gjerësisht e në mënyrë sistematike për shkombëtarizimin e asimilimin e krahinave shqiptare në Jugosllavi. Gjatë vitit 1963, sidomos kjo formë ka marrë proporcione të gjera. Detyra të posaçme lidhur me këtë, u janë ngarkuar të ashtuquajturave “kooperativa” bujqësore, të cilat në koordinim veprimesh me fermat shtetërore, po shpronësojnë fshatarët shqiptarë, sipas një plani të filluar që prej vitit 1955-1956.

“Kooperativat”, që janë krijuar nga shteti pas vitit 1950, janë në dorë të shtetit dhe shumica e nëpunëseve janë sllavë. Këto nuk disponojnë veçse një fond të kufizuar tokash, por ishin të pajisur me mjete të mekanizuara, pleh kimik, farë, agronome etj., dhe merreshin me punimin e tokave individuale sipas planit të shtetit. Në fazën fillestare të veprimtarisë së tyre shpronësuese, më 1955-1965, me qëllim që të lënë fshatarët shqiptarë pa kafshë pune, Qeveria jugosllave hodhi parullën e domosdoshmërisë së punimit të tokave me mjete të mekanizuara e “moderne”. Paralelisht, me mënyra të ndryshme, grumbullonin mishin, nxisnin e favorizonin shitjen ose therjen e qeve. Në këtë periudhë u shfaros një pjesë e konsiderueshme kafshësh pune. Pasi në këtë drejtim u arritën disa rezultate, duke avancuar më tej sipas planit të caktuar, nga viti 1958 “kooperativat”, filluan të shtien në dorë e të punojnë tokat e lëna djerrë nga fshatarët për mungesë kafshësh pune, të cilat siç do të flasim më poshtë, i kalonin në administrimin e fermave shtetërore që në atë kohë merreshin me punimin e tokave kodrinore.

Nga viti 1960 e këtej, titistët zhvilluan dhe vazhdojnë të zhvillojnë një propagandë të madhe për shtimin e prodhimeve dhe “përmirësimin” e konditave materiale të shqiptarëve, duke i paraqitur “kooperativat” si “ndihmë” dhe “fakt” të kujdesit që tregon Qeveria jugosllave në këtë drejtim. Paralel kësaj, “kooperativat” filluan të intensifikojnë e të shtrijnë veprimtarinë e tyre shpronësuese ndaj fshatarëve shqiptarë në të gjithë Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Në fillim duke propaganduar që shqiptarët të lidhin kontratë kundrejt pagesës për të punuar tokat me mjete të mekanizuara, “specialistët” dhe farën e “kooperativës”. Por, pasi gjetën rezistencë, nën pretekstin se duhet ndërtuar “socializmi” të shtohet prodhimi etj., vunë konditë të domosdoshme dhe imponuan fshatarët që nga ana tjetër të grumbullonin prodhimin me një çmim të ulët që fshatari të mos jetë në gjendje t’i shlyej detyrimet ndaj “kooperativës” në të gjitha prodhimet etj. Kështu, një familje duhet t’i paguajë “kooperativës” për një hektarë tokë 38 000 dinarë, nga të cilat 7-8 000 dinarë për plugim, 5 000 për lesim, 4 000 për pleh kimik, për farë të “zgjedhur” 14 000 dinarë, tatim shtetëror 7 000 dinarë. Kësaj shume duhet t’i shtohen tatimet për “kooperativën” e shtetin, 1 000 dinarë për banesën, 700 dinarë për çdo lopë, për qengjin, qenin, pulat, karrocën, pendën e qeve, kalin, deri tek ujët e pusit.

Duke i ngarkuar me tatime e taksa të shumta e duke i lënë pa kafshë pune, në shumicën e rasteve fshatarët jo vetëm qe s’kanë mundësi të punojnë tokën, por, as të shlyejnë detyrimet. Në rastin e parë, kur fshatari nuk lidhë kontratë me “kooperativën” për të punuar tokën, “kooperativa” ja merr atë me detyrim, e punon vetë, duke e përvetësuar të gjithë prodhimin. Në rastin e dytë, kur fshatari nuk shlyen detyrimet, gjë që ndodhë shpesh “kooperativa” ja sekuestron tokën dhe e shet me një çmim fare të ulët. Zakonisht, në konditat e krijuara, blerësit e vetëm të tokave janë bërë fermat shtetërore. Po ka raste e sidomos në vitin 1962-1963, edhe vetë “kooperativat”, kanë mbajtur e po mbajnë, toka, bile shumë të konsiderueshme.

Me parullën demagogjike për të punuar tokat e lëna djerrë, meratë e përbashkëta të fshatarëve dhe tokat kodrinore: që pas lufte, jugosllavët krijuan edhe fermat shtetërore, të cilat në fillim u ngritën me pretekste të ndryshme për të punuar tokat e “varfra” “kodrinore” në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Maqedoninë etj., ku kish shqiptarë dhe filluan të punonin e të mbillnin në ato vende. Më vonë, sidomos pas shpërnguljes me forcë të shqiptarëve për në Turqi e në thellësi të Jugosllavisë, tokat e të cilëve u morën në përgjithësi pa shpërblim nga fermat, e sidomos, duke blerë tokat e sekuestruara nga “kooperativat”, ata u shtrinë në fushat e ndryshme të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e viseve shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Në këtë mënyrë, jo vetëm që “kooperativat” dhe fermat u zgjeruan, por, ato u shtuan si numër në të gjitha vendet e sipërmenduara, duke futur nën patronazhin e tyre toka të gjera. Për shembull “kooperativa” e Prizrenit, gjatë vitit 1963, ka marrë toka prej katundit Gjonaj të Hasit, gjatë bregut të Drinit të Bardhë, e deri ne afërsi të Pejës. Dy “kooperativat” me qendër në Vrellë e Gjurakovc të Istogut, së bashku me një fermë, kanë shpronësuar pothuajse të gjitha tokat e këtij rrethi etj.

Në bashkëpunimin me “kooperativat”, veprojnë në të njëjtën kohë fermat shtetërore. Kështu, gjatë vitit 1963, ferma “Progres” e Prizrenit, ka marrë të gjitha tokat kodrinore e një pjesë fushore të 7-8 katundeve të këtij rrethi. Ferma “Ereniku” e Gjakovës, shtoi tokat e veta deri në kufi me Pejën. Ferma “Dubrova” e Istogut, ka kufirin e tokave deri në Drinin e Bardhë afër Pejës, në rrethin e Drenicës. Ferma të tilla, ka në Podujevë, Vuçitërnë e gjetkë. Duke zbatuar urdhrin e Kardelit, që dha në pranverën e vitit 1963, kur ishte në Pejë e Gjakovë, që fushat e Pejës të mbillen krejtësisht me panxharsheqer “kooperativat” shpronësuan një numër fshatrash në këtë zonë dhe vazhdojnë të shpronësojnë të tjera. Ndërsa, fshatrat e shpronësuar të këtyre tokave e të tjera, duke refuzuar në pjesën e tyre më të madhe të shpërnguljes, janë shndërruar në punëtorë të “kooperativës” apo fermës, kanë marrë toka të këqija kodrinore, ose me kafshët e tyre mbajnë lëndë druri apo gurë për ndërtim rrugësh e banesash. Një pjesë kanë shkuar nëpër qytetet dhe janë shndërruar në punëtorë krahu.

Për shpronësimin e viseve shqiptare, jugosllavët po aplikojnë një formë tjetër për zbrazjen e plotë dhe të menjëhershme të tyre. Që prej vitesh, ata kishin zhvilluar gradualisht të merrnin një sërë masash kundrejt fshatarëve të krahinës së Rugovës, të vetmet burime ekonomike të të cilëve janë të ardhurat nga blegtoria e pyjet. Në fillim u ndalua në fidanishte pyjore. Në këtë mënyrë fshatarët u detyruan të pakësojnë gjënë e gjallë. Pastaj u ndalua kategorikisht prerja e drunjëve, gjë kjo që u hoqi atyre dhe burimin tjetër pas blegtorisë. Më së fundi, pas vizitës që bëri në këtë krahinë Rankoviqi e Bllazho Jovanoviqit, në pranverën e vitit 1962, ata dhanë urdhër që i gjithë territori i Rugovës, të shpallet “park federativ gjuetie”. Në këtë mënyrë filluan masat e presionit e të frikësimit kundrejt rugovasve, të shoqëruara me një fushatë propagandistike nxitëse për t’u shpërngulur në viset e tjera të Jugosllavisë. Duke iu bërë jeta e padurueshme, shumë shqiptarë rugovas janë detyruara të shpërngulën. Nga sa dihet deri më tani, prej trembëdhjetë katundeve të këtij rrethi janë larguar më se 50 familje. Ata që kanë mbetur janë detyruar t’ju përballojnë taksave të renda të pushtetit jugosllav e persekutimeve të organeve të UDB-së.

Për të mbuluar të gjithë veprimtarinë e sipërme vlen të theksohet se kohët e fundit që nga Kardeli dhe krerë të tjerë titistë, flasin shpeshherë bëjnë zhurmë në këtë drejtim se “forma e kooperativës dhe e fermave që po aplikohet së pari në Kosovë, bëhet për eksperimentimin mbi ndërtimin e socializmit në Jugosllavi, për të parë rezultatet që do të japë ajo në Kosovë”, nënkuptohet se kjo është vetëm për të mbuluar qëllimin. Jo vetëm fshatarët, por edhe artizanet shqiptare në qytete, ju nënshtrohen taksave, tatimeve e presioneve të tjera ekonomike, me qëllim që edhe këta të shpronësohen. Sipas ligjit të ashtuquajtur të “vetadministrimit”, një komision njerëzish të privilegjuar të artizanatit, së bashku me nëpunësit shtetërorë caktojnë taksat e zejtarëve, të cilat nuk janë kurrë stabilë e vinë duke u shtuar në të gjithën. Veç kësaj artizanet, duke u konkurruar nga punishtet shtetërore, vinë duke u shkatërruar.

Si rezultatet i shpronësimeve të bëra në fshatra dhe qytete, masa e të papunëve shqiptarë vjen duke u shtuar dhe aktualisht, siç del nga të dhënat tona në më shumë se 80 000 vetë, të cilat enden nëpër qytetet, duke kërkuar të bëjnë punë më të rënda kundrejt një pagese minimale. Krerët titistë u bëjnë thirrje atyre që të shkojnë në krahinat e tjera jugosllave, ku do të gjënë kondita dhe pagesë më të mirë. Ndërkohë, në Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit, me pretekste të ndryshme sillen elementet sllave, si “përgjegjësia”, “teknike”, e “specialiste” duke iu paguar 50% më tepër të rrogës që kanë pasur në vendin e mëparshëm. Kështu, inkurajimi bëhet i dyfish, si për shqiptarët që largohen nëpër vendet e tjera të Jugosllavisë, ashtu edhe sllavëve për të ardhur dhe instaluar në viset shqiptare. Qëllimi këtu është fare i qartë.

  1. Vazhdimi i politikës shfarosëse me anën e vrasjeve, burgosjeve torturave e nxitjes së vëllavrasjeve

Për ta bërë jetën e shqiptarëve më të padurueshme, i detyrojnë të largohen nga vendlindja, jugosllavët vazhdojnë si më parë shfarosjen fizike të tyre. Akuzat që ju bëjnë shqiptarëve, në vitet e fundit, janë përdorimi i akuzave të vjetra, të cilat për një kohë ishin pezulluar dhe me mënyra të ndryshme filluan t’i vënë përsëri në jetë: “vrasje sllavesh”, “ballistë”, “bashkëpunimin me fashizmin para vitit 1944”, ”irredentiste”, “lidhej me Shqipërinë”, “tentativë arratisje”, krijim kombinacionesh me provokatorë etj., të cilat në situata të favorshme i shfrytëzojnë në stil të gjerë. Me anën e këtyre motiveve të cilat përdoren në të gjitha viset e banuara nga shqiptarët, Qeveria jugosllave ka kryer një numër arrestimesh dhe vrasjesh të patriotëve të pafajshëm. Faktet në këto drejtime janë të shumta, vetëm gjatë vizitës së Brezhnjevit dhe Hrushovit në Jugosllavi, arrestuan mbi 165 shqiptarë në Prishtinë, 40 në Gjakovë dhe një numër mjaft të madh në Pejë, Shkup, Gostivar e vende të tjera. Vetëm gjatë vitit 1963 në rrethin e Prishtinës, Pejës, Gjakovës e tjerë, arrestuan më shumë se 300 persona, shumica e të cilëve i përkasin inteligjencës, rinisë dhe personave që dyshoheshin për aktivitet patriotik. Ndërsa, duke shfrytëzuar rastin e tërmetit në Shkup, në mes të ditës qëlluan e vranë mbi 15 shqiptarë. Arrestime e dëbime kryejnë dhe kundrejt fshatarëve që rezistojnë t’u lëshojnë tokat “kooperativave”. Pavarësisht nga çarmatimi që i bënë në vitin 1956, nën pretekstin e dorëzimit të armëve ku kryen krimet më të shëmtuara, në vitet e fundit në të gjithë viset shqiptare përdorin përsëri akuzën për “mbajtje armesh” dhe kryejnë arrestime dhe tortura të shumta.

Një nga format më të djallëzuara që kanë vënë në jetë vitet e fundit dhe që sa vjen po e shtojnë, është nxitja e vëllavrasjes midis shqiptarëve, duke i nxitur jo vetëm gjaqet e vjetra, por me kombinacione të ndryshme krijojnë gjaqe të reja. Për zgjerimin e tyre, oficerët e UDB-së me anën e agjenturës, organizojnë rrëmbime dhe çnderime vajzash e grash kosovare dhe pastaj i shtyjnë të vriten, ndërsa ligjet me qëllim inkurajimi parashikojnë dënime të lehta. Për të maskuar nxitjen e vëllavrasjes, prej kohësh kanë organizuar nëpër katunde “komisione pajtimi” të cilat në vend që të kryejnë “misionin”, bëjnë të kundërtën. Qëllimisht këto “komisione” marrin vendime që nxisnin vëllavrasjet dhe shpeshherë me pretekstin për të evituar vrasjet, mbyllin për një kohë te gjatë familje të tëra në shtëpitë e tyre, në mënyrën që t’u bëhet jeta e padurueshme dhe si rrjedhim të detyrohen të vrasin njeri-tjetrin ose të shpërngulen. Nga të gjitha veprimet kriminale që përshkruam më sipër, vihet re se popullsisë shqiptare i bëhet jeta e padurueshme dhe si rrjedhim, mjaft shqiptarë që humbasin durimin, detyrohen të largohen nga trualli i tyre për në Turqi, ose thellësi të Jugosllavisë.

III. Pakësimi i shkollave shqipe

Krahas formave të tjera shkombëtarizuese, një rendësi e veçantë i është kushtuar dhe i kushtohet lënies në prapambetje arsimore e kulturore të viseve shqiptare në Jugosllavi, gjë e cila duket nga fakti se 40% e popullsisë ose 406 000 shqiptarë prej moshës 7 deri me 40 vjeç, janë analfabetë. Kjo përqindje mund të ishte më e madhe, por jugosllavët të detyruar nga demaskimi i Partisë dhe Qeverisë sonë dhe rezistenca e popullit kosovar, filluan të manovrojnë për mashtrimin e shqiptarëve e të botës së jashtme, duke hapur disa shkolla dhe një fakultet në Prishtinë, të cilat i trumbetuan dhe i trumbetojnë akoma si gjëra me rendësi të madhe për të drejtat që gëzon Kosova në kuadrin “Bashkim-vëllazërimit” jugosllav dhe se “fakulteti i Prishtinës do t’ia kalojë atij të Tiranës”. Por paralelisht, me pretekste të ndryshme, vitet e fundit sidomos më 1962-1963, mbyllen një numër të konsiderueshëm shkollash në Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit, ndërsa në Maqedoni e Mal të Zi, me përjashtime të rralla kanë mbyllur pjesën më të madhe e po shkojnë drejt eliminimit të tyre. Për të maskuar qëllimin, këto masa i mbulojnë me mungesën e arsimtarëve shqiptarë “paaftësinë e tyre” etj., të cilët vitet e fundit i kanë arrestuar dhe pushuar nga puna, duke i akuzuar si “nacionalistë” dhe epitete të tjera. Për të mbuluar këto “mungesa” dhe me qëllim që të paraqiten se interesohen në këto drejtim, hapin shkolla turke, më tepër shkolla të përziera që përfshijnë 33% të shkollave në Kosovë dhe kohët e fundit “klasat eksperimentale”, në të cilat nxënësit kosovarë duhet të mësojnë në gjuhën serbokroate. Në vitin 1963, u bë analiza e “rezultateve” dyvjeçare të kësaj forme, duke planifikuar që në të ardhmen e afërt ta përgjithësojnë këtë “zhvillim” të ri. Në këto shkolla nxënësit mësojnë lëndë të tilla si, historia sllave, patriotizmi jugosllav, regjimi titist etj. Për historinë e Shqipërisë nuk flitet asgjë.

Rajone të tëra shqiptare nën administrimin e Malit të Zi e të Maqedonisë, si: Plava, Gucia, Tutina, Rozhaja, Ohri etj., nuk kanë asnjë shkollë shqipe. Kohët e fundit janë mbyllur shkolla në Strugë, Gostivar, Tetovë etj. Është mbyllur shkolla shtatëvjeçare shqipe e Orllanit në Podujevë e Llapashticës në Prishtinë e shkolla të tjera. Ndërsa, në vitin 1963, në Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë etj., me sa dimë ne, janë pushuar 127 arsimtarë kosovarë, me motivacion se janë të pavlefshëm për arsimin, pasi edukojnë rininë me ndjenja “nacionaliste”. Për të gjetur pretekstin dhe për të influencuar akoma më tepër me mbylljen e shkollave shqipe, jugosllavët kanë penguar e pengojnë botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Si rezultat 70-80% e lëndëve në të gjitha shkollat, zhvillohen në serbisht, duke e justifikuar se kjo është gjuhë zyrtare, “e përpunuar” dhe se ndihmon në ngritjen e nivelit kulturor. Ndërsa, shqipja paraqitet si “primitive” “e papërpunuar” etj. Profesori i letërsisë jugosllave, Zvete Gjurasheviç, ka thënë: “Gjuha shqipe, i ngjan tingullit ose më mirë me thënë, zhurmës që bënë guri i futur brenda në një kovë prej teneqeje, pasi të jetë tërhequr zvarrë nga një fëmijë i shthurur”. Ndërsa, profesori i Gjimnazit të Pejës, Danillo Stihiq, para nxënësve ka thënë: “Gjuha shqipe, po të marrim supozimin më të volitshëm për ju kosovarët, do të flitet në Kosovë edhe 30-40 vjet akoma. Ne të gjithë – vazhdoi ai – i përkasim bashkësisë së madhe jugosllave, ku, për arsye të justifikueshme do të flitet vetëm gjuha serbo-kroate, prandaj herët ose vonë, me dashje ose pa dashje, të detyruar nga realiteti i jetës, ju duhet të merrni këtë rrugë që largpamësit tonë politikë na kanë treguar”.

Për të ecur drejt planit të eliminimit të plotë të shkollave shqipe, titistët që në vitin 1951, propaganduan dhe filluan hapjen e shkollave turke në shumë vise të Kosovës, si: Prizren, Prishtinë, Gjilan, Tetovë etj., duke përdorur në këtë rast edhe terrorin për ata që nuk donin t’i ndiqnin. Këto shkolla jo vetëm që ekzistojnë, por, ata përpiqen t’i zgjerojnë më tepër edhe tani së fundi, me pretekstin e “lirisë” së fesë, kanë hapur mejtepe duke nxitur prindit që të dërgojnë fëmijët e tyre në to”. Kjo politikë ndiqet edhe në shenjën e bursave për studime të larta, gjë që kuptohet nga fakti se vetëm 32% e bursave të dhëna në Kosovë, u kanë takuar shqiptarëve, ndërsa të tjerat i kanë marrë sllavët që banojnë atje. Në rast se i bëjmë krahasim zhvillimit të arsimit në Kosovë me atë të Malit të Zi, rezulton se këta kanë numër të barabartë shkollash, kurse popullata e Kosovës është dyfishi i Malit të Zi. Ndërsa, për fëmijët kosovarë ata kanë krijuar lloj-lloj pengesash për të mos u arsimuar, kurse fëmijëve serbë u krijohen të gjitha lehtësirat.

 

  1. Falsifikimi i historisë e sllavizimi i artit shqiptar

Qeveria jugosllave me të gjitha mënyrat mundohet të falsifikojë historinë e popullit të Kosovës e të Shqipërisë. Ata mundohen ta paraqesin Kosovën si tokë të sllavëve të vjetër të jugut, se kosovarët janë “sllavë që me kalimin e kohës janë shqiptarizuar”, se “shqiptarët kanë shkuar në Kosovë aty nga fundi i shekullit XII si mysafirë”, se “Prizreni, e Peja kanë qenë djepi i Serbisë së vjetër”, se “Skënderbeu ka qenë malazez e i martuar me një endacake shqiptare”. Lidhjen e Prizrenit e shpjegojnë në kuadrin e luftërave ballkanike, pa treguar synimet e rëndësinë e saj, ndërsa kryengritjet e Kosovës të viteve 1908-1910, nuk i përmendin fare, kurse për marshimin e ushtrive serbe në tokat shqiptare e trumbetojnë si “kthimin më madhështor të tyre në tokën e Serbisë së lashtë”. Këtu duket qartë qëllimi i tyre për eliminimin e kombësive të tjera, duke krijuar vetëm kombësinë e gjuhën jugosllave, siç e propagandojnë ata “në shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Kësaj politike i ndihmon edhe lënia në personalitetet kulturore të artit shqiptar. Udhëheqësit e Kosovës e personalitetet kulturore të Jugosllavisë thonë: “Ju shqiptarët keni pas fatin që letërsinë e kulturën ta krijoni pas Luftës së Dytë Botërore, duke u nis të jetoni në mënyrë të kulturuar vetëm në periudhën e artë të socializmit specifik”.

Me qëllim që të shuajnë çdo ndjenjë nacionale në shkrimtarët e rinj kosovarë, organet jugosllave i orientojnë ata që të shkruajnë për tema që i interesojnë regjimit titist dhe frymës së “bashkim-vëllazërimit”. Në të kundërtën, censura e rreptë ndalon botimin dhe merr masa karshi autorëve siç është rasti i shkrimtarit Adem Demaҫi e të tjerë. Duke parë influencën e madhe që ka letërsia shqiptare në atë kosovare, Ministria e Arsimit e Serbisë, nën parullën “të njihet letërsia e popujve jugosllavë”, urdhëroi që në gjuhën shqipe të përkthehen kryesisht veprat e shkrimtarëve jugosllavë dhe faktet tregojnë se ¾ e përkthimeve janë nga këta shkrimtarë. Po kështu, ata pengojnë hapjen e qendrave të kulturës e artit shqiptar. Në Kosovë, ka vetëm një teatër dramatik shqiptar dhe tre shoqëri teatrale si në Pejë, Prizren e Gjakovë. Numri i bibliotekave është shumë i pakët, ku 75% të librave janë në gjuhën serbe. Shumë më e keqe është gjendja në Malin e Zi, ku për më se 30 000 shqiptarë që banojnë atje, kanë vetëm një bibliotekë, në fondin e së cilës, vetëm 3% e librave janë në gjuhën shqipe. Po të bëhen krahasime me krahinat e tjera, del një tablo e trishtueshme. Republika e Serbisë me 6 milionë banorë, ka 50 herë më tepër biblioteka e 72 herë më tepër se Kosova teatro. Këta dy meshkuj tregojnë qëllimin jugosllav kundrejt krahinave shqiptare.

Për sa i përket muzikës e folklorit shqiptar, ekziston e njëjta gjendje. Në reporterët e shfaqjeve paraqiten shumë pak këngë e valle shqiptare, duke e argumentuar këtë se, gjoja folklori shqiptar është “i varfër e primitiv” dhe se ai “nuk ndihmon në ngritjen e nivelit kulturor të popullit”. Duke e trajtuar në këtë mënyrë folklorin shqiptar, ata në të njëjtën kohë përhapin sa më shumë muzikën, këngët e vallet jugosllave, me parullën “e uniformizimin e artit e të kulturës të popujve të Jugosllavisë”. Kuptimplotë janë thëniet e Dushan Mugoshës, në vitin 1963, me rastin përvjetorit të revistës “Jeta e re”, i cili midis tjerash tha: “Në veprat shqipe duhet të rrahë zemra e jugosllavizmit”.

  1. Përpjekjet për degjenerimin moral të rinisë dhe nxitja për t’u martuar me sllavët

Në mënyrë që ta largojnë rininë kosovare nga çështjet nacionale, jugosllavët kanë filluar një veprimtari të gjerë për degjenerimin e tyre si me anën e muzikës, vallëzimeve, shëtitjeve me vajza serbe etj., qëllimi i të cilëve është tërheqja në këto “argëtime” e sa më shumë të rinjve e të rejave kosovare dhe korruptimi i tyre. Në tetor 1961, profesori i Fakultetit Juridik të Beogradit, Voisllav Bakiq, në ligjëratën e mbajtur në Prishtinë, i bëri thirrje rinisë kosovare “për një jetë më të mirë seksuale”. Në konferenca e leksione të përgatitura, u flitet të rinjve që “të bëjnë një jetë të qytetëruar” dhe në të njëjtën kohë kritikojnë rëndë të gjithë ata që kundërshtojnë këtë proces degjenerimi, duke i cilësuar “prapanike”.

Ideologët titistë, thonë se “deformimi fizik i vajzës shqiptare të Kosovës, e ka burimin në mënyrën patriarkale të jetës së saj” dhe se “emancipimi i saj duhet të bëhet vetëm me anën e moralit specifik jugosllav, dhe jo me anën e moralit primitiv që ndrydh ndjenja”. Për të dhënë shembull të këtij morali “specifik”, ata kanë sjellë në qytete të ndryshme të Kosovës vajza të degjeneruara sllave për të shtuar korrupsion e degjenerimin e rinisë kosovare. Me anën e radios, shtypit e konferencave, kritikohen “fanatikët që nuk u japin “liri” vajzave të tyre. Ata përkrahin e nxisin martesat e djemve kosovarë me vajza serbe e anasjelltas. Çdo martesë e këtillë propagandohet me të madhe në shtyp e radio si shembulli i “bashkim-vëllazërimit”.

  1. Sjellja e stabilizimi i sllavëve në vendet e banuara nga shqiptarët

Qysh në vitin 1945 jugosllavët ndanë krahina të ndryshme shqiptare dhe i kaluan nën vartësin administrative të Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë, me qëllim që nga njëra anë tokat shqiptare të mos formonin një tërësi, gjë që do të shtronte më vonë problemin e krijimit të një republike shqiptare në federatën jugosllave dhe nga ana tjetër të minimizoheshin ekzistenca e popullsisë shqiptare në ketë vend. Sa më sipër, vlen të vihet në dukje se edhe në kohën e tanishme, bëhen plane për shkëputjen e krahinave të tjera nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit. U mësua se gjatë bisedave që ka bërë Bllazho Jovaniviqi, në pranverën e vitit 1962, me autoritetet e pushtetit lokal të Pejës, kishte vënë në dukje planet e Qeverisë jugosllave për të kaluar krahinën e Pejës nën administrimin e republikës së Malit të Zi. Komente rreth kësaj çështjeje vazhdojnë edhe në kohën e tanishme.

Paralel me largimin e shqiptarëve për në thellësi të Jugosllavisë e Turqisë që është bërë e bëhet vazhdimisht, si rezultat i masave shkombëtarizuese e asimiluese, jugosllavët po sjellin sllavë në këto krahina duke i stabilizuar kryesisht në vendet strategjike dhe ekonomike si në Prishtinë – qendër politike e administrative; Mitrovicë – qendër minerale-industriale; Pejë – vend strategjik-ekonomik dhe Podujeva – kufi me Serbinë. Është për t’u theksuar se struktura e popullsisë në këto krahina, ndryshon vazhdimisht në favor të elementit sllav. Në rast se në vitin 1946, përqindja e popullsisë sllave në Kosovë, nuk i kalonte 18% ajo tani është rritur në 30%. Për ngritjen e përqindjes të elementit sllav jugosllavët kanë ndërtuar e po ndërtojnë qendra industriale, nyje hekurudhore dhe ndërtesa të reja banimi ku stabilizohen kryesisht sllavët e ardhur si “inxhinierë”, “specialistë”, “arsimtarë”, “kuadro parti e pushteti”. Kështu, në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës, është në ndërtim e sipër një qytet i ri, ku përqindja e popullsisë serbe është mbi 85%. Dërgimi në mënyrë sistematike dhe të pandërprerë në këto krahina i sllavëve, justifikohet me mungesën e kuadrove shqiptare e propagandohet me parullën e “bashkim-vëllazërimit”.

Në të vërtetë jugosllavët me qëllim mërzitje nga njëra anë dhe nxitje nga ana tjetër, kanë krijuar një gjendje të vështirë ekonomike për shqiptarët në Kosovë. Ata kanë përcaktuar pagat e specialistëve, mësuesve, profesorëve, punëtorëve e të tjerë shqiptarë në një minimum që nuk arrin fare për jetesë, p.sh. një profesori i paguajnë 15-20 000 dinarë, një punëtori 8 000 dinarë, një tekniku 15-18 000 dinarë. Me qëllim “përmirësimi” të jetesës, zhvillohet një propagandë e madhe për të shkuar në thellësi ku ju caktojnë rroga nga 30-40 000 dinarë, ndërsa sllavët që në thellësi kanë rroga mbi 30 000 dinarë, i nxisin të vinë në Kosovë duke iu paguar edhe 50% më shumë. Në këtë mënyrë nga njëra anë veprojnë për të larguar shqiptarët, dhe nga ana tjetër për të sjellë sllavët.

Konkluzione

Për sa më sipër, konkludojmë:

  1. Pasi krimet e shumta dhe dëbimet e më se 50 000 familjeve që bënë në vitin 1956, të cilat u demaskuan nga Partia e Qeveria, e nuk dhanë rezultatet që priteshin, kuptohet se jugosllavët mbas kësaj kohe kanë hartuar dhe punojnë sistematikisht në bazë të një plani të caktuar, në të cilën parashikojnë një numër veprimesh dhe kombinacionesh të gërshetuara që ndihmojnë njëra-tjetrën. Sipas planit dhe veprave që kryen, del e qartë se titistët kërkojnë me çdo kusht që brenda një afati minimal t’ia arrijnë qëllimit strategjik, shkombëtarizimin dhe asimilimin e popullit shqiptar në Kosovë, Rrafshit të Dukagjinit, viseve shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, popullimin e tyre me mbi 50% sllavë, për të cilën nga ana taktike shfrytëzoi çdo situatë e rast të favorshëm për të sheshuar pengesat dhe kundërveprimet. Format më të rrezikshme që i ndihmojnë qëllimit, në kohën e sotme janë “kooperativat” dhe “format” me anë të të cilave, duke përdorur dhe dhunën rrëmbejnë tokat e fshatarëve dhe i largojnë ata nga trualli i tyre. Ndërsa, format dhe veprimet e tjera, megjithëse edhe ato lozin rol me rendësi, tani për tani janë ndihmuese.
  2. Para kësaj gjendjeje, popullsia dhe sidomos inteligjenca e rinia shqiptare, e orientuar nga vija e drejtë e Partisë sonë e shikojnë qartë dhe me shqetësim rrezikun e politikës djallëzore të jugosllavëve, përpiqen të bëjnë një rezistencë te organizuar, duke demaskuar politikën asimiluese dhe propagandojnë për të qëndruar në truallin atëror me parullën “Fifty-fifty”, (me kuptimin mos me u largu, se po arritën sllavët, 50% humbin çdo shpresë për liri dhe kombësi), shkruajnë parullën kundër qeverisë titiste, dhe bëjnë përpjekje për t’u organizuar, luftuar etj. Rezistenca aktualisht bëhet nga individë dhe grupe të vogla, kështu që ajo është e pafuqishme për të ndaluar veprimtarinë kriminale dhe djallëzore për asimilim. Të gjitha këto kanë bërë që situata në Kosovë të jetë mjaft serioze dhe e rrezikshme, populli atje është shumë i preokupuar dhe çdo shpresë e ka drejtuar tek Partia dhe Qeveria e RP të Shqipërisë.

Propozime

Me qëllim që të demaskohet politika asimiluese e shkombëtarizuese e klikës revizioniste të Beogradit, të inkurajohen drejt forca patriotike që të jenë në gjendje t’i bëjnë një rezistencë aktive, propozojmë: a) Në rast se lejon situata, është mirë të demaskojë në mënyrë sistematike dhe të bëjnë të qartë për popullin shqiptar në Jugosllavi e botën e jashtme qëllimet, format e metodat që përdorin jugosllavët, duke përdorur materialet që keni grumbulluar si edhe deklaratat e emigrantëve kosovarë të ardhur vitet e fundit. Përdorimi i këtyre materialeve do të ndihmojë për demaskimin e veprimeve kriminale, gjë që do të jep një impuls të ri popullsisë shqiptare të atyre viseve të rezistojë e të mos largohet nga vendlindja. Kjo punë do ndihmojë deri në njëfarë mase për të ndërprerë hovin e veprimeve djallëzore të jugosllavëve. b) Të shihet mundësia që pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, të krijohet një sektor për studimin e historisë, folklorit, letërsisë e tjera të krahinave shqiptare në Jugosllavi. Ky institucion, në bazë të fakteve shkencore, të demaskojë falsifikimet e historianëve titistë, të cilët i paraqesin tokat shqiptare në Jugosllavi, si sllave e të tjera. Përhapja e këtyre materialeve jo vetëm që do të zhvillojë ndjenjat patriotike, por do t’iu japë forca e argumente bindëse për të demaskuar falsitetin e historianëve sllave e të tjera. c) Me këtë rast mendojnë dhe sugjerojnë se po qe e mundur të studiohet mundësia që në tekstet tona shkollore, të cilat përmbajnë vetëm disa gjera të zbehta, e në disa raste jo të sakta, të vihen materiale mbi Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit e viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, në mënyrë që brezi ynë i ri, të njihet me to dhe të edukohet me frymën e dashurisë për popullin e tërësinë tokësore të vendit tonë.

Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme

Drejtor i Drejtorisë së Parë

Gjenerallejtënant

(Zoi Themeli)

                                                                               -28-

 

Relacion mbi shtetasit shqiptarë që banojnë në Jugosllavi

Gjendja e shtetasve shqiptarë që banojnë në Jugosllavi është e paqartë dhe si rezultat i kësaj është e vështirë që të jepet një statistikë e saktë e numrit të tyre, e shpërndarjes në territorin e Jugosllavisë, e profesionit të tyre dhe të gjendjes ekonomike dhe politike në të cilën ndodhen. Si rezultat i politikës armiqësore të Qeverisë jugosllave dhe i diskriminimit dhe shtypjes që u bëhet shtetasve tanë, shumë prej tyre nuk i janë përgjigjur thirrjes së bërë nga përfaqësia jonë në vitin 1957, për t’u regjistruar në përfaqësinë tonë dhe për t’u pajisur me dokumentet përkatëse. Gjendja e shtetasve shqiptarë në momentin e tanishëm paraqitet në këtë mënyrë:

Në përfaqësinë tonë ekzistojnë regjistrat matrikull që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1950. Në këto libra janë shënuar përveç shtetasve me banim të përhershëm në Jugosllavi, edhe ata që kanë pas ardhur provizorisht, ose për studime dhe kualifikim. Kështu që, është shumë e vështirë të dallohen shtetasit që kanë qenë me banim të përhershëm në Jugosllavi sidomos nga ata që kanë ardhur me qëndrim të përkohshëm. Nga ana tjetër, në këto regjistra nuk figurojnë adresat ekzakte të tyre, por vetëm qyteti ku ata ndodhen. Duke u bazuar në të dhënat e pakta që kanë këto regjistra, ne jemi munduar që të nxjerrim listat e atyre që mendoj me se janë me banim të përhershëm këtu. Kështu, në regjistrin e vitit 1945, figurojnë të regjistruar 46 persona, në atë të vitit 1946, 228 persona, në atë të vitit 1947, 158 persona, në atë të vitit 1948, 84 persona, në atë të vitit 1949, 183 persona. Sikurse shihet, numri më i madh i shtetasve tanë ka qenë regjistruar në vitet 1946 dhe 1947, mbas kësaj ai ka filluar të bjerë bile dhe ata që kanë qenë të regjistruar në këto dy vite, më vonë i janë shmangur riregjistrimit, mbasi sikurse duket nga listat, regjistrimi përsëritej çdo vit. Një karakteristikë tjetër e regjistrimit të këtyre shtetasve është se ai është bërë në bazë të dokumenteve që kanë paraqitur ata dhe jo në bazë të çertifikatave të shtetësisë, bile ka të atillë që kanë paraqitur dokumente të lëshuara nga regjimi i zogut, ose nga autoritet e okupatorëve. Në regjistrim themelor të shtetasve që disponon tani Legata, regjistrimi i shtetasve ka filluar në vitin 1955, në të ekzistojnë të regjistruar 149, janë riatdhesuar, kurse 149 janë pajisur me pasaporta konsullore ose i kanë shkëputur lidhjet me përfaqësinë tonë. Kjo padyshim nuk pasqyron numrin e vërtetë të shtetasve tanë që jetojnë në Jugosllavi. Shumë prej tyre, duke ju frikësuar pasojave që mund të kenë nga organet jugosllave janë detyruar të marrin shtetësinë jugosllave, aq më tepër sepse organe jugosllave kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj tyre për të marrë shtetësinë jugosllave. Një pjesë e madje është riatdhesuar në Shqipëri, kurse pjesa tjetër e ruan shtetësinë, por nuk mban asnjë kontakt me Legatën, bile nuk i përgjigjet dhe letrave që ne i dërgojmë. Këta persona zakonisht janë të pajisur nga organet jugosllave me letërnjoftim special të caktuara për shtetasit e huaj, ose atyre për shtetasi që jetojnë në Jugosllavi. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në Legatë, nuk paraqiten asnjëherë këtu dhe zgjatjen e afatit të pasaportave konsullore e bëjnë me anën e dërgimit të tyre nëpërmjet postës. Dhe kanë ndonjë tjetër, si certifikata ose vërtitim i kërkojnë gjithashtu me anën e letrave. Kohët e fundit jugosllavët kanë marrë masa shumë rigoroze për shtetasit shqiptarë. Për dy vjet rresht, në territorin e Kosovës dhe krahinave të tjera të banuara nga shqiptarët u zhvillua e ashtuquajtura fushatë për përcaktimin e shtetësisë. Gjatë kësaj periudhe organet e UDB-së, ose mbahen në pyetje të gjithë personat që kanë pasur marrëdhënie me Shqipërinë, si para lufte ashtu dhe mbas saj.            Në pyetje merreshin dhe ata persona të cilët kanë qenë në Shqipëri si vizitorë, turistë, ose për punë të tjera dhe që ishin të kombësisë shqiptare që paraluftës dhe mbas saj, kanë pasur lidhje me vendin tonë, qofshin këto miqësore apo zyrtare. Gjatë kësaj fushate, shtetasve shqiptarë që nuk paraqitnin rrezikshmëri, ose nuk kishin dyshime për jugosllavët, u bëhej thirrje bile dhe presion për të lënë shtetësinë shqiptare dhe për të marrë atë jugosllave. Kurse, personat e padëshirueshëm për ta, qofshin këta shtetas dhe duke i pajisur me flotë shpërngulje mbasi mbaheshin pak në kampet e përqendrimit, nxirreshin në kuadrin tonë, ose në vendet perëndimore. Shumë i detyronin që të kërkonin në përfaqësinë tonë riatdhesim, bile ju caktonin dhe fatin e qëndrimit të mëtejshëm në Jugosllavi.

Gjatë periudhës së viteve 1948-1953, shumë shtetas shqiptarë pa kërkesën e tyre janë konsideruar shtetas jugosllavë dhe janë pajisur me dokumente përkatëse. Ligji i ri mbi shtetësinë jugosllave, aprovuar nga Shkuptina Federative në vitin 1964, ju bën të mundur shtetasve të huaj që të marrin lehtë shtetësinë jugosllave edhe sikur organet përkatëse të shtetit, shtetas i të cilit është personi, nuk i aprovon lejen e shtetësisë së mëparshme. Deri tani nuk kemi ndonjë të dhënë se si kanë reaguar lidhur me këtë ligj shtetasit tanë. Në këtë mënyrë, paraqitet në momentin e tanishëm gjendja e shtetasve tanë në Jugosllavi. Bashkangjitur me këtë relacion, po ju dërgojmë listat e shtetasve tanë që figurojnë të regjistruar me regjistrat matrikull të viteve 1945, 1946, 1947, 1948, 1949, 1950, si dhe listën e shtetasve të regjistruar në regjistrin themelor të shtetasve, që nga viti 1955 dhe deri më sot.

Beograd, më 20/XII/1964                                                                 I ngarkuari me punë a. i.

(Tahmaz Beqari)

                                                                                         -29-

 Legata e RP Shqipërisë

Nr. 24

Ankara, më 10/5/1965

Ministrisë së Punëve të Jashtme

Tiranë

Relacion mbi emigrimin e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia në Turqi gjatë tre vjetëve të fundit

  1. Si edhe në të kaluarën edhe gjatë këtyre viteve të fundit, veprimtaria armiqësore e Qeverisë jugosllave ka vazhduar dhe vazhdon politikën e diskriminimit, për shkombëtarizimin dhe asimilimin e popullsisë shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. Në kuadrin e veprimtarisë armiqësore për shkombëtarizimin e asimilimin e popullsisë shqiptare, një rëndësi të madhe i kushtojnë emigrimit në mënyrë të veçantë në Turqi. Për këtë qëllim ata përdorin të gjitha format e diskriminimit të kombinuara këto me presione policore, politike, ekonomike fetare etj. Për të qenë këto më të efektshme, përdorin forma e metoda sa më të stërholluar, duke ua përshtatur konditave e situatave të veçanta. Nga ndjekja e studimi që neve i kemi bërë këtij problemi, me mundësitë tona, gjendja paraqitet si më poshtë:
  2. Faktorët që influencojnë për emigrimin e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi

Klika e Titos si vazhduese besnike e politikës brutale të Karagjergjoviqve, për të shtrirë drejt jugut në kurriz të tokave shqiptare, edhe për t’i skllavëruar ato, ka për princip politikën e shkombëtarizimit e asimilimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Në shërbim të këtij qëllimi, revizionistët titistë kanë vënë në përdorim të gjithë aparatin shtetërore, dhe të partisë. Një rol të madh në këtë drejtim lozin organet e diktaturës për presione e diskriminim, organet e pushtetit për presione e shantazhe ekonomike, financiare, organet e partisë në terrenin e propagandës etj. Të gjitha këto organe në mënyrë të centralizuar dhe me intensitetin më të madh u janë venë në qafë masave shqiptare për t’i mbyllur çdo portë nga ato që mund të shohin ndonjë mundësi sa më të vogël për të jetuar në tokën e tyre amtare. Krijojnë gjithfarë kombinacionesh për të gjetur ndonjë pretekst në bazë të së cilit i vihen njerëzve me gjithë farë formash për t’u imponuar që të emigrojnë.

Si rezultat i presioneve policore, ekonomike e psikologjike, masës shqiptare i bëhet jeta e padurueshme dhe njerëzit me nerva të dobëta dashtë e padashtë, marrin rrugën e emigrimit për në Turqi. Krahas organeve të mësipërme, titistët e shfrytëzojnë prapambetjen dhe sidomos sentimentet fetare të popullsisë. Nëpërmjet presioneve e demagogjisë si edhe duke përfituar nga prapambetjet e nga mungesa e formulimit të ndërgjegjes kombëtare, kanë mundur të fusin në dorë institucionet islamike e një pjese të mirë të hoxhallarëve. Në bazë të udhëzimeve të titistëve, ata bëjnë një presion psikologjik mjaft të efektshëm. Ata propagandojnë në besimtarët e tyre, se për të ruajtur fenë është e domosdoshme që të largohemi e të emigrojmë në Turqi; muhaxherllëku është hak i zotit, se në të kundërtën do të dalim fejet fare etj. Ky presion bëhet i dyanshëm: a) nga ata që banojnë në Jugosllavi, dhe b) nga ata që kanë emigruar në Turqi dhe nëpërmjet bisedave që bëjnë me vizitorë që vijnë nga Jugosllavia si dhe nëpërmjet korrespondencës.

III.  Faktorët që kanë influencuar që numri i emigrimeve është pakësuar në krahasim me të kaluarën

Në krahasim me të kaluarën shikohet një rënie e numrit të emigrimeve nga Jugosllavia në Turqi. Për këtë kanë influencuar shumë faktorë, por më kryesorët janë këto: a) qëndrimi konsekuent i RP të Shqipërisë për demaskimin e veprimeve banditeske të revizionistëve jugosllavë, për terrorizmin, shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, duke i detyruar ata të lënë tokën e tyre e të emigrojnë në Turqi, përfshi këtu edhe punën e Legatës me udhëzimet e MP të Jashtme pranë organeve qeveritare turke. b) Elementi patriot e sidomos rinia kosovare e inspiruar nga qëndrimi i vendosur i RP të Shqipërisë, kanë punuar intensivisht në masat e popullit, jo vetëm për të kundërshtuar politikën sllave të emigrimit të shqiptarëve në Turqi, por ata kanë bërë një punë vetëmohuese për të formuar e rritur ndërgjegjen nacionale kombëtare. Lufta e tyre konsekuente ka dhënë e po jep një kontribut të jashtëzakonshëm. Pjesa intelektuale, e sidomos rinia, ndodhet në barrikadat e para të kësaj lufte jo vetëm për të kundërshtuar politikën e emigrimit, por edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Nëpërmjet veprave letrare-artistike në prozë e në poezi, shprehin ndjenjat e tyre. c) Pjesa e pastër e elementit të imponuar nga titistët të emigrojnë në Turqi, këtu bëjnë një punë të frytshme, për t’u shpjeguar kosovarëve që vijnë nga Jugosllavia si turistë, domosdoshmërinë për të mos emigruar dhe për të qëndruar në vendin e tyre. ҫ) Gjendja e keqe ekonomike në Turqi, si: papunësia, mungesa e profesioneve, niveli i ulët kulturoro-arsimor, mosdija e gjuhës, bën që pjesa dërmuese të merret me punë të rënda fizike, e si rrjedhim edhe paga të vogla. Tek shqiptarët që vijnë nga Jugosllavia ndërrojnë mendim nga frika se nuk do të mund të jetojnë në këto kondita. d) Personat fetarë, kur shikojnë se korrupsioni ka marrë përpjesëtime të gjera edhe prestigji i fesë ka rënë, influencon tek një pjesë për të mos emigruar. e) Emigrimi masiv u bë deri në vitin 1956/1957. Në disa krahina, fshatra të tëra kanë mbetur krejtësisht ose pjesërisht të pabanuara.

  1. Gjendja aktuale e emigrimeve të shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi

Nga studimi e verifikimi që i kemi bërë këtij problemi me mundësitë tona (do të shikohet edhe më poshtë), vërehet që gjatë vitit 1964 shënohet një ngritje kërkesash për emigrim si më poshtë: si rezultat i qëndrimit konsekuent të Partisë e Qeverisë të RPSH-së në demaskimin e veprimeve shkombëtarizuese-asimiluese të masës shqiptare në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, Qeveria jugosllave që nga 1956/1957 ndërpreu emigrimet direkte nga viset shqiptare në Turqi, por krijuan Maqedoninë e sidomos qytetin e Shkupit si qendër transitorë, ku pasi kalonin një stazh 1-2 vjet, regjistrohen maqedonas, me kombësi turke e pastaj plotësojnë dokumentet e emigrimit për në Turqi. Pas tërmetit të Shkupit, nxorën një urdhëresë se në qytetin e Shkupit nuk do të lejohet të regjistrohet asnjë i huaj (fjala është për kosovarët), duke krijuar opinionin se edhe qendra ndërmjetëse e emigrimeve u prish. Në esencë ishte për efekt propagandistik, mbasi vetëm të gjithë qytetet e Maqedonisë janë lirë për regjistrime, por edhe qyteti e fshatrat e Shkupit të cilave nuk u sjellin asnjë lloj pengese. Kosovarët pasi shpërngulen nga Kosova dhe regjistrohen në qytetet e Republikës maqedonase, automatikisht pa as më të voglën pengesë, përgatisin dokumentet për emigrimin në Turqi. Kurse ata që banojnë në viset shqiptare, në Maqedoni, bëjnë dokumentet për emigrim, mjafton që si këta edhe kosovarët, me dy dëshmitarë pranohet ndryshimi i kombësisë nga shqiptarë në turq. Kohët e fundit flitet se jugosllavët do të ndryshojnë letërnjoftimet e popullsisë dhe shqiptarëve në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit dhe në viset shqiptare të Maqedonisë, në letërnjoftimet e reja do t’ua venë komisione jugosllave, siç kanë bërë me shqiptarët e Malit të Zi disa vjet më parë. Pas kësaj, procesi i emigrimit do të thjeshtëzohet akoma më shumë për kosovarët, mbasi nuk do të kenë nevojë më me u bë qytetarë të R. Maqedonisë, por do ndryshojnë vetëm kombësinë.

Emigrimet nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit

Veprimet shkombëtarizuese jugosllave në Kosovë në mënyrë masive janë përqendruar në krahinën e Rugovës, nga qytetet e Prizrenit e Pejës. Kjo përputhet me planin e Karagjorgjeviqve, për të zbrazur nga shqiptarët Rrafshin e Dukagjinit (Pejë, Gjakovë, Prizren) që kufizohen me vendin tonë. Duke ndryshuar proporcionin e popullsisë në favor të sllavëve në këtë zonë, automatikisht pretendimet tona, për Kosovën bëhen të paefektshme. Ndërsa, në krahinat e tjera të Kosovës, shpërnguljet bëhen në forma të shkëputura ose individuale, por gjithmonë si rezultat të presioneve e diskriminimeve.

Plani i zbrazjes komplet të krahinës trime të Rugovës nga popullsia e vetme shqiptare, ka filluar pas vizitës së xhelatit Rankoviq, para disa viteve, i cili e shpalli park nacional të gjuetisë. Që prej asaj kohe, grafiku i akteve të diskriminimit të çdo forme, filloi të ngrihet në maksimum dhe ka kapërcyer çdo normë njerëzore. Si rezultat i veprimeve banditeske të regjimit… një pjesë, këta zbresin në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni, e prej andej emigrojnë në Turqi. Aktualisht priten të vijnë këtu 3 familje me rreth 70 anëtarë edhe 6 familje të tjera po përgatiten të vijnë nga katundi Kuqisht i Rugovës. Për shpejtimin e këtij procesi organet jugosllave kanë marrë masa të rrepta diskriminimi, duke mos i lejuar që të shesin edhe dru, e vetmja të ardhurash që u kishte mbetur për të jetuar.

Emigrimet nga viset shqiptare të Maqedonisë

Për sa u përket veprimeve shkombëtarizuese në viset shqiptare të Maqedonisë, vëmendja kryesore në mënyrë masive është përqendruar në qytetin e Shkupit, ndërsa në rrethet e tjera të Maqedonisë në forma të shkëputura, mbasi kishin për të dëbuar, i dëbuan në vitet 1953/1957. Pas tërmetit të Shkupit, Qeveria jugosllave nëpërmjet organeve lokale u komunikoi shqiptarëve se ata që dëshirojnë, janë të lirë edhe mund të rindërtojnë banesat e tyre të shkatërruara nga tërmeti në trojet e tyre ku i kanë pasur. Pas këtij komunikimi zyrtar, shqiptarët, përfshi edhe personat e turqizuar me sakrifica e mundime të mëdha e restauruan dhe një pjesë i bënë edhe më të mira nga ato që i kishin më parë. Pas kësaj, organet lokale të pushtetit titist nën pretekstin se ndërtimet e lagjeve të banuara nga shqiptarët e një pjesë “turqish” nuk janë bërë konform planimetrisë e arkitekturës së re të Shkupit, nxorën vendime, një komision shtetëror, për të rrezuar të gjitha. Komisioni me paramendime i çmonte shumë më pak nga vlera e kostos reale. Kundërshtimeve e ankesave të popullsisë u përgjigjeshin negativisht në mënyrë të prerë. Organet e pushtetit titist me anë të këtyre veprimeve diskriminuese, të bëra me paramendim, kanë bërë që tek shqiptarët të jetë krijuar një atmosferë zemërimi e pakënaqësie dhe në pamundësi për të gjetur rrugëzgjidhje, i ka mbuluar pesimizmi dhe nuk shikojnë asnjë mundësi konkrete për të jetuar në këto kondita në tokën e tyre. Duke përfituar nga kjo gjendje shpirtërore e psikologjike, njerëzit e UDB-së të pushtetit e partisë titiste, provokonin biseda me njerëzit kryesorë, duke u paraqitur si ndërmjetës që në rast se do të emigronin në Turqi, ka mundësi që çmimin e banesave t’ua ngritin. Nëpërmjet këtyre nxitjeve dhe duke përfituar edhe nga gjendja psikologjike e masës shqiptare, shumë persona kanë dhanë pëlqimin për t’u emigruar në Turqi. Në këtë mënyrë, personave ose personat që japin pëlqimin për të emigruar në Turqi, komisioni ua riçmoi banesat, duke u dhënë shuma më të mëdha të hollash dhe krahas jo vetëm që ua likuidojnë më shpejt, por u vijnë ne ndihmë duke u dhanë presidencë për plotësimin e dokumenteve e për marrjen e pasaportave. Me këto makinacione të ulëta, titistët gjithnjë e më shumë, po tërheqin shqiptarët për të shkruar në listat e regjistrimeve për emigrim në Turqi. Nga të dhënat që kemi, rezulton se: si rrjedhim i këtyre veprimeve armiqësore të Qeverisë jugosllave, kanë arritur që vetëm nga qyteti i Shkupit janë duke u përgatitur e mbushur dokumentet dhe janë në pritje për të marrë vizat sipas thënjëve të shqiptarëve që kanë ardhur andej për të emigruar në Turqi mbi 300 familje. Nga studimi e verifikimi që i kemi bërë këtij problemi (në kuadrin e mundësive tona) rezulton se gjatë këtyre tre vjetëve të fundit nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e viset shqiptare në Maqedoni, janë shpërngulur dhe kanë emigruar këtu në Turqi rreth 400 familje. Duhet theksuar se pjesa më e madhe e këtyre janë familje patriarkale që përbëhen nga 15 anëtarë e më shumë. (Pasqyra ekzakte me emra nuk është e mundur të krijojmë, mbasi shqiptarët këtu janë të shpërndarë pothuajse në të gjithë Turqinë Qendrore e Perëndimore).

  1. Qëndrimi i Qeverisë turke karshi emigrimit të shqiptarëve në Turqi

Qeveria turke pranon të emigruar nga çdo vend, në kuadrin e këshillave të Ataturkut, mjafton që të shfaqin dëshirën për të jetuar këtu dhe Turqia tregon dashamirësinë ose bujarinë e sajë për t’i pranuar. Me gjithë se personalitetet e vendit, përfshi edhe ideologët e tyre, thonë se Turqia vuan nga shtesa e popullsisë edhe në të njëjtën kohë, pranojnë shqiptarët që nuk dinë asnjë fjalë turqisht, mjafton që formalisht të jenë regjistruar si turq. Për verifikimin se shqiptarët nëse janë ose dinë apo jo të flasin turqisht, nuk bëhet asnjë lloj kontrolli nga organet e Ambasadës në Beograd e të Konsullatës turke në Shkup, ose nga organet kufitare kur hyjnë në kufirin turk. Personat që emigrojnë këtu, vijnë me shtetësi e “kombësi” turke, automatikisht gëzojnë të drejtat e barabarta si edhe vendasit, ndërsa si privilegje u jepet që për 5 vjet të përjashtohen nga të gjitha. Vitet e fundit ka dalë një urdhëresë sipas së cilës emigrantët që vijnë nga Jugosllavia nuk lejohen të regjistrohen e të banojnë në Stamboll, Ankara dhe Izmir. Kjo është një urdhëresë e shkruar në letër, mbasi në praktikë të emigruarit plotësojnë formalitetet e regjistrimit në qytetet e sipërme, ku ata dëshirojnë, duke mos u sjellë autoritetet e vendit një lloj pengese. Si rezultat i gjendjes së keqe ekonomike dhe për papunësinë që ekziston në Turqi, kohët e fundit për të siguruar jetën e shumë shqiptarëve e sidomos kosovarëve, një pjesë e mirë nga të cilët edhe me familje kanë marrë rrugën e Evropës e sidomos në Belgjikë e në Gjermani. Ky numër në proporcion me numrin e madh të shqiptarëve vijnë duke u shtuar e kjo më shumë në të rinjtë kosovarë.

Masa shqiptare që ka emigruar këtu në Turqi, mund të ndahet në tre grupe: 1) Besimtarët ekstremistë, që janë të zhytur thellë në islamizëm, egoistë e të palogjikë, të cilët përpiqen të influencojnë e të tërheqin sa më shumë shqiptarë, këtu ku janë edhe vetë. Kryesisht e bëjnë ketë, për t’i shërbyer fesë dhe për të lehtësuar mërzinë e tyre. Në këtë mënyrë duke u bërë tellall dhe përkrahës indirekt të jugosllavëve, arsyetojnë duke thanë se, kush bëhet muhaxhirë bën shumë sevap, sigurojnë xhenetin e dogma fetare të tjera të dëmshme e antikombëtare. 2) Indiferentët ku bëjnë pjesë, një pjesë e mirë shqiptarësh të Maqedonisë Qendrore, të cilat nga niveli i ulët arsimor, nga mungesa e ndërgjegjes kombëtare, çdo gjë e shikojnë në kuadrin e vendasve. Këto dy grupe, për karakterin e tyre, shkojnë me ritme të shpejta drejt asimilimit në turq. Ndërsa, grupi është edhe më negativ, për faktin se behën përkrahës të jugosllavëve, të cilët duke u nisur nga pozitat egoiste nxisin emigrimin e shqiptarëve në Turqi. 3) Ndërsa, grupi i fundit që përbehet afërsisht nga 1/4 e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve, kanë emigruar ose më mirë janë dëbuar kundër dëshirës si rezultat i veprimeve diskriminuese të pushtetit titist. Këta shohin gjendjen realisht dhe reagojnë pozitivisht si për çështjen e Kosovës ashtu dhe ndaj RP të Shqipërisë. Këta trupin e kanë këtu, por zemrën e kanë në Kosovë. Këta nuk janë afruar plotësisht tek ne si përfaqësi, nga frika e xhandarit të këtushëm, i cili po të futi në dorë u merr shpirtin si në periudhën e skllavërisë. Pikërisht kundër kësaj pjese përqendrohen veprimet operativo-agjenturiale të organeve të Zbulimit jugosllav, me qëllim që të shuajnë tek këta, çdo ndjenjë kombëtare dhe simpatike ndaj vendit tonë, t’i vej në opozicion me RP të Shqipërisë, të shpejtojë procesin e asimilimit në Turqi dhe si përfundim të evitojë rrezikun që këta mund të krijojnë në raste të ndonjë situate oportune që mund t’u jepet mundësia për të luftuar kundër jugosllavëve. Nga ky grup, pjesa dërmuese rron me shpresë për t’u emigrua në vendin tonë. Këta në çdo situatë janë të gatshme të mbrojnë atdheun, bile edhe duke ardhur vetë në RP të Shqipërisë.

  1. Përmbajtja esenciale e propagandës jugosllave në radhët e kosovarëve përkundër RP të Shqipërisë

Propaganda e revizionistëve jugosllavë kundër vendit tonë në Turqi zhvillohet në mënyrë të centralizuar nga Ambasada jugosllave nëpërmjet kuadrove dhe agjenturës së saj e ndihmuar edhe nga Konsullata në Stamboll si dhe nga organet e zbulimit e kundërzbulimit të Kosovës e Maqedonisë. Këto të fundit punojnë në mënyrë të organizuar nëpërmjet turistëve e vizitorëve që vijnë nga Jugosllavia në Turqi dhe në drejtim të atyre që shkojnë në Kosovë e Maqedoni nga Turqia.

Nga të dhënat që disponojmë, rezulton se propaganda jugosllave që zhvillohet nga kategoria e njerëzve të sipërm, paraqitet mjaft e rrezikshme, helmatos atmosferën e emigracionit kosovar në Turqi, përkundër RP të Shqipërisë. Për sa më sipër, ata flasin kudo dhe shprehen si më poshtë: “Po të ishim të bashkuar Shqipëria me Kosovës (d.m.th. Shqipëria me Jugosllavinë) do të kishim bërë një jetë pa telashe. Fatkeqësisht shqiptarëve të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni që kanë lenë vendlindjen dhe kanë emigruar në Turqi, Shqipëri, në shtetet e Perëndimit e në thellësi të Jugosllavisë, fajtore për këto është Qeveria shqiptare, e cila ndjekë një politikë jo të rregullt me Jugosllavinë. Radio Tirana gënjen se Shqipëria vetë ja la Kosovën Jugosllavisë dhe se qenë shqiptarët ata që luftuan kundër rezistencës në Kosovë, e sidomos Rexhep Pallusha e tjerë. Po të ishte bashkuar Shqipëria me Kosovën (Jugosllavinë) do të ishte më mirë si për neve ashtu dhe për shqiptarët e Shqipërisë së vjetër, të rinjtë kosovarë nuk do të merreshin në qafë ashtu siç po merren; Shqipëria do të kishte përparuar më shumë, e të tjera parulla të këtilla armiqësore.

Në këtë mënyrë, jugosllavët punojnë me të gjitha mjetet propagandistike intensivisht e sidomos me agjenturën e tyre, në radhët e emigracionit kosovar, për të ndikuar e mbytur çdo lloj simpatie e reagimi pozitiv në favor të RP të Shqipërisë. Për këtë qëllim, organet e UDB-së, çdo personi që i japin vizë të vijë në Turqi, i thërrasin në zyrat e tyre ku i mbajnë me orë të tëra dhe i instruktojnë për qëndrimin dhe detyrat që duhet të kryejnë për jugosllavët nga ana propagandistike e informative. U japin detyra të punojnë jo vetëm me lidhjet e tyre tek të cilët vijnë në Turqi, por i udhëzojnë që të shkojë në lokalet që frekuentohen nga shqiptarët, në shoqatën Turko-Shqiptare, ku të dëgjojnë se çfarë flasin për Jugosllavinë, për vendin e udhëheqësit tonë e tjera. Kur kthehen nga Turqia, ata janë të detyruar të paraqiten në zyrat e organeve të UDB-së për të dhënë raporte.

Duke përfituar nga zakoni i shqiptarëve për respektin ndaj mikut dhe për nder të të cilit thërrasin edhe komshitë e tyre, agjentët e UDB-së, në mënyrë të hapur propagandojnë para tyre pikëpamjet e propagandës jugosllave. Elementi patriot me gjithë se urrejnë jugosllavët e agjentët e tyre, në shumë raste nuk mbajnë qëndrim ndaj këtyre njerëzve të paprincip me shërbim të jugosllavëve, për këto arsye: a) Po të marrin vesh jugosllavët qëndrimin e vërtetë të tyre, nuk u japin vizat e hyrjes për të shkuar në Jugosllavi tek njerëzit e tyre e miqtë. b) Sipas zakonit prapanik u vjen keq t’i kundërshtojë miqtë në shtëpinë e tij, ose nga padija nuk janë në gjendje ta kuptojnë veprimtarinë e tyre armiqësore e antishqiptare.

Për kontrabalancimin e kësaj propagande të rrezikshme antishqiptare të jugosllavëve, përveç veprimeve tona si Legatë, ajo kërkon një punë propagandistike masive me pjesëmarrjen e organeve qendrore të propagandës e konkretisht propozojmë: 1) Të demaskohen edhe më tej veprimet kriminale të jugosllavëve si për nxitjen e emigrimeve ashtu për demaskimin e propagandës së tyre në radhët e kosovarëve kundër RP të Shqipërisë. Për këtë qëllim, të shtypen edhe broshura me format të vogla, në gjuhë të thjeshta që të jenë të kuptueshme për kosovarët dhe të mos shkruhet vendin ku janë botuar. Në këto broshura të flitet kundër Ballit Agrar, Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Kosovës, për regjimet e kaluara që nuk benë gjë për Kosovën kur ata kishin fuqinë në dorë, e tjera. Kjo jo vetëm për demaskimin e tyre, por edhe në raste se nuk flitet kundra tyre, njerëz si: Qazim Prodani me shokë janë gati të thonë se këto broshura i ka botuar Balli Agrar. 2) Me qenë se Radio Tirana, kudo këtu në Turqi dëgjohet shumë mirë, do të ishte mirë të krijohej një emision për kosovarët në Turqi e Kosovë, ashtu siç bëhet për shqiptarët e Amerikës, ku nëpërmjet këtyre programeve, të demaskohen veprimet kriminale të jugosllavëve, të vihen më tepër këngë popullore të Kosovës e të Malësisë së Veriut. Ky do të ishte një mjet shumë efektiv për tërheqjen e kosovarëve, për edukimin dhe ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjave kombëtare, dashurisë për RP të Shqipërisë dhe të shtimit të urrejtjes për grupet e emigracionit reaksionar. Si rrjedhim, këto veprime do të pengojnë akoma më shumë masat e emigrimit, asimilimit dhe shkombëtarizimit të jugosllavëve ndaj masës shqiptare në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Gjithashtu, këto do të influencojnë pozitivisht edhe në masën kosovare në Turqi. 3) Nga masa shqiptare kosovare, përfshi dhe emigrantë politikë që gëzojnë besimin politik, të nxiten e të dërgohen këtu në rrugën e vizitorëve apo turistëve që të propagandojnë në interes të vendit tonë e kundër jugosllavëve. 4) Me njerëzit që do të vijnë si vizitorë e turistë, të bëhet një parapunë parapërgatitore si për qëndrimin ashtu dhe për propagandën që duhet bërë, etj.